~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 33

Një dashuri e humbur.

Me tërë fuqinë përpiqesh ta harrosh.

Lufton me botën sikur po lufton për jetën, por në të vërtetë vetëm se dëshiron të harrosh. Ndonjëherë mjafton vetëm një ëndërr, një përjetim nga e kaluara, një imazh i puthjes së dikurshme, i zërit që të fliste në vesh e të thoshte se sa shumë të dashuronte. Një uragan, një furtunë pothuajse e një bote tjetër, që në çast t’i kujtonte të gjitha.

Zgjohesh nga ëndrra.

Lan sytë dhe thua: “Lëre se është vetëm ëndërr.”

E bind veten se edhe kjo ditë do të jetë si gjithë të tjerat dhe me këtë mendim del në rrugë.

Po ndërsa ecën, pikërisht atë ditë, dashuria e humbur të del përballë. Si hëna që bën dritë më shumë se kurrë.

Stepesh.

Pyet veten nëse diçka atje lart po përpiqet të të thotë diçka.

Vallë njeriu me të vërtetë mund të dashurojë vetëm një në jetë?