~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 52

Sonte kam frikë!

Kam një frikë që ma tremb gjumin. Diçka që më trazon shpirtin.

Kam frikë se jam fajtor për gjëra që nuk i mendova.

Hiqma frikën!

Hiqma frikën, sepse tërë jetën e kam pritur këtë ditë.

Tërë jetën u përpoqa.

U përpoqa si një zog në kafaz, që nuk arrin t’i shtrijë krahët.

Si një i dehur në qetësinë e mesnatës, i cili, nga mërzia, ndjek fantazmat e mendjes së vet.

Si një peshk në grep, që lufton me çdo mënyrë për t’u kthyer sërish në ujë.

Si një kalorës nga filmat e vjetër, i cili, ndonëse e di që betejën e ka të humbur, sërish lufton.

Si një foshnje porsalindur, që trembet nga bota ku ka ardhur.

Si një bishë e vogël në shpellë, që duke ikur nga gjuetari klith për nënën vet.

Tërë jetën u përpoqa të jem i lirë.

Një jetë e tërë për të tjerë.

Një jetë e tërë në kërkim, ashtu si bleta që kërkon e kërkon të mbledhë nektar.

Një jetë e tërë në kalim e sipër.

Një jetë për gjithçka e jo për të jetuar.

Një jetë në pritje…

Për dikë që të më jepte dorën e të ngrihesha më këmbë. Për dikë që do të ma kujtonte veten.

Për dikë që do të ndizte flakën në shpirtin tim.

Për dikë që do t’i jepte kuptim jetës sime.

Për dikë si ti!

Hiqma frikën e lejomë ta shijojë lirinë!