~ Edith ~

Te plazhi që dikur ishte i bukur

1

U deshën gjashtë muaj që, si dy kureshtarë të etshëm, por edhe të trembur, të takoheshim. Gjashtë muaj që ngjanin si gjashtë shekuj. Nuk ishte e lehtë të vazhdoja të komunikoja me botën, të lija shenjat e mia për të tjerët, kur e dija se ajo ishte diku në anën tjetër dhe priste, vëzhgonte e, po ashtu si unë dikur, kërkonte kuptimin e fshehur mes yjesh.

Sikur kjo të kishte ndodhur shumë kohë më parë, me siguri që do të tregohesha i papërmbajtur dhe gjithçka do të shkonte ters, por tani ishte ndryshe. Unë isha ndryshe. Në reflektimin e kaltërsisë së syve të saj nuk e ndjeva veten as si dashnor të madh, as si hamshor, as si një romantik i lindur, as si një vardisës të talentuar. Për herë të parë në jetën time u ndjeva i plotësuar dhe i lirë nga kthetrat e epshit, pasionit apo nxitjeve të tjera që na dehin mendjen dhe shpirtin.

Aty për aty e kuptova se Edith-i mund të ishte gjithçka për mua, por në të njëjtën kohë më së paku mund të ishte një dashnore e imja. Kuptova po ashtu vërtetësinë e fjalëve të Sh-së, kur më kishte thënë se qëllimi i lidhjes me shpirtin binjak është përballja me jetën dhe jo ikja nga sfidat e saj. Shpirti binjak ishte diçka tjetër nga ajo që kisha pritur.

E dija se isha përpara një sfide të panjohur ndonjëherë më parë. Një sfidë që mund të më çonte në nivele shumë më të larta të njohjes, por në të njëjtën kohë, në një çast dhe veprim të vetëm, edhe mund të shlyente çdo gjë që kisha mësuar dhe kisha arritur gjatë tri sprovave të para.

2

Edith-i e bëri hapin e parë. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Fundja, ajo ishte shpirti im binjak dhe, ashtu si unë, asnjëherë nuk do të mund të shkonte drejt dikujt që ia dëftonte të gjithë rrugën.

Edhe ajo ishte kërkuese dhe po ashtu një gjahtare e lindur. Mbi të gjitha, edhe ajo ishte kureshtare dhe kureshtja ishte nxitja më e fuqishme që njihte shpirti i saj. Edith-i ishte shumë e ngurtë dhe, në botën e saj të koklavitur, një hap i vogël ishte diçka shumë e madhe. Madje edhe një buzëqeshje e thjeshtë ishte një gjë shumë e madhe. Gjithçka duhej të ndodhte vetëm në përputhje me instinktet e saj dhe assesi ndryshe.
Nuk ishte nevoja që këto gjëra të m’i tregonte ndokush. Mjaftonte të shihja brenda vetes, të kujtoja se si isha dikur, të ndieja furtunën e egër në shpirtin tim, atë që përmbyste gjithçka dhe më pas e ndërtonte nga fillimi, si dhe të ndieja se çfarë ndodhte brenda shpirtit të saj.

Shpirtrat tanë ishin të lidhur në mënyra përtej kuptimit të asaj që shohim dhe dëgjojmë çdo ditë. Lidhja jonë ishte një klithje e pazbutur e natyrës, sepse ne të dy ishim të egër dhe të askujt. Madje edhe nëse e gjithë bota të përmbysej, ne nuk mund të ishim ndryshe.

3

Ajo është një nga të paktët njerëz në këtë botë që mund ta ndiejnë forcën e krijimit. Andaj, sa herë që ndihet e mërzitur, Edith-i shkon dhe ulet buzë detit. Veçohet nga bota dhe hesht. Përpiqet t’i heshtë edhe mendimet e veta dhe, pa e vënë re fare dhe në një mënyrë krejt të vetvetishme, ndien diellin, detin, erën dhe tokën e se si të gjitha përnjëherë shkarkojnë diçka drejt e në qenien e saj.

Aty buzë detit gjen pak qetësi, një pushim të vogël nga bota që vazhdimisht e sfidon. Aty ku e pazbërthyeshmja brenda saj, në një shprehje madhështore të natyrshmërisë së vet, synon të lidhet me shpirtin e botës. Dhe e ndien veten në harmoni të përhershme me katër elementet themelore të krijimit.

Nuk ishte e rastit që u takuam buzë detit. Ky ishte vendi ku të dy ndiheshim të sigurt. Edhe pse ky takim ishte diçka që mezi pritej dhe tepër i dëshiruar, nuk e kisha mendjen aty. Vëmendja ime ishte përqendruar e tëra në mjedisin përreth. Vendi ku u takuam fshihte diçka shumë të veçantë, diçka tepër të rëndësishme, që vazhdimisht më ngacmonte mendjen dhe shpirtin. Nuk mund ta përcaktoja se çfarë ishte kjo, por e ndieja kudo përreth meje.

Nuk e di pse, por vetvetiu imagjinova se si do të mund të dukej ky vend pa ato ndërtesat e reja që kishin mbirë kudo pa ndonjë rregull. Një nga një i mënjanova të gjitha dhe, po ashtu si në animacionet kompjuterike, në mendje m’u shfaq plazhi i bukur, i freskët në virgjërinë e tij, që e kisha parë gjatë udhëtimit mental me Sh-në.

shumë herë kisha menduar për këtë vend, shumë herë e kisha lodhur mendjen për domethënien e fjalëve të Sh-së, shumë herë kisha ardhur në këtë vend thjesht për një kafe apo për plazh, por asnjëherë nuk e kisha bërë lidhjen mes të këtij vendi dhe plazhit magjepsës që e kisha vizituar me Sh-në.“Si nuk e kam vënë re më parë?!” mendova i habitur.

Vërtet ky vend ishte shëmtuar tej mase, por, përkundër kësaj, ende e ruante aromën e magjisë që kishte pasur dikur. Thuajse natyra vetvetiu nuk donte të dorëzohej para egërsisë së njeriut. Dhe ndjeva praninë e një kodi mbijetese të përhapur kudo në atë vend. Kjo ishte arsyeja pse Sh-ja apo ndonjë forcë më e madhe e kishte veçuar si vendin ku do të ndodhte diçka shumë me rëndësi për mua. Dhe, sapo ky mendim m’u formësua në mendje, ndjeva një rrëqethje që më kaloi nëpër gjithë trupin.

Prania e Edith-it po ndikonte që dielli, deti, ajri dhe toka, të katër elementet themelore të krijimit, të ndërthureshin në harmoni të plotë me njëri-tjetrin. Gjithçka brenda meje u shumëfishua përtej asaj që kisha ndier ndonjëherë. Dhe kjo kishte vetëm një kuptim: atëherë kur takohen dy shpirtra binjakë, sidomos kur kanë arritur pjekurinë që ta ndiejnë praninë e botës së fshehur, vetvetiu ndodh një rirenditje kozmike. Ky është çasti kur fuqia e vullnetit të pastër shpërthen përtej pëlhurave që thurin iluzionin e kësaj bote. Çasti burimor, ëndrra e çdo kërkuesi në shtegun që rrallë kalohet.

4

“Çfarë është lumturia?” më pyeti Edith-i.

“Lumturia është një ndjesi që ndryshon nga njëri njeri tek tjetri. Secili prej nesh ka një ide të vetën se çfarë është lumturia dhe gjithkush e përjeton atë ndryshe”, i thashë dhe ndërkohë u bëra gati për pyetjen e radhës, sepse e dija se asgjë nuk mund ta shuante kërshërinë e saj.
“Atëherë më thuaj se çfarë është lumturia për ty?” më tha, ndërsa me shikimin e saj kërkonte diçka më shumë.

Edith-i mund të dukej e re, por shpirti i saj ishte shumë i vjetër. Brenda saj ishin të ngjizura të gjitha përvojat e mundshme dhe ky ishte burimi i pështjellimit në shpirtin e saj. Vetëm duke dëgjuar zërin e saj të krijohej ideja se gjithë dhembja dhe entuziazmi i kësaj bote shkarkoheshin në një çast të vetëm.

“Lumturia për mua është e njëjta gjë që është edhe për ty. Të zbuloj dhe të jetoj qëllimin tim në këtë jetë”, i thashë dhe vetvetiu ndjeva nevojën që t’ia shtrëngoja dorën.

Dhe atëherë ndodhi. Një shpërthim shumë më i fuqishëm se ndjesia që kisha pasur atëherë kur kisha ndier shpirtin e botës, një qetësi dhe paqe shumë më e thellë se atëherë kur e kisha njohur botën në natyrën e vet të vërtetë. Për herë të parë në jetën time, qendra e universit më ftoi në gjirin e vet.

5

Koha u ndal. Prania e Edith-it më bëri të ndihem i plotë dhe vetëm si i plotë mund ta realizoja potencialin tim të vërtetë. Rirenditja kozmike e kishte arritur pikën e harmonisë. Energjia e çliruar nga bashkimi i dy gjysmave që shkriheshin në një të plotë, në një të plotë që më pas ftohej natyrshëm në qendrën e universit, e shpërtheu pëlhurën që mban bashkë kohën dhe hapësirën. Çdo dimension i mundshëm paralel, secila botë e shtrirë përbri tjetrës, shihej si një labirint që nuk kishte fillim dhe fund.

Çdo skenar që do të mund të zhvillohej si rrjedhojë e këtij takimi, u shfaq tanimë. Çdo de javu të mundshme që do të mund ta përjetoja ndonjëherë, të gjitha i ndjeva brenda vetes. Nuk i pashë si në një film, por e jetova secilën prej tyre dhe ndjeva se si ato u ngjizën, morën jetë dhe u shtrinë brenda pafundësisë së secilit dimension ku u zhvilluan. E gjitha ndodhte përnjëherë dhe po ashtu e ndjeva se e gjitha tashmë kishte ndodhur. Dhe do të ndodhte përsëri e përsëri, po ashtu si një kasetë e vjetër që nuk di të prishet, edhe sikur pafundësisht herë ta kthesh në fillim.

E njoha Edith-in në çdo shpërthim, dështim, ngritje dhe rënie të vetën. Pashë madje edhe atë që ajo ende nuk e dinte për veten. Njoha edhe sekretet e saj më të shtrenjta. Hutimin dhe ngarendjen pas çdo gjëje që ajo besonte se do të mund ta ndihmonte për ta njohur më mirë veten.
Ia pashë shpirtin rebel dhe guximin që të eksperimentonte dhe të sfidonte jo vetëm veten, por edhe të gjithë botën. E pashë duke u puthur me një djalë aty ku për herë të parë ndjeu epshin e vrazhdë që ia rrotulloi fundin e barkut. Por e pashë edhe duke u puthur me një vajzë tjetër, aty ku Edith-i ndjeu butësinë që iu shkri në gojë, çka i dhuroi një ngrohtësi që ia pushtoi gjoksin. E pashë se si edhe ajo vetë ra viktimë e pushtetit përrallor të disa femrave. E pashë të rraskapitur nga dëshira e beftë që ia nxiste një femër tjetër, një shoqe e saj, si dhe ngurtësinë që ta shprehte këtë. E pashë të hutuar nga ideja që të luante me gjinjtë e asaj tjetrës dhe të ndezur nga afshi i madh që, më pas, ajo tjetra t’ia kafshonte kësaj gjinjtë.

E ndjeva fantazinë e Edith-it për t’u arratisur. Të shkonte diku ku do të mund ta shfaqte veten në tërë çmendurinë e saj, aty ku çdo natë do të mund të jepej me sy mbyllur pas kënaqësisë që të bën të ulërish. Ajo e kishte të pamundur ta donte dikë që ishte i gatshëm; që, pa kushte, të pranonte gjithçka që ajo mund të kërkonte. Ajo nuk mund ta donte dikë që ishte në gjendje t’ia dhuronte të gjithë dashurinë e kësaj bote pa marrë as edhe një thërrime dashuri në kthim nga ajo. Ajo i dinte të gjitha kurthet dhe dredhitë, ndaj dhe ishte një kështjellë që mund të pushtohej vetëm nga dikush që e dinte atë kurthin mbi të gjitha kurthet, atë dredhinë ende të pazbuluar në të cilën ajo do të binte. Vetëm një njeri i tillë mund të ishte ai që mund ta shtinte atë në dorë. Një kalorës që Edith-i besonte se mund të ekzistonte vetëm në fantazitë e saj më intime.

Ajo mund të pëlqente vetëm dikë që e mbante përherë të etur për dashuri. Një dashnor i madh që do ta mbante në ankth. Dikush që do ta sfidonte në gjithçka dhe t’ia bënte të gjitha gjërat më të çmendura. Mbase edhe pak ta poshtëronte, në mënyrë që ajo më pas të ngrihej dhe të luftonte. Të luftonte kundër gjithçkaje dhe në fund të fitonte. Të ishte më e mira. Të ishte e para në gjithçka dhe në çdo fantazi.
Edith-i ishte amazonë. Ajo ishte amazona e fundit, ndaj dhe nuk shfaqte as edhe një ndjesi, edhe pse ndiente shumëçka. Vlonte nga pasioni, nga ndjenjat, nga afshi. Vlonte në një mënyrë si nuk mund të vlonte askush. Por, përkundër kësaj, ajo nuk shfaqte asgjë. Edhe kur poshtërohej, edhe kur thyhej, edhe kur i vinte të qante dhe të mos ndalej kurrë, ishte në gjendje të bënte gjithçka vetëm e vetëm që të arrinte hakmarrjen e vet.

Ajo ishte gjithçka që unë doja të isha, sikur të kisha lindur femër.

6

Po ashtu si dikur me Mirën, Hanën dhe shumë e shumë të tjera, por shumë më fuqishëm se çdo herë tjetër, e pashë veten duke e bërë atë që do të bënte çdo mashkull po t’i jepej rasti. E pashë veten edhe njëherë herë duke rënë pre e epsheve dhe e ngasjeve të tjera. E pashë veten duke përdorur të gjitha dhuntitë e mia për ta shtënë në dorë Edith-in. Dhe e shihja veten teksa po fitoja një dashnore të çmendur, një mace të egër që as vetë nuk ishte e vetëdijshme për vullkanin e pasionit të virgjër brenda vetes, një perëndeshë të lindur të erosit, një mjeshtre të shkathët, një luaneshë të pamposhtur, e vetmja që mund të sfidonte mjeshtrin brenda meje, atë që e kishte kultivuar kurtizania e bukur.
E shihja veten në një ekstazë deliri që kalonte nga një nivel çmendurie në tjetrin. Diçka që nuk mund të përshkruhet as me ndërthurjen më të bukur të fjalëve më të bukura, sepse çdo herë ishte një Big Bang, një çast i shpërthimit të pastër të natyrës, që ndodhte përsëri, përsëri, përsëri… dhe çdo herë ishte më i fuqishëm se herën e fundit. E shihja veten në ndjesinë më të bukur të kënaqësisë dhe në shkëlqimin më madhështor që mund të ndiejë një mashkull. E shihja veten si një titan të pamposhtur.

Dhe kjo më nxiste dëshirën e beftë, por përherë të pranishme, që të isha aty sa herë që atë e merrte gjumi. Të isha me të atëherë kur ajo do të trembej natën. Të isha me të sa herë që ajo do të dilte për të psonisur. Doja të isha ai që do ta ndihmonte të zgjidhte fustanin për ditën e parë të punës. Doja të isha ai që do ta priste kur ajo të dilte nga dushi. Të isha i vetmi që do t’ia dinte të gjitha nishanet në trup. I vetmi që ajo do t’ia besonte gjithë çmendurinë e vet.

Në të gjitha realitetet e mundshme që rridhnin nga takimi ynë, përherë ngadhënjente vetëm dashnori i lindur brenda meje. Në të gjithë skenarët e mundshëm që shtriheshin në pafundësinë e shumë dimensioneve, ajo ishte një dashnore e çmendur. Por kjo, në vend që të më ngazëllente, përkundrazi ma mbushte shpirtin me një ndjenjë trishtimi. Ajo mund të ishte dashnore e ëndrrave, më e mira ndër të gjitha, por megjithatë do të ishte vetëm një dashnore më shumë. Asgjë më tepër. Dhe duke fituar një dashnore, humbja shpirtin tim binjak. Dështoja në gjithçka dhe në çdo mësim që kisha mësuar në të gjitha sprovat e kaluara. Dështoja në çdo gjë që kisha besuar ndonjëherë dhe për të cilën kisha kërkuar gjithë jetën.

Ky nuk duhej të ishte fundi i gjithë kërkimit tim. Nuk e kisha përjetuar trishtimin e rënies nga parajsa, nuk e kisha duruar dhembjen e poshtër të kësaj bote gjatë njohjes së vlerës së vërtetë të jetës, nuk e kisha ndier lodhjen që nuk mund të shprehet atëherë kur i kisha rënë rreth e përqark botës, vetëm e vetëm që në fund të dështoja. Nuk mund të nënshtrohesha edhe njëherë nën pushtetin e egër të epsheve dhe të dafrungave pafund, sado që ato ishin joshëse, sado që ato ma dehnin çdo atom të shpirtit. Jo, sepse atëherë humbte kuptimi i çdo gjëje.

7

Dhe atëherë, si me pahir, por kurrsesi rastësisht, jetova edhe një skenar tjetër. Një i vetëm që ishte ndryshe në mesin e të gjithë atyre të tjerëve që përherë përfundonin njëlloj. Jam shumë i bindur se ishte Sh-ja, i cili që prej diku më ka tërhequr drejt atij realiteti unik që do të mund të buronte nga takimi me Edith-in. Një realitet që mbase edhe nuk do ta vëreja, sepse për të duhej shumë energji dhe vullnet. Por, mbi të gjitha, duhej shumë besim dhe forcë për ta tejkaluar veten.

Ky ishte skenari ku Edith-i do të kalonte nëpër të gjitha ato që kisha kaluar edhe unë. Një realitet ku ajo do të gjente Hanën e vet, në mënyrë që më pas të binte nga Parajsa. Një realitet ku do ta ndiente të gjithë dhembjen e kësaj bote, në mënyrë që edhe ajo ta njihte vlerën e vërtetë të jetës. Një realitet ku, një ditë, do ta gjente guximin ta sfidonte botën, në mënyrë që ta ndiente natyrën e vërtetë të të gjithë asaj që e rrethonte. Dhe, në fund, do ta gjente rrugën drejt dashurisë së vërtetë. Ditën kur ajo do të fillonte të linte shenjat e veta në rrugë. Ditën kur edhe ajo do ta ndiente dhembjen e vërtetë të dashurisë. Ditën kur edhe ajo do të zgjidhte për veten e saj.

Ishte ky një realitet ku ajo do të ndihej e lirë që të shtrinte krahët prej rebeleje. Të sfidonte seksualitetin e vet, ta sprovonte veten përtej kufijve të qejfit dhe ta sfidonte botën. Të mëkatonte dhe më pas ta shpëtonte veten. Ta prekte fundin dhe më pas ta ndiente se askush nuk do të vraponte për ta ndihmuar, në mënyrë që më pas vetë të ngrihej më këmbë. Një realitet ku ajo do të shkëlqente me tërë bukurinë e shpirtit të saj. Por ky ishte edhe realiteti i vetëm ku unë do ta ndieja dhembjen e vërtetë të dashurisë dhe ku do të lëndohesha pafundësisht shumë. Do të lëndohesha në mënyrën më të poshtër dhe më të pashpirt, në atë mënyrë që njeriu di të lëndojë vetëm veten. Do të lëndohesha nga gjysma e vetes sime që frymonte brenda meje, por do të lëndohesha edhe nga gjysma tjetër që frymonte brenda saj.

Edith-i ishte sfida ime e fundit. sprova ku brenda meje do të përplaseshin bota e vjetër dhe e bota e re. Shpirti im do të ishte një arenë e përgjakshme, ku do të luftonin hamshori i hardallosur dhe gladiatori i dashurisë. Kjo ishte ngjarja më e rëndësishme në jetën time, ajo për të cilën më kishte paralajmëruar Sh-ja. Dhe kjo do të ndodhte aty, në atë vend buzë detit, aty ku përthyheshin të katër elementet themelore të krijimit.

Kjo ishte sprova e thelbit të qenies sime. Sprova finale. Hapi i fundit pas të cilit nuk kishte më kthim prapa. Rasti i vetëm për ta realizuar ëndrrën time djaloshare, që të njihja urtësinë që nuk mund të mësohet. I trembesha kësaj bote që do të lindte aty, atë ditë dhe në atë vend, por kjo ishte e vetmja gjë e drejtë për të bërë. Kjo ishte rruga e vetme që duhej dhe që guxoja ta zgjidhja.

Paradoks. Një situatë si ato nga përrallat e vjetra të treguara që nga kohërat kur bota ishte e re. Për ta dëshmuar se je i denjë të bëhesh magjistar, duhet që vullnetshëm të heqësh dorë nga magjia. Dhe atëherë kur e bën këtë, je lakuriq dhe i pambrojtur. I lëndueshëm si një qengj i vogël që ka humbur rrugën në një ditë të ftohtë dimri.

8

“Dhe tani? Më thuaj çfarë do të ndodhë më tej?” më pyeti Edith-i dhe zëri i saj më ktheu prapa. Nuk e mbaja mend se për çfarë ishim duke folur më parë, por nuk e vrava mendjen për këtë.

Çasti i rirenditjes kozmike kishte kaluar. Përjetimi brenda atij çasti kur ishte ndalur koha për mua ishte shumë i gjatë, ishte pafundësisht shumë jetë të jetuara përnjëherë. Andaj i thashë vetëm atë që duhej thënë, atë që e ndieja se si po bubërronte kudo brenda meje.
“Tani ti ke fuqinë të më lëndosh”, i thashë dhe me këtë e bëra zgjedhjen time.

Përbri kësaj bote do të shtriheshin pafundësisht realitete paralele dhe brenda secilit prej tyre do të bija pre e tundimeve të epshit. Në secilën prej këtyre dimensioneve ajo do të ishte dashnorja ime e çmendur dhe fantazia sublime e çdo mashkulli. Por jo këtu. Jo në këtë realitet.
Pavarësisht dhembjes që do të mund të ndieja, ky do të ishte i vetmi realitet i mundshëm ku Edith-i do të ishte e lirë. E lirë të zgjidhte për veten e saj. E lirë madje edhe nga unë.