~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i njëmbëdhjetë

1.

PRIZREN, DY DITË MË PAS

Prizreni konsiderohet si një nga vendbanimet më të vjetra dardane. Që nga shekulli II para Krishtit, përmendet si qendër urbane në dokumentet historike.Në mesjetë,në kulmin e fushatës së pushtimeve të tij, Perandori serb Dushan shpall Prizrenin si kryeqytet të ri të Perandorisë serbe, duke e lartësuar qytetin si një nga perlat e pushtimeve të tij. Gjatë periudhës së sundimit osman, Prizreni u bë qendra e dytë më e madhe ekonomiko- tregtare e të gjitha trevave shqiptare, ndërsa që nga viti 1878, kur zhvilloi punimet Kuvendi i Lidhjes Shqiptare, vazhdimisht është quajtur si kryeqyteti shpirtëror i të gjithë shqiptarëve.

Që nga viti 1913, Prizreni kishte kaluar nëpër një fazë të dhimbshme përpjekjesh të vazhdueshme të regjimeve serbe, që synonin ta tjetërsonin duke e quajtur si qytet historik të traditës së tyre. Herë pas here ata ngrinin monumente të shenjtorëve dhe mbretërve serbë, ndërsa gjatë viteve të fundit autoritetet serbe kishin filluar të ndërhynin edhe në arkitekturën e qytetit, me qëllim që, ashtu në heshtje, të fshinin gjurmët e kulturës shqiptare. Madje si synim përfundimtar kishin edhe shkatërrimin e monumentit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, por këtë nuk mund ta realizonin lehtë.

Prizreni është i njohur për shumëçka, por në veçanti për bashkëjetesën historike të kulturave të ndryshme dhe për një tolerancë qytetare që është kultivuar me shekuj. Kjo vlerë qytetëruese tanimë ishte shprishur dhe jeta në qytet kishte marrë një drejtim tjetër. Shumica e shqiptarëve detyroheshin të jetonin si qytetarë të dorës së dytë dhe një pjesë e madhe e intelektualëve bënin punë nga më të ndryshmet, vetëm e vetëm që të siguronin kafshatën e gojës.

Fillimi i luftës e kishte gjetur qytetin pikërisht në këtë gjendje. Dhe lufta sillej kudo përreth qytetit, por nuk e prekte atë. Kjo po e bënte edhe me të besueshme legjendën e vendasve, të cilët besonin se Prizreni ishte qytet i mbrojtur nga fuqi të mbinatyrshme dhe se ushtri të ndryshme mund të vinin e të shkonin, por nuk mund të zhvillonin luftë brenda në qytet. Kështu donin të besonin prizrenasit, por e vërteta ishte krejt ndryshe: regjimi serb donte ta kursente qytetin nga shkatërrimet, sepse kishte plane që, pas luftës, ta deklaronin si qytet perandorak serb dhe, për nder të perandorit Dushan, t’ia ndërronin emrin në qyteti Dushan!

Si rrjedhojë e këtyre zhvillimeve jo të zakonta, Prizreni ishte një oazë e një normaliteti të rrejshëm, një realitet tjetër nga ai që zhvillohej në tërë Kosovën. Në këtë atmosferë jetonin rreth njëqind e njëzet mijë banorë, si dhe një numër refugjatësh që, gjatë kohës së luftës, kishin mbërritur nga vise të ndryshme të Kosovës.

Pikërisht në këtë qytet ndodhej tani Agroni dhe ishte përzier me banorët e tij, a thua se kishte jetuar aty tërë jetën.

2.

Kalimi nga zonat nën kontrollin e UÇK-së në zonat tjera, nuk ishte edhe aq i vështirë. Qarkullimi në drejtim të zonave të luftës nuk ishte ndërprerë asnjëherë. Në mungesë të një vije të qartë ndarëse, forcat serbe e kishin të pamundur t’i izolonin zonat nën kontrollin e UÇK-së. Po t’u shmangeshe pikave serbe të kontrollit, gjithkush mund të udhëtonte kudo dhe kurdo që të donte. Në këtë situatë lulëzonte me të madhe tregtia e zezë, sepse kontrabandistët kishin gjetur shtigjet e veta nëpër rrugë dytësore, të cilat nuk i kontrollonte pothuajse askush. Madje policët e korruptuar serbë ishin edhe vetë pjesë e skemave të ndryshme të kontrabandës.

Sapo mori udhëzimet se duhej të kalonte në një zonë që ishte nën kontrollin e armikut, Agroni u vesh me rroba civile dhe më pas u mor me pamjen e vet. U kujdes për flokët dhe mjekrën dhe ishte i bindur se pamja e tij e re kishte shumë pak ngjashmëri me foton e që ishte publikuar nëpër gazeta. Duke shfrytëzuar rrugët e kontrabandistëve, kishte mbërritur në Prizren dhe ndërkaq gjendej në lagjen “Bazhdarhane” dhe prej aty mendonte të vazhdonte më këmbë deri në qendër të qytetit.

Gjatë atyre viteve e kishte vizituar disa herë Prizrenin dhe, për shumë arsye, kishte simpati për të. E para, se Prizreni i nxiste krenarinë si shqiptar dhe sa herë shkonte aty, e shihte si kryeqytetin shpirtëror të shqiptarëve. Dhe, së dyti, i kujtonte edhe Izmirin e Turqisë, ku ai kishte kaluar një pjesë të mirë të jetës. Arkitektura e qytetit ishte në frymën e trashëgimisë otomane, me rrugë dhe godina mjaft të ngjashme me lagjet e Izmirit, ndërsa elementi më i rëndësishëm për të ishte se aty, sipas nevojës, mund të bënte të dukej edhe si perëndimor, por edhe si turk. Në Prizren flitej gjuha turke dhe kjo i hynte shumë në punë për identitetin e tij si qytetar turk. Asnjë polic dhe ushtar serb nuk mund të dyshonte se i shumëkërkuari komandant Agroni sillej nëpër Prizren si qytetar turk.

Ishte një ditë e bukur, temperatura nuk shkonte më shumë se 28 gradë celsius dhe Agroni, duke buzëqeshur, vuri syzet e diellit. Abdullah Gazi, ky ishte identiteti që i kishin dhënë në Turqi. Po i pëlqente kjo lojë.

3.

Agjenti Smith kishte mbledhur ekipin më të mirë dhe me një kolonë me disa automjete me targë të Prishtinës arriti në Prizren. Kishte lexuar gjithçka që i duhej të dinte për qytetin dhe e dinte se do ta kishte të vështirë ta kapte Agronin. Qyteti e kishte një lloj kodi të posaçëm me të cilin funksiononte dhe ai e dinte se banorët e vendeve të tilla janë zakonisht njerëz të tërhequr dhe, nëse këtë kod e dinte edhe Agroni, atëherë do të bëhej njësh me turmat.

Pa humbur kohë, e gjithë eskorta u vendosën në kamp- hotelin “Putnik”, ku organet serbe të sigurimit u kishin rezervuar disa hapësira të veçuara. Kjo nuk i pëlqente agjentit, ngaqë e merrte me mend se të gjitha dhomat tashmë ishin vënë në përgjim. Por nuk mund të bënte asgjë, sepse kjo mund t’i acaronte raportet me serbët, të cilët kishin përparësinë e kontrollit të terrenit. Të gjithë shtireshin se ishin partnerë të besueshëm për njëri-tjetrin dhe se po angazhoheshin për një qëllim të përbashkët, ndonëse Smithi ishte i bindur se serbët po bënin lojë të dyfishtë.

Agjenti kishte përshtypjen se serbët ishin më shumë të interesuar të kapnin Agronin, ndërsa bomba sikur nuk ishte ndonjë përparësi për ta. Ky mendim ishte sfidues, sepse logjika e donte që serbët të interesoheshin më së pari për bombën, sepse po të mos zbulohej, atëherë shtoheshin gjasat që me të vërtetë të merr te rrugën për Beograd dhe ta shkatërronte qytetin. Të paktën kështu do të vepronte ai sikur të ishte në rrezik Uashingtoni, ndaj dhe logjika e serbëve i dukej jonormale. Në gjithë këtë histori kishte diçka më tepër; diku fshihej një detaj që përbënte thelbin e gjithçkaje dhe serbët ishin pjesë e saj. Këtë mendim e kishte bluar tërë kohën në mendje gjatë rrugës për në Prizren dhe ishte përpjekur ta bindte veten se e kishte gabim.

Sapo la plaçkat në dhomën e tij, agjenti Smith u nis menjëherë për një takim të shkurtër me oficerët serbë që ishin caktuar si ndërlidhës dhe u dha fotografinë e Lindës.

– Besojmë se kjo femër ka një lidhje me Agronin dhe mbase do të përpiqen të takohen diku në Prizren, – u tha shkurt dhe më pas kërkoi që, nëse ajo shfaqej diku, ta lajmëronin menjëherë dhe të mos vepronin pa lejen e tij.

Nga mënyra si e vështruan oficerët serbë, e kuptoi sakaq se ata ishin të interesuar për çdo lloj informacioni që kishte të bënte me Lindën, çka e bëri të mendonte se edhe në Prizren mund të përsëritej diçka e ngjashme me situatën në Ulqin.

– Djema! – agjenti foli gati me ton urdhërues. – Besoj se nuk është nevoja t’jua përsëris edhe një herë se ne kemi ardhur këtu si miq dhe i respektojmë ligjet tuaja. Ndërkaq, nga vetë ministri juaj kam marrë autorizimin që të udhëheq të gjitha operacionet.

Oficerët serbë nuk folën, por vetëm tundën kokat në shenjë pohimi.

– Mirë, – vijoi Smithi, – atëherë besoj se u morëm vesh, kështu që nuk do të bëni asgjë pa u konsultuar me mua.

– Mos kini merak. Do të mundohemi t’ju ndihmojmë me çdo mënyrë, – ia ktheu me qetësi njëri nga oficerët serbë. Por ajo lloj qetësie iu duk e shtirur Smithit dhe ia shtoi edhe më shumë dyshimet.

– Më mirë për ju, nëse veproni kështu, – u tha dhe pastaj shkoi në dhomën e vet, ku menjëherë hapi kompjuterin portativ dhe u lidh me qendrën në Lengli. Për herë të parë do të shkruante një raport lidhur me dyshimet e tij se serbët nuk ishin partnerë që mund t’u besohej.

4.

Agroni ishte i bindur se Linda tashmë duhej ta dinte që ai ndodhej në Prizren. Madje edhe që do të shkonte në lagjen “Lakuriq”, ku sipas urdhrave të Naimit do të duhej të takohej me një person tjetër. Agroni nuk mund t’i besonte Naimit dhe vazhdonte të ushqente mendimin se edhe aty përgatitej të ndodhte diçka e ngjashme si në Ulqin. Megjithatë, ishte i vendosur ta vazhdonte lojën për të kuptuar njëherë e mirë sesi do të zhvilloheshin ngjarjet dhe çfarë roli po luante Linda. Jeta i kishte mësuar shumë gjëra dhe në këto raste dyshimet e bënin edhe më shumë vigjilent. Pavarësisht ndjenjave që kishte për Lindën, as asaj nuk mund t’i besonte plotësisht pa u vërtetuar gjithçka.

Së paku jo derisa të bindej se edhe ajo, ashtu si ai, po përdorej si gur shahu në një lojë të madhe.

Agroni u vendos në një shtëpi private në lagjen “Lakuriq”, por veç kësaj mori me qira edhe një banesë tjetër në një ndërtesë kolektive. Bëri kujdes që pronarët e banesave të ishin turq dhe gjatë gjithë kohës komunikonte vetëm në turqisht. Komuniteti turk i Prizrenit mbante qëndrim neutral në konfliktin mes shqiptarëve dhe serbëve, me qëllim që të mos i acaronin marrëdhëniet me asnjërën palë dhe për këtë arsye pjesëtarët e këtij komuniteti respektoheshin nga të gjithë. Ndërsa Abdullah Gazi nga Izmiri do të ishte një mysafir i nderuar në çdo familje turke të Prizrenit. Asnjëri nga pronarët e banesave nuk dyshonte se Abdullah Gazi mund të ishte shqiptar. Aq më tepër që të ishte njeriu më i kërkuar ato ditë. Të dyja familjet e ftuan për çaj dhe ëmbëlsira, ndërsa Agroni tregoi respektin më të madh ndaj tyre dhe i kaloi disa orë në biseda me mikpritësit. Natyrisht, këto biseda ishin fare të zakonshme, por nëpërmjet tyre ai arriti të kuptonte pothuajse gjithçka rreth situatës në qytet. Detaji më i rëndësishëm për të ishte se policia më shumë ishte e pranishme në rrethinat qytetit, sidomos në hyrje e në dalje, si dhe nëpër kryqëzime, por jo dhe aq e pranishme nëpër rrugicat e shumta. Kjo i vinte shumë për shtat Agronit dhe ia lehtësonte punën, sidomos nëse do t’i duhej të përfshihej në përleshje me policinë serbe.

Në mbrëmje, Agroni doli për shëtitje në “Shadërvan”, te qendra historike e qytetit, ku ishin edhe shumica e bar-kafeve dhe restoranteve. Qyteti gumëzhinte. Jeta vazhdonte rrjedhën e vet. Kjo nuk e habiste Agronin. Njerëzit mund të mësohen me çfarëdo lloj situate dhe sapo kalon trauma e ditëve të para, të gjithë e gjejnë një mënyrë për t’iu përshtatur realitetit. Kjo po ndodhte edhe në Prizren, ku gjithsesi banorët e kishin gjetur mënyrën për të vijuar veprimtaritë dhe jetën e përditshme. Asokohe, po të jetoje në qytet, ndiheshe më i privilegjuar se kurrë, sepse kjo garantonte një lloj qetësie dhe mbrojtjeje të rrejshme nga sulmet e policisë dhe ushtrisë serbe, ngaqë krijohej përshtypja se luftimet zhvilloheshin vetëm në zona rurale.

Agroni u ul në njërën nga tryezat e ëmbëltores “Europa” dhe porositi qumësht të ngrohtë me çokollatë. Donte ta çlironte mendjen dhe të çlodhej sa më shumë të ishte e mundur. Shikonte të rinjtë dhe në njëfarë mënyre i kishte zili për vullnetin dhe dëshirën e tyre për ta jetuar jetën me gjithçka, madje edhe në rrethana të pazakonta. Ata meritonin një jetë më të mirë, kishin të drejtë të rriteshin e të jetonin të lirë. Dhe kjo e bindi edhe njëherë se ajo që po bënte, pavarësisht çmimit që mund të kishte, ishte gjëja më e drejtë në botë. Agroni tashmë ishte i vetëdijshëm se liria nuk vjen pa çmim dhe pa sakrificë, por sytë dhe fytyrat e atyre të rinjve e bindën përfundimisht se ia vlente të sakrifikoheshe në emër të tyre, për të gjithë ata dhe gjeneratat e tjera që do të vinin.

Ndërsa ishte përfshirë në këto mendime, tek tryeza e tij u afrua një i ri rreth 23 vjeç.

– A është e lirë? A mund të ulem me ju? – e pyeti djaloshi në shqip.

Agroni ia ktheu në turqisht dhe i tha se nuk po e kuptonte. Pavarësisht se djaloshi mund të ishte fare rastësisht aty, Agroni nuk ia lejonte vetes të bënte gabime. Ai ishte Abdullah Gazi nga Turqia, i cili kishte ardhur për vizitë dhe nuk dinte as edhe një fjalë shqip.
– Më fal, zotëri. A është e lirë? A mund të ulem me ju? – e pyeti djaloshi, kësaj here në turqisht.

– Po, – ia ktheu Agroni.

Djaloshi u ul dhe menjëherë i ofroi cigare, por Agroni e refuzoi.

– Unë për vete nuk po e lë dot këtë mut! – e vazhdoi bisedën në turqisht djaloshi, ndërsa ndezi cigaren. – Të faleminderit që pranuat të ulem bashkë me ju. Unë jam student në Prishtinë dhe atje është normale të ulesh në tryezë me njerëz të panjohur. Kurse këtu secili zë një tryezë vetëm me një kafe. Një tryezë, një njeri, një kafe! Thuajse të gjithëve iu duket vetja person me shumë rëndësi!

Agroni nuk komentoi asgjë për ato që tha djaloshi, por vetëm vuri buzën në gaz dhe po e dëgjonte.

– Unë jam Enesi. Jam prizrenas, por ty më duket se nuk të kam parë ndonjëherë.

– Jam mysafir nga Turqia, – ia ktheu Agroni dhe vendosi të përfshihej në bisedë. Kushedi, mbase gjithë ai interesim i Enesit mund të mos ishte i rastësishëm. Agroni ndërkaq duhej të luante rolin e turistit dhe turistët zakonisht interesohen për gjithçka.

– The që studion? – e pyeti Agroni.

Enesi pohoi me kokë.

– Për çfarë?

– Për filozofi, – u përgjigj Enesi dhe vazhdoi të tregonte hollësi nga jeta e tij, a thua se mezi kishte pritur që të fillonte një bisedë pak më përmbajtjesore.

5.

Agroni ishte mjeshtër për përpunimin e njerëzve dhe për t’i zbërthyer ata që të flisnin, ndaj dhe pa ndonjë mundim të madh arriti të merrte vesh se Enesi ishte produkt i një martese të përzier. Ndërsa vetë Enesi, meqë kishte nevojë për shoqëri, as që donte t’ia dinte se kush ishte Agroni dhe filloi t’i zbrazej. Babanë e kishte shqiptar, por në më të shumtën e kohës ai fliste turqisht, ndërsa të ëmën e kishte serbe. Pastaj shpjegoi se prindërit i ishin ndarë. Enesi vetë prezantohej si shqiptar dhe fliste shqip, madje ndiqte edhe fakultetin në gjuhën shqipe. Por me të atin fliste turqisht dhe me të ëmën serbisht.

“Mishmash qenka!” tha me vete Agroni, kur e kuptoi gjendjen e vërtetë të Enesit.

Pra, Enesi ishte, si të thuash, pak nga të gjitha dhe fare pak vetvetja, çka nuk kishte kaluar pa lënë traumë. Prindërit i ishin ndarë atëherë kur ishin acaruar marrëdhëniet ndërnacionale, në vitet ‘88-‘89, ndërsa adoleshencën e kishte kaluar mes përpjekjeve të të dy palëve për ta pasur me vete. Në vitin 1994, e ëma ishte shpërngulur në Beograd dhe atje ishte martuar me dikë tjetër.

Shihej qartë se kjo e kishte shqetësuar Enesin.

– Nuk mund të rrinin bashkë! Ishte e pamundur. Nuk i kuptoj ata që thonë se dy kombet përherë kanë jetuar në harmoni me njëri-tjetrin. Gjepura! E çfarë harmonie? Le të më pyesin mua për këtë! Harmoni leshi!

Për njëfarë kohe, Enesi u rrek të sillte sa më shumë shembuj për të bërë krahasimin e marrëdhënieve të dy prindërve të vet me marrëdhëniet mes shqiptarëve dhe serbëve.

Agroni mendoi për disa çaste për këtë krahasim dhe me mendje i dha të drejtë Enesit. Dy popujt mund të jetonin mjaft mirë pranë njëri-tjetrit, por jo me njëri-tjetrin. Më tej ishte e kotë ta diskutoje.

U ndanë aty rreth orës 23:00.

– Shpresoj të shihemi përsëri, – i tha Enesi.

– Të shpresojmë, por nuk ma merr mendja. Nuk do të rri shumë në Prizren, – ia ktheu Agroni duke i uruar natën e mirë.

Edhe pse ishte vonë, në qytet ende kishte njerëz që shëtisnin dhe kjo i bëri përshtypje, sepse në qendrat e tjera të banuara në Kosovë, sapo binte nata, të gjithë mbylleshin brenda dhe errësira bëhej e frikshme.

6.

TË NESËRMEN

Linda mbërriti në Prizren pothuajse në të njëjtën mënyrë si Agroni. Ishte veshur me shije, me qëllim që edhe të dukej bukur, por që në të njëjtën kohë edhe të ishte në gjendje të lëvizte sa më lirshëm. Kishte veshur një këmishë të zezë, pantallona xhins dhe këpucë të sheshta alpine. Flokët i kishte kapur mbrapa, kurse syzet e diellit ia fshihnin sytë dhe kështu kishte mundësi të vëzhgonte pa u kuptuar çdo detaj përreth. Me vete kishte vetëm një revole Bereta dhe dy karikatorë me fishekë, që i kishte fshehur në çantë.

E veshur ashtu, dukej edhe më shumë tërheqëse dhe djemtë ktheheshin ta vështroni, ndërsa ndonjëri syresh hidhte edhe ndonjë fjalë. Kjo nuk e bezdiste, madje i krijonte edhe njëfarë përparësie. Ishte e vetëdijshme për pamjen dhe sensualitetin e vet dhe mendonte se, në rrethana delikate, mund ta shfrytëzonte si armë të vetën.

7.

Dhoma që Agroni kishte marrë me qira ishte në një shtëpi përballë shkollës fillore “17 Nëntori” në lagjen “Lakuriq”. Prej dritares mund të shihte tërë kopshtin e shkollës, si dhe gjithë hapësirën përreth. E kishte zgjedhur enkas atë vend, sepse prej aty mund të vështronte gjithçka. Sipas planit, atë mbrëmje duhej të takohej me personin që do ta lidhte me njerëzit e Naimit, të cilët kujdeseshin për bombën. Fiks në orën njëzet, personi në fjalë do të paraqitej në kopshtin e shkollës. Siç i kishte thënë Naimi, ai do të mbante veshur pantallona të zeza dhe bluzë të bardhë. Do të ulej në njërin nga stolat e kopshtit.

Ishte ora katër pasdite dhe jashtë çdo gjë ishte si zakonisht. Agroni nuk kishte dalë asnjë çast nga dhoma dhe gjithë kohën kishte ndenjur aty duke vështruar përreth, ngaqë ishte fort i bindur se, ashtu si në Ulqin, CIA dhe shërbimi sekret serb tashmë ishin të informuar se ai ndodhej në Prizren.

Kësaj here do ta kishte shumë më të vështirë, sepse kundërshtarët ishin shumë më të përgatitur dhe, mbi të gjitha, nuk kishte përparësinë e befasisë. Përpos kësaj, e vetmja armë që kishte me vete ishte një revole dhe tridhjetë fishekë, kështu që, nëse situata shkonte keq, ai nuk mund të bënte ndonjë rezistencë kushedi se çfarë.

Ishte përfshirë nga ankthi i pritjes dhe mendonte dhjetëra skenarë të mundshëm e pothuajse të gjithë kishin një fund që atij nuk i pëlqente. Një zë i thoshte të tërhiqej, por nuk donte ta bënte këtë. Si fillim do të duhej të mblidhte sa më shumë informacion dhe vendimin përfundimtar do ta linte për në fund.

Në përpjekje për të gjetur një mënyrë për të larguar stresin, nisi të pastronte revolen. Me kujdesin më të madh çmontoi deri dhe pjesët më të imëta, pastaj nisi t’i pastronte, sikur e gjithë kjo të ishte një ritual magjik. Pastaj e përkëdheli armën, sepse ajo ishte miku i vetëm në çdo situatë.

8.

PO AJO DITË -ZYRA E SHEFIT TË POLICISË NË PRIZREN

Kolonel Zekavica, shefi i policisë për rajonin e Prizrenit, ishte duke biseduar me gjeneral Lukiçin në Prishtinë. Biseda zhvillohej me kërkesën e kolonelit, sepse agjentët në terren e kishin lokalizuar vajzën nga fotografia që ua kishte dhënë amerikani Smith. Koloneli nuk kishte dashur ta vinte në dijeni amerikanin para se të konsultohej me eprorin e tij.

– Po, jemi të sigurt se është ajo, – shpjegoi koloneli në lidhje me saktësinë e informatës. – Agjentët e mi e kanë fotografuar dhe krahasimi na tregon se kemi të bëjmë me të njëjtin person, – vijoi ai pa ia ndarë sytë fotografisë që ishte mbi tryezë.

– Hëpërhë, mos ndërhyni, – i tha gjeneral Lukiçi. – Ndiqeni hap pas hapi dhe informo amerikanin. Dua të jeni tërë kohën së bashku me amerikanët dhe ta ndiqni ecurinë e situatës me hollësi. Nuk më intereson aspak se kush është ajo vajzë dhe çfarë do të ndodhë me të. Por, nëse vërtet kontakton me dikë që mund të ngjajë me atë terroristin, Agronin, mos hezito. I dua që të dy të arrestuar. Bëj kujdes, sepse Agroni na duhet i gjallë. Ky është urdhër i prerë!

– Si urdhëron, zotëri, por amerikani thotë se ministri e ka autorizuar ta drejtojë vetë operacionin dhe ne të mos përzihemi.
– Autorizimet e tij vlejnë një mut! Në shtetin tonë veprohet sipas ligjeve tona dhe sipas interesave të shtetit. Ti arresto Agronin, sa për amerikanin dhe autorizimet e tij, merrem unë vetë! – i tha me ton urdhërues gjenerali.

– Si urdhëron zotëri… – koloneli deshi të thoshte edhe diçka, por nuk arriti ta përfundonte fjalinë, sepse gjenerali ia mbylli telefonin.
Duke psherëtirë, koloneli uli receptorin.

Nuk i pëlqente fare të komunikonte me Lukiçin, i cili nuk tregonte kurrfarë respekti për vartësit e tij. Por Lukiçi ishte eprori i tij dhe koloneli duhej ta zbatonte urdhrin pikë për pikë. U ngrit nga kolltuku, lidhi duart pas, iu afrua dritares dhe nisi të shikonte qytetin. Ishte e qartë tashmë se shumë shpejt qetësia do të prishej në Prizren dhe disa do të kalonin një natë pa gjumë. Urdhrat ishin të qarta dhe koloneli nuk kishte çfarë të mendonte për më tej. Nëse Agroni do të shfaqej diku, koloneli do të kujdesej që kjo të ishte dita e tij e fundit në liri.

9.

PO AJO DITË, ORA 19:30

Me ta marrë vesh se Linda mbërriti në Prizren, Smith vuri në lëvizje ekipin dhe po e ndiqnin në distancë. Vetë ai rrinte në një furgon që shërbente edhe si qendër lëvizëse e komandës dhe ishte pajisur me të gjitha aparaturat e nevojshme: lidhje satelitore, kamera, mikrofona specialë për të kapur zërat në largësi dhe shumë pajisje të tjera.

Gjithçka shkonte mirë dhe Linda nuk dyshonte për asgjë. Gjithë kohën e kishte kaluar nëpër bar-kafe, kishte bërë shëtitje të shkurtra dhe vetëm rreth orës 19.00 doli nga qendra e qytetit. Po shkonte drejt një shkolle fillore dhe agjenti tashmë e kishte lokalizuar shkollën në hartë. Shkolla ishte e vendosur mes një hapësire të madhe të rrethuar nga njëra anë me ndërtesa banimi kolektive, kurse në anën tjetër me shtëpi private. Ishte një hapësirë ideale për transaksione apo për takime, sepse kishte mjaft hapësirë për manovrim, nëse diçka shkonte keq. Një hapësirë e tillë do të ishte e volitshme për Agronin, por jo për Smithin, sepse mund të binte lehtësisht në sy në atë terren të hapur.

Agroni ishte profesionist dhe kundërshtar që meritonte respekt dhe agjenti Smith e kishte të qartë se ballafaqimi me të nuk mund të ishte aspak i lehtë. Por nga mënyra sesi mund ta përfundonte misionin, varej e tërë karriera dhe e ardhmja e tij.

I ndërpreu menjëherë këto mendime, sepse Linda ndaloi papritmas dhe asaj iu afrua një mashkull.

Po bisedonin.

Agjenti Smith e zmadhoi pamjen në ekran. Por nuk kishte gjasa që mashkulli të ishte Agroni. Nuk e kishte as gjatësinë e as formimin fizik të Agronit. Po i analizonte me kujdes tiparet fizike të mashkullit, ngaqë ishte i bindur se Agroni do të vinte i maskuar.

Po kush ishte ai që po bisedonte me Lindën? Mos vallë ishte dikush që e kishte dërguar Agroni? Nuk e dinte, por çdo shqisë i thoshte se ajo që ishte planifikuar të ndodhte atë mbrëmje në Prizren, tashmë kishte marrë udhë.

10.

Linda nuk ndihej e qetë dhe në çdo çast i dukej se ishte nën vëzhgim. Sapo i lindën dyshimet e para, nisi të bënte disa lëvizje pa kuptim, sa në një vend në tjetrin. Sillej brenda një perimetri të caktuar dhe në çdo lëvizje fiksonte fytyrat e njerëzve dhe të gjitha objektet. Nuk iu desh shumë dhe vuri re furgonin e përhimët. Pas kësaj i veçoi nga të tjerët edhe disa fytyra që çdo herë gjendeshin në një distancë të sigurt prej saj. Nuk kishte më asnjë mëdyshje se po e vëzhgonin. Një dridhërimë shqetësimi i kaloi nëpër trup, por e dinte se mund ta shpëtonte vetëm gjakftohtësia, ndaj dhe u përpoq ta mblidhte veten. Nuk bëri asnjë veprim që të linte të kuptohej se e dinte që po e vëzhgonin dhe me shumë durim po priste të gjente diçka që mund ta përdorte si mbulim për të dalë nga situata.

Rreth orës 19:00 doli nga qendra e qytetit dhe pikërisht atëherë, në rrugë, vuri re një djalë të ri që po e vështronte me pasion. Dukej qartë se djaloshi, ndonëse më i ri se ajo, e pëlqeu menjëherë dhe Lindës në çast i lindi ideja se mund ta shfrytëzonte këtë rast për të humbur gjurmët. Për habinë e djaloshit, ndaloi dhe i buzëqeshi. E luante rolin kinse kishte nevojë për ndonjë ndihmë dhe djaloshi, pa menduar dy herë, iu afrua.

– Unë jam Enesi, – u prezantua djaloshi. – A mund t’ju ndihmoj me gjësend?

11.

Gjithë kohën, pa rënë në sy, Agroni shikonte me dylbi dhe kontrollonte imtësisht gjithçka përreth. Ndërkaq, në fushëpamje u shfaq Linda. Nisi t’i shqyrtonte me kujdes tiparet e saj, a thua se po e shihte për herë të parë. I pëlqeu mënyra si ishte veshur dhe buzëqeshi në mënyrë të vetvetishme, por buzëqeshja iu zhduk sakaq, sepse dalloi Enesin përkrah saj. Çfarë kërkonte ai aty?

“Gjithnjë e më e bukur!”, tha me vete Agroni, por nuk pati kohë të mendonte më gjatë. Furgoni i përhimët u parkua diku më larg dhe prej tij zbriti vetëm shoferi, gjoja për ta kontrolluar motorin. Agroni vazhdoi të këqyrte gjithë perimetrin dhe syri i kapi edhe dy persona të tjerë, që bënin sikur ishin në punën e tyre dhe prisnin dikë. Mendoi se patjetër duhej të kishte edhe të tjerë që rrinin fshehur.

Fiks në orën 20.00, në skenë u fut edhe një lojtar tjetër. Ishte një i ri me bluzë të bardhë dhe pantallona të zeza, që shkoi dhe u ul në njërin prej stolave të kopshtit. Agroni e kuptoi se kishte ardhur koha të vihej në lëvizje. Por ende nuk e kishte të qartë sesi do të vepronte. Duhej gjetur filli në lëmshin e ngatërruar. Po i futej një aventure pa ndonjë plan konkret, madje pa qenë i sigurt se mund të dilte gjallë. Mbi të gjitha ishte i shqetësuar se mos i ndodhte gjë Lindës.

12.

Linda e dinte mjaft mirë se prania e Enesit do t’i hutonte ata që po e ndiqnin, prandaj vendosi të përdorte hiret femërore për ta ndërlikuar situatën.

– Enes, – iu drejtua atij.

– Urdhëro.

– Jam e lodhur dhe kam nevojë të pushoj. A mund të më bësh shoqëri? E po, ja, jam një femër e vetmuar në një vend të panjohur…

Enesit i shkëlqyen sytë.

– Më duket se aty është një vend i mirë, – i tha ajo dhe tregoi kopshtin e shkollës.

– Shkojmë, – ia ktheu ai me padurim.

Ndërsa vazhdonte lojën me Enesin, gjithë kohën Linda nuk ia ndau sytë burrit të veshur bardhë e zi, që ndërkaq po rrinte ulur te stoli në kopsht. Sipas fjalëve të Oficerit, ky njeri do të takohej me Agronin. Linda dhe Enesi i kaluan pranë dhe u ulën vetëm dy stola larg tij. Burri nuk u shqetësua fare për praninë e Lindës dhe kjo iu duk e çuditshme. Po të kishte në plan të takohej me Agronin, atëherë do të duhej të ishte dyshues për çdo lëvizje. Linda vendosi ta vazhdonte edhe më tej lojën me Enesin, ndërkohë që nuk ia ndante sytë burrin në stol dhe as ndjekësve të saj. Iu afrua Enesit dhe trupat e tyre pothuajse u ngjitën me njëri-tjetrin.

– Më trego, a ke ndonjë bukuroshe? – e pyeti ajo dhe ia preku flokët me dorë.

Enesi u hutua i tëri dhe nuk fliste dot. Trupi i dridhej nga emocionet, iu tha pështyma në gojë dhe mezi arriti të thoshte:

– Kam pasur… nuk mund të them se nuk kam pasur… po tani nuk kam dhe…

13.

Ndërsa doli nga shtëpia ku qe vendosur, Agroni mori një kapele franceze që i përkiste të zotit të shtëpisë, të cilën e gjeti të varur në korridor. E vuri kapelën që së paku të fitonte pak kohë deri sa ta identifikonin agjentët. I kishte vëzhguar me kujdes ata dy burrat që hiqeshin sikur po prisnin dikë, por në të njëjtën kohë edhe Lindën e Enesin, që shpresonte se do ta shihnin sapo të shkelte në kopsht. Enesi me siguri që do ta mbante mend nga takimi i tyre një natë më parë dhe ishte i bindur se mënyra si do të takoheshin do t’i hutonte ndjekësit.

Ngadalë dhe me hapa të sigurt, sikur ky të ishte një ritual i përditshëm për të, Agroni hyri në kopsht dhe qetësisht eci drejt stolit ku e priste burri që duhej ta takonte. Pak më tej, Linda vazhdonte të luante me Enesin, i cili s’kishte më kohë të shihte njeri përreth. Agroni shfrytëzoi rastin dhe kaloi pa u vënë re.

14.

Linda e pa Agronin që hyri në kopsht, por nuk e njohu në fillim, ndaj dhe u kthye nga Enesi, kinse donte të ngjishej fort pas tij. Madje e lejoi atë t’ia hidhte dorën supeve, por ndërkaq po përpunonte me mendje tiparet e burrit që sapo i kaloi pranë. Flokët dhe mjekra ia mbulonin një pjesë të mirë të fytyrës, por vështrimi i tij ishte i thellë. Sytë ishin tejet depërtues dhe të përqendruar, aq sa në të qindtën e sekondës mund të shihnin gjithçka.

Ajo i njihte ata sy, sepse i kishte parë kushedi sa herë.

Me ta kuptuar se ishte Agroni, e largoi menjëherë krahun e Enesit. Ishte më shumë një reagim instiktiv, a thua se Agroni mund të hidhërohej që e pa me një tjetër.

15.

Agroni e pa reagimin e Lindës dhe kuptoi se ajo e njohu, por nuk ndaloi. Nuk donte të mendonte për Lindën dhe Enesin, nuk kishte kohë. Madje do të ishte një veprim tepër joprofesional nga ana tij. Por gjithsesi, edhe pse në ato rrethana, ku dhe çdo sekondë ishte e çmuar, ndjenja naive e xhelozisë e tejkaloi për një çast ndjenjën e profesionit, sepse nuk donte të shihte as edhe një mashkull pranë Lindës, madje edhe kur ajo ishte e detyruar të luante për maskim.

“Po ndryshkesh në mendime”, i tha vetes dhe ndërkaq ndaloi te stoli ku rrinte ulur njeriu që duhej ta takonte.

– A është i lirë? – e pyeti.

Burri, jo më shumë se 30 vjeç, pohoi me kokë pa e dhënë veten.

Agroni u ul pranë tij dhe me bisht të syrit ndiqte Lindën dhe gjithçka tjetër përreth.

– Po pret dikë? – e pyeti Agroni.

– Po, – iu përgjigj shkurt burri.

– Ndonjë vajzë?

– Jo, pres një shok, – ia ktheu ai, pastaj nxori nga xhepi paketën me cigare “Ronhil” dhe, para se ta ndizte për vete, ia zgjati Agronit.

– Nuk e pi, por Naimi, një miku im, e pi shumë, – e provokoi Agroni për t’u siguruar se ishte njeriu i Naimit.

Burri nuk reagoi fare kur u përmend Naimi, sikur të mos e kishte dëgjuar kurrë atë emër.

– Lëre që e ka pirë përherë, por thonë se tash në ushtri e pi edhe më shumë, – vazhdoi Agroni.

– Ndodh edhe kështu, – ia ktheu bashkëbiseduesi, gjithnjë i çinteresuar.

Agroni ia nguli sytë fytyrës së burrit, por nuk dalloi asnjë shenjë të vetme që mund të linte shkas se e njihte Naimin apo se kishte ardhur në takim me ndonjë mision të veçantë. Nëse nuk e njihte Naimin, atëherë nuk dinte as për bombën. Agroni e dinte se këtë mision Naimi ua kishte besuar njerëzve të tij më të afërt. Por, me sa dukej, njeriu që kishte pranë nuk kishte lidhje as me misionin dhe as me luftën. Kushedi se në ç’mënyrë e kishin mashtruar dhe tani gjendej në një telash të madh, mbase në më të madhin e gjithë jetës së tij.
“Njëlloj si në Ulqin”, mendoi rrufeshëm Agroni dhe vendosi se duhej të dilte menjëherë nga kurthi dhe të merrte edhe Lindën me vete. Furgoni nisi të lëvizte në drejtim të kopshtit, ndërsa ata dy burrat nuk po bënin më sikur prisnin dikë.

16.

Agjenti Smith po e ndiqte me kujdes atë që po ndodhte në kopshtin e shkollës. Mjekra dhe flokët e burrit e pengonin që të bënte një identifikim të saktë. Megjithatë, të dhënat për përmasat e trupit përputheshin. Por nuk mund të jepte urdhër për ta arrestuar, pa qenë ende i bindur se njeriu në fjalë ishte me të vërtetë Agroni. Aktivizoi menjëherë mikrofonat për kapjen e zërit nga distanca dhe, me anë të përkthyesit, po ndiqte bisedën që po bënin dy burrat e ulur te stoli në kopsht. Një bisedë pa kuptim!

“Asgjë prej gjëje”, mendoi Smithi dhe i ra lehtë tavolinës me gisht. Ndërkaq, njëri prej bashkëpunëtorëve, i alarmuar, e njoftoi se dy prej agjentëve serbë po hynin në veprim pa urdhrin e tij. Ndryshimi në sjelljen e tyre i alarmoi agjentët amerikanë, të cilët e kuptuan se ata të dy po lëviznin në drejtim të kopshtit.

– Fëlliqësirat! – bërtiti agjenti Smith dhe në çast u ngrit më këmbë, sepse më në fund e kuptoi që në kopsht ishte Agroni. – Mos i lejoni të ikin! Kapeni atë para tyre! – u thirri agjentëve në mikrofon.

Agronin duhej ta kapte përpara se këtë ta bënin serbët.

17.

Agroni u ngrit dhe filloi të ecte drejt stolit ku ishte ulur Linda, që të largohej bashkë me të. Ndërkaq edhe ajo i pa dy agjentët serbë që po futeshin në kopsht. Të tjerë u shfaqën sa hap e mbyll sytë.

“Kurth!” mendoi ajo dhe instinktivisht brofi në këmbë.

Në çastin kur Agroni u afrua te stoli i saj, tërhoqi pas vetes Enesin. Ky u habit kur pa njeriun që e kishte takuar në kafene. Deshi të thoshte diçka, por Linda e ndaloi.

– Hesht! – i tha ajo. – Mos bëj zë dhe vazhdo të ecësh! – Pastaj nxori rrëmbimthi Beretën nga çanta.

Enesi shtangu dhe mbeti pa frymë.

Agroni nuk fliste fare. Hodhi edhe një vështrim përreth dhe e çoi dorën te doreza e revoles. Nisi të djersinte.

18.

Dy agjentët serbë u nisën me hapa të shpejtë drejt Agronit, me revolet gati për zjarr. Agroni shpejtoi hapat dhe pas pak të tre nisën të vraponin. Agjentët pas tyre bërtisnin në serbisht që të ndalonin. Ata mund të qëllonin në çdo çast. Por nuk e bënë. Ishte e qartë se donin t’i zinin të gjallë. Agroni e kuptoi qëllimin e tyre, i dha shenjë me kokë Lindës që ta ndiqte dhe të tre u drejtuan me shpejtësi nga rruga, që pastaj të futeshin rrugicave të ngushta. Por, papritmas, rrugën ua preu një tjetër agjent serb, i cili e kishte armën gati.

Agroni nuk kishte çfarë të priste më dhe me shpejtësi rrufeje, ndërsa drejtoi revolen dhe mori shenjë, thirri:

– Linda! Kujdes mbrapa!

Pastaj lëshoi dy plumba të njëpasnjëshëm. Ishte i shpejtë. Shumë i shpejtë, sepse ai tjetri nuk arriti ta shkrepte armën e vet dhe ra i vdekur përtokë.

Ndërkohë, Linda e shtyu anash Enesin dhe Bereta e saj nisi të villte zjarr. Në të qindtën e sekondës, plumbat e saj goditën në shenjë dhe të dy agjentët serbë që po i ndiqnin nga mbrapa u plandosën njëri pas tjetrit. Pas kësaj, sikur të ishte robot i programuar, Linda tërhoqi pas vetes Enesin dhe vrapoi pas Agronit, që ndërkaq kishte dalë në rrugë.

Në distancë shiheshin agjentë të tjerë që kishin bllokuar hyrje-daljet nga lagjja. Ishin të rrethuar! Nuk kishte rrugë tjetër veçse të përpiqeshin të çanin rrethimin. Por edhe kjo thuajse nënkuptonte vdekje të sigurt ose rënie rob, sepse shumë shpejt do t’u mbaroheshin municionet. Atëherë Lindës iu kujtuan se gjatë shëtitjeve nëpër Prizren kishte vënë re se shtëpitë ishin të lidhura me njëra-tjetrën me mure dhe mbase mund ta gjenin një mënyrë për të shpëtuar.

– Pas meje! – bërtiti ajo dhe e tërhoqi sërish Enesin për dore.

Enesi ishte zverdhur dhe ishte trembur për vdekje, por megjithatë e ndoqi Lindën hap pas hapi. Linda dhe Enesi kaluan një mur dhe u futën në oborrin e shtëpisë më të afërt. Pas tyre, edhe Agroni. U mbushën me frymë. Kapërcyen edhe një mur tjetër. Me shpejtësinë e ketrave, duke tërhequr edhe Enesin pas vetes e duke dihatur, kaluan disa mure e oborre njëri pas tjetrit. Për pak kohë ishin të sigurt.

19.

Pas orës 20:00, u bë errësirë. Agroni dhe Linda menduan se të paktën tanimë e kishin një aleat. Pas një pushimi fare të shkurtër, sa për të rregulluar frymëmarrjen, vazhduan të kalonin sërish mbi mure e nëpër oborre, derisa u ndodhën në oborrin e një shtëpie ku nuk kishte njeri dhe dritat ishin të fikura. Agroni hodhi një sy përreth për të qenë më i sigurt, ndërsa Linda kishte ulur kokën dhe qante në heshtje.
Nuk e kishin vënë re fare që Enesi ishte plagosur. Ishte mrekulli sesi kishte arritur t’i ndiqte me plagën në trup. Plumbi e kishte marrë pak nën sqetull, në anën e majtë. Nuk mund të fliste më dhe Linda e pa që po bënte me dorë nga Agroni.

– Po të thërret Enesi, – i tha ajo.

– Do të bëhesh mirë, – i tha Agroni, pasi u ul në gjunjë pranë tij, por ato fjalë nuk i besonte as vetë.

Enesi deshi të thoshte diçka, por nuk mundej, nuk kishte më zë. Pa nga Agroni. Dukej se kërkonte që ky t’i afrohej më shumë. Agroni e kuptoi dhe afroi veshin te goja e tij. Enesi belbëzoi. U duk se kjo e çliroi dhe pas pak dha shpirt. Vdiq pothuajse pa zë dhe Agroni ia mbylli sytë.

Pastaj, i ngrysur dhe zemërthyer, Agroni u ul pranë trupit të djaloshit dhe vari kokën mes gjunjëve.

– Çfarë të tha? – e pyeti Linda me pëshpërimë.

Agroni ngriti kokën dhe Linda pa lotët që po i rridhnin poshtë faqeve.

– Më tha se më në fund mund të pohonte se ishte shqiptar!