~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 31

Muza ime!

Ti që nuk më braktis asnjë mbrëmje.

Të ndiej si mike, si motër, si gjysma e asaj që është e mirë në jetën time.

Të ndiej si gjithçka që nuk e pata kurrë e që tërë jetën e dëshirova.

Të ndiej si triumfin më të madh në jetën time!

Të ndiej si dështimin më të trishtë.

Të ndiej si engjëll që më ruan atëherë kur bëj edhe atë pak gjumë që mund të më zërë.

Të ndiej si një ëndërr që tërë kohën më ikën.

Të ndiej si një ninullë që i zbut stuhitë në shpirtin tim.

Të ndiej si një uragan që m’i trand themelet.

Një ditë do ta kuptosh se ç’të madhe vlerë ke tek unë.

Jetoj në një botë ku ty të kam si engjëllin që ka zbritur në tokë për të frymëzuar gjithçka të mirë tek unë. Në një botë ku ky engjëll ka fuqi mbi vetë fjalët e mia.

Dije se gjatë ditës më mungon sikur të të njihja tërë jetën. Jetoj për çastin kur në mbrëmje do të ulem para kompjuterit dhe do të bisedoj me ty.

Sonte, kur të mbyllësh sytë, ëndrrat e mia le të bëhen krahë për ty!