~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 45

Fshihemi nëpër turma,

I mbulojmë veshtë me zhurma,

Me dhunë, duke i shurdhuar zërat që na flasin nga brenda.

Ikim nga një kujtim, por e tëra që arrijmë të bëjmë është vetëm të ikim nga vetja.

Bëhemi të huaj në shpirtin tonë, derisa një ditë lodhemi nga kjo ikje.

Në pasqyrë shohim hijen e asaj që ishim dikur.

Po kujtimet?

Kujtimet sërish janë aty!

Besoj se e kupton domethënien e këtyre rreshtave.

Thonë se koha shëron çdo plagë. Por ata që e thonë këtë, nuk dinë asgjë!

Thonë se koha të bën të harrosh edhe atë që s’mund të harrohet. Por edhe ata që e thonë këtë, po ashtu nuk dinë asgjë!

E vetmja gjë që arrin të bëjë koha është që të vendosë pak pluhur mbi plagë. Kjo të bën të vazhdosh, të shkosh në punë, të ecësh mes turmash dhe ta kalosh ditën duke vrapuar prej mëngjesit në mbrëmje, me bindjen e rrejshme se gjithçka ka kaluar tashmë dhe është harruar.

Do të doja të ishte ashtu!

Por e vërteta është ndryshe. Edhe ti e di se mjafton të fryjë vetëm një puhizë, sa për ta shprishur pak pluhurin, dhe gjithçka kthehet nga fillimi.

Mjafton një sekondë e vetme, një ballafaqim i vërtetë, një kthim i beftë në realitet, që ta kuptosh se gjithçka është aty dhe se, në të vërtetë, nuk është larguar asnjëherë.

Ndoshta edhe ti, si shumë të tjerë, dëshiron ta bindësh veten se mund të harrosh. Në të vërtetë, mundohesh kot. Dhe mos harro: nëse dëshiron të ecësh drejt një jete të re, pranoje edhe për veten tënde këtë që tregova. Sepse njeriu, po ta pranojë veten ashtu si është, bashkë me dhimbjet që ka, vetëm atëherë arrin të gjejë qetësi. Vetëm kështu, edhe ti mund ta gjesh qetësinë e shpirtit tënd! Të mos e ndiesh më vetminë, por të ndiesh gjithë botën se si frymon përskaj teje.

Ndonjëherë, kur përpiqemi të harrojmë, bëjmë atë që nuk duhet. Duke dashur të harrojmë, shkojmë nga një gabim në tjetrin. Dhe duke e bërë këtë, zhvlerësojmë edhe kujtimin që kemi brenda vetes. Kështu bëjnë shumë prej nesh. Kështu kam bërë edhe unë.

Sonte dua të të tregoj një histori sa të dhimbshme, po aq edhe komike. Por mbi të gjitha, kjo është një histori njerëzore, një përjetim që u ka ndodhur dy zemrave të sinqerta. Dy zemrave që nuk kanë pasur asgjë të përbashkët, përveç dhimbjes dhe mallit që janë munduar tërë kohën ta fshehin.

Po ta kujtoj sërish atë çastin kur të kaplon një mërzi e madhe, që nuk mund ta përkufizosh. Një mërzi kur thjeshtë dëshiron të dehesh. Një mërzi kur dëshiron të harrosh gjithçka. Të harrosh edhe se ekziston.

Në një mbrëmje si kjo, përfundova duke pirë kafe me një bukuroshe. Mbase për shijet e të tjerëve mund të mos ishte bukuroshe, por atë mbrëmje mua më është dukur më e bukura. Ndoshta vetëm për arsyen se ishte aty për mua. Ishte aty kur unë dëshpërimisht kisha nevojë për dikë. Në sytë e saj unë e shihja veten si ndonjë yll dhe kjo ndjenjë më dehte. Edhe pse pinim vetëm kafe, që të dy luanim rolin e të dehurit. Kohë pas kohë, kinse rastësisht dhe pa fjalë, prekeshim me njëri tjetrin. Çdo prekje ishte elektrizuese. Çdo prekje ishte kod për një rrugëtim të brendshëm shpirtëror. Ajo më prekte faqet dhe veç sa nuk më thoshte: “Çfarë bebushi je ti!” Më pëlqente kjo lojë. Më pëlqente që po më ngashënjente. Këtë doja. Madje doja të kthehesha në adoleshencë. Ta ëndërroja edhe njëherë tërë jetën.

Pas mesnate, përfunduam në shtrat. Ajo bënte kinse nuk donte, unë kinse nuk dija se çfarë po bëja. Dhe pas pak, të dy ishim lakuriq. Nuk dua të rrëfej se çfarë ndodhi më tej. Merret me mend se çfarë mund të ndodhë me një mashkull dhe me një femër, kur të dy bëjnë sikur nuk arrijnë ta kontrollojnë veten. Shtiren, sepse në të vërtetë nuk duan ta kontrollojnë veten. Nuk dua të të përshkruaj asgjë, sepse edhe po ta për- shkruaj, nuk do ta besosh.

Do të të tregoj një detaj tjetër. Në kulmin e parë të ekstazës, ndodhi ajo që nuk kam besuar se do të mund të ndodhte ndo- njëherë. Ndodhi ajo që kam menduar se ndodh vetëm në romane dhe nëpër filma. Për një çast, as unë e as ajo nuk donim të vazhdonim më.

Në dhomën luksoze, në errësirën dehëse, ne nuk ishim dy veta në shtrat! Ne ishim katër. Unë ndjeva praninë e atij, ndërsa ajo ndjeu praninë e asaj. Edhe ajo, ashtu si unë, ishte duke ikur nga një kujtim. Edhe ajo, njëlloj si unë, donte të dehej me errësirën e natës.

Sa herë që më kujtohet, nuk e di se a duhet të qaj apo të qesh. Para syve ende kam skenën më tragjikomike të jetës sime. Dy njerëz, shumë të aftë dhe të pjekur seksualisht, dy njerëz shumë të përgatitur fizikisht, dy njerëz me fantazi erotike që madje e tejkalonin normalen, dy njerëz të tillë qëndronin shtrirë lakuriq. Dhe, në vend që t’i dorëzoheshim epshit, vetëm bisedonim. Aty jam bindur se, përderisa seksi mund të jetë diçka vetëm fizike, erotika është diçka ku fizikja ndërthuret me shpirtëroren.

Ashtu të shtrirë lakuriq, për më shumë se një orë biseduam me njëri-tjetrin. Herë unë tregoja historinë time, herë ajo tregonte historinë e vet. Kështu ora shkoj tre pas mesnate. Mos mendo se atëherë vendosëm të flinim. Jo. Që të dy, po- thuajse njëzëri, thamë: “A thua të këtë ndonjë bar hapur? Po dalim dhe po dehemi!”

Dhe kështu bëmë. U veshëm shpejt e shpejt dhe përfunduam në një bar ku të gjithë zogjtë e natës kishin bërë strehë. Folëm e folëm dhe u dehëm si të marrë. Unë nuk pi alkool, nuk jam mësuar. Nuk kisha nevojë për gotën e dytë të verës, sepse që në fund të së parës isha bërë tapë. M’u zgjidh gjuha dhe tani s’kam guxim të tregoj se çfarë kam thënë.

Kur e kujtoj atë natë, them me vete se jam fat, sepse ajo histori ishte çliruese për mua. Është një nga ato pak çaste të së vërtetës. Një nga çastet e rralla, kur e kupton se duhet të respektojmë veten dhe tjetrin.

Nuk po e zgjas më tej. Jam i sigurt se e ke kuptuar mesazhin. Koha nuk shëron asgjë. Mbase kështu është edhe më mirë. Kush do të ishim ne, sikur të mos kishim kujtimet tona? Të mira apo të këqija, ato janë pjesë e jona. Falë tyre, jemi këta që jemi. Dhe që nga ajo natë, kam vendosur të mos harroj më asgjë.