~ Edith ~

Mira

1

Sh-ja më futi në hipnozë të thellë. Ashtu si edhe Liza, edhe unë u futa në hipnozë brenda hipnozës. Sh-ja më kishte thënë se kjo është mënyra e vetme se si unë do të gjeja përgjigjet. Nuk mjaftonte që dikush të m’i shpjegonte gjërat, sepse çfarëdo që të më thoshte ai apo dikush tjetër, përsëri do të kisha dyshime. Andaj, në traditën e të gjithë oshënarëve të shtegut që rrallë kalohet, e vetmja mënyrë për ta mësuar mësimin që nuk mund të mësohet është duke e jetuar atë. Dhe Sh-ja kishte shumë të drejtë. Mësimi që unë kërkoja ishte i pashqiptueshëm dhe i pamësueshëm. ishte diçka që vetëm mund të përjetohej.

Vetëm pasi arrita stadin e qetësisë së thellë, Sh-ja filloi të më udhëhiqte drejt përgjigjeve.

“Ndieje veten plotësisht të lirë. Të lirë nga hapësira dhe nga koha dhe bëj saktësisht ashtu si të them unë”, më urdhëroi ai.
“Në rregull”, thashë vetvetiu, pa kurrfarë shtrëngese, sikur kjo të ishte gjëja më e natyrshme dhe u binda aty për aty.

“Kthehu në të shkuarën! Shihe të gjithë të shkuarën tënde!” më tha Sh-ja dhe në çast e gjithë jeta ime m’u shfaq si një film. Por jo si një film që ka një fillim dhe një fund, por e tëra u shfaq përnjëherë. E pashë veten si foshnjë e porsalindur. Isha në duart e nënës dhe për herë të parë pashë sytë e saj. Sy të mëdhenj, por që shprehnin një dashuri të madhe dhe të pakusht, një dashuri që e tëra më kushtohej mua. Aty, në ngrohtësinë e përqafimit të saj, e ndjeva dashurinë në thelbin e vet dhe kjo dashuri më qetësonte. Kjo dashuri ma hiqte frikën nga bota e re ku kisha ardhur. E pashë veten në pelena, e pashë veten duke luajtur me shokët e fëmijërisë në rrugë, e pashë veten në klasë të parë, i pashë të gjitha. Gjëra që as nuk i mbaja mend. Unë isha në të gjitha ngjarjet përnjëherë. Dhe në çast, më erdhi të qaja. Është e habitshme se sa shumë gjëra harrojmë nga jeta jonë. Është edhe e frikshme, sepse kjo harresë të ndjell trishtim, thuajse sikur këto ngjarje nuk kanë ndodhur fare.

“Tani zgjidh një çast në të shkuarën. Zgjidh atë që të tërheq më së shumti dhe shko aty!” më urdhëroi Sh-ja.

Për habinë time, e pashë veten në tualetin e shkollës duke masturbuar për herë të parë. Si ishte e mundur që, në tërë kujtimet e mia, kjo ngjarje të ishte pika drejt së cilës u tërhoqa? Çfarë fshihej këtu?

“Ku je?” më pyeti Sh-ja dhe unë fillova t’ia përshkruaj të gjithë ngjarjen.

Ai nuk më ndërpreu për asnjë çast, por kjo nuk ishte përgjigjja që ai kërkonte.

“Shih edhe një herë. Por kësaj here mos shih me sy. Shih përtej asaj që është e fshehtë për syrin”, më tha ai, por unë nuk prita që ai ta përfundonte fjalinë, sepse menjëherë u shfaq një pamje e re. Çdo gjë atë ditë, çdo ndjesi që kisha pasur atë ditë, fitoi një kuptim të ri. Ishte e magjishme.

Sh-ja e kishte ditur fort mirë se çfarë ishte duke bërë. Ai nuk kishte pasur si qëllim që unë të bëja ndonjë zbulim të madh drejt të fshehtave magjike të botës, ashtu si, me naivitet, prisja unë. Por donte që unë të ballafaqohesha me ngjarjen më emblematike në të shkuarën time dhe ta deshifroja vetë atë. Dhe Sh-ja kishte pasur të drejtë. Gjithçka kishte filluar atë ditë. Atë ditë kishte filluar rruga ime në shtegun që rrallë kalohet. Nga aty! Nga ai tualet i pistë.

2

Atë ditë, shpirti im djaloshar ishte pika e nisjes, ndërsa Mira ishte pika e mbërritjes. Meqë energjia seksuale është energjia më e fuqishme në natyrë, kanalizimi i kësaj energjie në një imazh të vetëm e kishte shpërthyer pëlhurën e kohës dhe të hapësirës. Edhe pse fizikisht larg njëri-tjetrit, shpirti i Mirës kishte ndier pasionin e zjarrtë djaloshar që buronte nga shpirti im. Aura ime, mbështjellësi energjetik që e rrethon gjithsecilin dhe çdo gjë, e kishte gjetur rrugën deri tek aura e Mirës. Dhe më pas, të dyja ishin kapërthyer me njëra-tjetrën. Ishte akt i të bërit dashuri, por në një nivel krejtësisht tjetër. Dashuri e pastër. Përplasje e dy energjive jetësore. Andaj Mira, papritmas, dhe në shikim të parë pa ndonjë arsye, kishte filluar të mendonte për mua. Nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

3

Megjithatë, çfarë e bëri të mundshëm këtë shpërthim? Sepse nuk mjafton të krijosh një imazh në kokë dhe të masturbosh. Me siguri ka diçka më shumë.

“Çelësi është te përqendrimi sublim, gjendja kur krijohet harmonia vepruese mes ndjesive shpirtërore, mendore dhe trupore. Dhe kjo nuk është një gjë e lehtë që të arrihet”, më tha Sh-ja, kur ishim duke analizuar përfundimet e eksperimentit.

“Por unë nuk mbaj mend t’i kem bërë ndonjë nga këto!” i thashë.

“I ke bërë në mënyrë të pavetëdijshme. Ishe i ri dhe mendja jote ende nuk ishte helmuar nga ngatërresat që mbledh uni. Ishe i paprekur nga vrulli i dëshirave të çastit dhe lodhja e zhgënjimeve. Pastaj, jo pak të ka ndihmuar edhe gjithë ai pasion”, tha Sh-ja dhe nisi të qeshte.

“Energjia seksuale është energjia më e fuqishme në botë dhe kjo është arsyeja pse ata që bëjnë magji të zezë shpesh e përdorin këtë energji.”
“Magji! Magjia e zezë!” thashë unë, edhe pse, me thënë të drejtën, nuk është se vërtet isha aq i habitur.

“Po! Magji!” tha Sh-ja dhe buzëqeshi sikur donte të ma bënte me dije se nuk e besonte habinë time. “Por për këto gjëra do të flasim ndonjë ditë tjetër. Hëpërhë, mjafton që e kuptove se mendimet kanë fuqi. Tash e tutje trego kujdes se çfarë mendon!”

Dhe me kaq përfundoi takimi ynë, por vërejtja e Sh-së vazhdonte të më sillej nëpër mend. Tani që e kisha të freskët kujtesën e gjithë së shkuarës sime, fillova të analizoja disa nga ngjarjet kyçe. Pyetjet gjatë testeve, përzgjedhja për programe studimore, gjetja e punës atëherë kur kjo duhej më së shumti dhe shumë e shumë të tjera. Ato që deri atë ditë doja të besoja se ishin rastësi apo vullnet i fatit të mirë, por që nuk ishte e mundur që një njeri të kishte aq shumë fat. Kishte edhe diçka tjetër në mes.

4

Vendos dhe merr një vendim. Më pas këtë vendim e fuqizon duke e kthyer në qëllim. Pastaj përmblidhesh dhe e pastron shpirtin nga çdo dyshim, sepse dyshimet janë ato që e sabotojnë fuqinë e një qëllimi.

Kaq duhet. Asgjë më shumë.

Mendja këtë e pranon si një vullnet të pastër, të lirë nga dëshirat e çastit. Dhe pastaj ndodh ajo që shprehet në fjalën e urtë të të dijshmëve të kohëve të vjetra: ‘Atëherë kur vendos diçka nga thellësia e zemrës, i gjithë universi vihet përkrah teje.” Kjo është formula për të aktivizuar fuqinë e mendimeve. Kisha një jetë të tërë që e dija këtë.

Sh-ja kishte pasur të drejtë. Kjo është diçka që nuk mund të mësohet. Madje edhe ky shpjegim, por edhe pafundësisht shumë shpjegime të tjera, përsëri nuk do të shpjegonin asgjë. Këto fjalë mund të kenë kuptim për njërin, por jo edhe për tjetrin, sepse kjo është diçka që nuk mund të shpjegohet dhe as të mësohet. Thjesht e ndien. E ndien si një vetëtimë të njohjes, që përshkon çdo atom të shpirtit.