~ Edith ~

Harmonia e të kundërtave

1

Kishte kaluar plot një vit që kur kisha filluar të shpërndaja shenjat e mia në botën virtuale dhe numri i atyre që i ndienin këto shenja rritej çdo ditë. Ata që u përgjigjeshin shenjave, donin të më takonin. Mbase, sipas mendjes së tyre, ata prisnin të takonin një snob, siç janë rëndom njerëzit e jetës publike, përherë të dashuruar vetëm me veten, ndërsa unë doja që ata të shihnin njeriun e thjeshtë brenda meje. Atë që ndien po të njëjtat trazime shpirtërore. Doja që lidhja mes nesh të ishte njerëzore dhe asgjë më shumë.

Ishte një ditë nëntori dhe, në Pallatin e Kongreseve, isha duke shpërndarë nënshkrimet për disa nga miqtë e mi virtualë. Nëntori zakonisht është i ftohtë, pak gri, me shira të mërzitshëm, por jo atë ditë. Jo në ditën kur ajo erdhi. Dielli ngrohte këndshëm, sikur na urdhëronte të hidhnim tutje xhaketat, ndërsa qielli shkëlqente në një blu frymëzuese, si në ato pikturat e mjeshtërve të mëdhenj të artit. Çdo gjë ishte në vendin e vet.

Edhe pse nuk e shihja, sapo ajo u fut mesin atyre që prisnin për nënshkrime, e ndjeva praninë e saj. Isha kokulur, sepse ndihesha pak i lodhur, por në çast e ngrita kokën. E kërkova në turmë dhe e pashë.

E njoha nga sytë. Ishin po të njëjtit sy nga vegimet e mia. Blu dhe të blertë. Dy ngjyrat themelore të jetës, që shprehin si gëzimin, ashtu dhe trishtimin. Dhe atë ditë ajo po i ndiente të dyja. Një pjesë e saj ishte e lumtur ngaqë e ndiente se e kishte gjetur rrugën drejt diçkaje të rëndësishme për të, por ndiente edhe trishtim, e trembur nga të papriturat që mund të vinin më pas.

Ndihej në siklet. Diçka ia bënte me dije se ishte një arsye më e madhe që e kishte sjellë aty, por ajo nuk dinte ta shpjegonte këtë. Edith-i ishte në hapat e para të rrugëtimit të vet dhe ende nuk dinte t’i jepte kuptim asaj që po ndiente brenda vetes.

Në sytë e saj pashë veten në ditët e para të rrugëtimit tim. Frika e saj, dyshimet e saj – dikur këto ishin edhe frika dhe dyshimet e mia. Dëgjova pyetjen që ajo çdo natë ia bënte Zotit, po të njëjtën që bëja edhe unë dikur: ‘A është gjithçka në rregull me mua?”

2

E gjithë bota ime u përqendrua aty, në atë çast dhe në atë vend. Ajo ishte aty. Vegimi që kisha parë tërë jetën. Ajo për të cilën nuk do të ngurroja ta përmbysja tërë jetën time. Të mbyllja të gjithë kapitujt dhe të hapja një të vetëm, kapitullin e saj. Ishte ajo për të cilën do të shkoja deri në ferr dhe do të kthehesha, sepse e gjithë bota duhet të shmanget përballë dy shpirtrave që kanë lindur për njëri-tjetrin.
Por çfarë duhej të bëja aty? Si duhej të reagoja? Në mendje më kaluan shumë skenarë, por të gjithë ishin të njëjtë në thelb. Do të harroja se ekzistonte bota, do ta harroja arsyen pse isha aty mes atyre njerëzve, do të harroja gjithçka dhe do ta shtrëngoja. Do ta shtrëngoja fort, do ta përqafoja me shumë mall dhe do ta puthja me pasionin e një adoleshenti.

Dhe ndërsa sekondat më ndanin nga ky hap, nuk e di si, nuk e di pse, por dëgjova zërin e Sh-së. Nuk ishte ndonjë mesazh i shprehur me fjalë, por ishte një vetëtimë tjetër e njohjes. Një zë i fuqishëm, që sikur buronte nga thellësia e vjetërsisë së universit dhe që më thoshte se duhej ta ndalja veten.

Nuk guxoja që përsëri ta vendosja veten në qendër të universit. Edith-i kishte ardhur në kërkim të përgjigjeve për pyetjet që ende nuk dinte t’i bënte. Ajo nuk ishte e sigurt në atë se çfarë ndiente. Ishte e lodhur nga agonia e mosbesimit ndaj vetes dhe ndaj botës. Po ashtu si unë dikur, edhe Edith-i ndihej e sigurt vetëm në koracën e vet.

Dhe ndërsa ajo vinte drejt meje kokulur, e turpshme dhe me një buzëqeshje që shprehte si frikën, ashtu edhe kureshtje, u binda se as unë nuk guxoja të bëja apo të thosha ndonjë gjë që vetëm do ta hutonte edhe më shumë. Duhej të shtiresha sikur nuk po e njihja. Së paku për një kohë duhej ta bëja këtë, sado që një gjë e tillë ishte shumë e rëndë për mua.

“Emrin, ju lutem?” e pyeta në çastin kur i erdhi radha për t’ia nënshkruar librin.

Me siguri jam treguar tepër i ftohtë në fytyrë, ngaqë pata përshtypjen se ajo u ndje edhe më shumë në siklet.

“Edith”, më tha ajo me gjysmë zëri.

“Si?” e pyeta edhe një herë, ndonëse e kuptova shumë mirë që në herën e parë.

“Edith.” Tani e tha me zë më të lartë.

I buzëqesha dhe më pas ia nënshkrova librin. Edhe ajo buzëqeshi dhe kjo buzëqeshje e saj, si gjithçka tjetër që ajo e bënte natyrshëm, shpërfaqte të gjitha emocionet themelore të kësaj bote. Gëzimin, trishtimin, kureshtjen dhe frikën.

ë çastin kur ia dhashë librin, i shtrënguam duart. Nuk ishte shtrëngim i zakonshëm, as një shtrëngim i rastit, as një nga ato shtrëngimet që vardisësit e talentuar ua bëjnë zonjave të bukura, por ishte shtrëngimi i njohjes. Në atë shtrëngim i dhashë një pjesë të shpirtit tim, diçka që ajo do ta deshifronte vetë në çdo ditë të re që do të lindte.

Kur u largua pak më tutje, edhe pse nuk mund ta shihja më, në mendje m’u formësua imazhi i asaj që po ndodhte. Pashë një buzëqeshje kënaqësie në fytyrën e saj, në çastin kur lexoi kushtesën në libër: “Edith. Rebelohu!”

3

Edith. Atë ditë ia kam mësuar emrin.

Emrat nuk janë të rastësishëm. Edhe pse janë prindërit tanë apo edhe dikush tjetër që bëhet shkak që të kemi këtë apo atë emër, e vërteta është se emrat caktohen shumë para se të lindim. Kjo gjë është kështu ngase emri shpreh thelbin e qenies sonë. Shpreh atë që ne jemi me të vërtetë, pavarësisht nëse jemi apo nuk jemi të vetëdijshëm për këtë fakt.

Emri i saj ishte pjesa e fundit e enigmës së njohjes, ajo çka unë kisha nevojë ta zbuloja.

‘Ajo përmbledh harmoninë e të kundërtave. Ajo ecën drejt lumturisë duke qenë tërë kohën në luftë me dhembjen që nuk mund të shprehet. Kështu do ta njohësh.” Përsëri m’u kujtuan fjalët e Sh-së.

Edith – ndërthurja e dy të kundërtave që plotësojnë njëra tjetrën. «Ead”, që do të thotë “e bekuara” dhe “gyth”, që do të thotë “luftë”. Kjo ishte harmonia e të kundërtave. Drejt lumturisë, në luftë të përhershme me dhembjen e pafund. E gjithë ekzistenca, lëmshi i ngritjeve dhe rënieve, plusi dhe minusi, të gjitha të përmbledhur në një fjalë. Aty ku fundi është fillim dhe fillimi është fund.

Po aq sa u entuziazmova, dy herë më shumë u trandën themelet e qenies sime. Deri tani Sh-ja kishte pasur të drejtë në gjithçka dhe kjo do të thoshte vetëm një gjë. Hapi i radhës ishte ajo që më trembte shumë. Sprova e fundit. Do të jetoja dhembjen e dashurisë.