~ Edith ~

Shenjat në rrugë

1

Në çastin kur kisha njohur natyrën e vërtetë të botës, atëherë isha gjendur më në fund në shtegun ku do ta njihja veten: në dritën time të vërtetë. Dhe kur dikush e bën këtë, atëherë zbulon qëllimin e vet në jetë. Kjo është edhe mënyra e vetme për ta gjetur shpirtin binjak. Nëse dy shpirtra janë dy gjysma të po së njëjtës gjë, atëherë ata duhet të ndajnë edhe të njëjtin qëllim në jetë. Kjo është nyja ku dy persona, në dukje tërësisht të panjohur, janë pjesë thelbësore e jetës së njëri-tjetrit.

Qëllimi im në jetë ishte e kundërta e pritjeve të mia djaloshare. Nuk ishte diçka e madhe, qëllimi im ishte diçka modeste. Duhej ta ndaja me të tjerët ndjesinë e mrekullueshme të të qenit një me shpirtin e botës. Kjo ishte detyra ime fisnike prej “magjistari”. Nuk ishte diçka që do të më bënte të pasur, të pushtetshëm, të famshëm. Nuk ishte asnjë nga ato gjërat që njerëzit u japin vlerë, por ishte e vetmja gjë që do të mund të më bënte të ndihesha i kënaqur me veten. Dhe ndjenja e të qenit i kënaqur me veten është më e vlefshme se gjithçka tjetër.

Ndjenja e kënaqësisë me veten të jep guximin të ndërmarrësh gjëra të mëdha, si dhe durimin që të jesh i suksesshëm në jetësimin e tyre. Gjërat e tjera, të cilave u japim vlerë mbi veten tonë, nuk ta japin ndjesinë e të qenit i kënaqur me veten. Dhe vetëm ata që janë të kënaqur me veten e tyre e kanë qetësinë e nevojshme që ta bëjnë gjumin e qetë.

E di se, në një vështrim të zakonshëm, kjo mund të duket e pakuptimtë, sepse interesi dhe materialja shihen si gjithçka, por jo edhe për mua. Tani e dija se pasuria e vërtetë fshihet para syve të të gjithë botës dhe e dija se çfarëdo që ne e trajtojmë si të vlefshme, në të vërtetë është diçka e përkohshme.

2

Është interesante se zbulimi i qëllimit në jetë na vetëdijeson për atë se, pavarësisht bindjeve tona se jemi më të mirët e të ngjashmëve, në të vërtetë tërë kohën kemi qenë të humbur. Andaj, instinktivisht, gjithsecili bën atë që bëjnë nomadët e shkretëtirave atëherë kur, si rrjedhojë e ndonjë stuhie, humbin rrugën. Me mendje kthehen prapa në pikën e nisjes dhe shikojnë ta gjejnë gabimin e vogël në orientim, çka më vonë i kishte bërë ta humbnin tërësisht rrugën.

Këtë bëra edhe unë. Jo vetëm që kujtova tërë të kaluarën time, por me mendje e rijetova atë në çdo detaj të mundshëm. Dhe përgjigjja ishte e thjeshtë. Në fillimet e mia, atëherë kur si adoleshent kisha ndier shpirtin e botës, në vend që këtë ndjesi ta ndaja me të tjerët, isha përqendruar vetëm në botën time. Dhe kisha vazhduar ta bëjë këtë që nga atëherë.

“Mbylli sytë dhe më trego se çfarë po sheh”, më kishte thënë Sh-ja në njërën nga seancat tona.

“Po e shoh veten në qendër të universit”, i thashë, pasi i mbylla sytë.

“Shih më mirë!”, më tha Sh-ja.

Edhe pse isha symbyllur, e ndieja buzëqeshjen e tij të lehtë.

“Po shoh qendrën e universit. Jam aty”, këmbëngula me shumë siguri.

“Një ditë do ta kuptosh se je përballë qendrës së universit dhe jo në qendër të tij. Je shumë afër, por në të njëjtën kohë je edhe shumë larg”, ishte reagimi i Sh-së përballë kokëfortësisë sime. Sh-ja kishte një dhunti të veçantë që edhe urtësinë më të thellë ta shprehte në mënyrën më të thjeshtë.

Edhe kësaj here, ashtu si shumë herë të tjera, Sh-ja kishte pasur të drejtë. Për aq sa veten do ta shihja si qendër të universit, kurrë nuk do të mund ta zbuloja qëllimin tim dhe, pavarësisht sa më dukej se isha afër, në të vërtetë gjithnjë do të isha shumë larg.

Qendra e universit të tërheq t’i afrohesh, por nuk të lejon të futesh aty, nëse nuk të fton vetë. Kjo është kështu dhe nuk mund të jetë ndryshe, sepse qendra, pika që na lidh të gjithëve e prej nga shkarkohet e gjithë energjia e kësaj bote, u takon të gjithëve. Vetëm ata që e kuptojnë nevojën për të ruajtur harmoninë e tërësisë ftohen që të shkrihen me tërësinë. Dhe vetëm ata që shkrihen me tërësinë arrijnë ta zbulojnë qëllimin e tyre në jetë. Ta gjejnë atë detaj, në dukje të parëndësishëm, por shumë të domosdoshëm për radhitjen kuptimore të çdo gjeje brenda vetes, që më pas krijon ndjesinë e të qenit i kënaqur me veten.

3

Sidoqoftë, është tjetër gjë ta zbulosh qëllimin në jetë dhe është krejt tjetër gjë ta jetësosh këtë qëllim. Si mund ta ndash me dikë tjetër një ndjesi që nuk mund të shprehet, por që vetëm mund të përjetohet? Si mund ta ndash me dikë tjetër njohurinë mbi të pazbërthyeshmen? Si mund t’i tërheqësh njerëzit drejt botës së fshehtë shpirtërore, përderisa pakkush sot beson se diç e tillë vërtet ekziston? Përgjigjja është e thjeshtë: nuk mundesh.

‘Askujt nuk mund t’ia tregosh rrugën për diçka. Njeriu ka nevojë që vetë ta gjejë atë. Gjetja duhet të jetë pjesë e arritjeve personale të atij që synon ta ndryshojë jetën e vet”, më kishte thënë Sh-ja dikur.

“Kjo nuk ka kuptim. Atëherë, si do ta gjej unë rrugën?”, ia pata kthyer me shumë këmbëngulje.

“Njeriun duhet udhëzuar drejt shenjave. Për ata që kanë vullnet dhe durim, një shenjë është më se e mjaftueshme.”

Ndërsa e kujtoja këtë bisedë, qeshja me injorancën time të asokohshme. Sikur Sh-ja të më kishte folur me hollësi në lidhje me tri sprovat, sfidat, ngritjet, rëniet dhe mësimet që do të nxirrja, me siguri që do të dështoja dhe nuk do të nxirrja as edhe një mësim të vetëm. Ai më kishte treguar vetëm shenjat, ndërsa rrugën e kisha gjetur vetë dhe ky ishte detaji që kishte bërë të gjithë ndryshimin.

Të njëjtën gjë duhej ta bëja edhe unë tani. Do të vendosja vetëm shenja në rrugë dhe të gjithë ata që, në mënyrë të vetëdijshme apo të pavetëdijshme, e ndiejnë shtytjen natyrore që të shkrihen me tërësinë, të gjithë ata që nuk dinë si t’i japin një kuptim pështjellimit që ndiejnë në shpirt, do të përgjigjeshin. Do ta ndienin si një tërheqje të natyrshme, një shprehje të rrjedhshme të asaj që u vlon përbrenda dhe ata më të vullnetshmit dhe më të durueshmit do ta gjenin shtegun drejt njohjes së vetes. Njohja e vetes – ky është caku i çdo rrugëtimi të brendshëm shpirtëror, sepse thelbi i qenies sonë është pjesë e pandashme e shpirtit të botës dhe bashkë me të është pjesë e pandashme e fuqisë së Krijuesit.

Në këtë projeksion të së ardhmes do të përgjigjej edhe Edith-i, sepse ajo, shumë më fuqishëm se gjithë të tjerët, do të tërhiqej drejt shenjave. Ajo do ta ndiente se lëmshi i madh brenda shpirtit të saj mund të çmbështillej vetëm duke ndjekur shenjat e shtegut që rrallë kalohet. Dhe, kur të shkelte në këtë shteg, aty do ta prisja unë.

4

Të jetuarit në këtë shekull ka përparësitë e veta. Mjafton të kesh një kompjuter të lidhur në internet dhe mund të komunikosh me të gjithë botën. E ndjeva se duhej të shkruaja dhe pastaj, ato që shkruaja, i publikoja në internet. Nuk shkruaja që të bëhesha i famshëm, nuk shkruaja që t’i dëshmoja dikujt se kisha talent, nuk shkruaja sipas kësaj apo asaj fryme, nuk i zgjidhja temat në bazë të shijeve të kohës… Shkruaja ashtu si ndihesha. Dhe është shumë e vërtetë se, kur njeriu ndihet i lirë nga çdo ndikim dhe shtrëngesë, atëherë nga vetja e tij burojnë gjëra të bukura, dromca vërtetësie.

Gjithnjë kujdesesha që brenda çdo shkrimi të ishte një shenjë e vogël. Një shenjë që do t’i bënte njerëzit të jenë të vetëdijshëm për zbrazëtinë brenda vetes dhe që të mos tremben prej saj, por të vihen në kërkim të një kuptimi më shumë. Para çdo shkrimi, merrja një grimcë energjie nga shpirti i botës dhe, si një kod të vogël dhe të fshehur, e vendosja diku në shkrim. Një kod drejtuar të gjithë atyre që kërkojnë një kuptim më shumë për veten. Një shtytje për të thyer ngurrimin dhe për të fuqizuar vullnetin, përtej çdo frike dhe paragjykimi.

Natyrisht që do të kishte edhe të atillë njerëz të vetëmjaftueshëm që do të më shanin, por kjo nuk më linte asnjë përshtypje. Isha i sigurt se, përkundër asaj se isha një emër i panjohur, njerëzit do të përgjigjeshin. E dija këtë, sepse nuk isha vetëm. Me vete kisha shpirtin e botës që e fuqizonte vullnetin tim sa herë që mbyllja sytë dhe radhisja mendimet. Dhe, kësaj here, ditë pas dite, mendimet e mia po radhiteshin drejt një qëllimi të vetëm: njerëzit t’i ndienin shenjat në rrugë.

5

Ditë pas dite, javë pas jave, shkruaja për dashurinë në të gjitha format e shpërfaqjes së saj. Nga dhembja, malli, trishtimi e deri te pasioni, ekstaza dhe deliri. Shkruaja për dashurinë ngaqë tani e dija se ajo nuk mund të veçohet nga jeta.

Shkruaja për nevojën që njeriu të ngrihet mbi veten dhe ta heqë koracën e frikës dhe të dyshimeve, me të cilat e ka kurthuar veten. Shkruaja për jetën ngaqë tani e dija se as ajo nuk mund ta veçohet nga dashuria.

Sa herë që mendoja për të shkuarën, mendimet vetvetiu shkonin te Hana dhe kjo më bënte të ndihesha i trishtuar. Sa herë që mendoja për shpirtin e botës dhe të ardhmen, mendimet shkonin tek Edith-i dhe kjo më bënte të ndihesha gladiator. Në fund të fundit, për mua Hana dhe çdo femër tjetër në jetën time shprehte një nuancë të imazhit nga vegimet e mia.

Atë e përjetoja si një margaritar të fshehur në fund të detit, që nuk i zbulohet kujtdo. Ajo ishte Margarita, Rita ime, thesari që duhej ta zbuloja. Ajo ishte Artemisa ime, para së cilës gjunjëzohej gjahtari brenda meje. Ajo ishte edhe Anastasia, Ana ime e bukur, që përkundër dëshpërimit dhe zhgënjimit që mund ta pllakoste, gjithnjë kthehej për të shkëlqyer më fuqishëm se kurrë më parë. Por ajo ishte edhe Ada ime, fisnikja e adhurueshme, shëmbëlltyrë e hijes së rëndë që duhet ta ketë çdo femër. Çfarëdo që të shkruaja, për këdo që të shkruaja, kushdo që ishte frymëzimi im i rastit, në të vërtetë çdo gjë u kushtohej syve të magjishëm nga vegimet e mia. Ishte kjo nyja që i lidhte të gjitha shenjat.