~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 8

Këtë natë dua të ta rrëfej historinë e marinarit dhe të Gabrielës, një histori që unë e ndiej si diçka shumë afër shpirtit tim. Jam shumë i bindur se, pas rrëfimit nga nata e kaluar, do ta kuptosh mesazhin e kësaj historie.

Për marinarët thonë se, sa herë nisen për në det të hapur, përshëndeten me njerëzit që i duan. Ata e dinë se deti mund t’i përpijë në çdo çast dhe se çdo udhëtim mund të jetë i fundit. Marinari i ri u përshëndet me Gabrielën e tij të dashur. Por kësaj here gjithçka ishte ndryshe. Gabriela i lutej që të mos shkonte. Ajo kishte një parandjenjë të keqe. Aq e fortë ishte kjo parandjenjë, sa ajo, në lutje e sipër, edhe derdhi lot. Para lotëve të saj, marinarit iu thye zemra, por ai nuk mund t’i braktiste shokët. Nuk mund ta bënte këtë, ndonëse zemra i thoshte të rrinte me Gabrielën.

Ai u nis për në det të hapur. Dhe në thellësi, anijen e tij e prisnin valë të mëdha, që e përplasnin paprerë. Valët ngriheshin lart dhe binin fuqishëm mbi anije. Ishte e qartë. Deti donte ta gllabëronte anijen. Dhe aty, ndërsa marinari luftonte për jetën e vet dhe të shokëve të tij, i kujtoheshin lotët e Gabrielës. Ajo kishte pasur të drejtë. Ai nuk do të kthehej më. Nuk do ta shihte më kurrë Gabrielën e tij. Dhe kur valët e detit e rrotulluan anijen, marinarin e përpiu deti. Dhe ndërsa rrymat e forta dhe të ftohta e tërhiqnin poshtë në humbellat e detit, marinari u përpoq që, së paku për një çast, të mos mendonte për vdekjen, por të mendonte për Gabrielën e tij. Me fuqitë e fundit, me shpresën se, në njëfarë mënyre ato fjalë do të arrinin tek ajo, ai i tha: “Kurrë nuk ka pasur fillim. Kurrë nuk do të ketë as fund. Mes nesh përherë ishte vetëm dashuria. Unë përherë do të jem aty, për ty.” Më pas heshtje.

Ky ishte fundi i marinarit, por jo edhe i dashurisë së tij. Çdo mbrëmje, Gabriela shihte të njëjtën ëndërr. Marinari i shfaqej duke ecur mes valësh dhe duke i pëshpëritur fjalët: “Kurrë nuk ka pasur fillim. Kurrë nuk do të ketë as fund. Mes nesh përherë ishte vetëm dashuria. Unë përherë do të jem aty, për ty.” Dhe më pas, gjithnjë i buzëqeshur, zhdukej në furtunë.

Gabriela nuk kishte nevojë që dikush t’ia interpretonte domethënien e kësaj ëndrre. Marinari tërë kohën ishte pranë saj. Dhe ajo e ndiente këtë!