~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 48

Ja edhe letra e dytë:

Jashtë bën dimër, por në shpirtin tim rri ndezur një flakë!

Dita i ka lënë vend natës e nata shpejt do t’i lërë vendin prapë ditës, por sërish flaka do të rrijë ndezur. Do të rrijë ndezuri drita e kandilit, sepse në vend të vajit, ushqehet me shpirtin tim. Dhe kjo më mërzit! Më mërzit ngaqë e di se shpirti është i pavdekshëm e kështu flaka nuk do të fiket as në pafundësi.

Si është e mundur që në këtë botë ende ekziston dikush si ti? Dikush që të njeh vetëm duke ndjerë sinjalet e shpirtit? Dikush që i bën të gjitha duke mos bërë asgjë? Që ta dhuron botën edhe pa e kërkuar atë?

Si është e mundur që ti ekziston?

Si nuk nxitova dhe nuk të gjeta më herët?

Pse ta çoja dëm këtë pjesë të jetës që kam jetuar deri tani ?

Si jam sjellë aty përreth teje, por tërë kohën kam qenë i verbër?

0 Zot! Pse m’i dhe sytë, kur nuk më mësove që të shihja?

Sonte gjithë qenien time përshkon një mall që mund të mbështjellë edhe vetë botën. Një mall për atë që nuk e pata kurrë, por që çdo atom i shpirtit tim e ndien se ajo në të vërtetë ka qenë gjithë kohën këtu.

Tiparet e saj ishin fshehur copëza-copëza, të shpërndara në të gjithë njerëzit që më kanë dashur. Te dikush ishin flokët. Te dikush sytë. Te dikush tjetër ishte buzëqeshja.

E si mund të mos ndiej mall unë?

Si mund të mos ndiej mall kur, pas shenjave të tua, vrapova tërë jetën?

Si mund të mos ndiej mall kur gjithçka në jetë më ka përgatitur për këtë ditë? Këtë ditë kur do të flakja tutje koracën e padijes dhe do të hapja krahët e shpirtit, që më në fund edhe unë të jetoja?

Gjithçka në këtë botë mund të labërgohet, të thyhet e të copëto- het. Gjithçka mund të bëhet copë e çikë dhe më pas ta marrë me vete ndonjë lumë apo ndonjë erë! Gjithçka mund të copëtohet, por malli im kurrë!

Sonte, kur më përvëlon më shumë se kurrë malli në shpirt!

Sonte, kur aty, si në një betejë apokaliptike, përplasen gëzimi dhe mërzia. Gëzimi që më në fund të gjeta dhe mërzia e madhe pse u vonova!

Do të doja që, vetëm sonte, malli për ty të ishte i thurur nga fjolla bore, sepse atëherë do të shkrihej posa ta prekja me dorë!

Do të shkrihej e ndoshta pastaj unë mund të flija.