~ Edith ~

I hutuar te portat e Parajsës

1

Ngaqë herën e parë më shumë ishim treguar të kujdesshëm të mos e lëndonim njëri-tjetrin, Hana donte që hera e dytë të ishte përvoja ku do të duhej të ndodhte ajo gjëja e vërtetë.

Ishim duke bërë xhiro me makinë kur, pa paralajmërim, Hana nxori dhjetë euro nga kuleta dhe më pyeti: ‘A ke dhjetë euro me vete?”
Natyrisht që kisha dhe ajo e dinte këtë, por nuk ishte ky qëllimi saj.

Ajo buzëqeshte çuditshëm, ishte një buzëqeshje sfiduese. Pamja e fytyrës së saj tregonte se i kishte ardhur në mendje një ide që, në rrethana të tjera, as që do ta përmendte.

“Po”, i thashë unë.

“M’i jep!” më urdhëroi ajo.

Më erdhi të qeshja me këtë situatë, por iu binda. Ajo ndërkaq kishte njëzet euro në dorë. Çfarëdo që të kishte në mendje, ishte e qartë se të dy do të merrnim pjesë në pagesë, një shenjë nga ana e saj se, çdo gjë që do të bënim, do të ishte diçka e përbashkët.

“Çfarë ke në mendje?” e pyeta, megjithëse po e kuptoja qëllimin e saj.

“Sonte nuk do të shkojmë në shtëpi”, më tha ajo me një buzëqeshje mikluese.

‘Ashtu, ë? Ku do shkojmë?” i thashë me të qeshur, sepse doja të bëhesha pjesë e lojës së saj.

“Dua të më dashurosh. Dua ta mbaj mend për tërë jetën”, më pëshpëriti lehtë në vesh dhe më pas vazhdoi të lazdrohej.

2

Përfunduam në një dhomë tip nënçatie, në një hotel në anë të rrugës. Por para se të shkonim aty, Hana shfrytëzoi rastin të vinte në provë durimin tim. Një hotel iu duk i shëmtuar, te një tjetër nuk i pëlqeu ngjyra nga jashtë, te një tjetër nuk i pëlqyen makinat e parkuara… Dhe vazhdoi kështu deri sa e pa se kisha filluar ta humbja durimin.

Në fund vendosi për njërin nga hotelet, edhe pse ai nuk ndryshonte shumë nga të tjerët, por kjo kishte pak rëndësi. Me rëndësi ishte loja, ndjenja e mungesës së durimit, ankthi i flirtit.

Mua kurrë nuk më kanë pëlqyer dashuriçkat nëpër hotele, sidomos në ato hotelet e famshme buzë rrugëve, hotelet e pushimeve të shkurtra. Çfarë praktike! Shkojnë gjindja në hotel dhe recepsionisti pyet: “Keni ardhur për më gjatë apo për pushim?” Kjo “pushim” nënkupton diçka shpejt e shpejt. Pushim, jo mahi!

Edhe ne u ballafaquam me këtë pyetje. Recepsionisti tërë kohën më drejtohej mua, por ishte Hana ajo që i përgjigjej.

“Do të pushojmë, por mund të ndodhë edhe që të mos pushojmë”, i tha ajo recepsionistit, i cili ndihej në siklet nga vendosmëria e Hanës. Ishte aq e vendosur, saqë në fund e detyroi recepsionistin që ta trajtonte me respekt.

Nuk do të tregoj asgjë nga ajo çka ndodhi atë natë. Çfarëdo që të them, nuk do të mund ta përshkruaj mrekullinë e asaj nate. Kurtizania e bukur më kishte mësuar çdo gjë që duhet të dijë një dashnor, por as teknikat më të përsosura nuk mund ta krijojnë atë efektin magjik që buthton atëherë kur dy të dashuruar shkrihen me dëshirë në një trup dhe shpirt të vetëm.

3

Nëse diçka mund të krahasohej me përjetimin e Parajsës, atëherë kjo ishte koha që kalova me Hanën. Dhe sa herë mendoja për Parajsën, më kujtohej Sh-ja. Edhe pse nuk doja të mendoja për të dhe për ato që më kishte thënë ai, megjithatë te lidhja ime me Hanën kishte diçka që më bënte të mendoja për Sh-në. Diçka që buronte nga shpirti i botës, që kishte kohë që nuk po e ndieja më dhe për të cilën kisha shumë etje.
Kur themi “bota”, edhe pse i referohemi fjalës që shpreh tërësinë e çdo gjëje, në të vërtetë në mendjen tonë kemi një domethënie shumë më të ngushtë. Për shumicën prej nesh, bota është vetëm ajo që ndiejmë me shqisat tona dhe vetëm ata pak njerëz me të cilët kemi punë.
Dikur moti, atëherë kur sapo kisha filluar të hidhja hapat në jetë, kisha refuzuar të isha njëri nga ata që i jepnin kuptim të ngushtë fjalës “botë”. Ndërsa tani që bota ime ishte zvogëluar përsëri, Hana ishte ura mes meje dhe tërësisë dhe vetëm nëpërmjet saj mund t’i ndieja sërish shkëndijat e madhështisë dhe të qetësisë, ato që i ndieja atëherë kur vullnetshëm shkrihesha me shpirtin e botës.

Por kishte edhe diçka tjetër. Diçka absurde. Në vend që të isha thjesht i lumtur se nëpërmjet Hanës po mbaja një lidhje me këtë forcë të madhe, përkundrazi, ndihesha në siklet. Ndihesha i braktisur, por jo nga dikush tjetër. Ndihesha i braktisur nga vetja ime. Dhe, përkundër kësaj, refuzoja t’ia pranoja vetes se, në çastin kur kisha vendosur të jepesha tërësisht pas qejfeve dhe epsheve, në njëfarë mënyre e kisha tradhtuar veten.

Mendoja se Sh-ja e kishte ditur tërë kohën se të gjitha këto do të ndodhnin, përfshirë edhe takimin me Hanën. Por në çast e hidhja poshtë këtë mendim, sepse nuk doja të kthehesha mbrapa. Nuk doja të kthehesha në botën e mëparshme të andrallave të mia dhe në botën e sprovave të projektuara nga Sh-ja. Ishte e qartë se ai kishte gabuar së paku në një gjë. Ai më kishte folur për tri sprova që duhej të kaloja për të takuar shpirtin tim binjak. Dhe pse? Vetëm që të kaloja sprovën e fundit, ku duhej të jetoja dhembjen e dashurisë dhe të njihja dashurinë e vërtetë. Kjo nuk kishte asnjë kuptim, sepse tashmë e kisha gjetur dhe e kisha njohur dashurinë. Ajo ishte Hana.

Mbase ishte e vërtetë se Hana ishte bërë e imja ngaqë energjia që kisha projektuar drejt imazhit të saj kishte ndikuar njëlloj si dikur te Mira, por të gjitha këto kishin pak rëndësi. Hana ishte e imja dhe ajo më dashuronte.

4

Kjo bindje ishte lajthitja më e madhe në jetën time. I dehur nga një fitore e lehtë, nga kënaqësia se e kisha bërë për vete dikë si Hana dhe kisha pushtuar një kështjellë të pamposhtur, por, mbi të gjitha, i dehur nga dashuria e pakusht që ajo më dhuronte, nuk mund ta shihja dhe ta vlerësoja thelbin e dashurisë. Po i shijoja frytet e një dashurie për të cilën kisha bërë shumë pak. Ndihesha mirë, ndihesha i veçantë vetëm nga mendimi se ajo ishte imja, por a e kisha njohur vërtet dashurinë? Por të mos i bie rreth e rrotull: a e dashuroja vërtet?

Eh! Kjo është ajo që gangsterët e quajnë “pyetja që vlen një milion dollarë”.

Nuk di si ta them atë që duhet thënë. Sado që nuk jam i pazoti në përzgjedhjen e fjalëve, nuk ka ndonjë mënyrë që të zbukurohet e vërteta, sepse ajo është e hidhur. E doja. E doja shumë, por në të njëjtën kohë nuk dija ta vlerësoja as Hanën dhe as atë që ndieja për të.

U bëra i rëndomtë. I dehur nga vetëkënaqësia, rashë në nivelin e atyre që nuk dinë të vlerësojnë asgjë dhe askënd. U bëra njëri nga ata prej të cilëve dikur më vinte pështirë. Rashë në nivelin e një qeni rrugësh që vrapon pas çdo cope mishi që nuhat.

Edhe pse isha me Hanën, në të njëjtën kohë shikoja të tjera. Nuk ishte se më shkonte mendja ta tradhtoja, por më pëlqente ideja e flirtit. Në dehjen që kishte kapluar shpirtin tim, nuk shihja ndonjë arsye pse duhej ta ndalja veten për sa kohë kisha bindjen se mund ta bëja për vete këdo që doja dhe kurdo që të doja.

Nuk di të jap as edhe një shpjegim të vetëm pse u bëra i tillë. Thjesht u bëra kështu. Nuk doja ta lëndoja Hanën, por, përkundër kësaj, tërë kohën e lëndoja me vetëdije. Nuk ishte se nuk e dija çfarë po bëja. E dija shumë mirë se çfarë isha duke bërë, por nuk mund ta ndalja veten. Ka diçka te ne meshkujt që na nxit e që me vetëdije të plotë i biem murit me kokë.

Megjithatë, edhe në një situatë të palakmueshme, edhe atëherë kur e detyroja të ballafaqohej me flirtet e mia, ajo mbahej si zonjë. Asnjëherë nuk më qortoi, sikur priste që ta kuptoja vetë gabimin. Me heshtjen e saj sikur më thoshte: “Luaj! E di se ke nevojë të luash, por të lutem mos më poshtëro me nivelin e çdonjërës që ia nuhat atë sendin”.

Dhe kjo mënyrë sjelljeje e saj më çmendte. Më bënte të ndihesha i ulët dhe i pavlerë. Një pjesë e imja donte që ajo të më qortonte, që më pas të grindeshim me njëri-tjetrin. Grindja me siguri që do të ishte më e lehtë; fundja, kjo është taktika më qyqare që ne meshkujt e përdorim sa herë që jemi vetë në faj. Por ajo nuk ma jepte këtë mundësi. Qetësia e saj, qëndrimi dinjitoz, lotët që i fshihte prej meje, të gjitha këto më mbytnin për së gjalli.

5

Dhe sa më shumë që ajo e mbante veten, aq më shumë tregohesha i paskrupullt, derisa një ditë gjërat morën tatëpjetën. Pas një kohe filluan grindjet për hiçgjë dhe të gjitha këto i nxisja unë. Grindeshim për çdo gjë, përveç asaj për çfarë duhej të grindeshim në të vërtetë. Edhe në kulmin e inatit, Hana nuk lejonte që ta nënçmonte veten duke zënë me gojë aventurat e mia. Ajo e ndiente se unë e doja këtë grindje, andaj edhe përmbahej. Kjo ishte shenjë si e dashurisë, ashtu edhe e hakmarrjes së saj. Heshtja e saj ishte arma më e fuqishme që kishte në dorë.
Kështu, të kurthuar në grindje të kota, vazhduam derisa u lodhëm të dy. Një mbrëmje të ftohtë dhjetori, ajo më tha se ndoshta do të ishte mirë që për një kohë të bënim një pushim. Atë mbrëmje kur ma tha këtë, dukej e dërmuar, ndërsa në sytë e saj arrita të lexoja lutjen që unë të kundërshtoja. Ajo shpresonte se, në atë çast vendimtar, do ta mblidhja mendjen dhe do ta shpëtoja lidhjen tonë. Ajo kishte të drejtë ta kërkonte këtë prej meje, pasi isha unë ai që e kishte minuar lidhjen tonë. Por unë nuk e bëra këtë.

I thashë: “Pajtohem. Nuk është ide e keqe të bëjmë një pushim».

Dhe kështu u ndamë.

Çfarë ndodhi? Si e humba Hanën? Nuk mund t’i përgjigjem kësaj pyetjeje. Di vetëm një gjë: se ndarja jonë ishte e pakuptimtë dhe se gjithçka mund të kishte qenë ndryshe.