~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 36

Sonte do të shkruaj për ty!

Për ty që nuk të pëlqen vetja dhe do të doje të ishe dikush tjetër!

Sa herë mendoj për ty, më kujtohet tregimi për rosakun e shëmtuar, që nuk e dinte se në të vërtetë ishte një mjellmë e bukur!

Ata që me të vërtetë të duan, të vlerësojnë ashtu si je, megjithëse tek ti shohin atë që, gjithë kohën, ti e lë pas dore.

Ato që ti i lakmon tek të tjerët, edhe nëse me ndonjë mrekulli do të bëheshin tuat, për ty do të ishin të përkohshme. Me to nuk do të mund të përfitoje asgjë më shumë se vetëm pak vëmendje kohëshkurtër.

Po!

Nëse heq dorë nga vetja, ajo që do të fitosh është vetëm vë- mendja për një kohë të shkurtër dhe atëherë, kur kësaj përralle t’i vijë fundi, përsëri do të kthehesh në fillim. Mbase edhe më poshtë se fillimi, ngase jeta nuk ka aq kohë sa të të presë që ti të bësh eksperimente me veten!

Mos fantazo që në pasqyrë të shohësh dikë tjetër në vend të vetes!

Mos e moho veten!

Ti që sonte e sheh se si gjallon bota përreth teje, por edhe pse nuk je vetëm, ndihesh e vetmuar!

Hape veten ndaj shpirtit tënd.

Zhytu në oqeanin më të errët që ke për të parë ndonjëherë. Zhytu në morinë e ëndrrave të panumërta që i ke braktisur dhe i ke shkelur.

Ato janë aq shumë. Aq shumë, sa janë bërë mal i pafund. Dhe tani të duket se mund t’i bëjnë hije edhe vetë diellit!

Çdo njeri ka lindur për një qëllim!

Zbuloje qëllimin tënd!

Zhytu!

Ndieje vullkanin që po vlon brenda teje. Mos u tremb nga ftohtësia e dështimeve të panumërta!

Mos ki frikë! Zhytu!

Gjithçka që do të kuptosh në fund është se shpirti yt është një me atë të botës dhe se ti je mrekullia vetë!

Mbylli sytë! Ndieje dritën e pavdekshme brenda teje.

Mjaft ke pritur.

Hapi krahët.

Dhe bëji hije gjithë botës!