~ Rebelimi i Lúlus ~

Kur liria të zhgënjen

Çdo gjë e mirë në këtë botë është vetëm shprehje e një akti dashurie!

Madje edhe krijimi dhe ndërtimi i një shteti, po ashtu është shprehje e një akti të tillë. Vetëm ata që ndiejnë se i takojnë një komuniteti me lidhje të forta me njëri-tjetrin, mund të krijojnë dhe të ndërtojnë shtet. Njëlloj si në rastin e një marrëdhënieje intime mes dy njerëzve, ku njeriu që dashuron i kushton rëndësi çdo elementi të marrëdhënies së përbashkët dhe tregohet i kujdesshëm që marrëdhënia e tyre të jetë e suksesshme, ashtu edhe ata që e krijojnë dhe e ndërtojnë shtetin si një akt dashurie, i kushtojnë rëndësi çdo hollësie dhe tregohen të kujdesshëm në mënyrë që të gjithë anëtarët e komunitetit të tyre të ndihen pjesë organike dhe shpirtërore e këtij shteti.

Çfarë kemi bërë ne? A ndihemi ne pjesë e kësaj tërësie të përbashkët?

Dua që shtetin tonë ta krahasoj me një shtëpi të përbashkët, simbol jo vetëm të strehës fizike, por edhe të përkatësisë, sigurisë dhe ngrohtësisë.

Shtëpinë tonë, pra, shtetin, e kemi të mirë jo vetëm në pamje të jashtme, por edhe nga brenda. P.sh., kati i parë është i bukur, por edhe më i bukur është kati i dytë, si dhe të gjitha katet e tjera, por problemi është se arkitektët nuk kanë lënë vend për shkallë. Dhe, meqenëse nuk ka shkallë, atëherë ne jemi përsosur në “artin e shkathët” të hajdutëve; nga kati në kat, ngjitemi duke shkelur mbi shpinën e njëri- tjetrit apo, në ankth, presim që dikush të na hedhë një litar nga lart.

Kur gjërat bëhen pa dashuri dhe pa përkushtim, njëlloj si një shtëpi që ndërtohet kuturu, edhe shteti përfundon si një krijim pa plan, të cilit i mungon diçka thelbësore, diçka që të jep ndjenjën e sigurisë dhe të përkatësisë. Dhe kur njeriu nuk e ka ndjenjën e sigurisë dhe të përkatësisë, gjëja e parë që i bie ndërmend është që të ikë me rastin e parë që i krijohet kjo mundësi. Njëlloj siç po ikim edhe ne.

Sot të gjithë flasim për ekonominë dhe shumëkush jep gjithfarë teorie, me pretendimin se mund të zbulojë shkakun dhe, rrjedhimisht, edhe zgjidhjen për gjendjen e keqe të ekonomisë sonë. Nuk jam ekonomist dhe as që pretendoj të bëhem pjesë e atyre që kanë mendim dhe përgjigje për gjithçka, por ama mund të them se edhe ekonominë e vendit tonë e kemi ndërtuar shkel e shko dhe pa investuar asnjë pikë dashurie aty.

Në fillim të viteve ‘90-të, arkitektët e lirisë sonë lidhën një kontratë absurde me disa biznesmenë që, pa pasur dije dhe pa punuar fare, u pasuruan brenda natës. Pasanikë të tillë nuk krijojnë vende pune, ngaqë në projektet e tyre nuk investojnë asnjë pikëz përkushtimi dhe emocioni. Ndaj njerëzve, pavarësisht dijes dhe përkushtimit në punë, sillen sikur të ishin vegla në duart e tyre, lloj bujkrobi modern që jeton me drojën e përhershme se mund ta humbë edhe kafshatën e gojës. Ne duhet që menjëherë ta prishim këtë kontratë absurde dhe të lidhim një kontratë të re me biznesmenë të rinj që e duan profesionin e tyre, që besojnë se me punën e tyre mund ta ndryshojnë botën dhe që synojnë të pasurohen vetëm duke punuar dhe duke vënë në përdorim dijen e tyre. Vetëm të tillë individë krijojnë vende pune të qëndrueshme, ku punohet pa ankthe dhe pa ndjenjën e përçmimit, sepse këta profesionistë të rinj ndërmarrjet e veta i ndiejnë si pjesë të qenies së tyre, ndërsa punëtorët, si rojtarë të vetvetes së investuar në këto ndërmarrje. Ne kemi shumë djem dhe vajza të reja, profesionistë të vërtetë, që, me dijen e tyre mund t’i bëjnë vend vetes në çdo kompani prestigjioze kudo në botë. Ironike kjo: kudo, përveçse në vendin e tyre!

Nëse futemi më thellë në vorbullën e këtyre mendimeve, mbase edhe mund ta gjejmë përgjigjen e pyetjes specifike: pse ne shqiptarëve, pavarësisht se në cilin shtet jetojmë, na zhgënjeu liria?

Është shumë e natyrshme që secili nga ne të ndiejë dashuri për vendin e vet, por nuk do mend se është e nevojshme që edhe vendi ynë të na dojë. Por atëherë, përse e kemi shumë të vështirë ta ndiejmë dashurinë e vendit tonë ndaj nesh? Ndoshta, sepse nuk ndihemi sikur jemi pjesë e një shteti të përbashkët, por e një korporate masive që udhëhiqet nga disa njerëz që janë pasuruar brenda natës, të cilët i shohin njerëzit vetëm si burime e vegla dhe jo si qenie të gjalla që kanë idetë dhe ëndrrat e tyre.

Ta shtrojmë pak ndryshe problemin: cila është fjala më e shtrenjtë në gjuhën shqipe?

Në shkollë na kanë mësuar se, për shekuj me radhë, fjala më e shtrenjtë në shqipe ishte fjala “liri”, ngase përreth kësaj fjale përmblidhej e gjithë fuqia e përkushtimit tonë për një jetë ku do të ishim vetë zotër të fatit tonë. Sot, fjala “liri” nuk është më fjala më e shtrenjtë në gjuhën tonë. Madje, dhe do të doja të isha gabim, druaj se sot jemi ndër të paktët popuj që në fjalorin e vet nuk kanë asnjë fjalë që do të mund të cilësohej si fjala më e shtrenjtë. Dhe, në mungesë të një fjale të këtillë, pa një ideal që ka fuqi ta zgjojë dhe ta mobilizojë fuqinë e dashurisë për njëri-tjetrin (një parakusht i domosdoshëm që të mund të besojmë bashkërisht në një jetë më të mirë), sot nuk mund të bindësh askënd se ekziston diçka për të cilën ia vlen të angazhohesh dhe të sakrifikosh. Kjo është arsyeja pse sot ne e paguajmë shtrenjtë atë që në të vërtetë do të duhej të ishte e lirë: kujdesin për ne nga ana e atyre që na udhëheqin, diçka që do të duhej të ishte e vetëkuptueshme. Dhe e falim atë që duhet ta jepnim shtrenjtë: bekimin tonë për të na udhëhequr. Prandaj, të njëjtët njerëz, gjithnjë na prijnë vetëm drejt dështimeve të reja.