~ Edith ~

Kur dashurohet donzhuani

1

Përkundër qëndrimit topitës në vendnumëro dhe dëshpërimit që kjo më kishte nxitur, nuk kisha harruar si t’i radhisja mendimet. Kjo dhunti kishte qenë me mua shumë kohë para Sh-së dhe eksperimenteve që kisha bërë me të. Kjo dhunti ishte diçka e imja, diçka që në të kaluarën më kishte hyrë shumë në punë dhe tani e shihja si një mjet për të shuar etjen për kënaqësi, çka e ndieja çdo ditë e më shumë.

Kisha humbur shumë kohë me andralla. Kisha humbur adoleshencën, kisha humbur mundësinë ta ndieja procesin e rritjes brenda meje. Tani kisha moshën e duhur, duhej të ndihesha i pjekur, por diçka mungonte. Mbase mund të duket e çuditshme, por mungonte ajo përvoja që e kishin kaluar të gjithë shokët e mi. Eksperimentet e tyre me veten, lojërat e burrërisë dhe gjithçka tjetër. Ato gjëra që unë kisha refuzuar t’i bëja, sepse asokohe më dukeshin të kota.

Vetëm një gjë më ra ndërmend: duhej të zbuloja dashnorin brenda vetes. Doja të ndihesha burrë, ndërsa në sytë e mi nuk mund të bëhesha burrë pa u bërë pushtues. Asokohe nuk e dija se triumfi që ndien një pushtues është një ndjesi shumë më dehëse se inati dhe të tjerat bashkë. Nuk e dija se një pushtues nuk mund ta ndalë veten. Pushton thjesht nga nxitja për të pushtuar dhe jo se i duhet të dëshmojë diçka më shumë. Pushton sepse vetëm kështu mund të ndihet gjallë.

Kështu, duke u futur thellë e më thellë në këtë mal të pafund, brenda meje u brumos etja për kënaqësi. Në fillim ishin ato nuancat fine të kënaqësisë shpirtërore, ndjenjës së bukur që provon atëherë kur ke përshtypjen se po rilindesh, por shumë shpejt u shfaq nxitja për një kënaqësi tjetër. I bindur se përvoja me Sh-në dhe vegimet mia për Edith-in nuk ishin gjë tjetër pos mashtrime të mendjes, brenda meje u ngulit ideja se duhej t’i praktikoja të gjitha ato që i kisha mësuar nga kurtizania e bukur me sy të blertë, sepse, bashkë me aftësinë time për të vënë rregull te mendimet, do të isha i pandalshëm.

2

Kënaqësinë erotike nuk mund ta ndiesh në çdo raport që mund të krijosh me njerëz të ndryshëm, sado që fizikisht mund të japësh më të shumtën. Atë e ndien në ajër që në fillim ose nuk e ndien kurrë. Si një lloj kodi që funksionon vetëm aty ku e ka vendin. Magji e fshehur në shikimin e parë, në prekjen e parë të qëllimshme apo të rastësishme. Aty ku ndien nuhatjen e menjëhershme të raportit seksual. Aty kur atë punë ia bën me shikime, të gjithën ia bën në një çast të vetëm. Dhe ia bën përsëri dhe përsëri dhe ajo të gjitha këto i sheh në sytë e tu.
Dikur për këtë më kishte folur kurtizania ime e bukur, por asokohe më dukej më tepër një përshkrim poetik, diçka joreale, diçka që mund të ndodhë vetëm në mendjen e një poeti. Por në ato fjalë fshihej një e vërtetë e madhe. E vërteta e tërheqjes fatale mes njerëzve. Tani që po e shihja botën ndryshe, mund ta ndieja këtë. Dhe e ndjeva edhe më shumë kur u takova me Hanën.

Që në shikimin e parë e ndjeva hijen e saj të rëndë. E ndjeva në elegancën e fshehur në hapat që hidhte, në mënyrën me të cilën e vështronte botën përreth, në mënyrën si e mbante trupin, në buzëqeshjen e saj të butë, në modestinë që shprehte me përzgjedhjen e rrobave që vishte, në makijazhin e lehtë që përdorte, në shkëlqimin e dhëmbëve të saj. E ndjeva kudo.

E takova rastësisht. Ishte një çast i vetëm, në shikim të parë i zakonshëm, një ngjarje mes shumë ngjarjeve që përjetojmë çdo ditë. Po për mua ky çast ishte i mjaftueshëm, sepse një çast kur koha ndalet është i barabartë me përjetësinë. E ndjeva ndryshimin në ajër, e ndjeva ndryshimin jashtë meje, por më së shumti ndjeva shpërthimin brenda vetes.

Hija e saj, aroma dehëse e qenies së saj veproi si kod, si një çelës që i hap të gjitha dyert. Këtë bëri brenda meje. Hapi çdo derë të mundshme dhe i hapi rrugë dritës drejt çdo kthine të njohur dhe të harruar nga unë. Zgjoi një hero të fjetur brenda meje. Një hero që nuk mund të zgjohej as me britma, rrapëllima apo goditje. Një hero që mund ta zgjonte vetëm nuhatja e së vërtetës.

“Oh Zot! Sa e vërtetë është! Çdo gjë ndihet që në çastin e parë!” Këtë mendoja atë ditë kur e takova.

Ajo ishte ulur përballë meje. Në një mënyrë fine dhe krejt natyrshëm, çdo ndjesi e brendshme dhe çdo mendim i imi u vu në funksion të fantazisë që mori jetë aty për aty. Me mendjen time e zhvesha dhe, si në filma erotikë, e lashë fantazinë të kulloste pa asnjë fre.

Mbase deri atëherë ajo as që e kishte vënë re praninë time, por kësaj here diçka ia tërhoqi vëmendjen. Lehtë, ashtu sikur të duket kur dikush i panjohur po të thërret në emër, ajo e fiksoi shikimin e saj drejt meje. Më shikonte drejt e në sy, thuajse e dinte se çfarë po ndodhte në mendjen time.

Sa të thellë ishin ata sy! Një botë e panjohur sfiduese shtrihej brenda tyre. Ajo vazhdonte të më shikonte dhe kjo më ngacmoi edhe më shumë. E di se njerëzit mund të ngacmohen seksualisht nga gjinjtë, vithet, këmbët, por si është e mundur që unë po ngacmohesha vetëm nga sytë e saj?

Aty, ndërsa ajo më mbante të fiksuar me shikimin e saj, nuk u turpërova, nuk u ndjeva i zënë ngushtë, nuk u ndjeva në faj, andaj nuk e hoqa shikimin. E fiksova edhe unë, i bindur se në sytë e mi ajo po shihte gjithë pasionin tim të egër. Dhe atëherë ndodhi e papritura, dëshmia se ajo ishte ndryshe. Në vend që të nevrikosej, të më qortonte me ndonjë fjalë, sepse me siguri dukesha çuditshëm duke e shikuar ashtu si i marrë, ajo më buzëqeshi. Por kjo nuk ishte një buzëqeshje mirësjelljeje, me të cilën një zonjë e vërtetë synon të dalë nga një situatë e pakëndshme. Buzëqeshja e saj ishte pohim. Ajo ma bëri me dije se po e ndiente, e dinte se çfarë po ndodhte brenda meje.

3

Aty përballë Hanës kuptova se njeriu, sado që të përpiqet, nuk mund të dalë nga natyra e vet. Unë isha ai që isha dhe, nëse e kisha ndarë mendjen të kridhesha në valët e epshit dhe të kënaqësisë, këtë nuk do të mund ta arrija nëse do të dilja nga natyra ime. Nuk mund të bëhesha i rëndomtë, nuk mund të bija në nivelin e një qeni rrugësh që vrapon pas çdo cope mishi që sheh apo nuhat. Unë isha gjuetar i lindur, isha ujk. Një ujk pa kope, një ujk që tërë kohën kishte refuzuar të bënte vend nëpër turma, pavarësisht të ftohtit dhe vështirësive që më kishin pllakosur. Dhe një ujk e zgjedh më të mirën për vete, zgjedh jo vetëm gjahun më të shijshëm dhe më të bukur, por më së shumti tërhiqet drejt asaj që i bën hije krenarisë së tij. Një ujkonje të kredhur në të njëjtat valë të jetës si ai. Një që e sfidon, që e fton ta pushtojë duke ia bërë me dije se ajo mund ta ulë kokën, por nuk do të dorëzohet kurrë. Një zonjë. Një zonjë e vërtetë.

E ndjeva se vetëm ato që kanë aromën e një zonje të rëndë mund ta ngjallnin gjahtarin brenda meje. Nuk ishte për t’u habitur, sepse një gjë e tillë ishte brumosur në thelbin e qenies sime. Atëherë, por edhe çdo herë më parë, por edhe tani, dhe kështu do të jetë gjithnjë, në këtë jetë apo në një tjetër, jo vetëm që tërhiqem drejt një femre që është zonjë, por unë besoj në zonjën brenda femrës. Besoj se vetëm një e tillë mund t’u japë krahë ëndrrave dhe nxitjeve të mia.

4

Nuk ishte e rastit që Hana ma krijoi aq natyrshëm imazhin e një zonje të vërtetë. Ajo ishte pinjolle e një familjeje të respektuar, një familjeje intelektualësh dhe artistësh, aristokratë të kohërave të vjetra dhe të reja. Ajo ishte rritur në një mjedis ku kishte mësuar të respektonte çdo njeri, të mos nënçmonte askënd, qoftë për origjinën apo statusin social. Personaliteti i Hanës ishte formësuar përreth idesë se modestia nuk është shenjë e dobësisë, andaj ajo nuk ndiente nevojë të përfshihej në garat e kota të veshjeve të shtrenjta. Nuk ndiente nevojën ta zbulonte trupin, nuk ndiente nevojë të provokonte dhe të ngacmonte meshkujt.

Në sytë e një mashkulli, që si qen llaskuç tërë kohën e mban gjuhën jashtë, Hana mund të dukej e rëndomtë. Madje mund të dukej një femër që nuk i di gjërat, një femër që ngurron dhe trembet nga femërorja brenda vetes. Kjo nuk është për t’u habitur, sepse të tillë meshkuj janë mësuar me gjah të lehtë, janë pajtuar me pritjen që kënaqësinë ta kërkojnë në gjëra artificiale, në ato që janë shurdhe ndaj vetes dhe botës, në ato që janë memece për ta shprehur atë që vërtet dëshirojnë. Për të tillë meshkuj Hana ishte e paarritshme, ishte rrushi që, përkundër tërë dinakërisë së vet, dhelpra asnjëherë nuk mund ta kapte. Por jo për mua!

Posa e kisha parë, jo vetëm që isha magjepsur, diçka e pritshme dhe mbase edhe klishe, por e kisha ndarë mendjen që ajo do të bëhej e imja. Ajo duhej të bëhej e imja, vullnetshëm apo me ndonjë magji, kjo gjë pak rëndësi kishte.

5

Aq e zjarrtë ishte dëshira brenda meje, saqë nuk mund t’ia lija gjërat rastit. Kishte diçka te Hana që komunikonte rrjedhshëm me gjithçka timen. Ajo më ngacmonte shqisat vetëm me praninë e saj, ma trandte burrërinë vetëm me një buzëqeshje, por ishte edhe diçka tjetër. Diçka që ma ngacmonte shpirtin, përtej asaj që kisha ndierë ndonjëherë më parë. Hana më jepte ndjenjën e sigurisë dhe të besimit se para saj nuk kisha nevojë të tregohesha ndryshe apo të shtiresha në çfarëdo forme. Hanës i kishte pëlqyer guximi im dhe i kishte bërë përshtypje paturpësia ime. Ajo më donte për atë çka isha me të vërtetë.

Por kjo nuk është e tëra. Duhet ta tregoj më të rëndësishmen, atë që nuk doja ta shihja, detajin që ngurroja ta njihja dhe t’ia pranoja vetes. Hana më kujtonte Edith-in. Flokët e saj, pothuajse të derdhur të tërë në ar, sytë e saj të blertë të zbehtë, mënyra si rrinte, si fliste, gjithçka ishte si tek Edith-i i vegimeve të mia. Në sytë e Hanës shihja të njëjtat dilema, pyetje, sfida dhe ëndrra që i kisha parë tek Edith-i që ma kishte shfaqur Sh-ja. Kjo ishte arsyeja pse përballë Hanës shpirti im ishte çarmatosur që në shikimin e parë.

Çfarë kthese! Isha nisur me synimin që të bëhesha një dashnor i madh, por që në sfidën e parë rrezikoja të dashurohesha. Nuk kisha nevojë të kujtoja ndonjë fjalë të kurtizanes sime të bukur, sepse disa gjëra i dija edhe vetë. Një dashnor i vërtetë, një mjeshtër i artit të dashurisë, nuk duhet të lejojë asnjëherë që të bjerë nën pushtetin e një zonje. Dhe ndjenjat e zjarrta dhe të fuqishme si këto që tani po i ndieja për Hanën, ishin zinxhirët e pakëputur të pushtetit të një zonje.