~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 28

Edhe mua ndodh të më lidhet goja. Ta humb rrjedhën e mendimeve, të djersitem e të mbetem peng i një çasti të vetëm.

Ndonjëherë, kur qëllon të jesh përballë me atë që i jep krahë zemrës sate, në vend që të shprehesh me fjalë zemre, nga goja të dalin fjalë me shumë pak kuptim. Thjesht humb në magjinë e çastit. Thuajse një forcë e padukshme, njëfarë gjyçi, të pengon të flasësh e ta mpin deri dhe mendjen.

Edhe pse mund të duket e panatyrshme, unë asnjëherë nuk pendohem pse më ndodh kështu. E marr më tepër si dëshmi se edhe unë kam zemër. Se edhe mua mund të më dridhem deri edhe gjunjët para dikujt.

Mbi të gjitha, nuk ndihem keq sepse, si shkrimtar, e di se ndonjëherë as fjalët nuk janë të mjaftueshme. Edhe nëse arrijmë ta themi atë që ndiejmë me të vërtetë, sërish do të mbetemi vetëm robër të fjalëve. Qenie të ngujuara, që rrekemi ta shprehim me fjalë atë që as fjalët më delikate të kësaj bote nuk janë të zonjat ta shprehin.

Mbyll sytë dhe përfytyro një situatë të tillë.

Provoje!

Thuaja të gjitha!

Edhe sikur t’i thuash se zemra të vallëzon, se në të vërtetë nuk do të flisje fare dhe se, pa u menduar dy herë, do t’ia puthje sytë, se në të vërtetë do ta shtrëngoje fort, derisa do t’ia tretje tërë dhimbjen që bota çdo ditë ia dhuron, se do t’ia lëmoje flokët derisa ta dije përmendësh numrin dhe gjendjen e saktë të çdo fije floku që ka; edhe sikur të përdorje të gjitha fjalët e botës, përsëri nuk do të arrije ta shprehje atë shpërthimin e beftë e të heshtur që ndien sa herë je pranë saj.

Kjo është magjia e takimit me atë që e bën zemrën të dridhet.

Njerëz të tillë kanë fuqi mbi ne.

Kanë fuqi më shumë se një armë e shkatërrimit në masë!

Kjo është diçka që me të drejtë mund të quhet “tërheqje fa- tale”.

Gjithnjë kam besuar se nocioni “tërheqje fatale” është një mit. Një krijim hollivudian, që mund të ekzistojë vetëm në një realitet të imagjinuar. Gjithnjë jam intriguar nga kjo ndjesi, aq sa më ka nxitur edhe një pasion të fshehtë: dëshirën që të sprovohesha. Në fantazitë e mia kisha nevojë të takoja një femër që do të vinte në provë burrërinë time. Një femër që do të luante me mua. Do të luante jo vetëm me mendjen, por edhe me trupin tim. Që do të më çonte deri në kufijtë e ekstazës dhe ndërkohë të ma bënte të qartë se ajo është ‘shefja’. Një femër që ka fuqi ta detyrojë një mashkull, t’i imponohet mbase me përdhunë. Kështu e përfytyroja. Ndryshe, në mendjen time nuk do të kishte “tërheqje fatale”. Ajo do të duhej të ishte faktori i panjohur në barazimin e të gjitha gjërave në jetën time. Një rregull i veçantë. Diçka më vete. Diçka ndryshe. Por asnjëherë nuk e kam menduar se do të jetë aq ndryshe.

Njeriu gjithnjë gjen atë që kërkon. Këtë gjeta edhe unë. Apo, më mirë të them, ajo më gjeti mua.

Ajo ishte disa vjet më e madhe se unë. Ndërkaq, asnjëherë nuk më kanë tërhequr femrat me moshë më të madhe se vetja. Së paku kështu ishte deri kur e takova atë. Ajo ishte faktori i panjohur. Ajo që përmbysi gjithçka. Jo për të rrënuar, por vetëm që t’i hapte rrugë lindjes së një bote tjetër. Botës së saj.

Ajo dëshironte të ishte e vetmja. Vetëm ajo. Dhe askush tjetër. Ashtu edhe ndodhi. Për sa kohë ajo ishte në jetën time, u bë vetë jeta ime. Pushtoi gjithçka, deri dhe çdo mendim, çdo fantazi. E la nënshkrimin e vet pothuajse në gjithçka. Dhe në çdo gjë që bënte, shihej qartë se ajo ishte ‘shefja’.

Nuk dua të ndalem në hollësi. E çka të them? Çfarë të tregoj? Se tek unë nisi një thuajse edukim në gjithçka, që nga fillimi? Kjo është si në atë rastin kur mëson e mëson tërë vitin për një provim të vetëm dhe mendon se i di të gjitha, por në provim të bie një detyrë që as e ke ditur se mund të ekzistojë.

Ajo dinte gjithçka. Dinte të gjitha marifetet e mundshme. Përvoja e saj ma turbulloi mendjen. Mu sikur ajo vera e vjetër, që rri në shishe për shumë vjet. Një përvojë dehëse, që merrte trajtë nëpërmjet lojës së saj, ndërthurjes së përkryer të shkathtësive fizike me magjinë e përdorimit të fjalëve të duhura.

Pasi i bënte të gjitha ato që mund të imagjinohen dhe shumëçka tjetër, ajo më pëshpëriste në vesh. Pëshpëriste edhe atëherë kur unë, me shumë vështirësi, përmbahesha të mos shpërtheja në ulërima. Pëshpërimat e saj ishin fjalë magjike, nga ato që ta nxjerrin edhe atomin e fundit të energjisë. E tëra ishte një garë. Një garë se kush do të dorëzohej i pari. Dhe çdo herë isha unë ai që dorëzohej. Dorëzohesha dhe ajo më shikonte sikur të më thoshte se dëshironte edhe shumë më tepër nga unë.

Nuk dua të përshkruaj asgjë më shumë. Besoj i ke të gjitha të qarta. Besoj se tanimë e kupton përse para saj më lidhej goja.