~ Rebelimi i Lúlus ~

Lavjerrësi në mes të Lindjes dhe të Perëndimit

Ne ende e kuptojmë shtetin vetëm si një tërësi të godinave administrative dhe të komisariateve të policisë dhe nuk jemi të vetëdijshëm se, në fakt, shteti është besim dhe jo detyrim. Dhe druaj se, përkundër të gjitha përpjekjeve tona, hendeku i mosbesimit midis individëve dhe shtetit është gjithnjë në rritje.

Nuk jemi më diktaturë (ku qytetarët frikësohen nga shteti), por nuk jemi as demokraci (ku shteti frikësohet nga qytetarët, sepse ata janë sovranët e vërtetë), por jemi sui generis: ne (qytetarët dhe shteti) shpërfillemi reciprokisht dhe ndërveprojmë me njëri-tjetrin vetëm për aq sa kjo të jetë e domosdoshme, a thua se kemi bërë një pakt të simbiozës beninje. Për mua, kjo është arsyeja kryesore përse te ne ligji i Marfit vlen më shumë se çdo kushtetutë apo kod tjetër. Të dyja palët (ne dhe shteti) e shohin ligjin vetëm nga pozicioni “zgjidh e merr”. Tërhiqemi nga ligji kur kjo na përshtatet dhe, ndërkohë, e lakojmë, e thyejmë, e injorojmë atëherë kur kjo na leverdis. Ende nuk mund ta bëjmë dallimin midis shtetit ligjor dhe atij revolucionar. Themi se duam të parin e ndërkaq, verbërisht, tërhiqemi drejt të dytit ngaqë jemi të bindur se në këtë sistem, si me urdhër të peshkut, brenda natës mund të rrëzojmë këdo dhe të rishpërndajmë pasuritë.

Fillimisht, atëherë kur menduam se përnjëmend e fituam lirinë, e gjithë kjo e kishte njëfarë kuptimi dhe fajin për të gjitha zhgënjimet tona ia lamë atij që e quajtëm tranzicion. Por tashmë, më e trishtueshmja në gjithë këtë histori duket se është kjo logjikë e tranzicionit, ku rastësia dhe fati e sfidojnë ligjin, çka mund të vazhdojë si inerci edhe kur të bëhemi (zyrtarisht) pjesë e familjes perëndimore.

Po atëherë, mbi bazën e cilës vlerë kemi për t’u bërë pjesë e kësaj familjeje?

Nuk mund të jemi Evropë dhe, njëkohësisht, të vazhdojmë të jemi një vend ku njerëzit punojnë pa orar, pa të drejta dhe pa siguri sociale, nën presionin e vazhdueshëm se nga çasti në çast rrezikojnë ta humbin vendin e punës. Dhe kjo frikë është “shpata e Demokleut”, kamxhiku i ashpër i shfrytëzimit pa kriter që na qëndron vazhdimisht mbi kokë, si të ishte një re e zezë. Me këtë kamxhik na shfrytëzojnë përtej çdo orari, në kushtet më të rënda dhe, përveç kësaj, edhe na fyejnë.

Përfaqësuesit tanë nëpër forume ekonomike i ftojnë investitorët perëndimorë që të vijnë dhe të investojnë te ne duke iu thënë: “Ejani, sepse te ne, fuqia punëtore është shumë e lirë!”

Dhe për çudi, njëlloj si të ishim të gjithë të droguar, kjo gjë nuk na e vret fare veshin.

(Lulu)

Nuk mund të jemi Evropë dhe, në të njëjtën kohë, të jemi një vend ku punëtori punon shumë dhe paguhet jashtëzakonisht pak.

Ky lloj arsyetimi për të joshur investitorët e huaj është ftesë për shfrytëzim. Sado që të jemi të varfër, ne nuk mund të zhvlerësohemi kurrsesi sikur të mos të ishim njerëz, por vetëm burim, vegël, lëndë e parë, diçka teknike me të cilën mund të bëhet tregti. Dikush mund të thotë se ne jemi zhvlerësuar pikërisht në këto gjëra dhe nuk do të mund ta kundërshtoj këtë, por atëherë do të them se, pavarësisht nga mënyra se si e deklarojmë veten dhe çfarë statusi na japin, ne nuk jemi Evropë.

Po, gjeografikisht jemi brenda kufijve të asaj që konsiderohet si “botë perëndimore”, por, për sa i përket aspektit kulturor dhe ekonomik, sinqerisht nuk kam

përgjigje.

Kemi dy shekuj që jemi duke u luhatur si një lavjerrës midis Lindjes dhe Perëndimit e ndërkaq, pavarësisht dëshirave dhe deklaratave tona, nuk jemi shkëputur ndonjëherë krejtësisht nga Lindja dhe as nuk kemi mbërritur ndonjëherë përfundimisht në Perëndim. Themi se i duam dhe i synojmë standardet perëndimore, por në të vërtetë duam vetëm jetën e mirë dhe sigurinë shoqërore të Perëndimit – e veçanërisht atë pjesë që nënkupton marrjen rregullisht të parave, por pa punuar. Prandaj i kuptoj plotësisht evropianët që i druhen fort kësaj “urës” sonë dhe nuk duan që ta kenë brenda kufijve të tyre.

(Lulu)

Njerëzit mund t’i luten çdo perëndie që të duan. Disa mund të zgjedhin edhe të mos i luten askujt, por asnjëra nga këto nuk na përcakton si Lindje apo si Perëndim. E vetmja që e bën këtë është vendimi ynë nëse do të jemi pjesë e botës vërtet të lirë, ku punohet për të jetuar mirë, apo e asaj tjetrës, ku ende një njeri i vetëm merr guximin të mendojë dhe të vendosë për gjithë të tjerët dhe ku jetohet për të punuar.

(Lulu)

A e di ti se ku jemi ne?

Në Lindje? Në Perëndim? Apo, në të vërtetë, jemi në një pikë të asaj dreq ure të ndërtuar mbi një lumë të frikshëm?

Unë mendoj se nuk jemi në asnjërën nga këto, por jemi thjesht në vendin tonë, po aty ku kemi qenë kaherë, përpara se bota të ndahej në Lindje dhe Perëndim. Në vend që të humbim kohë duke vrarë mendjen se si të bëhemi pjesë e Perëndimit apo e Lindjes, ndoshta do të ishte më e udhës që, më në fund, të vendosnim se cilat janë vlerat tona të vërteta. Një popull që mburret me lashtësinë e vet, duhet t’i ketë medoemos vlerat e veta autentike dhe të veçanta nga kjo ndarje e vonshme në Lindje dhe Perëndim. Jam i sigurt se, kur ta bëjmë këtë, edhe bota (si Perëndimi, ashtu edhe Lindja) do të na respektojë më shumë. Hëpërhë, të dhënë pas prirjes për të kopjuar të tjerët dhe të paaftë për të njohur veten, kam frikë se sot jemi një përzierje e çuditshme e asaj që është më e keqja, si e Lindjes ashtu dhe e Perëndimit, një çorbë e të dyjave. Dhe që gjërat të shkojnë edhe më keq, këta që mbahen si perëndimorë kanë shumë pak dëshirë që të rrinë këtu!

E enjte, 5 gusht

(Lulu hireplotë)

Diktatura është shumë më e mirë se një demokraci që ekziston vetëm në letër.

Në diktaturë, së paku e dimë kundër kujt duhet të ngrihemi!