~ Rebelimi i Lúlus ~

Kundër shablloneve

Edhe pse, me ato që thashë deri tani, mund të jem dukur shumë pesimist, megjithatë nuk mund ta pranoj shabllonin se të gjithë ata që merren me politikë janë të këqij dhe se të gjithë janë të njëjtë.

Pothuajse të gjithë ne fajësojmë politikanët për të këqijat që janë shtruar në jetën tonë e po ashtu gjithnjë do të veçojmë një emër të caktuar që do ta fajësojmë dhe do ta urrejmë në mënyrë të përveçme. Më pas do të mobilizohemi që ta rrëzojmë atë, me mendimin se kjo do të mjaftojë për t’i zgjidhur problemet tona. Por, sado që të lodhemi, sado që të gjakojmë, sado ta lëndojmë veten dhe të tjerët, edhe nëse rrëzojmë një personazh dhe lartësojmë një tjetër, asgjë thelbësore nuk ndryshon. Bëmë çfarë bëmë, prapëseprapë të gjitha rrugët tona çojnë në asgjëkund.

Nuk do mend se sot ndihemi të humbur dhe pa besim tek asgjë dhe tek askush. Aq shumë ndihemi të lodhur nga gjithë kjo, saqë nuk kemi më as fuqi të pyesim: pse? Sikur e parandiejmë përgjigjen se edhe politikanët që i fajësojmë apo dhe i urrejmë kaq shumë, mund të mos jenë fajtorët e vërtetë. Mbase edhe ata janë vetëm figurina, njëlloj si gjithë ne të tjerët, që me (pa)vetëdije jetësojnë një axhendë që nuk e ndiejnë si të vetën. Jam shumë i bindur se edhe në mesin e tyre ka shumë njerëz të mirë, që vërtet janë të motivuar nga dëshira që ta bëjnë ndryshimin, ndonjëri syresh edhe mund të jetë në majë të piramidës së pushtetit, por, me këto rregulla dhe koncepte organizimi, kam shumë pak besim në suksesin e tyre. Thjesht, ndonjëherë, në mënyrë që të shihet vlera e lojtarëve të mirë, nuk duhen ndryshuar vetëm rregullat e papërshtatshme dhe brutale, por edhe tërë koncepti i lojës.

(Lulu)

Sado që kemi nevojë për një emër të përveçëm ku do ta përqendrojmë tërë mllefin dhe urrejtjen tonë, nuk ekziston ndonjë kryeapostull i së keqes, një mendje e mbrapshtë që, diku nga prapa kuintave, shkruan skenarin dhe bën regjinë e anktheve tona.

Nuk ka më armik të jashtëm dhe as të brendshëm, së paku jo ashtu siç mendonim dikur dhe që na jepte komoditetin që të gjitha dështimet, zhgënjimet, por edhe paaftësitë tona t’ia atribuonim ndikimit të këtij apo atij armiku.

Armiku i ditëve të sotme është i paemër, por në të njëjtën kohë, ka emrin e secilit nga ne. Nuk është asnjëri nga ne, por prapëseprapë diçka e jona i jep jetë dhe e fuqizon. Prandaj dhe është shumë e vështirë të luftohet kundër një armiku të tillë. Më trego, si mund ta luftosh dikë që frymon edhe brenda vetes tënde?

Ti mund të thuash se atëherë, ne vërtet qenkemi viktima të vetvetes.

Nuk mund ta pranoj as këtë. Me herët të kam thënë se një nga shkaqet kryesore të këtij autizmi kolektiv, që më pas krijon atmosferën e një apatie të përgjithshme, është pikërisht mendimi ynë se jemi viktima të dikujt apo të diçkaje. Logjika e viktimës së përhershme ushqen ndjenjën e përtacisë, por edhe është një mekanizëm i përkryer për t’iu shmangur çfarëdo forme të përgjegjësisë.

Atëherë, çfarë nuk shkon te ne?

Përgjigjja e kësaj pyetjeje më kthen në fillim: në një botë pa dashuri, e keqja lëshon rrënjë dhe ajo, si një zonjë e zezë dhe e rëndë, asnjëherë nuk kënaqet me pak.

Në çastin kur kemi humbur aftësinë për të vlerësuar dashurinë, kemi humbur edhe aftësinë për të ndier magjinë e saj. Dhe, pa këtë magji, nuk mund ta motivojmë veten. Ndërkaq, pa ndjenjën e motivimit, e kemi të pamundur të besojmë e të angazhohemi për diçka. E vetmja gjë që mund të bëjmë është që, kthjelltësisht, ta ndiejmë atë zbrazëtinë që lë pas vetes mungesa e dashurisë dhe që tërë kohën na bren nga brenda.

Vetë ia kemi hapur rrugën errësirës, që të zërë vend në shpirtrat dhe jetët tona, pa e ditur se bashkë me errësirën gjithnjë vjen edhe e keqja, që në rastin tonë shprehet në formën e një grupi të vogël njerëzish (ndonjëherë të veshur me petka pasanikësh, herë me petka politikanësh dhe, kohëve të fundit, edhe me petka analistësh e gazetarësh), që dinë shumë mirë si të mbjellin farën e urrejtjes dhe të mos- honepsjes, në mënyrë që të arrijnë t’i topitin, t’i shtypin e madje edhe t’i shfrytëzojnë të tjerët.

Janë po këta që gjithnjë do të vetofrohen për të mbështetur dikë që tregon potencial për të fituar simpatinë dhe përkrahjen e masave. Edhe para idealistit më të madh, do ta gjejnë një mënyrë për ta paraqitur veten si një faktor të rëndësishëm, si një element të domosdoshëm për të gjetur burimet dhe për të mobilizuar mbështetjen e duhur për suksesin e çfarëdo projekti. Në çfarëdo revolucioni, në çdo përmbysje sistemi e ndryshim mendësie, këta njerëz gjithnjë do ta gjejnë një mënyrë që të ndodhen diku prapa kuintave dhe, me pëshpërimat e tyre, të kujdesen që ne asnjëherë të mos dalim nga labirinti i kaosit të orkestruar. Pak rëndësi kanë emrat e përveçëm të këtyre njerëzve, pasi historia dëshmon se revolucionet mund të mënjanojnë apo të eliminojnë njerëz të caktuar (elitat e kohës), por disa të tjerë (kësaj here nga radhët e vetë revolucionarëve) gjithnjë do të vendosen në vend të tyre dhe do të vazhdojnë me po të njëjtin avaz.

Sado që të duket e trishtë dhe pesimiste, kjo është e vërteta: e keqja gjithnjë gjen kalorësit e vet. Madje edhe në mesin e më të mirëve ndër ne.

(Lulu)

Nëse vërtet duam një të ardhme më të mirë për veten dhe vendin tonë, një shoqëri ku jetohet me më pak ankth, duhet të luftojmë për thelbin e asaj që na përkufizon si njerëz: duhet të luftojmë për dashurinë, madje edhe në situata me vështirësi të skajshme, duhet të luftojmë për veten, për njëri- tjetrin dhe pastaj për të tjerët.

Dhe, ndërsa them kështu, më kujtohet një këngë e vjetër amerikane që thotë se shtëpia (atdheu) është vetëm aty ku të rreh zemra.