~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 24

Shtegu i suksesit nuk është i mbushur me lule. Përkundrazi, i tëri është me gjemba. Nëse tregohesh i dobët dhe heq dorë, atëherë je si gjithë të tjerët, sepse bota është përplot me njerëz që çdo ditë heqin dorë dhe dorëzohen.

Nëse dëshiron të jesh i mirë me botën, mos gjako të bësh diçka. Rri ashtu si je. Vetëm. Një i mjerë më shumë. Një zë i shterur, që shtiret se bërtet, kur thotë se vetja i mjafton.

Nëse dëshiron të jesh i mirë me vetën tënde. Të jesh dikush më shumë. Atëherë, mbylli sytë dhe duro gjembat që do të përplasen fytyrës. Duro shpifjet, thikat pas shpine, tradhtitë nga ata që deri dje i quaje miq, mosbesimin nga ata që ua beson të gjitha. Duroje edhe luftën me disa që nuk i ke njohur kurrë, por që tani, pa ndonjë arsye, të quajnë armik.

Frikacakët mund të marrin guximin të të përqeshin, të të përflasin, të shpifin. Madje edhe do të përpiqen të të izolojnë, vetëm ngase ti nuk i trembesh zemrës tënde. Mos i dëgjo kur të thonë se duhet ta ndrydhësh ndjenjën dhe ta përplasësh atë në korridoret e errëta të shpirtit. Ata mendojnë se kështu bëhen më të fortë, madje edhe paraqiten si të tillë, por në vërtetë kanë frikë nga përballja me veten!

Ke vendosur të luftosh për vlerat e tua? Dëshiron të jesh ndryshe? Atëherë dëshmoje se ti je ndryshe. Bëhu gati të të sulmojnë dhe të të përqeshin. Të të kryqëzojnë si Krishtin. Edhe pse e dinë se ti përfaqëson të vërtetën, ata përsëri do të të kryqëzojnë, sepse e vërteta jote ka fuqi ta shembë botën e tyre të rrejshme.