~ Rebelimi i Lúlus ~

Leverdia e mosveprimit

Dritë e botës, shkëlqe mbi mua,
dashuria ështëpërgjigjja,
shkëlqe mbi të gjithë ne,
çlirona!

Dashuria është përgjigjja.

Ky është refreni i këngës “Dashuria është përgjigjja”, e grupit “Utopia”, realizuar në vitin 1977, si pjesë e albumit të tyre “Planeti i gabuar”. Kushedi, ndoshta kjo ndërthurje emrash është vetëm një rastësi interesante, sepse në këtë botë tonën, për shumëkënd një planet i gabuar, simbol i dashurisë, jo rrallë tingëllon si një utopi e pastër. Por, a nuk është pikërisht kjo ngjyra e çdo ideje që ka fuqi ta zgjojë, qoftë vetëm edhe përkohësisht, ndjesinë njerëzore të mirësisë dhe të së bukurës?

Mendoj se trajtimi i dashurisë si një utopi është vetëm një justifikim më shumë për t’i ikur ballafaqimit me vetveten, diçka që ne e bëjmë tërë kohën, sepse jemi tejet të vetëdijshëm për shkakun e vërtetë të gjendjes sonë. E dimë shumë mirë që, si individë, por edhe si shoqëri, duhet të marrim një qëndrim përballë së keqes, si brenda ashtu edhe përreth nesh. Sado që mosveprimi dhe qëndrimi indiferent hëpërhë na duket komod, megjithatë nuk është e mundur që përjetësisht të qëndrojmë neutralë dhe të papërfshirë në çdo gjë që nuk na i prek interesat e ngushta.

Disa thonë se gjithë kjo ndodh për shkak se jemi sipërfaqësorë. Po çfarë nënkupton kjo, përderisa, kam përshtypjen, që edhe vetë ky justifikim është diçka sipërfaqësore në vetvete?

Nëse vërtet jemi sipërfaqësorë, atëherë kjo do të thotë se ne bashkërisht qenkemi naivë, kope? Dhe, si të gjitha kopetë, kemi nevojë për bari dhe qen stani? Jo! Nuk mund ta pranoj një logjikë të tillë. Mendoj se ne thjesht kemi humbur besimin. Te gjithçka dhe për çdo gjë. Por edhe te vetja; dhe kjo na bën të ndihemi të trembur. Prandaj edhe kemi zgjedhur të heshtim ndaj padrejtësive, të mëdha a të vogla qofshin. Dhe pikërisht kjo heshtje na ka shtyrë drejt apatisë, çka karakterizon edhe gjendjen tonë të sotme.

(Lulu)

Më trego, çfarë tjetër, pos dashurisë, ka fuqi të na e mbushë shpirtin me guximin e nevojshëm për të dëgjuar zërin që na flet nga brenda? Atë zë të së vërtetës që, me shumë të drejtë, tërë kohën na kritikon e na shan për kompromiset e pakuptimta që bëjmë në kurriz të asaj që vërtet ndiejmë dhe mendojmë?

Çfarë tjetër mund t’i ngrohë zemrat tona, në mënyrë që të mund ta dëbojmë “njeriun e ftohtë” si model jetese dhe komunikimi nga jetët tona?

Çfarë tjetër ka fuqi t’i zhbëjë ligjet e sotshme të mizorisë, në mënyrë që e keqja të mos mund të fshihet më prapa një fytyre njerëzore?

Nuk do të habitesha aspak sikur tani të thoshe se gjithë kjo tingëllon bukur, por që nuk ka ndonjë vlerë praktike. P.sh., mund të thuash: këto ide mbi dashurinë nuk kanë ndonjë efekt mbi korrupsionin, krimin e organizuar dhe mbi gjithë dukuritë e tjera të shëmtuara me të cilat ballafaqohemi çdo ditë.

Por e ke gabim!

Pavarësisht mistifikimit të problemeve tona, qasja e duhur drejt zgjidhjes është e thjeshtë! Aq e thjeshtë, saqë, në njëfarë mënyre kjo është edhe një lloj fatkeqësie e jona.

E di se ne vuajmë nga një ndjenjë e pakuptimtë e inferioritetit dhe, me ose pa meritë, nuk ngurrojmë të lartësojmë popujt e tjerë (sidomos aftësinë e tyre për të ndërtuar shtet funksional), por nuk është se ata janë më të mirë apo më të mençur se ne. Nëse shfletojmë historinë e popujve që sot janë pjesë e botës së zhvilluar, vetëm brenda një shekulli të historisë së tyre, do të gjejmë më shumë gjak, urrejtje, shtypje e shfrytëzim sesa në tërë historinë tonë. Në raport me ne, përparësia e tyre e vetme është se ata, si popull, po njësoj siç ndodh edhe me secilin individ, e kanë kaluar me sukses çastin kur duhej mbajtur qëndrim në raport me atë se çfarë vërtet duam për veten dhe për të tjerët rreth nesh.

Pa këtë qëndrim, nuk mund të paramendohet as mundësia më e vogël që dikush (kushdo qoftë) të jetë i përgjegjshëm.

(Lulu)

Pakkush nga ne (përveç atyre që vuajnë vërtet nga ndonjë patologji mendore), me vetëdije, vjedh në shtëpinë e vet, bën favorizime apo kërkon shpërblime të pamerituara nga anëtarët e familjes së vet apo të njohurve të afërm që i vlerëson qoftë edhe vetëm si miq të vërtetë. Thjesht, një veprim të tillë e ndiejmë si diçka të ulët dhe të gabuar.

Ky mendim më kujton vargjet nga kënga “Amaneti i klounit” e grupit rock “Troja”.

Kush janë këta njerz që sjanë shkollue
Nuk kan msu që njeri nuk ban
Shpin e vet me vjedh

Nuk është aspak e habitshme pse kjo këngë u popullarizua te brezi im brenda një kohe shumë të shkurtër dhe, ndonëse e shkruar në dialekt, u këndua me shumë pasion nga të gjithë të rinjtë shqiptarë, pa dallim krahine apo dialekti. Por nuk mendoj se, ndërsa i kemi kënduar këto vargje, ishim vërtet të sinqertë, si me veten ashtu edhe me të tjerët.

Sa herë që e dëgjoj këtë këngë, bëj të njëjtën pyetje: E kujt është vërtet shtëpia?

Mendoj se ne ende nuk kemi marrë një qëndrim të qartë e të pakthyeshëm, nëse vendi ynë dhe shoqëria jonë është pjesë e natyrshme e asaj që ne e ndiejmë si shtëpi dhe familje tonën. Edhe pse deklarojmë se jetojmë në liri, si një ideal i përmbushur i sakrificës së prindërve tanë, prapëseprapë shoqërinë dhe shtetin nuk e konsiderojmë si një pjesë të qenies sonë, prandaj edhe nuk mund të ndihemi si pjesë e saj. Dhe, përderisa në raport me shtetin dhe vendin tonë qëndrojmë në pozicionin “të afërt, por megjithatë të huaj”, njëlloj si të ishim qiraxhinj të këqij në shtëpi tonë, nuk do mend se shumë prej nesh nuk ndihen se, me veprimet e tyre lakmitare, janë duke mëkatuar ndaj shtëpisë së vet.

(Lulu)

Të rraskapitur në luftëra të panumërta, kacafytje të vazhdueshme për dominim ndaj njëri-tjetrit dhe lumenjve me gjak të derdhur, popujt e Evropës, më në fund, e kuptuan se dashuria ndaj kombit dhe vendit të vet nuk shprehet duke urryer, shfrytëzuar dhe luftuar të gjithë ata që mendojnë dhe duan të jetojnë ndryshe. Kaq ka mjaftuar për ta bërë të gjithë ndryshimin, edhe pse në fillimet e veta, duke marrë parasysh miliona viktima, shumëkush ka menduar se ideja e një të ardhmeje të ndërtuar mbi parimet e humanizmit dhe dashurisë ishte vetëm një utopi e radhës.

Nuk ka asnjë arsye të vërtetë që do ta bënte të pamundur që edhe ne të ecim me hapin e popujve të zhvilluar. Edhe vendi ynë është i bekuar me burime e pasuri, edhe ne kemi shumë njerëz të mençur, të aftë dhe të shkathët për t’i shfrytëzuar më së miri këto. Është shumë absurd pohimi se ne vuajmë për mend, përderisa kemi gjithë ata njerëz me aftësi krijuese, që gjetiu nëpër botë, çdo ditë, dëshmojnë zotësinë dhe dijen e tyre.

Ne nuk vuajmë për mungesë idesh a projektesh dhe as për njerëz që mund t’i krijojnë, por edhe t’i jetësojnë ato. Ne vuajmë për motivimin bazë, diçka krejtësisht shpirtërore dhe intime, që do t’i jepte drejtimin e duhur potencialit krijues të njerëzve tanë.

Por, hëpërhë, çfarë janë duke bërë njerëzit tanë të mençur?

Intelektualë, shkencëtarë, profesionistë, analistë, artistë e politikanë, që të gjithë, si një radio e prishur që përsërit të njëjtën këngë, na thonë ndërkaq vetëm për problemet (për të cilat jemi të vetëdijshëm edhe vetë) në vend të zgjidhjes apo së paku të ideve për zgjidhje të mundshme, ofrojnë vetëm kritika dhe të shara për njëri-tjetrin. Madje ka edhe të atillë që tërë reputacionin dhe pozitën e tyre në shoqëri e ndërtojnë kryekëput vetëm duke sharë dhe duke vjellë mbi të tjerët. Është ironike edhe kjo: në Shqipëri, por edhe kudo tjetër ku jetojnë shqiptarët, mund të jetohet shumë mirë vetëm duke vjellë e duke përbaltur të tjerët.

Janë pikërisht këta “njerëz të ditur” që, me modelin e tyre të mbrapshtë, janë përgjegjës pse sot, si shoqëri, kemi krijuar një brez të rinjsh pasivë dhe çuditërisht edhe konservativë, me probleme në komunikimin themelor, si me njëri-tjetrin, ashtu edhe me të tjerët. Ky pasivitet dhe këto defekte në komunikim janë faktorët kryesorë prapa paralizës së mendimit kritik, pasi, në frymën e traditës së keqe të lajthitjeve tona kolektive, kritikën e keqkuptojmë si sharje.

Mendimi kritik, aftësia e individit dhe e shoqërisë për të parë veten në pasqyrë, para së gjithash është një proces kreativ, diçka që kërkon një bazë dhe formim të caktuar kulturor dhe jo vetëm diploma dhe certifikata trajnimesh. Theksi bie te fjala “kreativ”, më konkretisht te motivimi idealist për ta bërë botën më të mirë dhe jo për të dëshmuar se tjetri e ka gabim, siç rëndom ndodh te ne. Ndonjëherë, në këto përpjekje për të dëshmuar me çdo kusht se tjetri e ka gabim, ajo që do të duhej të ishte një kritikë, përfundon si një veprim që qëllim të vetëm ka si e si ta lëndojë tjetrin.

(Lulu)

Druaj se kështu do të jemi edhe për një kohë, sepse ne vazhdojmë të trembemi nga përmasa përmbajtësore e dashurisë. I trembemi fuqisë së ndryshimit të pakthyeshëm që kjo përmasë përgjithmonë do të nxitë në të gjitha rrafshet e ekzistencës sonë. Dhe, derisa do të vazhdojmë të qëndrojmë kështu të ftohtë në raport me atë që do të duhej të ishte lidhja jonë me tërësinë, derisa vazhdojmë të ndihemi e të sillemi si të huaj apo vetëm mysafirë në shtëpinë tonë, nuk besoj se ndonjëherë do të lëvizim nga kjo pikë e vdekur ku jemi tani.

(Lulu)

Nëse mendon se e kam gabim, atëherë më thuaj se mbi cilën ide bazohet ëndrra jonë për të ardhmen?

Apo gjithë çka kemi është një konsensus i frikshëm për vrer kolektiv, fushata linçimesh, apati, mllef, gënjeshtra…

Më trego, kështu siç jemi sot, a ka diçka (çfarëdo) në mesin tonë, për të cilën dikush beson se ia vlen të angazhohesh dhe të sakrifikohesh?