~ Edith ~

Agonia e të jetuarit

1

“Janë dy lloj agonie të brumosura thellë në kodin e jetës. Agonia e pafund dhe agonia në kërkim të kuptimit. Të parën e ndiejnë ata që tërë kohën vetëm ecin nëpër jetë, ndërsa të dytën e ndiejnë ata që kërkojnë një kuptim më shumë në jetë. Që të dyja janë dhembje dhe ne duhet të zgjedhim se cilën duam për vete. Nuk kemi shumë zgjedhje. Kjo është agonia e të jetuarit.” S’di pse m’u kujtuan këto fjalë të Sh-së, por edhe kësaj here ato m’u dukën tejet të vërteta.

Çfarëdo vuajtjeje, pështjellimi, dëshpërimi apo zhgënjimi që mund të provojmë ndërkohë që jemi në kërkim të një kuptimi, kjo është shumë më e pranueshme krahasuar me trishtimin e një agonie të pafund që ndien dikush që ka humbur shpresën dhe ka humbur veten.
Kjo kishte ndodhur edhe me mua. Andaj dhe u mbylla në vetvete. Kisha ardhur në fund të të gjitha lojërave që mund të luante personazhi që kisha zgjedhur për vete. Nuk kishte më iluzione prapa të cilave mund të fshihesha, nuk kishte më gjëra të kota me të cilat do të mund të më mbanin lidhur.

Një pjesë e imja ishte e hidhëruar me Sh-në pse nuk më kishte paralajmëruar dhe pse nuk më kishte përgatitur më mirë, ndërsa pjesa tjetër e dinte se, edhe sikur të më kishte paralajmëruar, kjo nuk do të kishte ndryshuar ndonjë gjë. Përsëri do të tregohesha arrogant, sepse arroganca nuk zmbrapset para asnjë paralajmërimi, përkundrazi trimërohet më shumë.

2

Filluan të më kujtoheshin rrëfimet e gjyshit tim për ditët e para në Tokë të Adamit dhe Evës. Të trembur, të braktisur dhe të thyer, duke ia nisur çdo gjëje nga fillimi. Të vetmuar dhe pa asgjë, përballë një bote të egër që i sfidonte në gjithçka. Në këtë botë ata do të duhej të rigjenin dashurinë, të njihnin mëshirën, të mirën, të keqen, por mbi të gjitha do të duhej të mësonin vlerën e vërtetë të jetës, në mënyrë që të mund ta njihnin këtë botë për atë çfarë ajo ishte në të vërtetë. Kjo ishte mënyra e vetme se si ata do ta fitonin të drejtën për mbijetesë.

Në çastin kur ky mendim më kaloi nëpër kokë, i gjithë trupi m’u drodh, sikur në çdo qelizë timen, përnjëherë, të kishte kaluar një rrymë e fuqishme elektrike. Vetëtima e njohjes. Rënia nga Parajsa, vlera e vërtetë e jetës dhe njohja e botës – që të gjitha këto ishin të lidhura me njëra-tjetrën.

Gjithçka po ndodhte për një arsye! E ndjeva këtë dhe dëshirova të kthehesha edhe një herë në fillim, t’ia nisja nga pika zero. Kjo bëri që brenda meje, edhe njëherë, të vlonte dëshira që të lidhesha dhe të shkrihesha me shpirtin e botës. Por a do të më pranonte përsëri ajo në gjirin e vet?

Ndihesha i padëshiruar, i pavlerë, ndihesha i tepërt. Por, mbi të gjitha, ndihesha fajtor. Fajtor jo vetëm për arrogancën time, jo vetëm pse e kisha zhgënjyer Hanën, por më së shumti ndihesha fajtor pse kisha zhgënjyer veten time. Pse e kisha zhgënjyer atë djaloshin që dikur mendonte se do të bëhej magjistari më i madh në të gjithë botën.

Trembesha nga hapi tjetër, trembesha nga refuzimi, por më së shumti ndihesha i lodhur. Nuk kisha më forcë për asgjë tjetër, përveçse ta urreja veten dhe çdo gjë që më kishte sjellë në atë gjendje. Në mendje më sillej vetëm një mendim: një njeri i dëbuar nga Parajsa e vet, i braktisur nga çdo dije dhe mëshirë, nuk e meritonte të jetonte. Ishte kjo një herezi ndaj vetes dhe çdo vlere që kisha, por kjo ishte e vetmja që mund të mendoja. Isha i lodhur. I lodhur edhe nga të jetuarit.

3

Është interesante, mbase edhe komike, por budallallëkun tonë e përjetojmë si një lloj heroizmi personal. Kisha vendosur të mos jetoja dhe, si vendimin, ashtu edhe mënyrën e realizimit, po i përjetoja si një lloj heroizmi. E shihja si një shprehje të duhur të revoltës, një dënim të merituar që ia kisha caktuar vetes.

Disa ditë i kalova duke shëtitur gjithandej, sikur doja të regjistroja çdo detaj të kësaj bote. Më pas vizitova të gjithë miqtë dhe familjarët. E kalova kohën në biseda dhe i rrethuar me ngrohtësi. Ishte një lloj lamtumire e pafjalë. Doja të shkoja të takoja edhe Hanën, por nuk pata guxim t’i dilja përpara. Trembesha se ajo do ta kuptonte synimin tim dhe nuk doja ta ngarkoja më tepër me asgjë timen.

Krijova iluzionin se si e gjithë bota do të trandej, se si vdekja ime do të bëhej shembull, do të shkruheshin shumë shkrime, do të bëheshin shumë biseda dhe shumë e shumë lajthitje të tjera. Mendoja se po bëja gjënë e duhur dhe aspak nuk isha i vetëdijshëm se ky “heroizëm” ishte po ashtu edhe një shfaqje e arrogancës sime. Po e njëjta veti e shpifur që më kishte sjellë në atë gjendje, po ajo, pra, po më udhëhiqte drejt vdekjes.

Mund të duket e habitshme, por a ka shprehje më të madhe arrogance sesa t’ia mbushësh mendjen vetes se je një nga shtyllat e botës dhe, në çastin kur ti nuk do të jesh më, e gjitha bota do të trandet? E vërteta është e kundërta e kësaj. Bota vazhdon të ekzistojë. Ata që të duan, do të thyhen dhe do të dëshpërohen, por jeta do të vazhdojë. Pa mua, pa ty dhe pa këdo që mendon se është i pazëvendësueshëm. Gjithsesi, atë ditë nuk mendoja kështu, sepse isha dhënë i tëri pas shkëlqimit dehës të “heroizmit” tim.

Sidoqoftë, duhet ta them: ideja e vetëvrasjes shkon bashkë me bindjen se, përkundër vetëvrasjes, në të vërtetë nuk do të vdesësh. E bind veten se edhe në vdekje do t’i shohësh të tjerët se si po e ndiejnë mungesën tënde, se si po t’i falin të gjitha gabimet, se si po ta kuptojnë vlerën e vërtetë dhe, në krye të të gjithë kësaj, pas një mrekullie, do të arrish të kthehesh.

Kanë të drejtë ata që thonë se vetëvrasja është një akt qyqarësh, sepse, edhe pse ngre dorë mbi veten, vetëvrasësi në të vërtetë nuk dëshiron të vdesë. Ai kërkon vëmendje. Qyqarllëk i përzier me çmenduri. Nuk di si ta shpjegoj ndryshe.

4

Ishte një mbrëmje si gjithë të tjerat. Nuk kishte asgjë të veçantë apo heroike atë ditë. Shumë lehtë, e tëra do të mund të ndodhte një ditë më shpejt apo një ditë më vonë. Kur e ndien se ka humbur kuptimi i çdo gjëje, fillon të shohësh se çdo ditë i ngjan një dite tjetër. Kupton se jemi vetë ne ata që ditët tona i ngjyrosim me një kuptim. Jemi vetë ne ata që i japim vlerë jetës sonë.

Isha në parkun e qytetit, në të njëjtin vend ku për herë të parë kisha puthur Hanën. Kisha bindjen se ky ishte vendi i duhur. Aty kishte filluar diçka e bukur në jetën time dhe aty duhej të përfundonte agonia ime. Aty ishte edhe vendi i lamtumirës sime me Hanën. Isha i bindur se, kur ajo të mësonte se vetëvrasjen e kisha bërë aty, në vendin e puthjes sonë të parë, do ta ndiente pendesën time.

Piva një grusht barnash që i kisha blerë një ditë më parë në farmaci dhe që përdoreshin për trajtimin e tensionit të lartë të gjakut. Ideja ishte që të më binte tensioni dhe kjo do të më fuste në gjumë, ku do të vdisja i qetë dhe pa trazime.

U shtriva mbi bar dhe fillova të përimtoj qiellin. Nata ishte e kthjellët, hëna ishte e re dhe në qiell shiheshin yjet. Ishte një pamje shumë e bukur, sikur në thellësitë e qiellit, kudo, gjithandej, të ishte qëndisur një mister, bukuri e fshehtë e jetës, që brenda vetes ka nga një pjesë të secilit prej nesh. Habitesha me veten se si nuk e kisha vënë re më parë këtë.

Pas pak filloi të më merrte gjumi, por jo nga barnat, por nga qetësia që ndieja aty. Ndihesha i qetë, pothuajse i lumtur, sikur të isha i bindur se pas pak do të nisesha në një aventurë të bukur. Kështu zgjati derisa, pas tridhjetë minutash, filluan të vepronin barnat.

Diçka nga brenda ma rrotulloi tërë organizmin dhe m’u shpeshtuan të rrahurat e zemrës. Vetëdija m’u kthjellua menjëherë dhe m’u zhduk çdo dëshirë për gjumë. Mendja po më punonte me shpejtësi, po regjistronte dhe po analizonte çdo ndryshim brenda meje. Mendja, pra, po luftonte, po përpiqej t’i kthente gjërat në vendin e vet, por trupi nuk po më bindej. Një shtrëngim më kapi në gjoks dhe më pas m’u rëndua frymëmarrja.

Një ndjesi e çuditshme ma kaploi krejt qenien. Më bëhej sikur me mijëra gjilpëra të vogla po më shponin kudo nëpër trup. E dija se çfarë ishte kjo. Më kishte kapur paniku. Po frikohesha. Nuk doja të vdisja.

“Çfarë kam bërë kështu?” Vetëm ky mendim më kaloi nëpër mendje.

5

Në situatat kur të bie tensioni, e mira është se nuk ke kohë të frikohesh. Me rënien e tensionit zvogëlohet furnizimi i trurit me gjak, rrjedhimisht me oksigjen, ndaj dhe fillon të ndiesh se si po fundosesh në diçka dhe po fikesh brenda vetes. Kjo është e tëra që mund të bësh.
E kam ndier veten se si po fikem dhe se si errësira po më mbërthen në çdo anë. E vetmja gjë që kam mundur të bëj ishte një klithmë brenda mendjes sime.

“Ky nuk duhet të jetë fundi im.” Ky ishte mendimi i fundit para se të fikesha në errësirën që po më mbërthente dhe të humbja ndjenjat.

6

Në fillim kishte vetëm errësirë që shtrihej në çdo anë. E vetmja gjë që kuptoja ishte ndjesia se JAM, ekzistoj diku, por nuk mund ta përcaktoja si dhe ku. Më pas, kudo përreth meje u shfaqën disa drita të vogla që më ndriçonin mua, por edhe shtronin një rrugë si një korridor që të çonte diku. Dritat dukeshin si të bardha, por kjo ishte një e bardhë ndryshe. Nuk ishte vetëm dritë. Thuajse brenda dritës kishte edhe diçka tjetër. Diçka të ngrohtë, diçka plot jetë.

Është e vërtetë ajo që tregohet në filma se, në çastet e vdekjes, njeriu sheh të gjithë jetën e vet. Ashtu edhe unë e pashë të gjithë jetën time të shfaqur për njëherë, si një çast i vetëm. Nuk dija ku t’ia kapja fillin, a thua se ajo jetë nuk ishte e imja, a thua se e kishte jetuar dikush tjetër dhe jo unë.

Por ajo që e kujtoj edhe sot është ndjenja e qetësisë dhe e paqes që më përfshiu. Aq të fuqishme ishin këto ndjenja dhe aq shumë ndieja kënaqësi, saqë aty, në atë realitet përtej kohës dhe hapësirës, ndihesha i sigurt. Nuk doja të kthehesha dhe nuk doja të shkoja diku tjetër.

7

Kur hapa sytë, e pashë veten në spital, ndërsa mbi fytyrë kisha një maskë oksigjeni. Më vonë e kam kuptuar se jo vetëm që kisha qenë pa ndjenja, por, për një kohë, nuk kisha pasur as shenja jete dhe mjekët ishin detyruar të bënin të gjitha ato gjërat që i shohim nëpër filma.
Dikush më kishte gjetur rastësisht dhe më pas kishte njoftuar policinë dhe urgjencën. Nuk e di për sa kohë isha pa shenja jete, por koha që isha i rrethuar me dritat e vogla më është dukur një jetë e tërë. Tërë kohën kam ndierë praninë e dikujt apo të diçkaje që çdo çast komunikonte me mua. Nga ai komunikim mbaj mend vetëm fundin. “Nuk ke pse brengosesh. Do të bëhet mirë. Tani kthehu!” I dëgjova këto fjalë dhe diçka më shtyu mbrapa me forcë. E ndjeva veten duke kaluar nëpër errësirë drejt dritës, ashtu sikurse noton me furi nga thellësia drejt sipërfaqes së ujit. Më pas e pashë veten në spital.

Gjatë komunikimit me atë qenie që më kishte pritur dhe më kishte udhëhequr në hapësirën përtej kësaj bote, brenda meje ishte ngjizur një ndjesi e re. Ndjesia e njohjes dhe e dijes për pashkatërrueshmërinë e jetës.

Njeriu mund të mos e vlerësojë veten, mund të dhunojë çdo gjë të bukur dhe të vlefshme, mund të ngrejë dorë mbi veten dhe të tjerët, por nuk mund ta ndalë forcën e jetës. Jeta është një forcë e pashkatërrueshme dhe gjithnjë do të gjejë një mënyrë për të dalë në sipërfaqe. Kjo është vlera e vërtetë e saj dhe, si e tillë, nuk ka kundërvlerë në asgjë. Aq e vlefshme, por që, megjithatë, na është dhënë falas. Andaj, përkundër vlerës së madhe, si çdo gjë tjetër që na jepet pa kushte, nuk vlerësohet aq sa duhet.

E vërteta e hidhur është se jetën të gjithë e marrim për të mirëqenë. Dhe bashkë me të, si të mirëqenë i marrim edhe të gjitha ata që na duan dhe na vlerësojnë pa kushte. Andaj nuk e vrasim shumë mendjen dhe i lëndojmë shumë lehtë. Ashtu siç kisha bëra unë vazhdimisht. Ashtu siç kisha bëra edhe me budallallëkun tim me vetëvrasje.

Sh-së i dhashë edhe njëherë të drejtë. Vërtet dashuria nuk mund të veçohej nga jeta. Këto dyja shkojnë bashkë. Në të vërtetë janë po e njëjta gjë. Dhe kjo është arsyeja pse jeta është një forcë e pashkatërrueshme. Vetëm një gjë që buron nga një dashuri e pakusht është një forcë e pakorruptueshme.

Dhe ashtu si askush nuk mund ta përthekojë dashurinë dhe ta zbërthejë, në mënyrë që të mund ta njohë nga brenda dhe jashtë, askush nuk mund ta përthekojë jetën dhe ta zbërthejë atë. Jeta dhe dashuria vetëm mund të ndihen dhe nuk mund të njihen, ashtu siç i njohim të gjitha gjërat e tjera në jetë. Kjo është kështu mbase edhe për atë se, po të njiheshin, atëherë do të ishin diçka e rëndomtë. Ky ishte mësimi që Sh-ja donte të më mësonte. Një mësim për të cilin m’u desh të shkoja në botën tjetër dhe të kthehesha prapa.