~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 37

Është e vërtetë se femra është natyrë e butë, por mashkulli është madhështor dhe vetëm në harmoninë e këtyre të dyjave lulëzon dashuria.

Ta shprehësh dashurinë nuk është turp. Ta ndiesh atë nuk do të thotë se je i dobët. Ta dhurosh dashurinë: vetëm kjo tregon se je madhështor!

Dhe çka bëjmë ne? Në vend që ta shijojmë deri në fund dashurinë, biem pre e inatit.

“Sa shumë gjëra kam për t’i thënë, por inati nuk më lë t’i nxjerr.” Shpesh e kam dëgjuar këtë fjalë nga të tjerë, por ia kam thënë edhe vetes.

Inati është tiran i shpirtit tonë. Nuk ka shpjegim tjetër. Më të lehtë e ke të thyesh gjithçka që ke përpara, se sa ta nxjerrësh të vërtetën nga zemra. Ta pranosh se edhe në kulmin e hidhërimit, atë e dashuron si kurrë më parë.

Shpirti proteston nga brenda, ngaqë nuk gjen forcë t’i lësh mënjanë imtësitë. Por ti sërish këmbëngul në këto imtësi, ndonëse e di që nuk do të arrish ta lirosh shpirtin, sepse pas çdo analize gjithnjë e më tepër zhytesh në vorbullën e inatit.

Ti e di se, çfarëdo që të thuhet, nuk do ta zbusë inatin tënd. Përkundrazi, vetëm do ta shtojë atë. Megjithatë, ashtu marrëzisht, ti ende vazhdon të mbrosh me këmbëngulje disa kufij imagjinarë.