~ Edith ~

Fundi është fillim

1

Nuk është aroma pranverore e detit ajo që po m’i trazon ndjesitë. Kam flirtuar me aq shumë zonja dhe zonjusha, saqë shumë mirë di ta bëj dallimin. Kësaj here diçka është ndryshe, sepse ajo është ndryshe.

Ajo është e bukur! Është shumë e bukur, por kjo që po provoj nuk është ndonjë ndjesi erotike. Ndiej pasion të madh brenda vetes. Është një pasion që nuk më ka pushtuar ndonjëherë më parë. Nuk është uragan që më trand burrërinë, por është një puhizë që paqësisht po më nënshtron.

Kush është kjo femër? Kush është kjo që, vetëm me praninë e saj, po më çarmatos?

Tërë jetën isha pushtues. Ai që gjithnjë duhej ta ngulte flamurin në çdo kështjellë që ia kapte syri. Ishte kjo mënyra ime për t’u ndjerë gjallë. Të plotësoja zbrazësinë që tërë kohën më gërryente nga brenda. Por asgjë nuk mjaftonte. Edhe sikur të harlisesha deri në çmendi, as atëherë nuk do të mjaftonte.

Por jo kësaj here. Brenda meje ka zënë vend një ndjesi e re. Një ndjesi e panjohur. Ndihem i plotë dhe nuk kam më zbrazëti brenda vetes!
Me dëshirë po shkrihem në thirrjen e pafundësisë. Drejt burimit të çdo gjëje që është, ka qenë dhe do të jetë. Energji e pastër që përmbledh të gjitha fjalët që rëndom do të thosha, por dhe mendimet që askujt nuk do t’ia tregoja. Por edhe ndjenjat, ato që kurrë nuk mund të shprehen as me fjalë dhe as me mendime.

Dhe ajo vazhdon të jetë përkrah meje.

E tkurrur në vetminë e dhembjes që nuk mund të shprehet. Plotësim i të gjithë asaj që mungon tek unë.

Është Edith-i. Shpirti im binjak!