~ Rebelimi i Lúlus ~

Farsë teatri apo film horror?

Nuk është aspak e rastit që të gjithë, madje edhe ata që asnjëherë nuk kanë shkuar në teatër, sa herë që flasin për politikën, përdorin terminologji teatrore: “skena politike”, “protagonistët e zhvillimeve politike”, “tension dramatik” dhe të tjera të ngjashme. Mendoj se kjo na tregon që e pavetëdijshmja jonë moti e ka kuptuar se ajo që bëjnë dhe flasin politikanët tanë, qoftë mes vetes apo me ne, është një sikur i madh. Një shfaqje masive ku ne jemi vetëm statikë, njëlloj si në ato dramat me klishe të realizmit socialist, ku “populli” ishte personazh rrethanor, por i domosdoshëm.

Si një artist që i takoj botës së letërsisë dhe të teatrit, kjo hollësi më intrigon dhe e gjej veten duke imagjinuar se jam duke parë një shfaqje teatrore dhe nxitem të bëj një kritikë artistike për skenën shqiptare të politikës.

Si tërësi, shfaqja është e nivelit mesatar, herë-herë me shkarje drejt improvizimit, çka tregon qartë se kemi të bëjmë me një trupë gjysmamatore. Nëse kjo shfaqje duhet të paraqesë jetën tonë, atëherë kjo do të thotë se ne jemi duke jetuar në një farsë jo vetëm të shkruar keq, por me një regji edhe më të keqe. Përpjekja për të shprehur ndjeshmërinë e sinqertë është e paracaktuar të dështojë, për shkak të monologëve të stërzgjatur dhe përdorimit në mënyrë të vazhdueshme të së njëjtës mendësie dhe gjuhe për të shprehur emocione të ndryshme.

Simbolet dhe figurat që do të duhej të motivonin publikun për të besuar në një të ardhme më të mirë, japin një kundërefekt të hidhur, pasi që në fillim të shfaqjes mund të parashihet si fundi, ashtu edhe qëllimet e personazheve. Kushedi, ndoshta fajtori duhet kërkuar te buxheti i vogël, por, gjithsesi, një nga defektet më të mëdha të shfaqjes është përdorimi i aktorëve të njëjtë për role dhe funksione të ndryshme, por edhe vardisja e tejdukshme që aktorët e tjerë i bëjnë aktorit kryesor.

Interesante është se qëllimi i shfaqjes, së paku nga ajo që shihet në skenë, është të prezantohet fara e një zhvillimi që do të ndodhë një ditë, por mungon shtjellimi sepër çfarë zhvillimi bëhet fjalë apo se si do të ndodhë (mbase faji përsëri është te monologët e gjatë). Si rrjedhojë, humb ritmi i konfliktit, sepse ata që prezantohen si krijues të këtij zhvillimi të ardhshëm, tërë kohën sikur janë në një trans të mahnitjes me vetveten. Fatkeqësisht, mesazhi i domosdoshëm se zhvillimi është diçka që planifikohet hollësisht, në bazë të një vizioni themeltar, dhe që për ta realizuar këtëplan duhet krijimtari, punë e kujdesshme dhe përvojë, iu është besuar disa personazheve që, sado që duken të motivuar, në këtë shfaqje janë thjesht personazhe të papërfillshme.

Këtë analizë ia paraqita një kolegut tim nga bota e filmit dhe ai më tha se problemi i teatrit është se, edhe atëherë kur kemi të bëjmë me tema shumë të thjeshta, gjërave iu bie gjerë e gjatë dhe se edhe situatat më absurde i ngjyros me një lloj sharmi poetik. Sipas tij, me analizën time, këtë e kisha bërë edhe unë, prandaj, për të përshkruar skenën shqiptare të politikës duhet të përdor gjuhën e filmit, që është shumë më konkrete dhe më e sinqertë, edhe pse ndonjëherë mund të duket brutale.

Sipas fjalëve të mikut tim nga bota e filmit, skena shqiptare e politikës është një rrëfim horror me finesa dhe kthesa të tmerrshme. Aty i kemi vampirët, gjakpirësit tanë me fuqi që të ecin edhe ditën dhe që nuk ngopen duke pirë gjakun e jetës së tjetrit, por që para syve të botës paraqiten me petkun e vegjetarianit. Aty janë edhe zombit (të vdekurit e gjallë, që shërbejnë si poligon për shfryrjen e epsheve të të parëve), shtrigat dhe shtriganët (shërbëtorët besnikë të gjakpirësve tanë), por natyrisht edhe vetë djalli që tërë kohën fshihet prapa kuintave. Lartmadhëria e tij, princi i errësirës, e di shumë mirë se mënyra më e mirë për të mbajtur gjallë kaosin është që t’i shtysh njerëzit përtej asaj që ata mund ta përballojnë.

Një pjesë e imja ka frikë se miku im nga bota e filmit mund të ketë të drejtë. Dhe kjo më nxit të mendoj për atë se çfarë mund të jetë motivi i vërtetë që i shtyn përpara këto personazhe?

E vetmja gjë që më vjen në mendje është se të gjithë këta, vampirë, shtriga e shtriganë, i kanë humbur të gjitha betejat që vlejnë diçka, prandaj kanë nevojë ta fitojnë së paku një, qoftë kjo edhe kundër popullit të vet. Ne thjesht jemi gjetur në mes të një beteje, që as e kemi nisur dhe që as e kuptojmë.

E di se do të tingëllojë ashpër, por kam përshtypjen se ne, qëkur kemi marrë përgjegjësitë për veten tonë, jemi në një gjendje të vazhdueshme lufte civile. Vetëm në periudha armëpushimi, atëherë kur lodhemi nga dhuna dhe dhimbjet që ia shkaktojmë vetes, ia dalim që të këndellemi pak. Trembem se edhe këto ditët tona nuk janë gjë tjetër veçse pjesë e armëpushimeve të domosdoshme, para se ta gjejmë vetën në mes të betejës së radhës.

Pesimizmin tim e bazoj më së shumti në mënyrën e reagimit të elitës sonë atëherë kur ne, ndonjëherë në të rrallë, shprehim pakënaqësitë tona. Besoj e ke vënë re edhe ti se reagimi i tyre i parë është refreni “ruajtja e rendit dhe qetësisë publike”, dhe jo analiza e shkakut dhe gjetja e një zgjidhjeje që vërtet do ta largonte trazimin tonë. Ata qëllimshëm e ngatërrojnë konceptin “rend dhe harmoni”, si synim i natyrshëm njerëzor, me konceptin “rend dhe qetësi publike”, si synim politik të çastit. Kjo tregon se ata kanë për qëllim paqen sipërfaqësore, një gjendje ku vetëm mungon konflikti i hapur, dhe jo paqen e mirëfilltë, gjendjen ku mbretërojnë rendi dhe harmonia, ku do të mund të modernizoheshim dhe të zhvilloheshim si një vend normal.