~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 10

Nuk di nëse bëra mirë që ta tregova këtë histori. Kjo është nata e katërt me radhë që vetëm kjo më sillet nëpër mendje. Sonte do të jetë hera e fundit sepse, edhe sikur të dua, nuk është mirë që njeriu t’i trazojë shumë fantazmat e së shkuarës.

Pak kohë pasi rrugët tona u ndanë, unë i shkrova një letër.

Lexoje.

Edhe atëherë kur mbyll sytë dhe shoh fytyrën tënde,

Edhe atëherë kur i mbyll veshët akoma e dëgjoj zërin tënd,

Atëherë kur jam i humbur, krejt i përhumbur, është kujtimi i buzëqeshjes tënde, ajo zhurmë e këndshme që më këndon në vesh, që më tregon rrugën nga duhet të eci.

Atëherë kur jam i trembur, është hija jote ajo që më mbush me energji dhe e largon frikën.

Unë ende e ndiej aromën tënde!

Edhe tani të kam kudo nëpër trup!

Dikush edhe mund mos e besojë, por nuk dua t’ia di. Nuk dua t’ia di për ata njerëz që janë të verbër nga sytë dhe në shpirt. Edhe sikur të jetojnë edhe një mijë vjet, ata përsëri nuk kanë për ta kuptuar se dashuria e vërtetë lind atëherë kur e gjithë ratio-ja e kësaj bote thotë JO. Pikërisht atëherë, dashuria buthton, sepse dashuria e vërtetë dëshmohet kur të gjithë heshtin, kur të gjithë ikin, mu atëherë ajo dëshmohet dhe për këtë ajo është më e fortë dhe mbijeton në shekuj.

Ndoshta me njësitë tua matëse, ato me të cilat ti i mat gjërat, kjo dashuri edhe mund të jetë e vogël. Je mësuar me ata që japin tepër energji, me ata që, për një kohë të shkurtër, çmenden pas dikujt. Për që, pas disa ditësh, disa javësh, disa muajsh, përnjëherë thonë: “E harrova atë dhe tani dua dikë tjetër!”

Oh, Zot, çfarë marrëzie kolektive!

Mos më shiko e as mos më gjyko me sytë e gjithë botës.

Shikomë dhe gjykomë me sytë e ëndrrave tua. Shikomë dhe gjykomë me këta sy të shpirtit tënd, sepse unë e ruaj energjinë, përkushtimin tim. E ruaj sepse, edhe atëherë kur të plakemi, do të të dua prore. Edhe atëherë kur zemra ime të jetë krejt e vogël, të jetë krejt e lodhur, unë do të të dua edhe atëherë. Edhe kur mendja ime të jetë aq shumë e tukequr sa të mos kujtohem se çfarë kam bërë para pesë minutash, unë do të të dua edhe atëherë.

Do të të dashuroj edhe atëherë kur nuk do të kem më zemër, kur trupi im të bëhet hi e unë vetë do të jem vetëm hije! Do të të dashuroj edhe atëherë kur do t’i hap sytë në botën tjetër. Atëherë kur do të më pyesin për mëkatet e kësaj jete, atëherë kur me siguri do të dridhem nga frika, por edhe atëherë sërish do të të dashuroj! Do të mendoj për ty dhe do të të dua edhe më shumë edhe atëherë kur do të digjem në flakët e Ferrit.

Edhe sikur të më ofrojnë shpëtim me kushtin që të të harroj ty, unë përsëri do t’u them “jo”, se përndryshe do të gënjeja veten. Do t’i gënjeja edhe ata, sepse do të hiqja dorë nga gjithçka që është e mirë në jetën time.

Dhe a e di se çfarë bëra më pas? Këtë letër nuk e dërgova kurrë! Thjesht nuk pata guxim.

Tani, me siguri që je kureshtare të dish se çfarë e bën atë aq të veçantë dhe pse ndihem kështu. Çfarë e bën atë aq të veçantë, që ta kaloj jetën si të isha në ëndërr? Po. Mu si në ëndërr! Si ato ëndrrat që nuk të lënë të zgjohesh. Të jetoj duke e ditur se, sado që të përpiqem dhe çfarëdo që të bëj, kurrë nuk do të mund ta harroj. Të jetoj me ndjenjën se brenda meje gjithnjë do të ngelet diçka e paplotësuar. Një pjesë që mungon. Mungon pikërisht ajo pjesa që i jep kuptim tërësisë.

Secili prej nesh, brenda vetes, e ka një inat me botën që na rrethon. Ky inat është “sëmundja” më kronike dhe njëherësh më e përhapura në botë. Kjo për arsye se gjithkush nga ne vuan nga pamundësia që ta realizojë tërësisht atë që ia do shpirti. Të gjithë jemi të njëjtë në këtë. Dhe, në mendjen tonë, për këtë dështim na ka faj bota. Mendo pak për këtë inat. Mendo për inatin që ndien ti. Tani shumëzoje këtë më një milion dhe vetëm atëherë do të arrish ta kupton inatin që ndieja unë. Pse po ta tregoj këtë? Sepse vetëm ajo arriti t’i jepte kuptim këtij inati.

Jeta më ka përplasur pa mëshirë. Shpirti im ishte përfshirë në një stuhi shkretëtire, që e shkund gjithçka dhe më pas e mbulon me pluhur. Kaq i madh dhe i pështjelluar ishte inati brenda meje, inati që tërë kohën ndieja ndaj botës.

Ajo ishte e vetmja që u fut mu në mes të kësaj stuhie rëre. E vetmja që arriti të qetësonte gjithçka. Ajo ishte emisari i vetëm i paqes. Ajo më çarmatosi. Dhe kështu ajo u bë lidhja ime me botën. Vetëm nëpërmjet saj bëra paqe me veten. Dhe njeriu e shijon jetën vetëm atëherë kur shpirti i tij është në gjendje paqeje. Gjithçka tjetër është arratisje. Arratisje nga vetja.

Këtë aftësi të saj për ta qetësuar shpirtin tim e kam shprehur me këto vargje:

 

Sa e madhe është kjo zemër e imja,

sa shumë hyjnë dhe dalin,

por asnjë nuk zë vend.

Por ti ecën e nuk ndalesh,

është mister se si po e gjen rrugën nëpër tërë atë rrëmujë që ta hedh para!

Ajo ishte e vetmja që arriti ta shihte të mirën brenda meje. Ajo ishte e vetmja që besonte tek unë. Besonte edhe atëherë kur unë e humbja besimin te vetja. Ajo ishte fuqia ime. Dhe këtë e kuptova vetëm atëherë kur ajo doli nga jeta ime.

Nuk e di se në çfarë beson ti, por unë besoj se përtej botës materiale ka edhe diçka tjetër. Besoj se, krahas botës sonë, ekzistojnë edhe shumë botë të tjera, dimensione paralele, që ne nuk i shohim. Ndonjëherë, ndërsa ëndërrojmë, arrijmë të kalojmë në këto dimensione dhe të përjetojmë gjëra që e sfidojnë realitetin tonë. Atëherë kur na ndodh kjo, në të vërtetë nuk jemi më në ëndërr. Ëndrra ka shërbyer vetëm si portë për të kaluar në një dimension tjetër.

Ëndrra është një përjetim që ndodh vetëm brenda mendjes sonë. Duke u bazuar në hollësi të ndryshme të kujtesës, truri prodhon një realitet të rrejshëm. Kjo është edhe arsyeja pse ëndrrat gjithnjë i shohim si ngjarje filmike. Ne jemi spektatori, ndërsa ngjarja në ëndërr, ku njëri nga protagonistët jemi vetë ne, shfaqet si në film. Mendo pak për këtë krahasim. Sa kohë je zgjuar, asnjëherë nuk arrin ta shohësh veten. Ndryshe nga ëndrra, në jetën reale nuk e sheh veten të të shfaqet përpara si një rrëfim filmik. Kjo ndodh sepse, në jetën reale, veten dhe botën përreth nesh e përjetojmë në atë që quhet perspektiva e syve.

Tani është edhe një tip tjetër i ëndrrës. Një tip që njeriu e përjeton shumë rrallë në jetë. Në këto ëndrra të rralla nuk e sheh vetën si në film, por edhe në ëndërr e përdorim perspektivën e syve. Në këto ëndrra gjithçka ndodh sikur të ishe zgjuar. E vërteta është se këto nuk janë vetëm ëndrra. Gjatë këtyre përjetimeve, shpirti i njeriut arrin të kalojë në dimensione të tjera dhe të vendosë kontakt me krijesa që nuk i takojnë kësaj bote. Engjëj, demonë, shpirtra të vdekur dhe të humbur, salamandra e kushedi çfarë tjetër. Mos ta zgjas më shumë. E tëra që dua të them është se, kohë pas kohe, edhe unë shoh kësi ëndrrash. Dhe kur zgjohem e di se ato nuk ishin vetëm ëndrra. E di se dikush nga ana tjetër përpiqet të më thotë diçka. Thjeshtë ma kujton atë që dua ta harroj.

Kur gjej forcë të pajtohem me realitetin, kur bëhem gati të hedh hapin tjetër në jetë, pikërisht atëherë shoh kësi ëndrrash. Ajo më vjen në ëndërr dhe më përqafon. Unë e ajgëtoj atë me perspektivën e syve. Gjithçka është si në jetën e njëmendtë. Të gjitha i sendërtoj edhe njëherë. Në kulmin e emocioneve, zgjohem i tëri në djersë. Emri i saj del si klithje nga thellësia e shpirtit tim. Dhe gjithçka kthehet në fillim.

Një mëngjes, pas një përjetimi të tillë, ashtu i gjyfqyer, me- njëherë nisa të përshkruaja emocionet që ndieja.

Posa nis të harroj,

Kur për të mijtën herë arrij ta bind veten për një fillim të ri,

pikërisht atëherë ti në ëndërr më vjen,

Më përqafon sikur bota të mos ekzistojë fare në mes.

Të pyes: a më do?

E ti më thua se asnjëherë nuk pushove.

Më puth,

Më shtrëngon fort,

Si dikur në vesh më pëshpërit:

“Kurrë nuk mund ta dish sa shumë të dua”

Aty jam i lumtur,

Por prapëseprapë në djersë e ankth zgjohem!

Tani gjithçka duhet ta nis edhe njëherë nga fillimi,

Të jetoj me faktin se të zhgënjeva ty,

Të përpiqem përsëri të të harroj,

Edhe njëherë ta bind veten për një fillim të ri,

Derisa në një ëndërr tjetër përsëri të më përqafosh ti!