~ Rebelimi i Lúlus ~

Murgjit e metropolit

Kam frikë se te ne, cikli i urrejtjes ka shkuar aq larg dhe është shtrirë aq shumë brenda nesh, saqë nuk do të mund të përfundojë as atëherë kur njerëzit do të deklarojnë se po i tejkalojnë mospajtimet me njëri-tjetrin. Kam filluar të besoj se për këto 100 vitet e fundit, qëkur ne jemi, pak a shumë, përgjegjës për veten, elitat tona kanë evoluar vetëm në pamje dhe në dekor të jashtëm, ndërkaq në brendësi kanë ngelur në të njëjtin nivel të shpirtngushtësisë tipike të elitave feudale të para 100 vjetëve. Ushqejnë po të njëjtën logjikë provinciale të zilisë, smirës, ndjenjës së çartur të rivalitetit, urrejtjes së tjetrit për shkak të origjinës apo përkatësisë dhe kanë po të njëjtën qasje ndaj moralit kolektiv.

Nëse e pyet veten si ndodhi që kjo logjikë provinciale të fronëzohet si elitë e kohës, atëherë duhet të meditosh për fatin e kryeqytetit tonë. Brenda një kohe të shkurtër, kryeqyteti është majmur nga një qytet i vogël, ku të gjithë thuajse e njihnin njëri-tjetrin, në një qytet të madh me ambicien e një metropoli. E vërteta është se kryeqyteti vetëm në pamje të jashtme është rritur e zgjeruar me një ritëm dhe një mënyrë kaotike. Ndërkaq, në aspektin shpirtëror, ka mbetur po aty ku ishte para se të fillonte ky transformim i madh: në shpirtngushtësinë tipike për një kasaba të vogël.

Elitat tona janë në rezonancë të plotë me shpirtngushtësinë e metropolit, prandaj dhe nuk mund të përballojnë dhe as të durojnë askënd dhe asgjë që e përjetojnë si më të madhe se veten dhe me potencial të tillë që t’i thyejë kufizimet që ata i kanë kodifikuar si absolute. Prandaj do të bëjnë çmos që me çdo kusht ta zhvlerësojnë dhe ta ulin në nivelin e tyre.

(Lulu)

Të përpiqesh të jesh krijues në një metropol që frymon nëpërmjet një shpirti të ngushtë, është një sfidë e madhe mendore, një ushtrim i mundimshëm, si i atyre murgjve të Tibetit, ku shpirti kalitet që të durojë gjithçka.

Shpirtngushtësia e këtyre elitave, e shprehur me frustrime dhe dritëshkurtësi gati naive, ka si synim që të lëndojë në mendje dhe në shpirt secilin që mendon lirshëm dhe në mënyrë të pavarur, në mënyrë që ai të zhgënjehet dhe të tërhiqet në vetvete.

Dhe sa herë që ne themi: “Le të bëjnë çfarë të duan, sepse nuk do të merrem fare me ta”, biem në grackën e tyre. Ata duan pikërisht këtë: të shikojmë vetëm punën tonë dhe të mos interesohemi për asgjë tjetër.

Më së shumti më bën përshtypje se, përkundër praktikave të veta me mendësi autokratike, elitat tona përpiqen të paraqiten si flamurtare të liberalizmit dhe janë të gatshme që të bashkëndiejnë kauzat e të gjithë botës (lexo: ato që promovohen në media dhe rrjete sociale), por jo ndonjë nga kauzat tona. Veten e paraqesin si mendjehapur dhe tolerantë, por vetëm ndaj atyre që mendojnë apo jetojnë si ata, ndërkaq të tjerët nuk mund t’i durojnë asfare. Edhe pse deklarohen si liberalë, çuditërisht pështirosen nga ata që nuk mendojnë si ata apo që vijnë nga shtresa më të varfra apo më të prapambetura të shoqërisë. Tjetër paradoks edhe ky: pështirosen nga vetë njerëzit, pjesë e të cilëve pretendojnë se janë.

Përballë situatave të pakëndshme, si mënyrë për t’iu shmangur çdo përgjegjësie, thonë: “Punë katunarësh, punë jevgjish, punë grash, punë fukarai…” Nuk bëjnë as edhe një përpjekje që vështirësitë, brengat, dëshirat, kërkesat dhe telashet tona t’i cilësojnë me emrin e vërtetë: punë njerëzish! Kushedi, ndoshta atyre mund t’u duket naive dhe arkaike, por e kam të vështirë ta kuptoj se si mund të flasin për vlera të larta qytetëruese përderisa nuk janë në gjendje ta ndiejnë e ta prekin nga afër mjerimin e njerëzve të komunitetit tonë.

Fatkeqësisht, edhe këtë model të mbrapshtë, heshtazi por vendosmërisht, po e përvetësojmë edhe ne të tjerët. Por të mos harrojmë se në çastin kur nuk e kemi më solidaritetin dhe sensibilitetin e domosdoshëm për të reaguar ndaj problemeve njerëzore (jo vetëm të atyre që i shohim në TV dhe rrjete sociale, por sidomos të atyre pranë nesh) dhe nuk mundemi më që të identifikohemi, ta ndiejmë veten nën lëkurën e atyre ndaj të cilëve është bërë ndonjë padrejtësi, ne do të bëhemi pjesë e ciklit të urrejtjes dhe të dhunës. Nesër, kur diçka e ngjashme do të na ndodhë edhe neve, nuk do të kemi jo vetëm të drejtën morale, por as mundësinë që të kërkojmë mbështetje.

(Lulu)

Për mua, nuk ka të drejta pakicash, të drejta fetare, të drejta gjinore, të drejta fëmijësh, të drejta gejsh apo lesbikesh, por ka vetëm të drejta të njeriut. Para çfarëdo cilësimi tjetër, së pari duhet të vijë në shprehje cilësimi “njeri”, sepse, nëse e anashkalojmë këtë fakt themelor, atëherë njeriu do të zbehet edhe brenda nesh.