~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i shtatë

1.

BLLACË, KOSOVË

Fshati Bllacë shtrihet 10 kilometra në veri të Suharekës, afër pikës strategjike të Qafës së Duhlës, prej ku mund të shihet me sy i gjithë Rrafshi i Dukagjinit. Fshati i tanishëm është ndërtuar afër vendbanimit antik, të cilin banorët e quajnë Bllaca e Vjetër dhe daton që nga kohërat dardane. Dëshmi për këtë është edhe fakti se në mes të fshatit, në vendin e quajtur Bregishtë, shpesh dalin në sipërfaqe fragmente enësh, qeramike dhe tjegullash antike. Në dokumentet e shkruara, për herë të parë ky vendbanim përmendet në kartën e perandorit Dushan, më 1348, ku është shënuar si Bllatace, ku jetonte Gjon Shqiptari me të bijtë. Bllacjanët ishin pjesë e kryengritjeve kundër osmanëve, ndërsa prej dimrit të vitit 1912 iu kundërvënë me të gjithë forcën pushtimit serb dhe këtë rezistencë e paguan me çmim të madh. Më 1912, Bllaca kishte 1052 banorë, ndërsa më 1918 numri i tyre kishte rënë në 619, ngaqë shumë prej tyre u vranë ose u detyruan të iknin nga fshati. Gjatë kohës së pushtimit serb, si në kohën e Mbretërisë Serbe ashtu dhe gjatë Jugosllavisë komuniste, bllacjanët ishin nën trysni për të lënë shtëpitë e tyre dhe të shpërnguleshin në Shqipëri dhe në Turqi.

Për ata që e dinin këtë histori, nuk qe fare e papritur që në Bllacë u shfaqën menjëherë kryengritësit e armatosur dhe u formua shtabi vendor i UÇK-së. Kjo ishte ajo çka pritej, sepse bllacjanët kishin të gjitha arsyet e kësaj bote që, ndonëse nuk ishin të armatosur si duhej, të luftonin kundër forcave serbe.

Në fillim të vitit 1998, fshati kishte 450 familje me rreth 4700 banorë të ndarë në disa lagje, si Zekolli, Fangu, Kyçyku, Suka, Bajraktari, Nikaj dhe Selimi. Për shkak se ndodhej afër vijës ndarëse të frontit, fshati Bllacë jetonte në ankth të vazhdueshëm, në pritje të sulmeve serbe. Jeta në fshat ishte tejet e vështirë dhe me të filluar luftimet, një pjesë e banorëve lanë shtëpitë dhe u larguan në drejtim të zonave ku nuk zhvilloheshin luftime.

Forcat serbe ishin vendosura vetëm tri kilometra larg, në pikën strategjike të fshatit Duhël, dhe prej aty, pothuajse çdo ditë, bombardonin fshatin me minahedhëse. Policia dhe ushtria serbe i ruanin pozicionet gjatë ditës, ndërsa çdo mbrëmje tërhiqeshin në bazat e tyre në Suharekë, për t’u kthyer sërish të nesërmen në mëngjes. Komanda e UÇK-së nuk e lejonte sulmin frontal kundër pozicioneve të armikut, me frikën e arsyeshme se kjo mund t’i nxiste forcat serbe të hakmerreshin ndaj popullatës civile. Problemi kërkonte një zgjidhje tjetër, por askush ende nuk kishte ndonjë ide të qartë sesi mund ta realizonte këtë.

2.

Me t’u ndarë nga Linda, Agroni kishte kaluar ilegalisht kufirin nga Mali i Zi për në Shqipëri dhe aty ishte bashkuar me vullnetarët që mblidheshin në kampet e UÇK-së. Pikërisht ashtu si e kishte menduar agjenti Smith, fotografia e publikuar në gazeta i kishte krijuar probleme, sepse të gjithë po merreshin me të. Megjithatë, ai ishte i vendosur të mos tërhiqej nga misioni i tij. Për këtë arsye, shkurtoi flokët pothuajse zero, rriti mjekrën, ndryshoi ngjyrën e syve me anë të lentave, madje holloi edhe vetullat dhe tani, me këto ndryshime, nuk i ngjante aspak vetes. Brenda disa ditësh, ia doli ta krijonte me sukses identitetin e tij të ri si vullnetar i ardhur nga ShBA-të dhe askush nuk e dinte më se kush ishte në të vërtetë. Në bisedat mes ushtarëve dëgjonte sesi ata flisnin me admirim për komandant Agronin, ndërsa të tjerë thoshin se e njihnin e madje kishin luftuar përkrah tij. Agroni e kishte të vështirë ta përmbante veten e të mos qeshte me ta, sepse nuk e njihte asnjërin prej tyre.

Fatmirësisht, nuk iu desh të rrinte shumë në Shqipëri, sepse vetëm pas disa ditësh, bashkë me shumë vullnetarë të tjerë, kaloi në Kosovë dhe me urdhër të Shtabit të Përgjithshëm, grupi i tij iu bashkua njësive të UÇK-së në fshatin Bllacë. Në njësitin e tij kishte pak vendas, ngaqë pjesa më e madhe ishin vullnetarë të ardhur nga të gjitha anët e Kosovës, si dhe nga Maqedonia dhe diaspora. Mes të tjerëve, ishte edhe një hoxhë, i cili i la shumë përshtypje Agronit dhe menjëherë filloi të shoqërohej me të. Hoxha nuk kishte aspak dëshirë të fliste për veten dhe pakkush ia dinte emrin e vërtetë, ndaj dhe të gjithë e thërrisnin Hoxha, çka ishte bërë edhe emri i tij i luftës. Pasi serbët ia kishin djegur fshatin dhe kishin vrarë shumë nga bashkëfshatarët e tij, Hoxha e kishte lënë profesionin e predikuesit fetar dhe i ishte bashkuar lëvizjes çlirimtare si ushtar i thjeshtë. Po aq sa vlerësonte trimërinë, ai e donte dhe e vlerësonte shumë jetën, prandaj i këshillonte ushtarët të ruheshin e të mos rrezikonin pa qenë nevoja. Por disa prej tyre, që ishin ende fare të rinj në moshë, kishin dëshirë të tregonin sesa të zotë e sypatrembur ishin në luftë dhe shpesh futeshin në rreziqe të panevojshme.

– Zoti na këshillon ta ruajmë pak veten, se atëherë ai na ruan më shumë! – u thoshte Hoxha ushtarëve të rinj, megjithëse për vete dëshironte të vritej në ballë të luftës. Për të, të vdisje si dëshmor, ballë për ballë me armikun, ishte nderi më i madh për njeriun.

Miqësia mes Hoxhës dhe Agronit u forcua edhe më shumë në beteja, ku ky i fundit dëshmonte vlerat e tij prej luftëtari trim dhe të paepur. Shumica e ushtarëve ishin pa përvojë dhe shpeshherë kishte ndodhur që ta humbnin toruan në vijën e frontit, kur shihnin tanket dhe autoblindat serbe të afroheshin drejt tyre. Dhe me të drejtë kishin frikë, sepse armatimi i lehtë që kishin në përdorim nuk kishte efektin e dëshiruar mbi automjetet e blinduara. Duke parë këtë gjendje, gjatë një beteje, Agroni u ngrit nga istikami dhe iu drejtua tankeve. Lëvizte me shumë kujdes, por megjithatë veprimi i tij ishte një manovër tepër e rrezikshme dhe në çdo çast mund të goditej për vdekje. Me gjithë rrezikun, Agroni arriti t’i afrohej një tanku dhe e preku me dorë, me qëllim që t’u dëshmonte ushtarëve se tanku nuk është diçka e paprekshme. Veprimi i tij menjëherë i trimëroi ushtarët dhe dy prej tyre, të armatosur me RPG-7, dolën nga pozicionet dhe iu afruan një tanku. Njëri nga ushtarët e futi predhën antitank në RPG-7, ndërsa ushtari tjetër mori shenjë dhe e goditi tankun në rrota dhe arriti t’ia këpuste zinxhirët. Ky ishte tanku i parë i ushtrisë serbe që u shkatërrua në ato anë dhe pati jehonë mes luftëtarëve. Prej asaj dite, serbët nuk u afroheshin më pozicioneve me mjete të blinduara dhe në vend të tyre iu kthyen bombardimeve. Ato u bënë aq të ashpra dhe të pandërprera, sa Agroni dhe luftëtarët e tjerë detyroheshin të rrinin gjithë ditën nëpër istikame, pa mundur të ngrinin as kokën. UÇK-ja nuk kishte artileri që t’u kundërvihej dhe kështu, nga distanca, serbët i detyronin të rrinin të ngujuar. Kjo gjendje u bë e padurueshme për Agronin, i cili nuk ishte mësuar të priste në pozicione. Pas katër ditëve që kaloi strukur, ai nisi të planifikonte neutralizimin e pikës prej nga bombardonin serbët. Ajo që po planifikonte nuk do t’i kishte rënë ndërmend askujt tjetër dhe aksioni i tij do të tregohej e ritregohej për një kohë të gjatë.

3.

Shtabi i UÇK-së, që për vite të tëra ishte marrë me planifikimin e kryengritjes, nuk ishte i përgatitur që brenda pak ditëve, UÇK- së t’i bashkohej një numër aq i madh vullnetarësh. Për një kohë të shkurtër, numri i tyre u qindfishua dhe kjo shoqërohej me probleme të shumta organizative, qoftë për përcaktimin e vijës së qartë vertikale të komandës, po ashtu edhe për trajnimin dhe furnizimin me armë të luftëtarëve të rinj. Pjesa më e madhe e ushtrisë ishte e armatosur lehtë dhe mungonin shumë nga pajisjet elementare me të cilat mund të bëhej luftë frontale. Furnizimi me municione po ashtu ishte një problem më vete, që shpesh shoqërohej me rreziqe të shumta. Rruga e vetme e furnizimit ishin shtigjet malore në kufirin me Shqipërinë, që duhej të kaloheshin më këmbë, por ndodhte shpesh që kolonat e UÇK-së të binin në pritat serbe.

Në këtë situatë, Agroni as që mund ta llogariste shfrytëzimin e pajisjeve të posaçme luftarake, që ai edhe njësia e tij i kishin përdorur më parë. E vetmja armë që kishte në dispozicion ishte pushka e tij AK-47. Ai e dinte ndërkaq se arroganca dhe egërsia e serbëve ishte nxitur edhe nga fakti se ata kishin informacion që UÇK-ja nuk kishte aq armatime sa të mund të rrezikonte pozicionet e tyre të fortifikuara mirë. Megjithatë, ata nuk kishin si ta dinin se mendja e Agronit ishte arma më e rrezikshme që mund të ekzistonte në atë pjesë të frontit. Ai kishte vrarë mendjen dhe kishte shqyrtuar disa mundësi për mënyrën sesi do ta sulmonte fortifikatën serbe në Duhël, por asnjëra nuk kishte gjasa për të qenë e suksesshme. Për më tepër, i mungonin njerëzit e specializuar, si dhe armatimet e nevojshme për të realizuar ndonjërin prej planeve të hartuar. Gjithsesi, duhej gjetur patjetër një mundësi, mbase edhe duke improvizonte diçka që nuk ishte regjistruar në asnjë luftë më parë.

Mjetet shpërthyese artizanale të improvizuara janë përdorur në luftëra që nga koha kur partizanët bjellorusë sulmonin trenat e gjermanëve, por në doktrinën luftarake ishin futur pas luftës së Vietnamit dhe sulmeve të IRA-s. Një mjet shpërthyes artizanal mund të bëhej nga gjithçka, duke filluar nga plehu kimik e deri te kombinimi i lëndëve të ndryshme, por Agronit kësaj here i duhej diçka krejt tjetër në kuptimin e fuqisë dhe përmasave. Ai planifikonte të realizonte një shpërthim aq të madh sa serbët të mendonin se UÇK-ja kishte në dispozicion armatime të sofistikuara. Me mendjen e tij, Agroni e kishte hartuar ndërkaq skicën e një bombe të madhe, e cila, kur të shpërthente, do të bënte që të dridhej jo vetëm toka nën këmbët e forcave serbe, por edhe morali i tyre do të tronditej pa kthim. Gjithçka i duhej tani ishte të gjente një bojler që të ishte në gjendje pune.

4.

– Ta merr mendja se kjo mund të funksionojë? – i tha Hoxha, pasi Agroni shpjegoi planin e tij.

– Po! – ia ktheu ai me shumë vendosmëri. Dhe vazhdoi: – Çdo bombë përbëhet nga fitili, detonatori, mbushja eksplozive, energjia që vë detonatorin në veprim dhe mbështjellësi. Pajisja jonë i ka të gjitha këto elemente dhe madje do të jetë shumë më e fuqishme se një bombë konvencionale.

– Dhe për këtë do të përdorim bojlerin!? Nuk e di sesi mund ta kthesh bojlerin në bombë! – tha Hoxha me mosbesim.

– Duhet të dish se një bombë artizanale mund të ndërtohet edhe me plehun kimik që përdoret në bujqësi. E jona është shumë më thjeshtë. Do të marrim një bojler prej 300 litrash, do t’ia zbrazim ujin dhe më pas, kur të thahet, do ta mbushim me barut, me sfera hekuri, profile, gozhdë e gjithçka tjetër të metaltë që mund të gjejmë. Në pjesën e sipërme do të krijojmë një kulm prej kazmash…

– Kazma?! – pyeti Hoxha me habi.

– Po. Pjesën metalike të kazmës. Do të na duhen dy të tilla, që t’i lidhim në formën e kryqit, si helikat e helikopterit.

– Asgjë nuk po kuptoj!

– Është fare thjeshtë! – këmbënguli Agroni.

– Ndoshta për ty, por jo për mua. Megjithatë, fillo nga puna, se unë do të të ndihmoj. Edhe sikur të ma shpjegosh për një muaj të tërë, përsëri nuk do të kuptoj asgjë.

Agroni s’kishte se çfarë t’i shpjegonte më, por edhe Hoxha ishte fort i sinqertë në atë që thoshte. Pas kësaj, fjalët ishin të tepërta, ndaj dhe të dy iu futën punës. Iu deshën tri net që ta përfundonin veprën e tyre, sepse punonin vetëm natën dhe vetëm atëherë kur e dinin se nuk i shihte njeri. Në fund, bojleri u bë aq i rëndë sa ishte e pamundur të bartej me duar dhe për këtë e morën një makinë për ta transportuar.
Para se të niseshin, Agroni ndoqi me dylbi tërheqjen e zakonshme që bënin forcat serbe çdo mbrëmje, deri sa ato u larguan në drejtim të Suharekës. Hoxha i jepte makinës me drita të fikura, sepse mund të zbuloheshin nga larg dhe kjo mund t’ua prishte planin. Pas dhjetë minutash, arritën te fortifikata ku zinin pozicion gjatë gjithë ditëve ushtarët dhe policët serbë.

Agroni filloi menjëherë nga puna. Gjatë vrojtimeve kishte identifikuar pikën që ishte në qendër të pozicioneve serbe dhe aty nisi të hapte një gropë. Agroni gërmonte me kazmë, ndërsa Hoxha nxirrte dheun me lopatë. Hapën një gropë të thellë e të gjerë aq sa të nxinte bojlerin. E vendosën atë vertikalisht, po në atë pozicion që vendosej zakonisht nëpër shtëpi, ndërsa anash e përforcuan me gurë, në mënyrë që të mos lëvizte. Pasi e futën bojlerin në gropë, pastruan dhe maskuan vendin. Dheun që kishte mbetur e mblodhën dhe e larguan gati njëqind metra më tutje, sepse Agroni nuk donte të linte as edhe gjurmën më të vogël, sepse kjo mund t’i bënte serbët të dyshonin, kur të vinin të nesërmen në mëngjes.

Ndërkaq, Agroni përdori një kabllo me tri tela të gjatë gati 500 metra, që e lidhi drejtpërdrejt me kabllon furnizuese të bojlerit. E shtriu atë me kujdes nëpër terren duke e fshehur e maskuar sa më mirë. Tani mbetej vetëm të lëshonte rrymën elektrike. Por për këtë do të prisnin deri në mëngjes, kur të ktheheshin forcat serbe.

5.

Njësitë speciale të policisë serbe, të armatosura deri në dhëmbë, arritën herët në mëngjes. I pozicionuan automjetet e tyre të blinduara në një gjysmëhark të kthyer në drejtim të vijës së frontit dhe menjëherë filluan të vendosnin granatahedhësit. Sikur t’i ndillte diçka e padukshme, pjesa më e madhe e tyre rrinin grumbull rreth vendit ku ishte groposur bojleri. Asnjëri prej tyre nuk dyshonte se atë ditë diçka ndryshonte prej herëve të tjera.

Agroni dhe Hoxha ishin vendosur në një shtëpi të braktisur, rreth 300 metra larg prej pozicioneve serbe, ku ndiqnin çdo lëvizje. Agroni priti derisa policët zunë pozicionet e tyre dhe me dorë i dha shenjë Hoxhës se ishin gati.

– O Zot, me ndihmën tënde! – tha Hoxha dhe futi telat e kabllos në prizë.

Do të duhej kohë derisa bojleri të shpërthente. Kaloi një minutë… dy… tri … Çdo minutë dukej sikur të ishte shekull. Asnjërit prej policëve serbë nuk kishte si t’i shkonte mendja në atë që do t’i gjente. Me sharje dhe shaka cinike, po fillonin të bënin gati armët e tyre, që pas pak do të villnin zjarr ndaj fshatrave shqiptare. Në ato çaste, Agroni po përshkruante me mendje procesin që po ndodhte brenda bojlerit.
Rryma nga priza përcillej te bojleri dhe pas pak shufrat e brendshme me të anë të së cilave ngrohet uji, filluan të nxeheshin. Kësaj here në bojler nuk kishte ujë dhe procesi i ngrohjes ishte shumë i shkurtër. Në pjesën e poshtme, përreth shufrave, ishte vendosur sasia më e madhe e barutit, ndërsa pjesa e sipërme ishte pothuajse e tëra me copa metali. Pas njëfarë kohe, nxehtësia filloi të shpërndahej nga shufrat te baruti, i cili u ndez. Meqë baruti ishte i ngjeshur dhe nuk kishte shumë ajër, djegia e tij ishte e ngadaltë dhe krijonte trysni në drejtim të pjesës së sipërme të bojlerit. Pas kësaj filluan të nxehen edhe copat e metalit, çka e rritën edhe më shumë trysninë dhe bojleri filloi të vibronte, por gurët në pjesën anësore nuk e lejonin të lëvizte. Më në fund arriti pika kritike dhe mbështjellësi i bojlerit nuk arrinte ta mbante më trysninë e madhe që po rritej e po rritej nga brenda…

6.

SUHAREKË, E NJËJTA KOHË

Ishte një ditë e bukur me diell dhe banorët e qytezës së Suharekës përpiqeshin të vinin sadopak rregull në përditshmërinë e tyre. Qyteza ishte nën kontrollin e rreptë të forcave serbe, ndonëse në tri anë ishte e rrethuar nga njësi të UÇK-së.

Ata pak njerëz që kishin dalë rrugëve nuk mund ta dinin se çfarë do të ndodhte. Edhe pse larg nga Duhla, për një çast toka u trand si prej ndonjë tërmeti të fuqishëm, pastaj u dëgjua edhe ushtima e një shpërthimi. Të gjithë, madje edhe policët në rrugë, menduan se ushtria serbe kishte përdorur ndonjë nga armët e veta të kalibrit të rëndë. Nuk kishte shpjegim tjetër. UÇK-ja nuk kishte armatime që mund të shkaktonin një shpërthim të tillë.

7.

DUHËL, E NJËJTA KOHË

Edhe pse bombën e kishte ndërtuar me mjete primitive,mënyra sesi u realizua shpërthimi dëshmoi se Agroni ishte mjeshtër i vërtetë në zanatin e tij. Pikërisht në vendin ku ishte hapur gropa për bojlerin, ishte vendosur një autoblindë, e cila ishte e para që u godit. Nga pjesa e poshtme e bojlerit ishte nisur një forcë e madhe shtytëse, e cila, ngase nuk kishte ku të shkonte tjetër, krijoi një trysni edhe më të madhe në pjesën e sipërme. Atëherë, kazmat e rënda, të lidhura në formë kryqi, nisën të rrotulloheshin. Pas një të qindtës së sekondës, bojleri shpërtheu. Në çastin kur kazmat, të nxehura dhe të shtyra nga forca e madhe e shpërthimit, dolën në sipërfaqe, e shpërthyen fundin e autoblindës sikur të ishte karton. Më pas, sferat metalike, gozhdët e shumta, bashkë me pjesë të autoblindës, u shpërndanë në të gjitha anët dhe goditën shumë policë duke krijuar përshtypjen e një predhe misterioze. Gjithçka zgjati vetëm disa sekonda, por mjaftoi që aty të bëhej një batërdi e vërtetë, aq sa edhe vetë Agroni dhe Hoxha mbetën gojëhapur. As ata vetë nuk e kishin pritur një rezultat të tillë.

8.

NJË DITË MË PAS
Malisheva është qyteti i parë që u çlirua në Kosovë. Vetëm tani po e quanin qytet, se më parë disa nuk e dinin fare se ku binte. Ushtria Çlirimtare kishte ngritur aty institucionet e pushtetit të ri dhe jeta zhvillohej normalisht. Gjatë ditëve të nxehta njerëzit shkonin të laheshin në burimin e ujërave termale, kurse të enjteve bëhej pazar që nuk mbahej mend në ato anë.
Hedhja në erë e pozicioneve serbe në Duhël e kishte ngritur lart namin e Agronit dhe Hoxhës. Që të dy i thirrën në komandë, që të jepnin shpjegime para një komisioni të ngritur enkas për atë rast.
– Nuk mund të duronim që barbarët serbë të na bombardonin çdo ditë e ne të rrinim të strukur si lepuj, – tha Hoxha duke iu përgjigjur pyetjes sesi kishin mundur t’i shkatërronin në atë mënyrë pozicionet serbe.
– Mirë, këtë mund ta marrim me mend, po ku e morët tërë atë eksploziv? – i pyeti njëri nga ushtarakët. Agroni dhe Hoxha nënqeshën dhe nisën të shpjegoheshin.
– Nuk kemi përdorur eksploziv, – tha Hoxha.
– Nëse nuk ishte eksploziv, atëherë çfarë ishte?
– Bojler! – tha Hoxha, po me buzën në gaz. Edhe njëri prej anëtarëve të komisionit po ashtu vuri buzën në gaz, me idenë se Hoxha po gjente kohë të bënte shaka.
Agroni e kuptoi se çfarë nënkuptonte nënqeshja e ushtarakut. Përdorimi pa leje i pajisjeve të shtrenjta ishte i dënueshëm, prandaj duhej të ndërhynte. E kuptoi se ushtaraku ishte inatosur, ngaqë nuk e kuptoi atë që tha Hoxha.
– Ne të dy, – ndërhyri Agroni, – morëm një bojler, e mbushëm me barut dhe…
Pastaj ua shpjegoi gjithçka në mënyrë të hollësishme. Kur e përfundoi rrëfimin, oficerët po shikonin njëri-tjetrin me habi. Nuk e prisnin një përgjigje të tillë. Ajo që u tregoi Agroni ishte diçka shumë e thjeshtë, por njëherësh edhe shumë efikase, sepse kishte shkatërruar gjithçka përreth pozicioneve të fortifikuara serbe. Ndërsa të vrarët e të plagosurit ishin edhe më të shumtë. Nga shkëlqimi në sytë e oficerëve, Agroni e merrte me mend se çfarë mendonin ata dhe i dukej sikur i dëgjonte teksa pyesnin veten sesi nuk u kishte rënë ndër mend një gjë e tillë.

9.

PRISHTINË, ZYRA AMERIKANE

Në katin e dytë të ndërtesës, ku ende nuk lejohej të ngjiteshin personat e paautorizuar, agjenti Smith po lexonte porositë që kishin mbërritur nga qendra në Lengli. Teoria e tij se po luhej një lojë e shumëfishtë mbështetej edhe prej analistëve në Lengli, por sipas mendimit të tyre ishte ende herët që fajtori të kërkohej mes pjesëtarëve të klasës politike shqiptare. Analistët po ashtu sugjeronin se i duhej kushtuar më shumë vëmendje analizës së veprimeve të shërbimeve serbe. Sipas qendrës, me të cilën Smithi pajtohej plotësisht, reagimi i shërbimeve serbe ishte i dyshimtë. Ajo që e habiste me të vërtetë qendrën në Lengli, por edhe vetë agjentin Smith, ishte koha e gjatë që kishte kaluar pa u vënë re as edhe shenja më e vogël se ku ndodhej bomba. Edhe informacionet nga terreni, që fillimisht rridhnin në mënyrë të pandërprerë, pothuajse kishin shteruar. Ishte njëlloj sikur dikush thjesht ta kishte ndërprerë apo ta kishte ndalur burimin.

10.

Agroni po bënte roje. Kishte kaluar mesi i natës dhe nga pozicioni ku ndodhej, çdo gjë dukej e qetë. Nuk i pëlqente të bënte roje. Rojet përherë i merrnin goditjet të parët. Për më tepër, pas asaj që i kishte ndodhur te Lëndina e Thanave, i dukej sikur pas çdo skute mund të fshihej një rrezik i ri. Sikur në çdo çast do të dilte dikush nga errësira dhe do ta sulmonte pas shpine. Ndonëse ishte trajnuar dhe kishte shumë përvojë, e dinte se nuk mund të ishte i përsosur në gjithçka, ndërsa ngjarjet e javëve të fundit e kishin bërë edhe më të vetëdijshëm për këtë. Për këtë arsye po tregohej edhe më syçelët se më parë. Ishte shtrirë rrëzë një kodrine dhe me tërë qenien e vet mundohej të bëhej njësh me natën dhe të ndiente çdo lëvizje. Për të, nata ishte një mister më vete, madje edhe me një harmoni të përkryer të llojit të vet, ndaj dhe duhej të kishe shumë përvojë për ta ndier e kuptuar edhe ndryshimin më të vogël, sidomos në largësi. Por atë natë parandjenja dhe i instinktet thoshin se mund të ndodhte diçka. Kishte diçka që nuk shkonte!

Nxori dylbitë për shikim natën dhe me shumë kujdes filloi të vëzhgonte përreth.

Asgjë.

Në pozicionet ku rrinin serbët gjatë ditës, nuk kishte as edhe një frymë njeriu.

Ndërsa po këqyrte terrenin në kodrën më të lartë ku ndodheshin pozicionet e përhershme të serbëve, pa sesi ushtarët, në qetësinë më të madhe dhe në errësirë të plotë, po bëni gati minahedhësit. Diku më tej pa se po u ngjiteshin kodrave kolona me njerëz të armatosur, të gjithë veshur me të zeza.

Sulm i kombinuar.

Nuk kishte shpjegim tjetër. Serbët planifikonin t’i zinin në gjumë.

Agroni u tërhoq nga vendroja dhe në qetësinë më të madhe i zgjoi shokët e njësitit nga gjumi. Pas pak, nën udhëzimet e tij dhe në heshtjen më të madhe të mundshme, njësiti filloi të lëvizte drejt kodrës dhe zuri pikat më strategjike. Agroni urdhëroi vendosjen e mitraljerëve në pikat më të larta dhe të fortifikuara, kurse të tjerëve u tha ta formonin një gjysmëhark. Ata ishin vija e parë dhe ndoshta e fundit e mbrojtjes. Tanimë varej prej tyre nëse serbët do të arrinin të depërtonin deri në fshatra dhe të fillonin masakrat.

Pasi i vendosi ushtarët nëpër pozicione, njoftoi komandën me radio dhe kërkoi që ngritja e njësisë ushtarake në alarm të mos bëhej me zhurmë. Oficeri i gatishmërisë, kur e kuptoi se ishin zhvendosur nga pozicionet e mëparshme dhe kishin bërë përpara, nisi ta qortonte Agronin, por ky nuk kishte kohë të dëgjonte dokrrat e tij. Ishte i bindur se serbët e kishin planifikuar mirë sulmin e tyre dhe granatat e para do të binin pikërisht në pozicionet ku kishin qenë pak më parë pjesëtarët e njësitit të tij dhe për këtë ishte më se i sigurt.

Kolonat në të zeza vazhdonin të ngjiteshin, por për një çast të gjithë ndaluan. A thua i diktuan? Megjithatë Agroni nuk lejoi askënd të hapte zjarr. Duhej të priste e të shihte sesi do vepronin serbët para se të jepte urdhrin.

Ndërkaq, predhat e minahedhësve çanë ajrin me frushullimë. Granatat e para ranë pikërisht në pozicionet ku kishte qenë vendosur gjatë natës njësiti i Agronit, pastaj edhe në vendbanimet që ndodheshin më tutje. Pra, Agroni kishte pasur të drejtë kur e kishte zhvendosur njësitin e tij. Dhe lëvizja e njësitit përpara e jo mbrapa kishte qenë një veprim i menduar mirë, sepse kështu shkurtohej rrezja e veprimit të artilerisë armike dhe nuk dëmtoheshin luftëtarët. Por armiku nuk e priste një veprim të tillë taktik dhe kishte menduar se mund ta asgjësonte njësitin.
Me të filluar bombardimi, nisën të lëviznin edhe policët dhe ushtarët e veshur në të zeza. Po ecnin me hap më të shpejtë, me shpresën se do t’i zinin në panik dhe befasi luftëtarët e UÇK- së. Kur u afruan edhe më shumë, pjesëtarët e njësitit po rrinin gati, me gishtin në këmbëz, por Agroni ende nuk po i lejonte të shtinin. Duhej ta shkatërronte patjetër valën e parë të sulmit, përndryshe beteja do të ishte e humbur. Serbët ishin shumë më tepër në numër, ndërsa Agroni kishte vetëm një grusht ushtarësh me vete.

Pritja dhe heshtja e tmerrojnë ushtarin më shumë se vetë lufta. Çdo sekondë që kalonte e shtonte përherë e më shumë adrenalinën e secilit prej luftëtarëve dhe këtë Agroni e dinte mirë, ashtu siç e dinte se të gjitha shpresat e ushtarëve ishin drejtuar tek ai. Si zakonisht, Hoxha ishte afër Agronit dhe mbante një cigare në gojë. Nuk e kishte ndezur, por e mbante në gojë vetëm që të mposhtte stresin. Atëherë kur të gjithë prisnin një fjalë prej tij, Agroni nxori një çakmak nga xhepi dhe, për habinë e të gjithëve, ia ndezi cigaren Hoxhës.

Armiqtë ishin vetëm tridhjetë metra larg tyre dhe mund ta shihnin.

Në të vërtetë, sapo i panë! E kuptuan se ishin zënë në befasi dhe ata që ishin në krye të kolonës ndaluan.

Agroni shtrëngoi automatikun dhe shtiu i pari. Pas tij edhe të tjerët. Mënyra e vendosjes së njësitit në gjysmëhark ishte më se e qëlluar. Mitralozat e rëndë vetëm villnin zjarr, ndërsa poshtë tyre bëhej kasaphanë e vërtetë. Ndonjëri prej ushtarëve armiq përpiqej të bënte rezistencë, por gjithçka ishte e kotë.

11.

Agroni urdhëroi tërheqjen, sepse e dinte që nuk do të mund ta mbante më tej vijën e sulmit. Që të gjithë u vunë pas tij, pa asnjë kundërshtim. Koha e tërheqjes ishte vërtet e llogaritur me saktësi, sepse menjëherë pasi lanë pozicionet, granatat e armikut filluan të binin edhe aty.
Vala e parë e sulmit të armikut u thye. Agroni dhe njësiti kishin kohë ta merrnin veten dhe të prisnin përforcimet. Armiku nuk mund ta vazhdonte sulmin, sepse e kishte humbur elementin e befasisë.

12.

DIKU NË KOSOVË, DISA DITË MË PARË

Sapo ishte ndarë nga Agroni, Linda menjëherë ishte larguar nga Ulqini. Ishte me fat që askush nuk ia kishte publikuar foton në asnjë gazetë. Siç dukej, amerikanët nuk u kishin dhënë serbëve asnjë informacion për të. Me siguri që nuk donin t’ua bënin të ditur se kishin bashkëpunuar me dikë nga UÇK-ja. Linda mori një taksi dhe udhëtoi me të deri në Podgoricë. Aty mori autobusin e linjës dhe shkoi në Novi Pazar. Prej aty, sërish me taksi, mbërriti në Mitrovicë. Pastaj, nëpër “rrugët e trimave”, si i quanin rrugët e ndërtuara nga UÇK-ja, arriti në zemër të territorit të lirë.

“Sa është rritur UÇK-ja!” mendonte ajo kur krahasonte numrin e luftëtarëve me kohën e fillimit të lëvizjes kur ishte përfshirë edhe vetë. Megjithatë, syrit të saj nuk mund i shpëtonin disa të meta. Ndonjëherë kishte parë roje thuajse të përgjumura, në disa vende e kishin lejuar të kalonte vetëm pse fliste shqip, kurse në një rast tjetër vetëm pse ishte femër. Kjo nuk i pëlqeu aspak. Pa ndonjë problem të madh arriti deri te komanda dhe ndërkaq po qëndronte përpara ndërtesës së shtabit. Në hyrje e ndaluan rojet.

– Kërkoj komandant… I thoni se ka ardhur Shigjeta!

Shigjeta, ky ishte pseudonimi i dikurshëm. Nuk iu desh të priste shumë, sepse njëri nga ushtarët kërkoi që ajo ta ndiqte. Në katin e dytë të ndërtesës e drejtuan te një dhomë jo fort e madhe, që shërbente si zyrë. Ushtari iu lut të hynte brenda, sepse Oficeri ishte në një takim dhe do të vinte pas disa çastesh.

13.

Takimi me Oficerin ishte tejet zyrtar. Asnjërit nuk i pëlqenin bisedat e zgjatura, prandaj kaluan menjëherë drejt e në temë.

– Amerikanët tani dyshojnë se unë bashkëpunoj me Agronin dhe…

– …prandaj ti ike, – e përfundoi fjalinë Oficeri. – E di! Në fillim e kisha të vështirë ta pranoja, por tani e quaj plotësisht me vend veprimin tënd. Edhe unë, mbase njëlloj do të veproja, për më tepër tani, që ata botuan edhe foton e Agronit në çdo gazetë.

Linda u habit me reagimin e Oficerit, sepse priste që ai t’i kërkonte llogari pse e kishte ndihmuar Agronin. Por kjo nuk ishte befasia e vetme.

– Në bazë të fotos, e kemi identifikuar Agronin si një ish ushtar tonin… një ushtar vërtet mjaft i mirë, por që para pak javësh dezertoi pa lënë gjurmë…

Oficeri vijoi t’ia shpjegonte fije e për pe historinë e masakrës në Lëndinën e Thanave, si dhe dyshimet për atë pasi vetëm ai kishte shpëtuar.

– Ke bërë mirë që nuk ke lejuar të binte në duart e armikut, por tani, vetë ne duhet t’i çojmë gjërat deri në fund, – tha Oficeri dhe vazhdoi t’i jepte udhëzimet e radhës.