~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i tetë

1.

AFËR DUHLËS

Sulmi i armikut kishte dështuar plotësisht. Agroni dhe njësia e tij ishin tërhequr dhe po prisnin ardhjen e përforcimeve. Forcat armike e kishin ndalur sulmin me ushtarë dhe tani vetëm qëllonin me artileri nga largësia.

Hoxha u ul afër Agronit dhe nisi të thithte një cigare.

– Shumë inteligjente kjo manovra jote! Dhe për asnjë çast nuk e dhe veten! – i tha Agronit, ndërsa e thithi fort cigaren.

Agroni vetëm mblodhi supet dhe nuk i ktheu përgjigje ngaqë e kuptoi se Hoxha donte të dilte diku tjetër.

– Ti nuk je si ne të tjerët, që na ka detyruar nevoja të përfshihemi në luftë. Ti je tjetër dhe luftën e ke profesion. Kjo s’do shumë mend ta kuptosh. Dhe ma merr mendja se nuk jam vetëm unë që e vë re këtë. Prandaj ruaju, se armiku ka sy dhe veshë kudo, – tha Hoxha dhe, sikur të mos kishte thënë gjë, vazhdoi të thithte cigaren.

Hoxha kishte të drejtë. Në ato pak ditë që ndodhej në Bllacë, kishte bërë aq shumë dhe kishte rënë aq tepër në sy, sa ishte vetëm çështje kohe para se dikush ta tregonte me gisht.

2.

PO AJO KOHË

inda, e veshur me uniformë të zezë me shqiponjë në krah, po rrinte në një shtrat të improvizuar në njërën nga shtëpitë e braktisura që tani përdoreshin nga ushtria.

Oficeri kishte qenë kategorik dhe i kishte kërkuar ta vazhdonte patjetër misionin. Sipas tij, derisa të qetësohej situata, bomba ishte lënë diku në një vend të sigurt dhe patjetër do të transportohej rishtazi. Ndërkohë Oficeri i kërkoi Lindës të shërbente në ushtri, derisa të vinin udhëzimet e reja. Ajo pranoi, por ndërkaq ishte e bindur se në këtë mes kishte diçka më shumë. Kishte parandjenjën se Oficeri i fshihte diçka ose ndoshta thjesht mundohej të tregohej i mirë, që të justifikonte veten për vdekjen e Arbenit. Sidoqoftë, nëse ishte kjo e fundit, do t’i duhej mjaft punë e kohë. Por Linda pranoi të aktivizohej përsëri sepse i kishte dhënë fjalën Agronin, e jo se ishte e gatshme të ndihmonte Oficerin. Ishte e lodhur dhe nuk donte ta ngarkonte më shumë veten me këto mendime, prandaj u kthye në anën tjetër, mbylli sytë dhe pas pak e zuri gjumi.

3.

Kur arritën përforcimet, pothuajse gjithçka kishte përfunduar tashmë dhe e vetmja gjë që bënë të sapoardhurit qe një batare e madhe krismash, që ushtoi aq shumë sa të krijonte idenë se aty kishte zbarkuar e gjithë ushtria. Agroni dhe të tjerët ishin tërhequr tërësisht në prapavijë dhe disa prej pjesëtarëve të njësitit nuk e fshihnin dëshirën për të marrë një sy gjumë.

I pëlqente të ishte në shoqërinë e atyre njerëzve. Edhe pse asnjëri prej tyre nuk ishte nga ato anë, ata luftonin njëlloj sikur të mbronin fëmijët e tyre. Dhe mbi të gjitha ishin të matur e gjakftohtë. Agroni nuk ishte komandant njësiti, mirëpo gjatë tërë aksionit asnjëri prej ushtarëve nuk i kundërshtoi urdhrat e tij. Nuk ishin egoistë e as inatçinj dhe kjo i dallonte shumë prej të tjerëve, sepse, siç thoshte Agroni ndonjëherë me shaka, në ushtri dukej sikur kishte më shumë oficerë se ushtarë. Modestia dhe trimëria ishin virtytet më të mëdha të luftëtarit të mirë dhe Agroni shihte se të dyja këto virtyte i kishin pothuajse të gjithë ushtarët aty.

Hoxha ishte shtrirë te një kaçube dhe po shikonte yjet. Agroni e pati zili për qetësinë e tij, ndaj dhe shkoi e iu shtri pranë dhe, ashtu si ai, i drejtoi sytë nga qielli. Çfarë ironie! Vetëm pak kohë më parë luftonin për jetë a vdekje, ndërsa tani gjenin kohë të soditnin qiellin! Por, papritmas, e kaploi një ndjenjë e çuditshme. Përnjëherë Agroni u ndje fort i shqetësuar dhe pothuajse arriti ta ndiente erën e vdekjes.

Pikërisht në atë çast, Hoxha brofi më këmbë dhe nisi të shkundej.

– Po shkoj… – nisi të thoshte, por nuk mundi ta përfundonte fjalinë.

Një plumb e goditi në kokë dhe u kalamend. Nuk arriti as të ofshante dhe vdiq para se trupi të prekte tokën. Të gjithë u turrën ta ndihmonin. Edhe Agroni bashkë me ta. Por, kur po i afrohej trupit të Hoxhës, një plumb tjetër gati sa nuk ia fshiku veshin. Nuk arriti ta kuptonte se prej nga vinte. Të shtënat edhe kësaj here ishin të vetmuara. Snajper. Nuk kishte shpjegim tjetër.

4.

Asnjëri nuk mund të lëvizte. Përndryshe të fluturonte koka. Dhe nuk i dihej sa mund të kishte zgjatur kjo gjendje, sikur njësitet e tjera mos ta kishin lokalizuar snajperin dhe më pas ta asgjësonin. Vetëm pas një ore Agroni arriti t’i afrohej trupit të Hoxhës. Plumbi e kishte marrë pak mbi vesh dhe prej plagës çuditërisht nuk kishte rrjedhur shumë gjak. Pushkën ende e mbante fort në dorë, kurse sytë i kishte të hapur.
Me shumë kujdes, Agroni ia fshiu gjakun dhe ia vuri kokën në prehër. Nuk fliste e as nuk lëshonte zë, ndërsa shokët e tjerë iu mblodhën përreth dhe që të gjithë, në heshtje të plotë dhe duke hequr kapelat, ranë më gjunjë përpara trupit të bashkëluftëtarit të vrarë.

Heshtja!

Shtrëngimi i pushkës!

Ky ishin vajtimi më i mirë për luftëtarin.

Hoxha kishte lënë amanet që, nëse vritej, askush të mos vajtonte për të. Madje, përkundrazi, të gëzoheshin për të, sepse do të ishte një i shpëtuar. Aq shumë kishte pasur besim te Zoti, sa përherë thoshte se Ai dhe vetëm Ai i jep shpërblimet më të mëdha dhe më të vlefshme.
Agroni u ngrit më këmbë për të marrë në duar trupin e Hoxhës, por menjëherë i erdhën në ndihmë edhe të tjerët dhe e ngritën lart trupin e bashkëluftëtarit.

Përsëri heshtje.

5.

Hoxhën e varrosën në oborrin e xhamisë dhe në shenjë nderimi u zbrazën disa batare në ajër. Bashkëluftëtarët i bënë homazhet e fundit.
“Bashkë, si një grusht, një fuqi, se përndryshe edhe Zoti do të na kthejë shpinën”, u kishte thënë përherë Hoxha. Në ato çaste, ato fjalë u jehonin në veshë të gjithë bashkëluftëtarëve, ndërsa i jepnin lamtumirën e fundit.

Agroni priti deri në fund dhe, kur u shpërndanë të gjithë, iu afrua varrit. Mori një plis dheu dhe e mbajti në duar.

– Përherë ke dashur të vdesësh në ballë të luftës dhe Zoti është dëshmitari yt se e ke pasur me gjithë zemër, – tha me zë të ulët dhe e ktheu mbi varr plisin e dheut. Vuri kapelën dhe pastaj mori automatikun. E kishte plotësisht të qartë atë që do të bënte.

6.

Me arsyetimin se ishte i shqetësuar dhe i rënë shpirtërisht, mori dy ditë leje nga komanda. Gjatë ditës, në tregun e zi kishte blerë një uniformë të zezë, një heshtues zëri, eksploziv plastik, si dhe disa pajisje të tjera me të cilat mund të improvizonte një detonator me mekanizëm kohor. Në mbrëmjen e po asaj dite, i veshur dhe i maskuar i tëri në të zeza, u lëshua kodrave teposhtë dhe zuri vend mes vreshtave mbi Suharekë. Prej aty dukej stacioni policor, që ishte vendosur në hyrje të qytezës. Projektori i madh bënte dritë në pjesën e përparme të ndërtesës, kurse mbrapa thasëve të mbushur me rërë rrinin tre policë të armatosur deri në dhëmbë. Mitralozat e rëndë ishin vendosur para hyrjes dhe në dritare.

Nuk ishte hera e parë që Agroni zhvillonte aksione të tilla, por kësaj here do të donte të ishte bashkë me shokët e tij besnikë, që iu vranë në Lëndinën e Thanave. Ai e njihte mirë taktikën e policisë serbe dhe e dinte se në largësi të sigurta, diku në errësirë, ishin vendosur snajperë që shihnin gjithçka. Para se të nisej për sulm, patjetër që duhej t’i lokalizonte snajperët dhe për këtë, me dylbitë për shikim natën, këqyri tërë hapësirën përreth dhe gjithçka që i kapte syri.

Në anën e sipërme, mbi një tabelë të madhe, dalloi snajperin që rrinte shtrirë, kurse në anën tjetër të rrugës, në errësirë, ishin dy policë që rrinin në gjendje gatishmërie me automatikët në duar. U shtri përtokë, u zvarrit me shumë kujdes dhe vazhdoi përpara me qëllim që t’i dilte snajperit nga mbrapa.

7.

PAS 40 MINUTASH

Ishte tejet i përqendruar, me durimin më të madh, madje që të mos dëgjohej as kur merrte frymë, lëvizte çdo herë vetëm nga një centimetër. Pa u ndjerë, u afrua shumë pranë snajperit serb. Po të afrohej edhe pak centimetra, mund të rrezikonte të zbulohej, prandaj Agroni ndaloi dhe u bë gati për të qëlluar. E fiksoi mirë automatikun, të cilit qysh më parë i kishte vënë heshtuesin dhe shënjestrën optike, pastaj mori shenjë. Kryqi i shënjestrës u fiksua në kokën e policit, por kjo mbase nuk jepte rezultatin e duhur, sepse ai kishte vënë helmetë. Duhej të tregohej shumë i durueshëm dhe të priste çastin kur polici të ulte kokën dhe ta godiste në pjesën e prapme të saj aty, ku nuk e mbronte helmeta.

Merrte frymë shumë rrallë dhe vetëm priste. Priste sikur të kishte tërë kohën e kësaj bote. Më në fund, mbase i lodhur nga përgjumja, polici uli kokën.

“Tani”, mendoi Agroni dhe tërhoqi këmbëzën.

Plumbi çau ajrin pa zhurmë dhe e goditi policin në qafë, vetëm disa milimetra nën helmetë. Vdiq në vend. Agroni u zvarrit pa zhurmë, zuri pozicionin e policit të vrarë dhe prej aty këqyri terrenin.

Drita e projektorit ndriçonte gjithë hapësirën që shtrihej përpara, kështu që ishte e pamundur të depërtonte andej. Çdo përpjekje do të ishte vetëvrasëse dhe nuk mund të hakmerrej për Hoxhën duke vrarë vetëm një polic. Nxori paketat e eksplozivëve nga torba e vogël dhe kurdisi detonatorët e improvizuar kohorë, që të aktivizoheshin pas 90 sekondave. Disa paketa i futi nën trupin e policit. Më pas, pa menduar më gjatë, mori shenjë në drejtim të policëve që ishin në anën tjetër të rrugës dhe qëlloi mbi ta. Dy policët as që e prisnin një sulm nga ajo anë dhe ranë menjëherë përtokë. Nuk patën kohë të bënin as reagimin më të vogël e jo më të mbroheshin. Pastaj Agroni shtiu në drejtim të policëve të tjerë, por nuk kishte më kohë. Në kazermë u dha alarmi dhe për disa sekonda dolën me vrap dhjetëra policë të armatosur deri në dhëmbë. Atëherë u tërhoq me të shpejtë andej nga kishte ardhur më parë dhe u zhduk në errësirë. Ndërsa nxitonte, numëronte sekondat.

8.

Policët u përhapën menjëherë përreth, një grup lëvizi drejt tij, por ngaqë nuk e dinin se kush i kishte sulmuar aq befasisht dhe nga ç’drejtim, pas çdo hapi që hidhnin, bënin kujdes të ruanin kokën. Kështu atyre iu deshën 40 sekonda derisa arritën te vendi ku gjetën kolegun e tyre të vdekur. Menjëherë e rrotulluan për ta parë më mirë dhe nën të, për habinë e tyre, panë dritën e kuqe që shënonte sekondat e fundit… 3… 2… 1… Disa shpërthime të njëpasnjëshme e prishën përfundimisht qetësinë e natës.

Agroni e dinte se, pas shpërthimit, vështirë që dikush të kishte mbetur gjallë. Megjithatë, edhe pse aksioni i tij ishte një goditje e rëndë për armikun, sërish ishte i dëshpëruar: ishte hera e parë që nuk arriti ta përfundonte plotësisht atë duke lënë edhe nënshkrimin e vet. Kësaj here i ishte dashur të largohej me nxitim për të shpëtuar kokën. Dhe vazhdonte të vraponte e të vraponte, pa e pasur të qartë nëse po e bënte këtë për të shpëtuar prej policëve serbë apo prej vetvetes.

Në një çast, ndaloi. Pa se ishte bërë qull në djersë.