~ Edith ~

Jehona e asaj që nuk është

1

Netët me kurtizanen me sy të blertë ishin të paharrueshme. Por jo për erotizmin, epshndjelljen apo çfarëdo tjetër që mund të mendojë ndokush. Edhe pse i tëri isha kapërthyer në rrjetën e zjarrtë të kurtizanes me sy të blertë dhe lundroja mbi valët e egra të nja pasioni të pastër, edhe në mes të atij zjarri epshesh, unë vazhdoja të ndieja binjaken time. Zhvirgjërimi nuk më kishte liruar nga andrallat e mia për Edith-in. Përkundrazi!

Me kurtizanen e bukur është hapur një derë që nuk është mbyllur më kurrë. Në çdo përvojë të re dhe në çdo lidhje të re, kudo dhe me këdo që të isha, gjithnjë shfaqej një detaj që i hapte rrugë pranisë së diçkaje jashtë botës sime. Një deja vu nga një jetë tjetër. Sikur po jetoja dy realitete. Këtë dhe një tjetër ku isha me Edith-in. Një realitet që nuk e kisha jetuar, por që rrezatonte vërtetësi. Aq e thellë ishte kjo ndjesi, sa në shpirtin tim jehonte sikur kjo të ishte e vetmja gjë e vërtetë.

Nuk di si ta përshkruaj këtë ndjesi. Mbase edhe nuk ka ndonjë mënyrë për ta bërë këtë. Kam parasysh atë ndjenjën e bukur që kemi kur shkojmë diku për pushime. Dehemi në shpirt, lumturohemi, ekzaltohemi, por asnjëherë nuk jemi të lirë të kënaqemi aq sa do të donim. Sado që të zgjatë pushimi, e dimë se e tëra është vetëm një dalldi e përkohshme. Ndiejmë një lloj nostalgjie për ndjesinë e plotësimit dhe të lirisë që mund ta na e falë vetëm shtëpia jonë.

Besoj se tani e kupton. Ndjesia e pranisë së padukshme të Edith-it ishte si për të më kujtuar përherë se kurrë nuk do të mund të ndihesha i plotë dhe tërësisht i lirë.

2

Nuk është e lehtë të jetohet me këtë pështjellim brenda vetes. Gjithnjë i ndarë më dysh dhe asnjëherë i plotë. Shpirti im pasqyronte të vërtetën e fshehtë të jetës, atë që zakonisht, me vetëdije, e shpërfillim. Çfarëdo që të na ofrojë bota, sado që mund të jetë e mbështjellë bukur dhe mund të tingëllojë këndshëm, megjithatë është vetëm një pjesë e së vërtetës që kërkojmë, nuk është tërësia. Edhe pse ndoshta nuk dimë si ta shprehim, megjithatë jemi të vetëdijshëm se tërësia është diçka që ndihet në shpirt, formësohet si mendim i natyrshëm në mendje dhe mund të shprehet rrjedhshëm, pa asnjë shtrëngesë dhe pa zbukurime të panevojshme. Shprehet me fjalë, por edhe me gjithçka tjetër. Mbi të gjitha, shprehet me mënyrën si jeton dhe si e trajton veten. Kjo ishte e vërteta brenda meje. Dhe gjërat e vërteta janë pëlhurat me të cilat thuren mrekullitë, sepse e vërteta klith. Refuzon të heshtë. Të sfidon. E vërteta gjithnjë nxit kuptime të reja. Kuptime që të shtyjnë përpara.

Dikush tjetër me siguri që do të trazohej nga një përvojë e tillë. Mbase edhe do të përfundonte në ndonjë klinikë psikiatrie. Dikush tjetër, pra, i nxitur nga ndjenja e pamjaftueshmërisë, do të bëhej si ata njerëzit përherë të trishtë, që thonë: “Unë jam ‘martuar’ me mërzinë. Jam pajtuar me këtë fakt”. Por jo unë. Prania e heshtur e Edith-it u kthye në një udhërrëfyese për të njohur veten. Në një burim guximi për ta sfiduar veten dhe për t’iu kundërvënë botës. Edith-i u bë frymëzim për të zbuluar më të bukurën dhe më të vlefshmen brenda shpirtit tim.