~ Rebelimi i Lúlus ~

Antiteza e dashurisë

E di se ky realiteti ynë lë shumë pak hapësirë për optimizëm dhe se mbase, pavarësisht asaj që bëjmë, e keqja përherë do ta gjejë një mënyrë për të fituar, por unë nuk mund ta pranoj një arsyetim të tillë. Nuk pranoj të heq dorë nga optimizmi im, sepse kjo do të shënonte tërësinë e të gjitha disfatave të mia.

Jo rrallëherë më duket vetja si Uinston Smithi i “1984”- ës në përpjekjen e tij që, edhe pse i gjendur mes rrethanash çnjerëzore, me çdo kusht përpiqet të ruajë njerëzoren e tij. Kam filluar të bëhem i vetëdijshëm se në kohën kur vlejnë ligjet e pashkruara të pashpirtësisë, çdo përpjekje për të ruajtur njerëzoren duket pothuajse si një mision i pamundur. Por, megjithatë, nuk mund të përmbahem pa e pyetur veten dhe këdo që ende e vret mendjen për këto gjëra: A thua? Vallë? Si erdhëm deri këtu, që edhe kjo të jetë një betejë tjetër utopike?

“Lufta është paqe”, “Liria është skllavëri” dhe “Injoranca është fuqi” – tri parullat e “1984”-ës, që përfaqësojnë tri shtyllat themelore të doktrinës së Vëllait të Madh, që me fanatizëm mbrohet nga policia e mendimeve – si emërues të përbashkët kanë një maksimë tjetër, që fuqishëm dhe frikshëm i përshtatet realitetit të ditëve tona: “Urrejtja është dashuri”.

Kjo antitezë e dashurisë është parulla e pazëshme e manifestimit më të ri, por shumë dinak, të mendësisë fashiste, që në mënyrë të heshtur po lëshon rrënjë edhe mes nesh. Funksionin e asaj që Oruelli e quan “polici e mendimeve”, te ne, me shumë zell, e kanë marrë përsipër ato struktura të shoqërisë sonë që mëtojnë të prezantohen si elita, ajka intelektuale e shoqërisë. Është interesante se fjala “elitë” duket shumë tërheqëse për ta, pasi nënkupton një lloj shkëlqimi magjik, atë që në kohët tona quhet glamour dhe që është kthyer në një lloj droge bashkëkohore. Edhe më interesante, po aq edhe cinike, është se duan titullin “elitë”, por të zhveshur nga çdo ndjenjë fisnikërie. Duan që imazhin dhe autoritetin e tyre ta mistifikojnë në përmasa pothuajse mbinjerëzore, por, në të njëjtën kohë, edhe duan të merren me çdo cikërrimë. Dhe, më së shumti, të gjykojnë, të përqeshin, të nënvlerësojnë e të urrejnë këdo që nuk iu duket i pëlqyeshëm.

Pikërisht këta, që e kanë mistifikuar veten si më të dijshmit dhe më të vlefshmit ndër ne, janë ata që, me modelin e tyre të komunikimit dhe ndërveprimit social, mbjellin farën e urrejtjes dhe të mos-honepsjes së tjetrit. Edhe pse të mbështjellë me petka demokratësh dhe liberalësh, pa fije ndjenje të kundërshtisë dhe të paradoksit, nuk do të ngurrojnë të të akuzojnë me “Si guxon të mendosh kështu?”

(Lulu)

E di se tingëllon paradoksale, por sot vërtet është problem që të shprehësh mendim të lirë apo të bësh diçka në mënyrë të pavarur, pa qenë pjesë e ndonjë grupi që diku është i lidhur me këto elita. Thjesht ato nuk mund të lejojnë që dikush të ngrihet në një pozitë të caktuar, pa kaluar më parë nëpër filtrat e tyre, ngaqë këtë e konceptojnë si rrezik të drejtpërdrejtë për autoritetin e tyre në shoqëri.

Kur bëhesh i zëshëm, është normale të vihesh në shënjestër. Ama, kur e gjen veten në shënjestrën e disa shigjetarëve që as nuk i njeh dhe as që ke mundur t’i njohësh ndonjëherë, nuk ka se si të mos kapesh në befasi.

Tingëllon paksa komike se si këta shigjetarë nuk merren fare me mesazhin, idenë, thelbin e mendimit apo të projektit, por menjëherë përveshin mëngët që të zbulojnë një motiv të fshehur, një arsye të ulët që, sipas tyre, paraqet synimin tënd të vërtetë. Arrijnë deri aty sa sfidojnë aftësinë dhe përgatitjen tënde, historinë familjare dhe biografinë, qoftë duke u lëshuar në nivele shumë absurde, si: “U bë ky/kjo që të merret me këtë!”. Pastaj do ta shohësh se si do të të shpallin fajtor për gjëra që as që i ke menduar ndonjëherë! Dhe as mos mendo se përfundon me kaq, pasi shumë shpejt do ta gjesh veten përballë një fushate të poshtër të denigrimit personal, sepse ideatorët e kësaj mendësie, njëlloj si ideologët themeltarë të fashizmit dhe të sivëllait të vet, komunizmit, janë të bindur se, duke sulmuar personin, zhvlerësohet edhe mendimi dhe projekti i tij.

E gjithë kjo më ka ndodhur sa herë edhe mua dhe, besoj, si shumë të tjerë, në çastet e zenitit të hidhërimit e të zhgënjimit, kam menduar: “Shoqëri e poshtër!”. Por me kalimin e kohës, kam ardhur në përfundimin se, nëse një pakicë e vogël, sado mirë të jetë e organizuar dhe sado t’i japë vetes të drejtën të flasë dhe të veprojë në emër të të gjithëve, nuk përfaqëson vërtet shoqërinë tonë. Aspak nuk është e vërtetë se të gjithë ne jemi kështu, pra të prirë drejt përbaltjes së gjithçkaje e gjithsecilit dhe, po ashtu nuk është e vërtetë se gjithnjë kemi qenë kështu (siç, po ashtu, nën efektin e zhgënjimit, zemërohemi). Njerëzit e zakonshëm, të mbërthyer pas problemeve të përditshmërisë së tyre, nuk kanë kohë të urrejnë dhe ta kalojnë kohën me komplote kundër të tjerëve. Po, ata janë të mllefosur, ndihen të zemëruar e të fyer, por vetvetiu nuk dinë të urrejnë. Urrejtjen e mësojnë pikërisht nga ata prej të cilëve do të duhej të mësonin të kundërtën, pra nga njerëzit që kanë dëshirë të shfaqen si të ditur dhe pjesë e kinse-elitës.

Por, a kemi ne elita? Apo, në të vërtetë, kemi vetëm një grup njerëzish të pajisur me diploma e tituj të mëdhenj dhe pozicione të caktuara në shoqëri, që dinë vetëm të krekosen dhe t’u numërojnë “gabimet” të tjerëve?

Nuk dua të them se kemi të bëjmë me të dytën, por e di se, për shkak të këtyre njerëzve që dinë vetëm të kritikojnë të tjerët, fjala “elitë” ka fituar një ngarkesë kuptimore përbuzëse, deri diku edhe refuzuese. Fjala “elitë” sot nënkupton ato struktura të shoqërisë që, me çdo kusht, synojnë ta pozicionojnë veten si një lloj autoriteti rregullator dhe certifikues i shoqërisë, me pretendimin se vetëm ata dinë se çfarë dhe kush është i mirë për këtë shoqëri dhe luftojnë këdo që paraqet një mendim ndryshe. Pjesëtarët e kësaj elite rreken të na mbajnë ligjërata të gjata për të gjitha problemet dhe defektet tona, por asnjëherë nuk do të japin një zgjidhje konkrete se si t’i kapërcejmë këto probleme apo si t’i ndreqim defektet. Duke dhënë përkufizime akademike, të zbukuruara me citate mendimtarësh të mëdhenj, por pa ndonjë substancë konkrete, nuk na vijnë aspak në ndihmë.

Është paksa e vështirë të kuptosh nëse ata mendojnë se ne vërtet nuk jemi të vetëdijshëm për problemet dhe defektet tona. Po ashtu, nuk e kuptoj burimin e sigurisë që i shfaq të bindur se vetëm ata kanë pasur rastin t’i lexojnë veprat e mendimtarëve të mëdhenj.

Apo mendojnë se vetëm ata kanë kapacitetin e duhur për t’i kuptuar? Sikur harrojnë se jetojmë në kohën kur informacioni dhe dija janë në dispozicion të të gjithëve dhe se sot dija nuk mund të mistifikohet. Manovrimi vetëm me përkufizime e citate, mbase ka pasur një kuptim në kohën kur vetëm një numër i vogël njerëzish kishte qasje në libra, dije dhe informacion. Ta bësh këtë në ditë të sotshme dhe ta paraqesësh si një lloj zgjidhjeje intelektuale për situatat tona, nuk është gjë tjetër përveçse fyerje e inteligjencës sonë. Çështja është se çfarë mendojnë në të vërtetë këta të diturit tanë. A kanë ata ndonjë ide origjinale të tyren, diçka të kohës dhe që përkon me sfidat tona të çdoditshme?

Jam shumë i bindur se, së paku ata që diplomat dhe ofiqet i kanë fituar me sadopak dije, mund të ofrojnë diçka më shumë, por qëllimisht nuk e bëjnë këtë, ngaqë e dinë se do të duhej të mbanin edhe përgjegjësi për idetë e tyre. Pos kësaj, në një mënyrë perverse të të menduarit, llogaritin se, sikur njerëzit të çlirohen nga kthetrat e problemeve, atëherë, aty për aty, do të zbehej edhe rëndësia e tyre në shoqëri. Tejet ironike është edhe kjo: kanë dëshirë që ne t’i trajtojmë si një klasë superiore, ndihen shumë komodë në rolin prej autoriteti rregullator, përderisa me çdo kusht i shmangen çdo lloj përgjegjësie. Rolin e vet në shoqëri e shohin mbi të tjerët, por, në të njëjtën kohë, duan që të qëndrojnë në pozicion pasiv në lidhje me çdo lloj trazire të pakëndshme në jetën tonë. Ata janë si nacionalistët e salloneve, të palodhshëm në projektimin e konflikteve historike: ata duan që vazhdimisht të fitojnë, por jo që të përfshihen e të marrin pjesë!

Të marrësh guximin e të pretendosh se je pjesa më e ndritur e një shoqërie dhe, në të njëjtën kohë, të mos duash të përfshihesh në asgjë konkrete, ndërkohë që kërkohet angazhim dhe sakrificë, besoj se kjo paraqet një paradoks. Besoj se nuk mund të synosh të jesh i pari në familje, shoqëri apo çfarëdo grupimi tjetër, nëse brenda vetes nuk ndien dashuri, përkushtim, ndjesi përkatësie, por edhe dhembshurie për njerëzit e tu.

(Lulu)

E keqja lëshon rrënjë në çastin kur shoqëria dorëzohet para mendimit të mbrapshtë se jo të gjithë njerëzit kanë lindur të barabartë.

Mendon se këta, kështu të dehur nga marrëzia e madhështisë se janë më të vlefshëm se ne të tjerët, vërtet ndihen se janë pjesë e jona? Mendon se këta, me përqasjen e tyre si superiorë ndaj nesh, na duan sadopak? Apo duan vetëm veten e tyre dhe nga ne presin që ta pranojmë këtë si diçka të mirëqenë e madje normale?

Pa dyshim, që pasiviteti nuk është aspak veti e një elite të vërtetë intelektuale dhe as veti e kujtdo që pretendon se ka ndjesi të caktuara ndaj komunitetit të vet. Mendoj se pikërisht qëndrimi aktiv ose pasiv paraqet dallimin mes dikujt që me të drejtë mund të cilësohet si pjesë e një elite të vërtetë dhe dikujt që vetëm ka dëshirë të identifikohet si i tillë, por që në të vërtetë është vetëm një snob. Nuk dua që t’i fut të gjithë në të njëjtin thes, por kam përshtypjen se ajo që synon të prezantohet si elitë, nuk është gjë tjetër veçse një aleancë joformale e snobëve delirantë, të bindur se vetvetiu janë më të mirë se të tjerët. Të pasfiduar nga askush, fatkeqësisht modeli i tyre po bëhet tërheqës dhe po kopjohet nga shumë të tjerë.

Sa herë që mendoj për këta snobë, më kujtohen fjalët e një burri të shtyrë në moshë, me të cilin u takova ndërkohë që të dy ishim duke kryer punë në një zyrë qeveritare dhe, natyrisht, ishim lodhur nga burokracia e tepruar. I zemëruar, ky zotëria, në një çast shpërthimi, klithi: “Budallai më i madh ndër të gjithë është budallai që ka edhe diplomë!” Nuk besoj se me fjalën “budalla” e kishte fjalën për paditurinë e zyrtarëve, por për neglizhencën e qëllimshme, ngatërrimin e panevojshëm që ata iu bëjnë gjërave dhe situatave më të thjeshta, vetëm e vetëm që të dëshmojnë një lloj pushteti mbi të tjerët, qofshin këta edhe njerëz nevojtarë.

Ky nxitim i sforcuar për t’u dukur “më i mirë“, kredhja në rrezet e glamour-it sipërfaqësor, nuk paraqet më vetëm një shpërfaqje të komplekseve të inferioritetit, që rëndom e kuptojmë si diçka beninje dhe kalimtare, por tani është kthyer në një lloj manie të pakuptimtë që ka kapur të gjitha shtresat e shoqërisë. Duke parë se si ata lart (të gjithë: politikanë, akademikë, gazetarë, analistë…) shpërfilljen dhe fyerjet i kanë kthyer jo vetëm në model komunikimi, por edhe të klasifikimit të disa kastave imagjinare mes njerëzve, atëherë edhe të tjerët (përfshirë edhe ofiqarin më të rëndomtë), përvetësojnë po të njëjtin model. Kjo është arsyeja pse pothuajse gjithkush të thotë: “E di ti se me kë flet? E di ti se kush jam unë?” dhe më pas, shumë shpejt, kalohet në fazën tjetër të komunikimit me banalitete. Në nivelin më bazik, mund të them se ka vdekur mirësjellja, edukata themelore dhe e domosdoshme në komunikimin mes njerëzve.

Fajtorin për këtë situatë nuk mund ta kërkojmë në mesin e njerëzve të zakonshëm. Të parët tanë, mbase vetëm një ose dy breza para nesh, pjesa më e madhe ishin aspak ose shumë pak të arsimuar (të mos harrojmë se analfabetizmi është çrrënjosur vetëm para më pak se gjysmë shekulli), por, ashtu të palexuar e të painformuar e megjithatë ishin më solidarë e më të mirësjellshëm. Pra, zvetënimi i këtyre vlerave themelore të komunikimit njerëzor nuk është bërë nga njerëzit e pashkolluar e të painformuar, por nga ata që mburren me diplomat dhe informacionin që pretendojnë se kanë. Kjo është arsyeja pse ngulmoj në atë se edhe e gjithë dija e kësaj bote, si dhe të gjitha diplomat dhe ofiqet në shoqëri, nuk kanë ndonjë vlerë nëse këtë duhet ta paguajmë me çmimin e bjerrjes së dashurisë dhe kujdesit për njëri- tjetrin.

Ndonjëherë, në mendimet e mia, bëj avokatin e djallit dhe them se, meqenëse këto elita aq shumë e kanë mistifikuar veten prapa postulateve të mendimtarëve të mëdhenj, mbase edhe parullën e paproklamuar, “Urrejtja është dashuri”, e kanë bazuar në shembullin e Niçes, i cili ua donte të keqen miqve ngaqë vetëm në ballafaqim me të, ata do të mësonin diçka dhe do të bëheshin më të mençur. Mbase kjo është një formë e veçantë për të shfaqur dashurinë e tyre ndaj nesh, një përpjekje që të gjithë të bëhemi pasues të filozofisë “Ajo që nuk të vret, vetëm sa të bën më të fortë”, por kam shumë pak besim në këtë. Ndoshta vuajtjet vërtet të bëjnë më të fortë, por nuk ka fuqi në këtë botë që mund ta shlyejë tërësisht trishtimin që akumulojmë ndërkohë, si dhe zhgënjimin tonë me racën njerëzore. Pavarësisht se çfarë (para 150 vjetësh!) ka thënë Niçja, nuk mund ta pranoj se jeta është vetëm vuajtje, sepse, sikur të ishte kështu, atëherë këto ligje të vuajtjes, së cilave duhet t’u nënshtrohemi, do të duhej të vlenin edhe për elitat tona dhe jo vetëm për ne.