~ Edith ~

Ushtari i parë i dashurisë

1

Prej asaj dite ka ndryshuar gjithçka. Botën, njerëzit, natyrën, veten, të gjitha fillova t’i shoh ndryshe. Gjithçka që kishte të bënte me njerëzimin dhe natyrën, u bë pjesë e interesimit tim. Nuk mund të isha më pjesë e atyre njerëzve që botën e përkufizojnë në atë pjesëzën e vogël që ata njohin apo që nuk tregojnë interes për asgjë dhe për askënd, nëse kjo nuk prek interesat e tyre. Jo! Gjithçka që ka të bëjë me njeriun, njerëzimin dhe natyrën, duhet të na interesojë. Nuk mjafton vetëm të themi se jeta është gjëja më e çmuar, por duhet të bëhemi vetë pjesë e kësaj force të madhe. Vetëm kështu e shprehim respektin e vërtetë për vlerën e jetës.

Si adoleshent dhe më pas si student, kam besuar se një ditë do të zbuloja dhunti magjike që do të më bënin të fuqishëm për t’i jetësuar ëndrrat vetëm me një kërcitje gishtërinjsh. Sh-ja kishte pasur të drejtë kur më kishte thënë se qëllimi im djaloshar ishte që, një ditë, të bëhesha si magjistarët e përrallave. Ashtu siç kishte pasur të drejtë kur më kishte tërhequr vërejtjen se magjia e vetme në këtë botë fshihet brenda mendjes së njeriut.

Saktësia e Sh-së në parashikimin e dy sfidave të para, si dhe vrulli i madh i njohjes që kisha ndier gjatë kalimit nëpër këto sprova, më bëri të besoja se sfida e tretë ishte e pashmangshme. Kisha idenë se kjo përvojë e re do të ishte ndryshe. Do të ishte ajo që do të ndryshonte gjithçka në jetën time.

Duke u nisur nga përvojat jo të lehta me dy sprovat e para, dikush tjetër mbase do të trembej në pritje të asaj se çfarë do të sillte sprova e tretë. Por jo unë! Përvoja në hapësirat përtej kësaj bote jo vetëm që e kishte ndryshuar qasjen time ndaj jetës dhe botës, por ishte bërë shkak që të më rikthehej dhuntia më e çmuar. Shtylla e të gjithë asaj që do të mund të quhej “magji” brenda meje. Më ishte kthyer durimi për të menduar dhe për të gjetur kuptim pas çdo gjëje në natyrë.

2

Si ta njihja botën? Çfarë domethënie kishte kjo? A duhej t’i njihja njerëzit? A duhej ta njihja natyrën? A duhej t’i mësoja të fshehtat e universit? Çfarë do të mësoja në fund? Shumë pyetje dhe asnjë përgjigje. Por kjo nuk më mërziti. Isha i lumtur që e kisha gjetur sërish durimin për të menduar, sepse, sa më shumë që mendoja për veten, për jetën, njerëzimin, natyrën, botën, universin, çdo herë e më shumë e ndieja se po i afrohesha shpirtit të botës.

Tani, përsëri çdo natë vështroja yjet. Nëse kisha mundur ta ndieja të fshehtën mes yjesh atëherë kur kisha ndjellë vdekjen, të njëjtën gjë do të bëja tani, por kësaj here si shenjë e respektit për jetën. Herë ulur si budist dhe herë i shtrirë si një bari malesh, çdo natë këqyrja yjet dhe përpiqesha që, me sy, të fiksoja qendrën e universit. Dhe me kohë u rikthyen të gjitha ato që mendoja se i kisha humbur.
Sa më shumë e ndieja gjallërinë e natyrës dhe pafundësinë e universit, shpëlahej edhe pluhuri i lodhjes dhe i dëshpërimit që kishte mbuluar mendjen dhe shpirtin tim.

E tërë kjo nuk ka ndodhur brenda disa ditësh, javësh apo muajsh. Jo! Kërkimi i përnatshëm mes yjesh ka zgjatur me vite. Gjatë tërë kësaj kohe kam qëndruar në vegulli dhe i heshtur. I kam bërë të gjitha gjërat e përditshme që i bëjnë të gjithë. Kam vazhduar studimet, kam punuar, kam luftuar për mbijetesë, por gjatë tërë asaj kohe jam ruajtur nga lidhja me njerëz.

Lidhja ime e vetme me botën ishte meditimi çdo mbrëmje nën yje, sepse ende nuk kisha mbledhur forcë për diçka më shumë. Ndoshta e kisha fituar të drejtën që të vazhdoja të isha pjesë e kësaj bote, por nuk isha i sigurt se e kisha fituar të drejtën që të dëgjohej zëri im. Andaj kurrë nuk e gjeta guximin që t’i dilja Hanës përpara. Për fat të mirë, ajo kurrë nuk e kishte kuptuar se çfarë kisha bërë unë. Nuk e di se si kishte ndodhur kjo, sepse zakonisht fjalët fluturojnë më shpejt se era, por kjo gjë kishte pak rëndësi për mua. Isha i lumtur që ajo nuk kishte dëgjuar gjë, sepse e dija se kjo do ta kishte mërzitur shumë dhe çdo mërzi e re e saj vetëm sa do ta rëndonte shpirtin tim.

3

Dhe një mbrëmje, ashtu si zakonisht, me mendje isha duke shëtitur mes yjesh dhe e ndjeva veten të mbërthyer në një vegim të papritur. Udhëtova prapa në kohë. E pashë veten në fillim të botës dhe, si një vëzhgues i padukshëm, ndiqja hapat e Adamit dhe të Evës, të sapodëbuar nga Parajsa.

Të trembur dhe të hutuar, përpiqeshin ta gjenin veten në botën e panjohur. Bashkë me ta përshkrova pothuajse tërë botën e tyre. Ishim në shkretëtirë, aty ku jeta mbijeton nën rërë dhe shkëmbinj. Ishim në lartësi të mëdha, aty ku jeta fle nën jorganin me borë. Ishim në male plot me jetë, aty ku gjithçka jeton në harmoni mes vetes.

Pavarësisht sfidave dhe zhgënjimit, Adami nuk hiqte dorë, ndërsa ajo që më la më së shumti përshtypje ishte se ai nuk ishte as i dëshpëruar e as i zhgënjyer. Nuk e qortonte Evën pse ajo kishte ngrënë nga pema e diturisë. Përkundrazi, e ngushëllonte atë sa herë që ajo ia plaste vajit duke fajësuar veten pse ishin dëbuar nga Parajsa.

“Kudo ku ne jemi bashkë, aty është Parajsa ime”, i thoshte ai dhe më pas ia fshinte lotët, e shtrëngonte me shumë dashuri dhe e përqafonte fort.

Nuk e kisha pritur këtë. Tërë kohën kisha besuar se Adami do të ishte i dëshpëruar, i thyer dhe i zhgënjyer ngaqë ishin dëbuar nga Parajsa dhe ishin hedhur në një botë të egër dhe të ftohtë. Por jo! Ai ishte i kënaqur për lirinë që kishte fituar e për atë që mund të zgjidhte për veten. Adami nuk ndihej i dënuar. Përkundrazi, e ndiente se i ishte dhënë një rast që të bëhej zot i vetes dhe i kësaj bote të re ku ishte degdisur. Edhe pse nuk dinte ta shpjegonte, Adami e ndiente se kjo liri e fituar ishte mënyra e vetme për ta rikthyer Parajsën. Bota do të ishte fusha e lojës për të dhe për të gjithë pasardhësit e tij.

Nëse herën e parë kishte hyrë në Parajsë si një qenie e pavetëdijshme për veten dhe natyrën e vërtetë të gjërave, nëpërmjet lirisë së tij do të kthehej atje si një qenie me vetëdije të plotë. Do të bëhej një me Krijuesin dhe pjesë e pandashme e tërësisë së pashkëputur.

Aty e kuptova se guximi i njeriut për t’u përballur me të panjohurën dhe për ta sfiduar fatin buron drejtpërdrejt nga babai i të gjithë njerëzimit. Aty e kuptova se dashuria, ajo që i detyron perandorët të përkulen kokulur para një zonje, edhe kjo buron nga babai i të gjithë njerëzimit. Aty e pashë se Adami ishte ushtari i parë i dashurisë dhe, si një ushtar i mirë që gjithnjë iu bindet urdhrave, edhe ai u ishte bindur urdhrave të zemrës.

Në fjalët e tij, me hijen e rëndë me të cilën e sfidonte fatin, me butësinë me të cilën dashuronte Evën, në luftën e tij me shkretëtirën, akullin, xhunglën dhe të gjitha forcat e tjera të egra të kësaj bote, u binda edhe njëherë se dashuria nuk mund të veçohej nga jeta, po aq sa edhe jeta nuk mund të veçohej nga dashuria. Kjo gjë ishte e koduar thellë brenda atomeve themelore me të cilat është ndërtuar kjo botë.

4

Pas këtij vegimi e dija se çfarë duhej të bëja. Vetëm duke qëndruar në një vend, nuk mund ta njihja botën për atë çka në të vërtetë është. E di se ka njerëz që thonë se, për një udhëtim përtej botës së tyre të vogël që ata njohin, duhet të bësh shumë përgatitje. Këta, ndonëse tërë kohën përgatiten, zakonisht nuk nisen kurrë. Ata nuk kanë kohë që të udhëtojnë rreth botës, sepse tërë kohën janë të zënë duke u përgatitur.
Atëherë kur ekziston vullneti, gjithnjë shfaqet një mundësi, gjithnjë krijohet një shkak, gjendet një bashkudhëtar dhe më pas e ndien se si është vetë shpirti i botës që të udhëheq. Kjo kishte ndodhur edhe me mua, por nuk do të ndalem tani dhe të tre- goj se si erdhi puna të shkoja në këtë apo në atë vend, sepse ky do të dilte një rrëfim shumë i gjatë. Mbase ato do t’i rrëfej njëherë tjetër.

Kësaj here do të tregoj se fati më udhëhoqi drejt luksit të aristokracisë bashkëkohore të klubeve priva- te të xhentëlmenëve në Uashington, luksit përrallor të sheikëve në Lindjen e Mesme e deri te netët e ftohta në shkretëtirat e sudanit, maleve të egra të rajoneve fisnore nën Himalaje, atje ku ende jetojnë trashëgim- tarët e të parëve tanë që shkuan atje si ushtarë të Alek- sandrit të Madh.

E njoha jetën në shkëlqimin e vet përrallor, por edhe në zbehjen e vet më të egër. Por, në asnjërën prej këtyre përvojave, nuk e pata zbuluar sfidën e tretë të Sh-së. Çfarëdo marifeti që të bëja, asgjë nuk më afron- te me qëllimin tim. Edhe njëherë e gjeta veten në të njëjtën situatë. Sa më shumë që e sforcoja veten, aq më shumë largohesha nga zgjidhja. Ndoshta edhe nga lodhja, se sforcimi vetëm më largonte nga qëllimi.
Nuk do të them se zgjidhja u shfaq shi atëherë kur më së paku e prita. Jo, kjo nuk është e vërtetë. As nuk do të them se zgjidhja u shfaq atëherë kur u dorëzova. Jo! Përveçse nuk është e vërtetë, kjo madje është edhe klishe.

‘Asgjë nuk është e pamundur. Ka vetëm njerëz që nuk dinë si ta bëjnë të mundur.” Këto ishin fjalët e Sh-së dhe i përshtateshin tërësisht situatës në të cilën gjendesha ndërkaq.

Pengesa për të arritur qëllimin tim isha vetë unë. Aq shumë isha rrëmbyer pas qëllimit, saqë kjo edhe më kishte verbuar. Duke menduar vetëm për qëllimin, nuk kisha lënë hapësirë për mendime të tjera.

Ishte e thjeshtë. Nëse doja ta arrija qëllimin, nuk duhej ta ndiqja më atë. Kishte ardhur koha t’i jepja rast zgjidhjes, që ajo vetë të vinte tek unë.