~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

Nata X plus 1

Ndërkaq e kisha kuptuar se sa gënjejnë ata që thonë se e ke tërë jetën përpara!

Si mund ta dinë këtë?

E tërë jeta përpara nesh mund të jetë vetëm edhe një sekondë më tepër.

Ne sillemi sikur të jemi të pavdekshëm, por e vërteta është se askush nuk e ka të sigurt as edhe një minutë më shumë në këtë botë. Fundi mund të rrijë fshehur para gjithkujt, duke pritur në pusi, në kthinën tjetër të radhës.

E tëra që kemi është ky çast, ky ‘tani’, ky për të cilin jemi të vetëdijshëm e që ikën ende pa arritur ta shijojmë.

Sa herë ndodhesha në udhëkryqe, sa herë lodhesha, sa herë ndieja peshën e zilisë dhe intrigave, sa herë prisja ndihmë nga të tjerët, isha vetë unë ai që në fund i jepja kurajë vetes.

“Pavarësisht se çfarë të thonë, pavarësisht sa përpiqen të të shkurajojnë, mos hiq dorë. Ndiqe ëndrrën tënde!” Këto fjalë ia thosha vetes dhe vazhdoj t’ia them sa herë gjendem në situata të ngjashme.

Ndërsa ti, ti që ende hamendëson, mos prit që të vijë dikush e të t’i mbushë bateritë. Jepi kurajë vetes. Jetoje të tashmen, sepse përndryshe jeta shndërrohet në një ritual shterp të kujtimit të ëndrrave të largëta. Ëndrrave që nuk pate guxim t’u japësh jetë!