~ Edith ~

Dashuria e virgjëreshës

1

Kanë shumë të drejtë ata që thonë se kurrë nuk mund të kesh një rast të dytë për ta lënë përshtypjen e parë. Hapi i parë është gjithnjë më i vështiri, sepse shumëçka varet nga kjo herë e parë. Në atë takim, fërkim shpirtëror të rastësishëm apo të menduar më parë, duhet të shihet rruga deri në shtrat. Duhet të jetë diçka e veçantë, diçka ndryshe, diçka që do ta bindë atë se nuk je i rëndomtë.

Por, si ta bëja unë këtë? Sa më shumë që vrisja mendjen, aq më shumë e ngatërroja shpirtin tim. Por tashmë e kisha mësuar se zgjidhjet rrallëherë zbulohen, nëse në mënyrë kryeneçe e sforcon veten, andaj u ndala. Bëra disa hapa mbrapa dhe mbylla sytë. Në errësirën e mendimeve të mia formova imazhin e Hanës dhe prita. Prita që diçka nga brenda, diçka që nuk mund të shprehet me fjalë, por që gjithsesi frymon brenda secilit prej nesh, të futej në veprim.

Më pas gjërat rrodhën natyrshëm, thuajse një forcë e vjetër që buron nga koha para se njeriu të infektohej me zili, inat dhe xhelozi po i jepte krahë zellit tim. Në një ritëm të parregullt, por, përkundër kësaj, asnjëra duke mos ia zënë rrugën tjetrës, shkëndija të ndryshme shpërthyen nga thellësia e shpirtit dhe po i jepnin jetë imazhit në mendjen time. Aty për aty e kuptova se çfarë duhej të bëja dhe të gjitha mendimet e mia po radhiteshin që kjo të bëhej e njëmendtë.

2

Hana ishte studente dhe pasditen e çdo të premteje udhëtonte për në shtëpi. Atë ditë, edhe pse nuk kisha ndonjë punë, do të udhëtoja edhe unë. Pasi që më parë ia kisha mësuar orarin e lëvizjeve, në kohën e duhur shkova në stacionin e autobusëve dhe preva biletën si gjithë të tjerët.

Ajo tashmë kishte hyrë në autobus dhe ishte ulur në rreshtin e dytë, në ulësen afër shtegut në mes të autobusit, ndërsa ulësja afër dritares ishte e lirë. Isha duke pritur në radhë, ndërsa zemra më rrihte shpejt nga frika se mos dikush po merrte guximin dhe po ulej afër saj. Për fat, kjo nuk ndodhi, sepse në radhën para meje nuk kishte vajza apo gra, që mbase mund të kërkonin të uleshin bashkë me Hanën, ndërsa meshkujt, edhe pse hamendeshin, nuk bënë përpjekje të uleshin afër saj. Hana kishte një hije të rëndë dhe jo gjithkush mund të merrte guximin të ballafaqohej me të.

‘A është i lirë ky vend?” e pyeta Hanën, pasi më parë e përmblodha veten që të dukesha sa më i qetë dhe sa më serioz.

“Po”, më tha ajo shkurt dhe nuk e zgjati më shumë.

Po luante rolin e indiferentes, po shtirej sikur nuk më njihte fare ose, në një mënyrë të sjellshme, po ma bënte me dije se e kishte kuptuar lojën time. Sidoqoftë, çfarëdo që asaj mund t’i shkonte në mendje, nuk do të më zmbrapste. Do të luaja lojën time dhe do ta luaja më së miri.
Buzëqesha me përgjigjen e saj. Ishte një buzëqeshje plot mirësjellje e një xhentëlmeni. Dikush tjetër me siguri që nuk do të priste më shumë dhe do të nxitonte të ulej sapo t’i thoshin se vendi ishte i lirë, por jo unë. Hana më kishte thënë «po”, por ajo nuk më kishte dhënë leje të ulesha pranë saj. Ky ishte një rast i mirë që t’i tregoja se unë isha ndryshe dhe, natyrisht, t’ia ngacmoja pak krenarinë.

“Ju faleminderit, zonjushë”, i thashë me një zë plot siguri. “E kam lejen tuaj të ulem?”

Hana më shikoi drejt e në sy dhe e pashë se si e ngriti vetullën e majtë. Ajo nuk e kishte pritur këtë reagim timin. Shihej se u intrigua nga kjo situatë. Një zonjë e vërtetë e dallon menjëherë një xhentëlmen, por edhe një që synon të shitet si i tillë. Në sytë e saj unë mund të isha si njëri ashtu edhe tjetri. E ndjeva se, nga një trap i mundshëm, një furacak i rëndomtë, për Hanën tani isha një enigmë e vogël. Dhe ky dukej një fillim i mbarë.

“Po. Mund të uleni”, më tha gjithë indiferentizëm.

Shihej se ishte shumë e zonja në rolin e indiferentes, me siguri nga një përvojë e gjatë e zmbrapsjeve me mirësjellje të shumë vardisësve. Por kësaj here diçka ishte ndryshe dhe ajo po e ndiente këtë. E shihja këtë në sytë e saj, andaj, përkundër përpjekjes që të vazhdonte të dukej e ftohtë, ajo nuk e kishte të lehtë ta përballonte ndjesinë e bukur e mikluese të të kuptuarit se diçka ishte ndryshe. Dhe, njësoj si atë ditë kur e kisha parë për herë të parë, Hana më buzëqeshi. Buzëqeshi ëmbël dhe në sytë e saj u formësua mesazhi se ajo ishte e kënaqur me këtë ndryshim.

Tani ishte radha ime që të luaja indiferentin. Bëra sikur nuk e vura re fare buzëqeshjen e saj ose që nuk më la fare përshtypje dhe u ula.

3

Hapi i dytë dëshmon nëse hapi i parë ishte vërtet ai i duhuri apo thjesht rastësi. Zakonisht, në një situatë të tillë, një mashkull tjetër do ta shfrytëzonte rastin të fliste, me shpresën se, në tërë atë llomotitje, rastësisht mund të qëllonte në shenjë. Isha i sigurt se edhe Hana po e priste një gjë të tillë nga unë, andaj nuk fola fare. Për një kohë, i mbylla sytë, kinse po përpiqesha të flija dhe më pas nisa të shfletoj një libër xhepi dhe po tregoja kujdes që asnjëherë të mos shikoja në drejtim të saj.

Në fillim ajo rrinte pak e tendosur dhe në pritje. Trupin e mbante të anuar majtas, si shenjë se donte të ruante distancë, por kur vuri re indiferencën time, filloi të ndihej më e çlirët. Mbase mendoi se unë isha qullac ose i çinteresuar. Por ky ishte rasti që unë prisja.

‘Asnjëherë nuk më ka shkuar në mendje se do të takoheshim në autobus”, i thashë me zë të butë dhe pa paralajmërim. Madje e cenova edhe murin e saj të padukshëm, sepse kur ia thashë këtë, zgjata kokën dhe i fola afër veshit.

“Kush?” ma ktheu ajo shkurt. Ishte zënë në befasi dhe nuk pati kohë ta përmblidhte veten apo të vazhdonte të bënte indiferenten.
“Ne të dy”, ia ktheva unë po në të njëjtën mënyrë. Por pastaj menjëherë shtova: “As që e kam menduar ndonjëherë se njerëzit e famshëm mund të udhëtojnë edhe me autobus.”

Këtë kthesë ajo nuk e priste. Dikush tjetër do të përdorte ndonjë arsyetim ndryshe, që me siguri do të shkaktonte vetëm tension, por unë e dija se një situatë e pakëndshme mund të kalohej nëse kalohej me humor dhe kështu bëhej intriguese.

Ajo ia nisi të qeshte. Ishte një e qeshur e këndshme dhe kjo më dha siguri.

“Me siguri që më ke ngatërruar me ndonjë tjetër. Unë nuk jam e famshme!” ma ktheu ajo dhe me dorën e majtë rregulloi flokët.

Rregullimi i flokëve ishte shenjë e mirë. Kur femrat janë të pasigurta, atëherë nuk dinë si të reagojnë dhe, në mënyrë të pavetëdijshme, në përpjekje që të rikthejnë kontrollin ndaj vetes, luajnë me flokë apo me diçka tjetër. Kjo ishte një shenjë se muri i saj mbrojtës ishte çarë dhe se ajo po rrëshqiste drejt një fushe të panjohur. Drejt fushës ku unë isha mjeshtri që përcaktonte rregullat e lojës.

“Nuk ka mundësi të jem gabuar. Unë jam një adhuruesi yt sekret dhe e di se je shumë e famshme”, thashë duke buzëqeshur.

4

Kështjellat e mëdha dhe të pamposhtura nuk mund të merren nga jashtë. Hana ishte e tillë. Ajo priste një sulm frontal, andaj mbrojtja e saj ishte më e fuqishmja te portat kryesore. Aty ku thyheshin të gjitha ushtritë e mëdha dhe ku dorëzoheshin të gjithë kalorësit mendjemëdhenj. Por unë nuk isha as kalorës mendjemadh, nuk kisha as ushtri të mëdha, as pasuri, para apo të mira të tjera. Në çastin kur Hana ishte shtensionuar nga situata, për shkak se unë po e kaloja me humor, atëherë u ndje më e lirshme në bisedë dhe kështu më kishte hapur një deriçkë të vogël. Dhe duke bërë këtë, pa e kuptuar as vetë, ajo ma kishte dorëzuar kështjellën e saj.

Gjatë udhëtimit qeshëm disa herë me lojën time të adhuruesit sekret përballë personit të famshëm dhe në fund u ndamë si miq. Më vonë, në mbrëmje, kur kishte dalë me shoqet, u kishte treguar atyre për çka i kishte ndodhur në autobus.
‘Ai është një tip shumë i çuditshëm. Ka diçka ndryshe tek ai”. Këto kishin qenë fjalët e saj, që më vonë m’i tregoi një mikja jonë e përbashkët.
Ky ishte efekti që kisha synuar të arrija atë ditë dhe, me ta marrë vesh për këtë koment të sajin, e kuptova se tani çdo gjë ishte vetëm çështje kohe.

5

Nuk duhet pritur që në takimin e parë të lësh ndonjë përshtypje marramendëse. Gjërat të tilla ndodhin vetëm në filma dhe në romane. Përshtypja e parë duhet të jetë një ngacmim i butë, aq sa t’ia tërheqësh vëmendjen. Dhe nuk duhet të jetë diçka që do ta trembë, sado e bukur dhe interesante që mund të duket. Një zonjë nuk dorëzohet para valëve të argëtimit, kur mund të joshet nga dikush. Një zonjë e vërtetë të fton në lojën e saj. Andaj, herën e parë mjafton vetëm t’ia tërheqësh vëmendjen, t’ia bësh me dije se je njeri si gjithë të tjerët, se nuk je ndonjë përbindësh që, në heshtje, fshihet pas buzëqeshjesh të rreme dhe se nuk je i rëndomtë në mënyrën si mendon dhe si e sheh botën.

Megjithatë, kjo qasje nuk funksionon te çdo femër. Për femrat që jepen vetëm pas vetes së tyre e që duken si të mbështjella me plastikë, ato që ambicien më të madhe në jetë kanë pjesëmarrjen në garat e kota të veshjeve sipas modës së fundit apo që synim të vetëm kanë rehatinë dhe shkëlqimin e çastit, një status social sa për dukje, për ato, pra, je dikush i dalë mode. Nejse, të kthehem në temë. Hana nuk kishte asgjë të përbashkët me femra të tilla, andaj ajo u ndje e sfiduar dhe, si çdo zonjë e vërtetë, e pranoi sfidën.

Pas asaj dite u takuam edhe herë të tjera. Shëtisnim ku të mundnim, bisedonim për çfarëdo që na binte ndërmend. Ajo kishte një ndikim çlirues tek unë. Me të çdo gjë dukej më e lehtë, çdo gjë dukej më e bukur. Edhe marrëzitë, edhe kotësitë, kur isha me të fitonin një kuptim tjetër dhe më dukeshin ndryshe. Edhe te këto gjëra fillova të shihja diçka të bukur. Kur isha me Hanën, më dukej se asgjë në këtë botë nuk është e kotë dhe se gjithçka ka vendin e vet.

Silleshim si shokë, thoshim se ishim shokë, por nuk e ndienim njëri-tjetrin si shokë. Nuk e dinim se çfarë ishim, por na pëlqente ajo që ishim. Ajo më fliste për mëtuesit e çmendur mes shoqërisë së saj, më tregonte gjithçka për veten. Ndërsa unë, të vetmen gjë që mund t’i thosha ishte që t’i tregoja se si ajo ma kishte mbushur ditën plot me energji jete.

Kështu vazhdoi derisa, një ditë, duke shëtitur në parkun e qytetit, dëgjova një zë nga brenda që më tha se duhej ta puthja. Dhe nuk e bëra të gjatë, nuk prita, nuk doja t’i jepja rast vetes që të ndryshoja mendje dhe… e putha! E putha me krejt shpirtin. E putha aq fort sa për pak sa nuk më shpëtuan lot. Nuk e dija se çfarë po ndieja. Nuk e dija nëse isha i gëzuar se po e puthja apo trembesha se mos ajo do të zemërohej dhe kjo do të ishte puthja jonë e parë dhe e fundit.

E shtrëngova fort, nuk doja ta lëshoja, a thua se, po ta bëja këtë, do ta humbja përgjithmonë. Atëherë, aty, në përqafimin tim, ndërsa buzët e mia dridheshin para buzëve të Hanës, ajo më shtrëngoi pas qafe dhe hapi gojën. E ftoi gjuhën time brenda gojës së saj dhe më pas e mbështolli me gjuhën e vet. Nuk merrte frymë. Nuk merrja frymë as unë. Nuk kishim si të merrnim frymë, por kjo kishte pak rëndësi, sepse aty, në atë vend dhe në atë çast, fryma ishte e tepërt dhe e panevojshme.

Isha i lumtur. Isha tejet i lumtur. Kisha harruar gjithçka nga ato që më mundonin më parë. I kisha fshirë nga kujtesa vegimet për Edith-in, seancat me Sh-në, sprovat misterioze dhe shumë të tjera. Nëse vërtet ekzistonte magjia, atëherë kjo po ndodhte me Hanën.

6

Por, sado që isha i magjepsur pas lumturisë që po përjetoja me Hanën, kishte disa shenja, disa gjëra, në dukje të rastësishme, që shfaqeshin nga asgjëja dhe më lidhnin me të kaluarën dhe, duke e bërë këtë, më krijonin një ndjesi të pangjarë për të ardhmen. Sikur më thoshin se nuk do të mund të shpëtoja nga ajo që ishte parashkruar për mua.

Hana vishte një fustan me basmë kineze. Ishte i zi, me nuanca të së gjelbrës dhe kishte disa ornamente ngjyrë ari. Fustani ishte i gjatë dhe i ngjitej lehtë pas trupit, çka krijonte një figurë që ma ndalte frymën. Sa herë që e vishte atë fustan, ajo i kapte flokët nga prapa me një shkop të vogël dhe të hollë prej druri. Profecia kineze, bukuroshja me sy të blertë, ngjashmëria e saj me Edith-in, të gjitha po fitonin një kuptim të ri.
“Nuk e di pse e kam blerë këtë fustan”, më tha ajo kur pashë që e kishte veshur për herë të parë, “por e kisha një parandjenjë se ty të pëlqejnë gjërat kineze.”

Ajo e tha këtë pa ndonjë qëllim të caktuar, por me këtë ma lidhi zemrën edhe më shumë. A ishte e mundur që unë dhe Sh-ja të kishim gabuar? A ishte e mundur që Hana të ishte shpirti im binjak? A kishte mundësi që gjithçka të kishte qenë vetëm një paralojë drejt takimit të pashmangshëm me të?

Dhe aty, ndërsa ajo më buzëqeshte dhe ndihej e lumtur në rolin e saj të bukuroshes kineze, brenda meje pati një shpërthim të fortë ndjenjash dhe pasioni të pastër. Më erdhi ta puth, ta shtrëngoj, ta dashuroj, ta ndiej me gjithçka dhe në çdo mënyrë të mundshme. Nuk mund të rrija indiferent. Askush nuk mundet. Jo përballë një sfide të tillë. Jo përballë saj.

Një vrull i madh vlon brenda meje. Ngjizet me shpejtësi dhe shpërthen.

“Ndal!” i them vetes.

Është e kotë. Një vrull i ri merr hov përsëri. Kësaj here ngjizet edhe më shpejt. Dhe përsëri shpërthen. Dhe përsëri e përsëri, deri sa gjithçka ndahet copë e grimë. Shemben të gjitha muret. Një dhembje therëse ma përshkon gjithë shpirtin. Dhembje e trazuar me një lumturi dehëse. Po e ndiej. Dëshira po synon lirinë. Jam i pafuqishëm. Nuk mund ta ndal. Nuk dua ta ndal.

E shoh veten të ndarë më dysh. Një njeri tjetër, një përfytyrim nga ëndrrat e zjarrta po udhëheq brenda meje. Sado që mendja, ajo pak që ka ngelur nga unë, më thotë të bëj kujdes, dora vazhdon të shtyjë përpara. Shtyn dhe e gjen rrugën e vet. I shpërthen barrierat një e nga një.
Dhe ajo nuk po më pengon. Luan me dorën time. Shmanget. Por nuk më ndalon.

Diçka brenda meje, me gjysmë zëri, klith: “Ndalomë! Mos lejo të përmbytem në këtë tundim!”

I hap sytë. Dua që ajo të zemërohet me mua. Dua që ajo të më shikojë me inat. Por jo! Sytë e saj shkëlqejnë në errësirë. Janë më të gjallë se kurrë. Si dy toptha zjarri që digjen nëpër natë. Edhe ajo po vlon. Po dridhet si thupër.

Dua të flas, por ajo m’i merr fjalët nga goja.

“Çfarë po ndodhë kështu me mua?!” pëshpërit ajo.

7

Në fillim ia lirova zinxhirin e shkurtër pas qafe dhe më pas, ngadalë, ndërsa ajo tërë kohën më mbante të përqafuar e më puthte butë, ia kapa fundin e fustanit dhe fillova ta tërheqja përpjetë. Ia futa duart nën fustan dhe e ledhatoja lehtë në pjesët e ndjeshme të trupit.
Ajo lëshoi një ofshamë të lehtë dhe më shtrëngoi fort, a thua po trembej nga ajo që po bëja. E ndjeva që ishte e paqetë dhe u ndala, por edhe ajo e ndjeu ngurrimin tim. Atëherë ndodhi e papritura tjetër. E kënaqur që unë po e ndieja çdo drithërimë të sajën, më shtrëngoi edhe njëherë shumë dhe më pas, me dorën e saj të djathtë, filloi të ledhatonte dorën time që ishte vendosur mbi pjesën e saj të ndjeshme. Ishte shenjë që të vazhdoja.

Dhe atë ditë ndodhi. Atë ditë e pashë për herë të parë lakuriq. Atë dita ia mësova përmendësh të gjitha shenjat në trup dhe ia putha të gjitha nishanet në shpinë.

8

Herën e parë përjetimi erotik nuk është kushedi çfarë, por për dy të dashuruar, gjithsesi, është një përjetim i paharrueshëm shpirtëror. Ajo shtrëngohej, kishte dhimbje, ndiente frikë, por nuk ndalej. Donte të më jepej, donte të më dhuronte më të çmueshmen e vet, donte të bëhej grua dhe donte që kjo të ndodhte në duart e mia.

E ndieja këtë vendosmëri të sajën dhe kjo më bënte të ndihesha i vogël para shpirtit të madh të kësaj zonje të re. Ajo më dashuronte dhe nuk donte t’ia dinte se çfarë i thoshin të tjerët për mua, nuk donte t’ia dinte se ndoshta kurrë nuk do të mund të bëhesha i saji, nuk donte t’ia dinte se unë vija nga rrënjë të vegjëlisë dhe isha larg nga zakonet apo idetë aristokratike të familjes së saj. Ajo nuk donte t’ia dinte për asgjë. Ajo ishte Hana. Ajo dashuronte përnjëmend, dashuronte me gjithë forcën e shpirtit dhe nuk trembej nga askush dhe nga asgjë.

Atëherë kur e nuhasim aromën e epshit, ne meshkujt nuk mendojmë me kokë, sepse një kokë më e vogël e merr kontrollin. Një kokë kryeneçe, e aftë për një mendim të vetëm: të shtysh përpara dhe të vazhdosh të shtysh për sa kohë nuk e shpërthen barrierën, nuk futesh brenda. Dhe, me këtë synim, nuk duam t’ia dimë për asnjë pengesë dhe nuk ndalemi para asgjëje.

Por atë ditë, aty, ndërsa ajo më shtrëngonte me shumë dashuri, përqafimet e saj sikur më thoshin:

“Vazhdo. Dua të të jepem ty dhe vetëm ty”. Aty, në çastet e dhimbjes së saj, isha gati të hiqja dorë. Nuk doja të isha unë ai që po ia shkaktonte atë dhimbje asaj, por ajo nuk më linte të tërhiqesha.

Sa herë më shtrëngonte, bashkë me të edhe unë e ndieja frikën e saj dhe atëherë e përqafoja, e puthja butë në faqe, në sy, në hundë, në veshë… Më pas ajo çlirohej pak dhe vazhdonim. Vazhduam kështu derisa ajo lëshoi një ulërimë të lehtë dhe, në këtë çast të dhembjes vendimtare, ajo më kafshoi në supe dhe m’i nguli thonjtë në shpinë.

“Vazhdo”, më tha me gjysmë zëri.

Në tingujt e butë të ofshamave të saj ndjeva se dhembja që ajo ndiente po ia linte vendin një kënaqësie të njomë. Diçka që ajo po e ndiente për herë të parë. Dhe, e nxitur nga kjo kënaqësi, në sytë e saj u shfaqën disa shkëndija të një entuziazmi që nuk e kisha parë ndonjëherë më parë te asnjë femër. Hana po ndiente kënaqësi jo sepse po bënte dashuri për herë të parë, por se këtë po e bënte me mua. Ajo më donte. Më donte përtej çdo mënyre që unë do të mund ta kuptoja ndonjëherë.

Më dhembte vendi ku më kafshoi, me digjte lëkura e shpinës nga gërvishtjet e thonjve të saj, por ndieja kënaqësi në këtë dhembje. I përjetoja si shenja të dashurisë, si shenja të përkushtimit të dikujt që nuk po më jepte vetëm trupin. Tani, edhe sikur të doja, nuk mund të ndaloja më. Si të ndaloja kur ajo më tha të vazhdoja? Si të ndaloja, kur çdo qelizë e qenies sime e ndiente se Hana nuk po më dhuronte vetëm virgjërinë e saj, por po më dhuronte pa kushte edhe një pjesë të shpirtit të vet?

Dhe vazhdova! Shtyva përpara dhe pastaj u tërhoqa prapa, por, sa herë që e bëja këtë, Hana çdo herë më kafshonte në qafë. Vazhdova kështu derisa nuk e ndjeva më që, në vend të kafshimit në supe, tani ajo po puthte plagën që më kishte hapur me dhëmbët e saj.
“Kurrë nuk mund ta di se sa shumë të dua”, më tha dhe më shtrëngoi edhe një herë.