~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 38

Një rrugë

E gjatë dhe në dukje e pafund!

E mbushur e tëra me pluhur që ta merr frymën.

Duron me miliona hapa,

Hapa që nuk kanë të ndalur

E pluhurosin edhe më shumë. Aq shumë, sa ia zënë diellin! Duron!

Duron, sepse rruga e di që jo çdo herë ishte e thatë dhe me pluhur. Klith!

Në heshtje qan me mall.

Më as nuk e mban mend, por në shpirt e ndien,

E ndien se dikur ishte lumë plot jetë e gjallëri.

Ky mall nuk e lë rehat

Edhe kur harron, atëherë kur pluhuri ia mbyt çdo vullnet, malli nuk e lë rehat.

Pa mëshirë, i bie me shuplakë. I bie me shuplakë mu në shpirt! Zgjohu!

Këto radhë janë gjithçka që kam për të të thënë sonte. Në thelb, janë përshkrimi ndryshe i asaj që të tregova mbrëmë.

Sa herë që ikim nga vetja, të përfshirë edhe nga kujtimet tona, shpirti ynë ndien mall. Mall që nuk mund të shpjegohet. Një mall që klith.