~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 54

Ne!

Unë dhe ti!

Të gjithë jemi të burgosur në këtë vend.

Është ky një burg i madh pa grila. Gjerë e gjatë i shtrirë pafundësisht në kotësi.

Jetojmë…

Jo!

Mendojmë se jetojmë!

Është njëlloj sikur dikush të ketë vënë disa mure të padukshme përreth nesh. Mure që askush s’i sheh, por që të gjithë i ndiejnë dhe përplasen në to! E përreth këtyre mureve na ruajnë disa përbindësha të ardhur rishtazi kushedi prej ku e nuk na lejojnë as të afrohemi.

Krijojmë disa gjëra imagjinare me mendjen tonë, vetëm e vetëm që ta bindim veten se po jetojmë një jetë për të qenë e se të gjithë jemi të kënaqur.

Besomë, u përpoqa edhe unë ta provoja kënaqësinë.

Por jo! Nuk mundem. Më vjen për të klithur e për të qarë! Ose jam budalla, ose di diçka që askush tjetër nuk e di! Dhe çdo ditë e më shumë po besoj se me këto gjëra që po krijojmë, pak nga pak po rrëshqasim dhe po bëhemi kandidatë për pacientë të reparteve neuropsikiatrike. Por kam frikë se pastaj as repartet me mjekët më të mirë të kësaj bote nuk do të na hyjnë në punë. Ndërkohë të krijohet përshtypja se e gjitha kjo është si një produkt i një eksperimenti, madje aq i përsosur sa nuk guxon as të thuash: “Hej! Ky nuk jam unë! Nuk është kjo jeta që dëshirova ta jetoj. Ku është ëndrra ime? Ku mbeta unë?”

Mbase edhe mund të mos më besosh, por ti, unë, që të gjithë jemi të burgosur në këtë vend!

Por unë do të vazhdoj të mos e pranoj!

Nuk do ta ul veten dhe nuk do të luaj lojën që po luajnë të gjithë, vetëm e vetëm pse dikush mendon se ashtu duhet! Apo se, meqë më parë ashtu kanë bërë edhe prindërit tanë, të njëjtën gjë duhet të bëjmë edhe ne tani.

Jo, nuk dua. Nuk dua më t’i mbyll sytë.

Nuk dua të shkoj e të strukem në një qoshe. Nuk dua ta mashtroj veten me një kafe me qumësht e cigare nga më të lirat. Të bëhem si disa që e vrasin kohën me një birrë bajate përpara vetes. Dhe të shtirem kinse asgjë s’më bën përshtypje.

A thua jam unë i vetmi në këtë vend që i shoh këto mure të padukshme?