~ Ditar dashurie i një shkrimtari ~

2

Shkrimtari kishte kohë që nuk shkruante.

Për shumë vjet, ashtu në mënyrë të heshtur, frymëzimi krijues i ishte kthyer në mosgjë. Heshtja ia kishte tjetërsuar edhe shpirtin.

Tërë atë kohë, as që deshi t’ia dinte për shkrimet. Thuajse ikte prej tyre. Ikte sepse ato e kthenin te vetja. E kthenin prapa në kohë. Në ditët kur besonte se vetëm me fuqinë e mendjes mund ta ndryshonte botën. E kthenin në kohën kur atij i mjaftonte vetëm entuziazmi dhe nuk kishte nevojë për asgjë tjetër.

Këto kujtime e mërzisnin dhe sa herë mendonte për to, i dukej sikur e kishte zhgënjyer veten. Ndihej se i kishte tradhtuar ëndrrat e tij. Veten e tij. Andaj edhe ikte. Tërë kohën shestonte për një plan tjetër. Të merrej me një gjë krejt ndryshe.

Por askush nuk mund të arratiset e as të fshihet përgjithmonë. Gjithnjë dhe për gjithkënd vjen një çast kur edhe ikjes i vjen fundi.

Shkrimtari kishte mbërritur në fund të rrugës.

E kishte kuptuar tashmë se në çfarëdo lloj veprimtarie të kësaj bote të përfshihej, nuk do ta qetësonte dot shpirtin.

Nuk kishte se ku të shkonte.

Dhe vendosi të shkruante.

Ky është ditari i tij.