~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

4

“Qëllimi i jetës sime! Cili është qëllimi i jetës sime?” Këtë pyetja ia kam bërë shpesh vetes.

Gjithnjë kam refuzuar që personaliteti im të përcaktohej nga ftohtësia dhe brutaliteti i mjedisit ku jetoja. Sa herë më jepej rasti, mendoja për Zotin, për universin, njeriun, botën e përtejme, për gjithçka që do të më ndihmonte ta zbuloja ëndrrën brenda vetes. Kisha nevojë ta bëjë këtë ngaqë, sado përpiqesha të përshtatesha me të tjerët, gjithnjë ndihesha i huaj. Thuajse kishte diçka tek unë që nuk shkonte në raport me botën.

Ndërkohë, siç ndodh gjithnjë, jeta na çon drejt shtigjeve të paparashikuara. Kështu ndodhi edhe me mua. Sado që isha i suksesshëm dhe kisha një dhunti të lindur që edhe gurin ta ktheja në para, të mirat materiale nuk ishin qëllim i jetës sime. Në fillim të viteve ’90, prindërit e mi i dëbuan nga puna dhe unë, si 15-vjeçar, u detyrova të bëja punë të ndryshme. Pothuajse gjithçka: që nga punëtor krahu e deri cigareshitës. Dhe kjo përvojë më mësoi se dimensioni material i jetës është diçka tepër relative.

E njëjta gjë vlente edhe për femrat. Nuk ka mashkull që nuk ndihet si një gjuetar dhe grabitqar i përhershëm. Nuk mund të mburrem dhe të them se ka pasur shumë femra në jetën time, por njëherësh do të gënjeja sikur të thosha se ka pasur pak. Ndërkaq, e vërteta është se as edhe jeta në aventurë, sado interesante dhe e zjarrtë, doli se nuk ishte qëllim i jetës sime.

Një kohë mendoja se jeta familjare do të ishte një nga ato hallkat ku gjithçka do të merrte një kuptim të ri. Por edhe kjo doli të ishte një iluzion i radhës, sepse vetëm më forcoi bindjen se nuk ka kontratë që e mban nën kontroll një shpirt rebel.

Kështu ishte deri në çastin kur përgjigjja erdhi vetvetiu. Nuk ishte ndonjë zbulim. Ishte ajo çka e kisha ditur tërë kohën. Diçka që unë, për shumë vjet, kisha zgjedhur ta shpërfillja dhe të mbyllja sytë para të vetmes gjë që i jepte kuptim universal jetës sime.

Ishte e thjeshtë. E trishtueshme dhe e thjeshtë. Vitet kishin kaluar sa hap e mbyll sytë, por unë ende nuk isha duke e jetuar qëllimin e jetës sime. Dhe çka është me e keqja, e kisha harruar veten. Njeriu që shihja në pasqyrë, vetëm në dukje isha unë. Ngaqë doja t’ia dilja mbanë në jetë duke shkuar nga një kompromis në tjetrin, në të vërtetë kisha zgjedhur rrugën më të lehtë. Kisha bërë kompromisin më të dhimbshëm. Atë të heqjes dorë nga vetja. Është e vërtetë se të jetuarit është kompromis, po ndërkaq çdo kompromis duhet të ketë një vijë të kuqe, sepse përndryshe vritet individi brenda nesh. Ngaqë duam të përshtatemi me botën, harrojmë se edhe ne jemi pjesë e vetë botës. Dhe, kur e harrojmë veten, atëherë, edhe në raport me të, fillojmë të përdorim sytë e botës. Dhe këtu lind pakënaqësia, ndjenja e plogështisë, ankthi i kotësisë, sepse ajo që të ofron bota as edhe një herë të vetme nuk mund të krahasohet me ëndrrën që vlon brenda njeriut.

Kjo kishte ndodhur edhe me mua. Në vend që të shpërtheja, zgjodha heshtjen. Isha në një gjendje të refuzimit estetik dhe jetën e kisha orientuar në një drejtim tjetër. Një jetë me rreziqe dhe aventura, sepse isha i bindur se flaka e të shkruarit ishte fikur brenda meje. Nuk kisha motiv. Mbi të gjitha, nuk kisha frymëzim. E kisha humbur besimin te njerëzit. E kisha humbur besimin se ia vlente të përpiqesha për diçka më të mirë, për diçka më të bukur. Megjithatë, mendja edhe mund ta kishte harruar, por shpirti im kërkonte ta jetonte së- rish ëndrrën e mëparshme. Mund të bëhesha milioner, njeri i fuqishëm. Mund të bëhesha gjithçka, por ama isha vetja vetëm atëherë kur shkruaja. Të shkruarit ishte qëllimi i jetës sime. Të shkruarit ishte e vetmja gjë që më mbushte me entuziazëm.

Gjërat më të bukura, ato të thjeshtat, shprehen vetëm me pak fjalë. Dhe me emocionin e sinqeritetit fëmijëror.

Por edhe çastet e rralla kur besojmë te njerëzimi. Ku ndihe- mi të fuqishëm ta mundim edhe injorancën e mendjemëdhenjve dhe arrogantëve që përpiqen të na ngulfasin me mendimet e tyre mbytëse. Këto ndodhin vetëm atëherë kur shpirti ynë është i mbushur me entuziazëm. Bukuria e jetës shpërthen nëpërmjet entuziazmit. Kur njeriut ia mohon entuziazmin, gjithçka që mbetet është vetëm ajo pjesa mekanike e jetës. Gjallon pa jetuar.

Kjo kishte ndodhur edhe me mua. E kisha humbur entuziazmin. Po ndërkaq e ndieja se edhe për mua kishte ardhur ai çasti kur frika duhej t’ia lëshonte rrugën guximit. Kishte ardhur koha që të jetoja. Kisha nevojë për frymëzim. Dhe, siç ndodh ndonjëherë në jetë, frymëzimi erdhi atëherë kur më së paku e prita. Ishte si një rreze drite, një vegim hyjnor, që e hoqi pluhurin nga shpirti im prej artisti.

Natyrisht që ka edhe një shpjegim shumë të thjeshtë për gjithë këtë: kisha takuar dikë që ishte ndryshe nga gjithë të tjerat. Ndryshe edhe nga ato që tërë ditën krrokatin se janë ndryshe, edhe pse janë vetëm sendërtime të një bote të huaj. Pra, isha përballur me një figurë ideale, e cila ma kishte turbulluar mendjen, ma kishte ndezur flakë zemrën dhe, ashtu si një uragan, m’i kishte lëkundur themelet e shpirtit. Një femër me efektin e elektroshokut, që edhe të vdekurin do ta ngjallte. Një femër që kishte fuqi të zgjonte më të bukurën brenda meje. Një muzë. Frymëzim mbi të gjitha frymëzimet tjera. Është shumë e mundur kjo që them, por meqenëse këtë libër do ta lexojë e gjithë bota, më mirë të mos i hymë asaj bisede.

E rëndësishme është se, më në fund, e kisha gjetur frymëzimin. Dhe ajo çka duhej të bëja ishte që të nisja të shkruaja. Dhe kështu bëra. Fillova të shkruaj ditarin.

Dhe krijova një bashkëbiseduese, një figurë ideale, që merrte kuptim vetëm në shpirtin tim. E quajta Rita. Shkurtim i emrit Margarita. Margarita është një nga emrat më të vjetër në Europë. Margarita, Margaret, Meg, Rita… që të gjitha këto janë një dhe, pavarësisht se në çfarë gjuhe përdoret, rrënjën e ka te fjala shqipe “margaritar”. Këtë kuptim e ka ruajtur edhe në gjuhët e tjera, sepse në të gjitha gjuhët emri i referohet margaritarit brenda guacës së detit. E tillë ishte edhe muza ime. Ajo ishte një margaritar, një thesar i fshehur. Ajo ishte sekreti im.

Mendimet e mia, situatat e njëmendta dhe ato imagjinare, ëndrrat, dilemat, esetë, vargjet, masturbimet mendore… që të gjitha, çdo mbrëmje, i shprehja në këtë bashkëbisedim. Duke folur me Ritën, unë në të vërtetë bisedoja me të gjithë botën. Dhe besova se e kisha gjetur pikën mbështetëse që Arkimedi e kërkonte për llozin e vet.

Ky ditar u bë libri im magjik ngase, sa më shumë shkruaja, aq më shumë zgjohej diçka brenda meje. Zgjohej ajo pjesa e vetes që kisha besuar se ndërkaq kishte vdekur brenda meje. Dhe ndërsa ndodhte kështu, m’u kthye edhe besimi te njerëzit. Më në fund besova se, po të jemi të vendosur, edhe mund ta ndryshojmë botën.