~ Edith ~

Hapi drejt së panjohurës

1

Nuk vonoi shumë dhe u bëra pjesë e një grupi të rinjsh entuziastë që bënin kërkime mistike. Nuk ishin të paktë ata që donin të bëheshin pjesë e këtij grupi, madje kishte raste kur njerëzit prisnin me muaj, në mos më shumë, ndërsa unë u pranova natyrshëm.

Thonë se rastësia është mbret i botës, por as atëherë dhe as tash, kurrë nuk kam besuar në rastësi. Unë e ndieja se jeta nuk është një ngatërrim rastësish, por është një zinxhir i përkryer dhe i pakëputur. Anëtarët e grupit kishin dëgjuar për “predikimet” e mia, ku unë përpiqesha të bindja shokët e mi se në botë vërtet ka forca të mistershme dhe kishin vendosur të më ftonin. Kështu u hap shtegu i ri nëpër të cilin do të ecja. Shtegu drejt së panjohurës. Drejt përgjigjeve. Ose, së paku, kështu besoja.

Grupi quhej “Mjellma”, një emër i frymëzuar nga rrëfimi i rosakut të shëmtuar. Ashtu si rosaku i shëm-tuar nuk e dinte se në të vërtetë ishte një mjellmë e bukur, ashtu edhe njeriu është i pavetëdijshëm për fuqinë e vet të vërtetë. Ky ishte thelbi i organizimit në këtë grup: të zbulohej fuqia e vërtetë e njeriut. Andaj anëtarët e grupit bënin lloj-lloj eksperimentesh, disa madje edhe të frikshme.

Shumë nga shokët dhe shoqet e grupit ishin aty nga dëshira që të tregonin se ishin pjesë e diçkaje jo të zakontë. Misticizmi ishte dhe mbase ende vazhdon të jetë shumë në modë. Pjesëmarrja në një grup të tillë nënkuptonte popullaritet, ndërsa popullariteti hapte shumë dyer. Dhe për një të ri nuk ka gjë më tërheqëse sesa të jetë pjesë e grupit të djemve dhe vajzave me popullaritet dhe të vlerësuar nga të gjithë.
Por popullariteti nuk ishte motivi im. Për mua të qenët pjesë e një grupi të tillë ishte diçka shumë e natyrshme. Megjithatë, ne ishim të rinj dhe të rinjtë jo rrallë herë bëjnë gjëra të marra. Jo se nuk e dinë se çfarë bëjnë, por thjesht duan ta bëjnë. Si me magnet, tërhiqen fort drejt rrezikshmërisë dhe adrenalinës. Kjo është një shtytje pothuajse magjike për të sfiduar veten, për të dëshmuar se njeriu mund të bëjë shumë më tepër. Dhe këtë mund ta bëjë vetëm dikush që jetën e përjeton si një çast të vetëm. Vetëm një i ri.

2

Eksperimenti që unë kisha më së shumti për qejf ishte hipnoza. Liza, një mikja ime e fëmijërisë, ishte tejet e dhënë pas kësi eksperimentesh. Si shumë të rinj të tjerë, edhe ajo dëshironte të bëhej pjesë e grupit tonë. Dhe nuk m’u nda derisa ia sigurova një vend në eksperimentet tona. Duke dashur të fitonte vendin e vet në grup, ajo doli vullnetare për të shërbyer si medium, pra si dikush që kalon në gjendje të tjetërsuar të mendjes apo në gjendje transi. Ky kalim mund të bëhet vetvetiu dhe zakonisht bëhet nën udhëheqjen e një mjeshtri të hipnozës. Asnjëri nga ne nuk e priste që Liza të tregohej mediumi më i përsosur që grupi kishte pasur ndonjëherë.

Eksperimentet e thjeshta me hipnozë kishin të bënin me gjëra që mund t’i lexosh në çdo libër apo t’i shohësh në dokumentarët televizivë për hipnozën. Në gjendje transi dhe nën udhëheqjen e Sh-së, i cili ishte mjeshtri ynë i hipnozës, Liza nuk e ndiente zjarrin e çakmakut në dorë, nuk e ndiente shpimin me gjilpërë. Por kishte edhe eksperimente të tjera, të ngjashme me ato që i bëjnë fakirët në Indi. Në njërin nga këto eksperimente, flakët e zjarrit nuk e digjnin lëkurën e Lizës. Dhe ky vërtet ishte një eksperiment i frikshëm.

3

“Përcille me kujdes zërin tim”, i tha Sh-ja Lizës, e cila, symbyllur dhe në gjendje të tjetërsuar të mendjes, ishte ulur në kolltuk. Në të njëjtën kohë, Sh-ja na bëri me shenjë për qetësi, sepse do ta fuste Lizën në një nivel edhe më të thellë hipnoze.

“Tani do të numëroj deri në pesë dhe ti do të qetësohesh edhe më shumë. E kupton çfarë po të them?” e pyeti Sh-ja.
“Po”, ia ktheu Liza me një ton që dëftonte një nënshtrim të plotë.

“Një! Merr frymë thellë!” e urdhëroi Sh-ja dhe Liza nisi të merrte frymë thellë.

“Ndieje zemrën dhe përqendrohu vetëm në të rrahurat e saj”, i tha Sh-ja dhe priti disa sekonda. “Qetësoje zemrën dhe merr frymë në një ritëm me të rrahurat e zemrës”, vazhdoi ai me udhëzimet e tij, ndërsa, me ta dëgjuar komandën e Sh-së, Liza menjëherë e ndryshoi ritmin e frymëmarrjes.

Ritmi i frymëmarrjes iu bë më i shpeshtë.

“Dy! Tani ngadalësoje ritmin e të rrahurave të zemrës dhe vazhdo të marrësh frymë në një ritëm me to!”

Liza përsëri u bind dhe ritmi i frymëmarrjes së saj u rrallua për pak.

“Tre! Vazhdo ta ngadalësosh ritmin!”

Liza vazhdoi ta rrallonte ritmin dhe vazhdoi kështu derisa arriti në një gjendje të thellë qetësie.

“Katër! Ndieje veten të lirë nga dëshirat dhe nga lodhja.”

Liza u bind dhe ndërkaq po merrte frymë shumë lehtë, ëmbël dhe në një prehje të kthjellët.

“Pesë! Tani përqendrohu në këtë gjendje dhe shkëputu nga çdo gjë tjetër; ndiq urdhrat që do të të jap unë.”

Liza dukej si të ishte në gjumë, por fytyra e saj shprehte dritë dhe paqe. Në shikim të parë, ajo fytyrë mund të dukej me pamje të zakonshme, por nëse e vëreje me kujdes, mund të dalloje se Liza reflektonte një qetësi të fuqizuar nga ndjenja e lumturisë.

“Mendja është më e fuqishme se trupi.” Ndërkaq Sh-ja na ishte drejtuar ne të tjerëve. “Dhe për këtë trupi duhet të bindet për çdo gjë që e urdhëron mendja. Po jo çdo dëshirë është urdhër. Dëshirat janë produkte të çastit dhe, nëse mendja do ta trajtonte secilën dëshirë si urdhër, atëherë njeriu nuk do të mbijetonte as edhe një ditë të vetme. Ka raste kur njeriu, kot së koti, thotë: ‘Dua të vdes!’ Sikur mendja të na bindej, atëherë çfarë do të bëhej me ne?”

Sa bukur e shpjegonte Sh-ja këtë lidhje të pakëputur mes mendjes, trupit dhe dëshirave tona. Aty e ndjeva se Sh-ja nuk ishte vetëm mjeshtër hipnoze, por ishte diçka edhe më shumë.

‘Atëherë, si e dallon mendja urdhrin e vërtetë nga dëshira?” e pyeti një shok nga grupi.

“Mendja u bindet vetëm atyre mendimeve që burojnë nga gjendja kur njeriu ndihet i lirë nga dëshirat. Si Liza tani. Ajo është në gjendje paqeje, sepse është tërësisht e lirë nga dëshirat. Dhe kur njeriu lirohet nga trysnia e dëshirave, atëherë lirohet edhe nga lodhja që ndiejmë tërë kohën në shpirt”, tha Sh-ja dhe me shikimin e tij na sfidoi të gjithëve.

Ishte një shikim që të gllabëronte në çast dhe të bënte të ndihesh pa vullnet. Mendoj se në këtë detaj fshihej sekreti i tij prej mjeshtri të hipnozës, sepse ky shikim të magjepste dhe të joshte që t’i bindeshe. Nuk ishte nënshtrim, por ishte vetëdorëzim.

Kur e pa se nuk kishte pyetje të tjera, Sh-ja iu kthye Lizës dhe vazhdoi demonstrimin e tij.

“Liza!” i thirri ai.

“Po!” iu përgjigj ajo në çast.

Nëse më parë zëri i saj të jepte përshtypjen e nënshtrimit të plotë, kësaj here kishte një ton ndryshe. Një ton i pastër, që të krijonte ndjesinë se thuajse buronte nga vetë qendra e universit.

“Unë tani do të marr dorën tënde dhe do të ta vendos mbi flakën e çakmakut. Pastaj, për një kohë, do ta lë atë mbi flakë. Kuptove?” e pyeti Sh-ja me ton urdhërues.

“Po!” u përgjigj Liza.

“Flakët do ta prekin lëkurën tënde, por ajo nuk do të digjet!” vijoi ai, ndërsa ne të tjerëve na ngriu fryma.

A ishte vërtet e mundur që lëkura e Lizës të mos digjej nga flakët? Secili nga ne kishte lexuar për fakirët që ecnin mes flakësh dhe flakët nuk i digjnin, por kësaj here nuk bëhej fjalë për një murg mistik diku në Indinë e largët. Liza ishte shoqja jonë! Unë, por edhe shumë të tjerë nga grupi, deshëm ta kundërshtonim, por shikimi i thellë i Sh-së e tulati çdo mendim kundërshtues.

“Në rregull!” tha Liza dhe na nxori të gjithëve nga transi i mosbesimit dhe frikës.

“Shtrije dorën e djathtë dhe hape grushtin!” e urdhëroi Sh-ja dhe ajo përsëri u bind në çast.

Sh-ja mori çakmakun dhe, para syve tanë të mbushur me frikë, e ndezi nën dorën e saj. Flakët e çakmakut përfshinë shuplakën e dorës së Lizës. Çdonjëri nga ne ishte në ankth dhe në pritje se kur do ta ndienim erën e mishit të djegur.

Sh-ja e mbajti çakmakun për një minutë të plotë. Sa e gjatë m’u duk ajo minutë! Thuajse nuk do të mbaronte kurrë. Por, për habinë tonë, nuk ndodhi asgjë.

Liza nuk nxori zë, ndërsa në lëkurën e saj nuk kishte as edhe një shenjë djegieje.
Sh-ja na vështroi edhe një herë të gjithëve dhe pastaj e nxori Lizën nga hipnoza. Pasi u zgjua, ajo na tregoi nga afër dorën. As edhe një shenjë e vetme!