~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 4

Sonte nuk do të të bezdis me rrëfimet e mia. Sonte dua të ndaj me ty një ndjesi tjetër, që është shumë e rëndësishme për mua. E ke kuptuar, besoj, se dashuria, jo vetëm koncepti mbi të, por sidomos përjetimi i kësaj ndjenje, është një gjë shumë e rëndësishme për mua. Jo për faktin se më bën të ndihem mirë, por se vetëm nëpërmjet dashurisë mund të jem vetja. Dhe vetëm nëpërmjet dashurisë mund të krijoj. Megjithatë, sonte më duhet të të them një të vërtetë tjetër. Unë kam shkruar shumë, madje tepër shumë, për dashurinë dhe ndjenjat e sinqerta, por dashuria dhe sinqeriteti nuk kanë as edhe vlerën më të vogël përderisa jetojmë me gënjeshtra dhe me maska. E them këtë sepse gënjeshtrat dhe maskat janë ato që po na e vjedhin lirinë. Ato nuk na lënë të jemi vetja jonë.

Edhe Zoti na thotë se njeriut i është dhënë dhurata më e madhe me të cilën është dalluar nga të gjitha krijesat tjera në tokë dhe në qiej. Njeriut i është dhënë vullneti i lirë. Ai është krijuar për të qenë i lirë. Por çfarë bëjmë ne me këtë dhuratë? A jemi vërtet të lirë? A ndihemi të lirë që ta shprehim veten ashtu siç jemi në të vërtetë? A ndihemi të lirë ta shpallim atë që ndiejmë, pa pasur frikë se dikush do ta përdorë këtë kundër nesh? A ndihemi të lirë që, së paku, të marrim pak guxim dhe të shprehemi shpengueshëm para njerëzve që i duam? A ndihemi aq të lirë sa të guxojmë t’u afrohemi atyre që kanë vlerë për ne? A mund ta bëjmë këtë për njerëzit që na vlerësojnë për atë çka jemi në të vërtetë dhe jo për atë që shitemi?

Vërtet nuk e di.