~ Edith ~

Sekreti kinez i bukuroshes me sy të blertë

1

Dhe duke synuar harmoninë, pothuajse pa e vënë re, filloi edhe kërkimi im për sytë blu që, magjishëm, kthehen në të blertë. Kërkimi për këta sy u shndërrua në një obsesion të llojit të vet. Nëse një zonjë apo zonjushë nuk i kishe sytë kështu, atëherë ajo vetvetiu dilte nga vëmendja ime. Mund të ishte e bukur, mund të ishte e zjarrtë, mund të ishte ëndrra erotike e çdo mashkulli, por nëse nuk i kishte sytë blu, për mua ishte vetëm një hije më shumë.

Kjo ndjesi refuzimi, që unë kisha filluar ta praktikoja, me krijoji bindjen se duhej të ruhesha për të vërtetën. Për atë që do të plotësonte jo vetëm nevojat e mia fizike, por mbi të gjitha ato shpirtërore. Nuk mund të pajtohesha me idenë se ngasjet fizike janë përcaktuese për lidhjet që krijojmë me persona të tjerë. Tërheqjen fizike e shihja si diçka të përkohshme. Si një vetëtimë që është në gjendje të shkrepë edhe në qiell të pastër, por që më pas nuk dëgjohet dhe as nuk shihet më. Ndërsa tërheqja shpirtërore, reaksionet e veçanta që kanë kuptim vetëm brenda ndjesive dhe bindjeve tona, është ajo që i mbijeton kohës. Kjo ishte e vetmja që kishte kuptim racional për mua.

Me këto mendime, dhe ende i virgjër, nisa vitin e tretë të studimeve. Shumica e bashkëmoshatarëve e kishin humbur virgjërinë që në shkollë të mesme, andaj nuk mund ta kuptonin se çfarë prisja unë. Shokët bënin shaka me mua. Disa madje e sfidonin burrërinë time dhe thoshin se nuk më tërhiqnin femrat.

“Ti je gej!” më thoshin.

“Pse? Çfarë të bën gej?” ua ktheja unë.

“Ti nuk shkon me asnjë vajzë. Nuk tregon interes për asnjërën. Shpik disa arsyetime koti, kinse po pret këtë apo atë, domethënë je gej.” Dhe pastaj ua plasnin të qeshurave me kukurisje.

Nuk e shihja të arsyeshme të provoja t’i bindja për të kundërtën. Pse nuk e provonin edhe ata të kuptonin arsyet e mia? Shoqërimi duhet të jetë përshtatje e dyanshme dhe jo vetëm në një drejtim.

Ato ditë e kam kuptuar se shumica e meshkujve janë homofobë. Kushedi, mbase nga pasiguria se edhe vetë mund të jenë si ato makinat që shkojnë edhe me naftë, edhe me benzinë. Shokët e mi nuk ishin përjashtim Ata që e sfidonin orientimin tim seksual dhe vërtet besonin në dokrrat e tyre, trembeshin që të mbeteshin vetëm me mua. Në fillim u ndjeva i fyer, por më vonë këtë e pashë si mundësi që edhe unë të bëja shaka në kurriz të tyre.

Sa herë që mbeteshim vetëm, i provokoja me budallallëqe. Apo thënë më thjesht: ua lypja. Dhe ata skuqeshin, mërdhezeshin, djersitnin, ndërsa unë e kisha të vështirë të përmbahesha dhe të mos ia plasja gazit. Aq shumë ndiheshin në siklet, saqë ndonjëherë mendoja se, sikur vërtet të isha gej, me siguri do të mund ta bëja për vete ndonjërin prej tyre. Kaq i qëndrueshëm ishte vetëbesimi i tyre. Nxitimi që me çdo kusht të flinin me një femër, nuk ishte vetëm që më pas të mburreshin para shokëve, por edhe ta bindin veten se ishin në rregull me prirjet e tyre seksuale.

Nejse, këto marrëzira më hutonin dhe ndonjëherë e harroja engjëllushen time me sy blu, që magjishëm i ktheheshin në të blertë. Megjithatë, mjaftonte që të mbetesha vetëm, të ndieja ritmin e trazimeve të shpirtit tim dhe në çast sytë e saj ishin kudo. Ata sy ishin gjithçka. Ishin gjëja e vetme me kuptim në jetën time. Dhe ia vlente të prisja. Ia vlente të prisja, sikur edhe e gjithë bota të shembej.
Por e vërteta është se pritja është tortura më e rëndë. Askush nuk mund të presë përgjithmonë. Nuk prita as unë. Ndoshta isha lodhur nga batutat e shokëve të mi apo thjesht doja që edhe unë të zhvirgjërohesha. Ishte gjëja më e natyrshme që më binte ndërmend, por nuk e kisha të lehtë ta tradhtoja engjëllushen time.

Kështu e shihja këtë punë. Tradhti! Dhe në çastin tjetër e qortoja veten për këtë.

“Si mund të jetë tradhti? Madje nuk e di nëse ajo është reale apo është vetëm një andrallë e jotja”, i thosha vetes.

Dhe në fund ndodhi. Çasti i madh i burrërisë erdhi edhe për mua, pa e ditur se fati më kishte përgatitur sfidën e radhës.

2

Kinezët kanë një filozofi interesante, sipas së cilës Zoti e udhëheq universin me ndihmën e një qeverie hyjnore. Kjo qeveri cakton të gjitha sfidat me të cilat duhet vënë në provë njerëzimi. Dhe një nga këto sfida është sprova e bukuroshes me sy në ngjyrë të blertë. Sipas kësaj bindjeje, femrat me sy të blertë janë shumë të rralla dhe të veçanta. Ato janë të bekuara dhe, nëse dikush e bën për vete një femër me sy të blertë dhe ajo i dorëzohet vetvetiu, atëherë ky njeri fatlum do ta zbutë mllefin e perëndive. Kjo është sfida e fundme e burrërisë, të cilën vetëm më të denjët mund ta kalojnë.

Mbase e zbukurova pak këtë legjendë, por gjithsesi thelbi është i vërtetë, për më tepër që ka të bëjë edhe me rastin tim. Unë pata fatin të zhvirgjërohesha në duart e një mjeshtreje të rrallë, një artisteje të shpirtit, një bukurosheje që në çastet e kënaqësisë dhe të delirit sytë i shkëlqenin në një blerim plot jetë.

Tani do të tregoj diçka që pak njerëz e dinë. Bukuroshja me sy të blertë, ajo që më zhvirgjëroi, ishte një nga ato zonjat e profesionit më të vjetër. Shokët e mi nuk kishin lënë gur pa lëvizur duke kërkuar një bukuroshe me sy të blertë. Ata donin të ujdisnin një takim dhe më pas gjërat t’ia linin rastit. Por, ngaqë femrat me sy të blertë janë të rralla, nuk kishin mundur të gjenin asnjë mes shoqërisë sonë apo gjetiu. Dhe ngaqë nuk kishin mundur ta gjenin një të tillë, duke mos dashur të dorëzoheshin, kishin trokitur në dyert e shtëpive më të vizituara në qytet.

Kur më thanë se çfarë kishin bërë, nuk dija si të reagoja. T’i falënderoja apo të inatosesha me ta? Unë nuk isha aq i pashpresë sa të ma sajonin një ngjarje të tillë. Aq më tepër, me një që atë punë e kishte profesion. Tërë jetën isha ruajtur për dikë të veçantë, për dikë që do t’i jepte kuptim durimit dhe pritjes sime. Dhe tani e tëra kjo do të tretej si një flluskë sapuni. Të gjitha këto ndjenja të pështjelluara vlonin brenda meje dhe, si dukej, shokët e mi e vunë re këtë. Andaj nuk rrezikuan të futeshin në diskutime dhe menjëherë kaluan në veprim.
“Nuk na intereson! Nuk duam të dëgjojmë më arsyetime. Nuk ke se ku të shkosh. Sot do të na dëshmosh se je burrë!” më thanë në kor, të gjithë përnjëherë. Nuk mund ta dalloja se cili prej tyre më fliste. I dëgjoja si një zë të vetëm.

Dhe më pas më kapën si të isha një lodër dhe më shtynë drejt e në dhomën time. Aty më priste ajo.

3

Ajo ishte shtrirë në shtratin tim. Nuk tregonte më e madhe se unë, mbase vetëm dy ose tre vjet më shumë. Trupi i saj ishte imazh nga fantazitë më të bukura që mund të ketë një mashkull. Ishte lakuriq dhe lëkura i shkëlqente. Me siguri ishte lyer me një nga ato vajrat aromatike, sepse në tërë dhomën ndihej një aromë e këndshme. Pjesën e ndjeshme të trupit e kishte të mbuluar me çarçafin tim të bardhë, ndërsa pjesa tjetër e trupit të saj, përfshirë edhe gjinjtë, ishte e zbuluar. Mënyra se si ajo ishte shtrirë ashtu lakuriq dhe e mbuluar pjesërisht me çarçaf, më solli imazhin e një pikture që e kisha parë diku. E tëra ishte e përkryer. Ishte vepër arti. Ajo vetë ishte vepër arti.

Me t’ia parë sytë e blertë, thjesht u magjepsa. E harrova që ajo ishte lakuriq dhe kishte një trup të mrekullueshëm. E gjithë vëmendja ime ishte përqendruar te sytë e saj. Ata nuk ishin sy nga vegimet e mia, por gjithsesi edhe sytë e asaj zonje e fshihnin një rrëfim. Një rrëfim plot ëndrra për jetën. Ëndrra të kurthuara nën peshën e rëndë të zgjedhjeve të imponuara nga të tjerët.

Dhe ngaqë isha i magjepsur prej syve të saj, diçka brenda meje ndryshoi. Njëlloj si atëherë kur fshehurazi shikoja Mirën, ndjeva ngrohtësinë në fund të barkut. Por kësaj here gjithçka ishte shumë më e fuqishme. Kudo kishte aromë të një çmendurie të përshkallëzuar, ashtu si vetëm adoleshentët mund ta ndiejnë. Pasion i vrazhdë. Forcë e pastër e natyrës nga koha kur njeriu nuk turpërohej për natyrshmërinë e tij. Pasion që më pas mbillte guxim. Dhe kur këto të dyja u ngjizën brenda meje, atëherë u ndjeva i pamposhtur. I gatshëm për çdo përballje. I denjë që të përmbytesha në sensualitetin e saj. Epshndjellja e saj… Hija e saj e rëndë që po më dehte çdo shqisë.

Ajo u ngrit më këmbë. Çarçafi i rrëshqiti prej trupit dhe tanimë shihej çdo gjë. Ishte hera e parë që shihja vagjinën e një femre, andaj për pak sa nuk m’u ndal fryma. I gjithë guximi, ndjenja se isha i pamposhtur e gjithçka tjetër u tretën si me magji.

Ajo e kuptoi menjëherë shtangien dhe mahnitjen time dhe ngadalë, duke i hedhur hapat si të ishte mace, nisi të ecte drejt meje. Harmonia midis shtatit dhe mënyrës se si i mbante trupi gjinjtë, si diçka të veçuar jashtë tij, si diçka tepër e veçantë, si qershitë joshëse të vendosura mbi një tortë të shijshme, thjesht ta merrte frymën. Në çastin kur m’u afrua, kisha ngrirë i tëri. Nuk mundja të flisja e madje as të nxirrja qoftë edhe një tingull të vetëm.

Një buzëqeshje e lehtë iu shfaq në fytyrë. Asaj po i pëlqente kjo lojë. Dhe atëherë filloi të më përkëdhelte…

4

E di se mezi pret të të tregoj për detaje të tjera, por një xhentëlmen i vërtetë kurrë nuk flet me hollësi për përvojat e veta. Mjafton të them se në përvojën e parë lejohet edhe të turpërohesh, edhe të dështosh, mund të ndodhë edhe shumëçka tjetër që nuk guxon ta bësh më vonë.
Ajo që do të tregoj është se ne u pamë edhe shumë herë të tjera. Mund të të duket e habitshme, por ajo asnjëherë nuk më kërkoi para. Mes nesh u krijua një lidhje e veçantë dhe, sa herë që ishim bashkë, ne krijonim një botë ndryshe. Një botë ku ajo ikte nga gjithçka, ndërsa unë zbuloja vazhdimisht veten. Kështu zgjati, derisa një ditë, pa asnjë paralajmërim, ajo u zhduk dhe nuk e pashë më kurrë.
Nuk mund të them se nuk u mërzita kur ndodhi kështu, por e dija se, në njëfarë mënyre, një ditë do të ndodhte. Por, përkundër asaj që ajo ishte kurtizane, do ta mbaj mend si një dhuratë prej perëndive kineze. Ajo ishte dashnorja e parë dhe mësuesja ime e vetme në artin e dashurisë.

Prej saj kuptova se arti i dashurisë është një dhunti e lindur e që nuk mund të mësohet nga leximet për mënyra apo teknika të mundshme. Artisti i dashurisë e kupton metrikën e heshtur, ritmin e një zjarri që digjet pa zhurmë dhe pa tym si brenda tij, ashtu edhe brenda së dashurës së vet. E ndien atë që duhet bërë dhe më pas e bën me saktësinë e duhur. E ndien atë që duhet thënë dhe më pas, në çastin e duhur, thotë fjalën e duhur.

Ajo më futi në botën delikate të kultit të ëndjes, aty ku e kuptova se një dashnor i përkushtuar, një mjeshtër i vërtetë i artit të dashurisë e di se në një marrëdhënie intime asnjëherë nuk duhet synuar të marrësh më shumë se sa jep. E tëra është si një kacafytje e butë gjelash, ku njëri vërsulet me gjithë fuqinë, por me kujdes që kafshimi të jetë joshës, një therje që nuk dhemb, por që nxit edhe më shumë epsh. I bën të gjitha këto dhe më pas i lejon hapësirë tjetrit që të bëjë po të njëjtën gjë. Nuk ka shumë rëndësi se kush është lart dhe kush është poshtë, nuk është me rëndësi kush sulmon dhe kush mbrohet, me rëndësi është që në fund rezultati të jetë barazim. Një barazim i lodhshëm, që përmbyllet me dëshirën që loja të luhet përsëri sa më parë dhe sa më shpesh.

Më e rëndësishmja ndër të gjitha, dhe për këtë ajo ka një vend të shënuar në mendjen dhe zemrën time, më mësoi si ta mposhtja frikën më të madhe të të gjithë meshkujve: frikën që të mos ia dilja dot. Nëse herën e parë mezi kisha qëndruar dy minuta, nën udhëheqjen e saj mësova të qëndroja deri në dy orë.

“Nuk ka nevojë për herë të dytë. Një mjeshtër e bën vetëm një herë, por e bën mirë. Aq mirë sa të mbahet mend për tërë jetën”, më pëshpëriste ajo në vesh me zërin e saj të ëmbël, por të mbështjellë me lodhjen e fshehtë të jetës që bënte. Dhe ajo nuk hoqi dorë derisa mësova se qëndrueshmëria rrënohet para nxitjes për të ndier kënaqësi në një çast të vetëm dhe sa më shpejt.

Ky ishte leksioni më i rëndësishëm i burrërisë sime, diçka që nuk e kam harruar kurrë. Arma ime sekrete prapa çdo pushtimi të mëvonshëm. Por ky nuk është leksioni më i vlefshëm që e kam mësuar nga ajo.

Ajo më mësoi se të qenit femër është ndjenjë dhe jo gjendje fizike. Diçka që ne meshkujt e nënvlerësojmë apo nuk e marrim fare parasysh. Me shumë kujdes më udhëhoqi në botën e fshehtë të ëndrrave të saj. Aty ku zbulova se bukuria e vërtetë nuk është vetëm imazh. Mbi të gjitha, është ndjesi. Një sekret i fshehur, një eliksir magjik që i zbulohet vetëm atij që është i denjë.

Unë asnjëherë nuk e trajtova si kurtizane. Mbase kjo ishte arsyeja pse ajo më vlerësoi si të denjë. Dhe kjo e bënte shumë të lumtur. Dhe kur femra është e lumtur, atëherë nga një imazh i këndshëm, një ngacmim i bukur për sytë, si me magji, ajo shndërrohet në një ushqim për shpirtin. Vetëm kur ajo ndihej e lumtur, unë mund të frymoja në sharmin magjepsës të fshehur në çdo cep të shikimit të saj.