~ Edith ~

I ngujuar në asgjë

1

U ndjeva i lehtësuar. Më dukej sikur më ishte hequr një koracë e madhe dhe e rëndë, që tërë kohën i kishte bërë hije mendjes sime dhe ma kishte shtypur shpirtin. Më ishte hapur një dritare në mendje, një dritare drejt një bote me shumë mundësi. Një botë ku vegimet për shpirtin tim binjak nuk ishin vetëm andralla.

‘Asgjë nuk është e pamundur! Ka vetëm njerëz që nuk dinë si ta bëjnë të mundur.” Këto ishin fjalët që Sh-ja na i thoshte kohë pas kohe. Dhe atë ditë e ndjeva vërtetësinë e madhe të tyre, andaj dhe vendosa të hidhja hapin tjetër. Do të bëja atë që pakkush kishte guxim ta bënte. Do të eksperimentoja me veten, pa udhëheqjen e Sh-së dhe pa dijeninë e askujt nga grupi. Do ta bëja këtë, edhe pse Sh-ja gjithmonë na kishte porositur të mos provonim gjëra ashtu siç mund të na e thoshte mendja.

Sh-ja kishte të drejtë, sepse eksperimentet ishin të rrezikshme dhe shumëçka mund të shkonte ters. Por edhe më shumë rrezik kishte nëse e bëja me kokën time. Por në ato çaste unë nuk mendoja për rreziqe dhe pasoja. Kisha nevojë ta sfidoja veten. Kisha nevojë të shkoja deri në fund të kërkimit tim. I doja të gjitha përgjigjet dhe nuk kisha durim të prisja, sepse mosdija po më lodhte. Dhe e dija se kjo lodhje vetëm sa do të shtohej e do të bëhej e padurueshme.

2

Në mbrëmje u shtriva në shtrat. Do të provoja vetëhipnozën duke besuar se kështu do të kaloja në rrafshe më të larta të të menduarit. Atje ku besoja se do të gjeja përgjigjet që kërkoja.

Në fillim u përqendrova tek të rrahurat e zemrës dhe më pas fillova të merrja frymë ritmikisht. Kështu vazhdova për një kohë, derisa e ngadalësova aq shumë ritmin e frymëmarrjes, saqë edhe vetë e kisha të vështirë ta ndieja atë. Atëherë fillova të numëroj deri në 10 e duke i ndjekur me kujdes hapat që na i kishte mësuar Sh-ja. Kur arrita në 10, sytë i kisha të mbyllur tërësisht, trupi ishte në gjendje qetësie të plotë, por unë nuk isha më në dhomën time.

E gjeta veten në mes të gjithësisë, duke lundruar nëpër hapësirë. Nuk kishte asgjë. Asgjë dhe asnjë zhurmë. Nuk e di se çka ishte më e frikshme. Hapësira boshe apo qetësia e ftohtë? Desha të bërtisja, por diçka më ndali. Nuk mund të nxirrja as edhe një fije zëri. Diçka e fuqishme po e bllokonte zërin tim. Njëlloj si në gjendjet e ankthit, vetëm shumë herë më frikshëm. U tmerrova. Mendova se kisha vdekur.

“Qetësohu!”

Ky që dëgjoja ishte zëri i Sh-së.

Sa shumë u gëzova kur e dëgjova zërin e tij, por po ashtu pata frikë se e tëra ishte vetëm një lojë e mendjes sime. Pas disa sekondash, përsëri më kapi ndjenja e ankthit.

“Më duket se të thashë të qetësohesh.”

Ishte përsëri zëri i Sh-së.

“Ku je? Nuk po të shoh”, ia ktheva plot frikë, por në të njëjtën kohë edhe isha i lumtur që më ishte kthyer zëri.

“Ndiqe zërin tim!” më tha Sh-ja, por kjo nuk kishte kuptim. Ta ndiqja? Ku ta ndiqja? Si mund ta ndiqja zërin e tij? Doja të thosha diçka, por Sh-ja nuk më dha rast të flisja.

“Eja tek unë!”

Kësaj here Sh-ja më foli me zërin e tij kumbues. Ishte urdhër. Urdhër i prerë.

Diçka më tërhoqi fuqishëm, një kalim i furishëm nëpër një vorbull që nuk mund të përshkruhet dhe, pothuajse në çast, e pashë veten në breg të detit. Aq i shpejtë ishte ky kalim, saqë nuk pata kohë as ta ndieja frikën e kalimit nëpër vorbull.

Sh-ja ishte aty duke më pritur me një shikim të çuditshëm. Nuk mund ta lexoja fytyrën e tij. Nuk e dija nëse ishte duke më qortuar për marrëzinë që kisha bërë apo ishte duke buzëqeshur me marrëzinë time.

Ishim në një plazh që nuk e kisha parë kurrë më parë. Në shumëçka i ngjante plazhit të madh të Ulqinit, të cilin e kisha vizituar shumë herë, por ky plazh ishte shumë i bukur. Rëra ishte e imtë dhe shkëlqente në diell, ndërsa përgjatë tërë plazhit shtrihej një mal i bukur me pisha. Në largësi dukej një qytet, që po ashtu nuk e njihja, por që nga dukja të linte përshtypjen e një qyteti modest. Nuk kishte ndërtesa që të tërhiqnin vëmendjen. Ndërsa e vetmja gjë që binte në sy ishin vinçat e portit. Gjithçka dukej e virgjër, natyrë e pastër dhe e paprekur nga helmi i modernes së egër.

“Ku jemi?” e pyeta.

“Te Shkëmbi i Kavajës”, më tha Sh-ja

As që e kisha idenë se ku ishte ky vend.

“Qyteti që po sheh atje është Durrësi», vijoi Sh-ja.

“Durrësi?!” thashë unë i habitur. Kurrë më parë nuk kisha qenë në Durrës dhe as në Shqipëri.

“Si erdha këtu?! Si e kaluam kufirin?! Do të na dalin telashe kur të kthehemi…” E kisha mendjen te policia serbe dhe telashet që u dilnin atyre që vizitonin Shqipërinë, por papritur e ndala veten. E kuptova se ishte e kotë ta bëja këtë bisedë. Deri atë çast nuk e kisha vënë re detajin më të rëndësishëm. Edhe pse ishte një ditë e bukur me diell, në plazh ishim vetëm unë dhe Sh-ja. Ku ishin njerëzit?

“Ky vend është projeksion mental i Durrësit. Kjo që po shohim është pasqyrim i Durrësit, por edhe Durrësi është pasqyrim i kësaj këtu.” Zëri i Sh-së kumboi brenda mendjes sime.

“Çfarë është lart, është edhe poshtë!” thashë unë duke rikujtuar parimin themelor të shëmbëllimit, parimin që rregullon raportin mes mikro dhe makrokozmosit. Doja të bëja edhe shumë pyetje të tjera, por Sh-ja i kishte lexuar mendimet e mia dhe m’u përgjigj ende pa i bërë pyetjet.

Ai ndërkaq gjendej përballë meje dhe buzëqeshte.

“Ti mendon se ne po flasim. Përqendrohu. Dalloje të vërtetën”, dëgjova zërin e tij. Ai ishte përballë meje dhe unë e dallova qartë: Sh-ja nuk i lëvizi fare buzët.

“Por unë po të dëgjoj…” Këto fjalë dolën prej meje, por kësaj here as unë nuk i lëviza buzët.

he atëherë Sh-ja buzëqeshi. Nuk kisha nevojë ta pyesja pse po buzëqeshte. Përgjigjja tashmë ishte brenda mendjes sime. Sh-ja ishte i kënaqur që unë po përshtatesha shpejt brenda realitetit ku gjendeshim.

“Mendja jote po krijon iluzionin se ne po flasim me të folur të zakonshme”, më tha Sh-ja.

Kësaj here nuk e dëgjova zërin e tij. Ishte ndjesi. Thjesht e pranova si informacion atë që më tha Sh-ja. Ndoshta përshkrimi më i përafërt është ndjesia e të lexuarit, mënyra se si e pranojmë informacionin nëpërmjet të lexuarit. Dallimi qëndronte vetëm në atë se unë dhe Sh-ja i shkëmbenim informacionet në çast. Pavarësisht gjatësisë së mendimit, në çastin kur mendimi formohej brenda mendjes së njërit, aty për aty bartej tek tjetri.

“E mrekullueshme!” Kjo ishte e vetmja gjë që më ra ndërmend. Dhe, për të thënë të vërtetën, edhe kjo ishte pak.

3

Sh-ja e kishte ditur se unë do të provoja diçka me kokën time, andaj më kishte pritur në anën tjetër. Sipas shpjegimit të tij, ndërsa përpiqesha të hipnotizoja veten, aksidentalisht vetëdija ime ishte bartur në një nivel tjetër, në atë që lirisht mund të quhet paradhomë e botës shpirtërore. Por, ngaqë nuk e kisha provuar asnjëherë më parë dhe nuk kisha një udhëheqës që të më drejtonte, e kisha gjetur veten në atë hapësirë të zbrazët. Duke mos ditur ku të shkoja, vetëdija ime ishte ngujuar në këtë hapësirë fantazmë, në një asgjë. Sipas Sh-së, kjo është pak a shumë si ndjesitë që kanë njerëzit gjatë komës. Thjesht e di që je. Dhe asgjë më shumë. I ngujuar në asgjë. I pafuqishëm për të vazhduar më tutje apo për t’u kthyer mbrapa. Prandaj Sh-ja kishte ndërhyrë dhe më kishte tërhequr drejt plazhit të Durrësit, gjegjësisht drejt pasqyrimit mental të Durrësit.

“Janë të rrallë ata që vetvetiu mund ta bëjnë këtë që ke bërë ti. Shumicës i duhen vite ushtrimi, në mënyrë që ta projektojnë vetëdijen e tyre këtu. Ti je i veçantë, por kjo nuk do të thotë se mund të bësh gjëra me kokën tënde”, më tha Sh-ja.

Në njëfarë mënyre ai ishte i lumtur që unë kisha treguar guxim, por përkundër kësaj më mbajti një ligjëratë të gjatë mbi atë se dituria kërkon përgjegjësi. Dhe Sh-ja kishte të drejtë. Në duar të gabuara dituria shndërrohej në një mjet mjaft të rrezikshëm si për
veten, ashtu edhe për të tjerët. Por asokohe unë nuk e kisha mendjen te përgjegjësia, ende nuk isha i gatshëm ta mësoja këtë leksion. Do të duhej të kalonte edhe shumë kohë para se ta mësoja këtë. Përgjegjësia është një ndër shtyllat themelore të pjekurisë, ndërsa pjekuria është si ato frutat e rralla, të cilat, përveçse duhet të piqen në pemë, më pas duhet të qëndrojnë për një kohë në mjedise të thata dhe të freskëta. Me fjalë të tjera, nuk mjafton vetëm të kesh informacion dhe t’i kuptosh gjërat, por duhet edhe diçka më shumë. Dhe kjo diçka më shumë është ajo që nuk mund të ta mësojë askush.

Prandaj dhe nuk është për t’u habitur pse në gjithë atë ligjëratë të Sh-së unë u fiksova vetëm pas një fjale. Ai kishte thënë se unë isha i veçantë. Një ndjesi dehëse kaloi nëpër tërë qenien time dhe, për një çast, harrova se Sh-ja mund t’i dëgjonte mendimet e mia.
“Oh, Zot, sa i dashuruar je me veten! Kujdes se mos po pëlcet!” më tha Sh-ja me një buzëqeshje ironike në fytyrë.

 

Nuk ka të ardhme.
Nuk ka të shkuar.
Gjithçka ndodh përnjëherë. E tëra ndodh tani.

NGA LIBRI SEKRET I MAGJISTARIT