~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 39

Fuqia e dashurisë i tejkalon kufijtë e arsyes. Ajo krijon një rregull të vetin. Dhe kjo më bën të besoj se asnjëherë nuk duhet të përpiqemi që dashurinë ta zbërthejmë me parime logjike.

Mbreti Eduard VIII i Britanisë së Madhe hoqi dorë nga froni mbretëror vetëm që të mund të martohej me amerikanen Uollis Simpson. Nuk ka dyshim se Eduardi[1] e shpërfilli arsyen dhe dëgjoi zërin e zemrës. Për të, nuk ia vlente fare të ishte mbret, nëse detyrohej ta kalonte jetën me dikë tjetër.

Tani më trego se ku është arsyeja këtu? Arsyeja na sugjeron që botën ta shohim me sy pragmatik. Rasti i Eduardit dëshmon se dashurinë nuk duhet ta zbërthejmë me anë të parimeve logjike. Se dashuria i rrënon të gjitha themelet e arsyes njerëzore. Ndonjëherë, në mënyrë që të jemi të lumtur, mjafton vetëm prania e njeriut të duhur. Së paku kështu do të duhej të ishte!

Njeriu mund të pushtojë gjithë botën, por nuk do të mundë kurrë ta bëjë për vete një zemër që refuzon ta dojë. Ti mund ta kesh trupin e dikujt dhe të bësh gjithçka me të, por a mund ta bësh për vete një zemër? Për këtë duhet diçka më tepër. Këtë e ka ditur edhe Eduardi. Këtë e di edhe ti, se përndryshe nuk do të ishe duke i lexuar këto fjalë.

Sido që të shkojnë gjërat në botën tonë, përherë do të ketë njerëz si Eduardi! Dhe sonte dua të ngre një dolli për kujtimin e mbretit Eduard dhe për guximin e tij. Dua të ngre një dolli edhe për ty.

[1] Referencën ndaj Eduardit, autori e ka përdorur edhe te libri i tij i fundit “Kthimi”