~ Bombë në Beograd ~

Kapitulli i dhjetë

1.

BLLACË,TRI DITË MË PAS

Njësia ishte në gjendje gatishmërie dhe gjithë kohën bëheshin përforcime në vijat mbrojtëse, sepse kishte mundësi që serbët të nisnin ndonjë sulm hakmarrës. Që kur ishte kthyer nga aksioni në grykën e Caralevës, Agroni gjithë kohën ishte në krye të detyrës dhe kishte fjetur fare pak. Hoxha kishte pasur të drejtë kur i kishte thënë se luftën e kishte profesion e mjeshtëri dhe tanimë këtë po e kuptonte edhe vetë. Dhe vetëm qëndrimi në detyrë dhe në gjendje të përhershme gatishmërie ia jepte ndjesinë e qetësisë. I tillë ishte Agroni! Mbase i lindur për të qenë ushtarak! Edhe në gjendjen e tensionit më të madh, arrinte ta shmangte stresin dhe të gjente qetësinë e nevojshme. Kjo ishte një nga vetitë e tij më të spikatura dhe e bënte luftëtar të dorës së parë, sepse dinte të ruante gjakftohtë edhe atëherë kur gjithë të tjerët e humbnin toruan.

Ndërkaq, ndërsa shokët po pushonin, doli vullnetarisht të merrte detyrën e vëzhguesit, sepse ndihej i padobishëm po të mos bënte diçka. Me të gdhirë, zuri një vend të përshtatshëm në kodër dhe prej aty vështroi me dylbi terrenin përreth. Në rrugë nuk kishte kurrfarë lëvizjeje. Qetësia dhe paqja e mëngjesit të krijonin përshtypjen sikur nuk kishte ndodhur asgjë e jo më të ishte zhvilluar një betejë vetëm pak ditë më parë. Serbët ndërkaq kishin përforcuar pozicionet e tyre, por nuk kishte ndonjë shenjë se po planifikonin ndonjë sulm. U mërzit nga pamja monotone dhe qetësia përreth, ndaj dhe për një çast i shkoi mendja të mbyllte pak sytë dhe të pushonte. Ishte lodhur shumë gjatë atyre ditëve dhe gjumi për të ishte kthyer në një luks të vërtetë, por megjithatë trupi i tij nuk mposhtej dhe çdo qelizë ishte në gjendje alarmi.
Pastaj mendja i shkoi te Linda. Gjatë atyre ditëve ishte munduar të mos mendonte për të, por atë çast shpirti i tha se nuk mund të rrinte më pa të. Tani që nuk kishte më sekrete mes tyre, mbase ia vlente të mendonte për hapin tjetër. Kur të përfundonte lufta, mund të martoheshin dhe të kishin fëmijë. I kaluan lloj-lloj mendimesh të bukura në kokë dhe në ato çaste nuk kishte asgjë që mund t’ia prishte këtë ëndërr, derisa iu kujtua misioni. Dhe atëherë e kuptoi edhe arsyen pse gjithë ato ditë nuk kishte dashur të mendonte për Lindën. Gjatë kohës që ishte në Ulqin, kishte menduar se më në fund e kishte gjetur atë me të cilën mund të ndërtonte një jetë të qetë e normale ashtu si gjithë të tjerët, por ndërkaq e dinte se nuk do të kthehej gjallë nga misioni në Beograd. Rruga e tij do të ishte vetëm me një drejtim dhe këtë nuk mund t’ia thoshte Lindës.

Edhe pse i zhytur thellë në këto mendime, Agroni ndjeu se po i vinte dikush nga mbrapa. Hapat që po afroheshin ishin të shkujdesura, por kjo nuk do të thoshte se nuk përbënin ndonjë rrezik të mundshëm. Lëvizi menjëherë nga vendi, me armën gati për shkrepje. Dalloi siluetën e një burri që po ecte drejt tij. Ishte Naimi.

– Më vjen mirë që je gjallë, – i tha Naimi kur u afrua. – Për një çast pata frikë se mos të kishim humbur.

– Nuk ke pse merakosesh për këtë. Nuk e kam atë fat që të vdes prej plumbit, – ia ktheu Agroni me gjakftohtësi. – Aq më tepër pa e përfunduar misionin e jetës sime, ndonëse, siç duket, nuk shoh më ndonjë mundësi.

– Mos u ngut, çuni! Gjithçka në kohën e duhur dhe me mendje të ftohtë. Mendoja se këtë e di, të paktën, – ia ktheu Naimi. Ai ishte aq i zgjuar sa t’i kuptonte dyshimet e Agronit.

– Nejse, e di që e ke pak merak t’i vështirësosh gjërat, – vazhdoi Naimi, – por shpejt do të kthehesh në lojë.

– Si më gjete? – e pyeti papritmas Agroni.

– Bojleri-bombë, mposhtja e sulmit armik, aksioni në stacionin policor në Suharekë dhe ajo mrekullia që bëre para tri ditësh në grykën e Caralevës… këto ishin gjurmët që më sollën këtu. Askush tjetër nuk mund t’i bënte këto përveç teje. Dhe m’u desh të vija vetë që të bindesha përfundimisht.

Agroni nuk tha gjë, sepse në mendje i erdhën sërish fjalët e Hoxhës.

2.

PRISHTINË, USIS, PO AJO DITË NË MBRËMJE

Parashikimi i agjentit Smith kishte qenë me vend. Sapo të niste sërish rrugëtimi i bombës, do të njoftohej menjëherë edhe informatori i CIA-s. Dhe, në vërtetë, informatat filluan të vërshonin papritmas. Nga qendra në Lengli sapo mori udhëzimet më të fundit, si dhe të dhënën se Agroni do të shkonte në Prizren, prandaj dhe ai duhej të nisej për atje. Po ashtu, e urdhëruan të bashkëpunonte me organet serbe të sigurimit dhe që të mos përsëriteshin më situata si ajo e Ulqinit.

Koordinimi me shërbimin serb edhe mund t’i shërbente për ta ndihmuar, por ndërkaq e dinte se në çastet e fundit qëllimet e tyre mund të ishin të kundërta. Misioni i Smithit ishte që të ndalte bombën, ndërsa serbët synonin të vrisnin Agronin e ndoshta edhe ta merrnin bombën për vete. Nga përvoja, agjenti Smith e dinte se nuk mund t’u besonte serbëve.

Sapo mori urdhrin e ri, agjenti Smith kërkoi të mësonte më shumë për qytetin e Prizrenit. I duhej të shkonte në një qytet dhe në një mjedis të panjohur. Dhe aty, mes më shumë se njëqind e tridhjetë mijë banorëve, të gjente një profesionist të vërtetë. Kishte me vete fotografitë e Agronit dhe të Lindës. Meqë e dinte se do ta kishte të vështirë ta gjente Agronin, atëherë mbetej të gjenin Lindën në fillim dhe pastaj ajo t’i çonte tek ai.

Këtë mund ta bënte sigurimi serb, që kishte një rrjet të fortë dhe të shpërndarë në terren.

“Të shohim tani sesa konkret do të jetë bashkëpunimi i premtuar”, mendoi agjenti duke aluduar për premtimin që kishte marrë ditë më parë nga zyrtarët e policisë serbe.

E dinte se duhej të vepronte menjëherë, nëse donte të arrinte në kohën e duhur në Prizren. Kapi telefonin dhe formoi një numër. Do të urdhëronte gjendjen e gatishmërisë së plotë për gjithë ekipin.

3.

TË NESËRMEN NË MËNGJES

Linda po vinte këmbë për herë të parë në Malishevë. Qyteza nuk i la ndonjë mbresë të veçantë, përveç faktit se ishte i vetmi vendbanim i madh që ishte çliruar dhe jeta aty zhvillohej sipas ligjeve të reja, ndonëse ende të pashkruara. Por ndoshta nuk i bëri përshtypje edhe ngaqë me mendje ishte diku tjetër.

Një natë më parë nuk kishte fjetur pothuajse fare, sepse tërë kohën kishte pasur në mendje Agronin dhe kishte një parandjenjë se mes tyre mund të ndodhte diçka e keqe. Nuk arrinte ta shpjegonte këtë, por diçka i thoshte se mund ta humbte përgjithmonë. Mund të vritej diku? Mund ta tradhtonin dhe ta dorëzonin te serbët? Nuk donte t’i mendonte këto gjëra, por megjithatë nuk i hiqeshin nga mendja dhe kjo e shqetësonte pa masë. Sapo e kishte gjetur dashurinë e jetës dhe më në fund mund të mendonte për kohën që do të vinte pas luftës. Dhe atë nuk mund ta mendonte kurrsesi pa Agronin.

Krejt e turbulluar dhe me kokën që i ziente, po ecte nëpër rrugët e zhurmshme të Malishevës. Nuk kishte pasur kurrfarë dëshire të shkonte aty, por Oficeri e kishte njoftuar se duhej të paraqitej urgjent te zyrat e shtabit në Malishevë.

Aty jashtë po e priste Oficeri bashkë me një tjetër. Ajo nuk e dinte që ai tjetri ishte Naimi. Linda u afrua dhe i përshëndeti ushtarakisht.
– Kjo është Linda. Ua kalon edhe burrave më të fortë, – i tha Oficeri kolegut të vet, kurse Linda nuk reagoi fare.

– Linda, – iu drejtua asaj ndërkaq, – ky është një koleg i imi.

– Kam nderin, zotëri, – ia ktheu shkurt ajo.

Kishte diçka në sytë e atij njeriu që asaj iu duk e njohur, megjithëse nuk e kishte parë kurrë në jetën e vet.

– Është nder për mua. Nuk më ndodh shpesh të takoj luftëtarë të ditëve të para. Jam i lumtur që përsëri je mes nesh. E di që do të shkëlqesh në fushëbetejë, – ia ktheu Naimi.

– Si urdhëron, zotëri! – ia ktheu Linda ushtarakisht, sepse nuk kishte ndërmend ta vazhdonte bisedën më tej.

– Të thashë që është e prerë, – ndërhyri Oficeri. Pastaj, po duke iu drejtuar sërish Naimit, tha: – Tani më fal, por duhet të shqyrtoj diçka me Lindën.

4.

PO AJO KOHË

Në takimin e fundit, Naimi i kishte kërkuar Agronit që të nesërmen të takoheshin në shtab dhe aty të diskutonin për hapat e tjerë të planit. Agroni donte t’i bënte shumë pyetje Naimit. Ishte i bindur se po i tregonte shumë pak nga ajo që po ndodhte me të vërtetë, por diçka i thoshte se ishte ende shpejt për t’i shfaqur dyshimet e veta. Edhe për njëfarë kohe do t’i duhej të luante rolin e ushtarit besnik, i cili vetëm zbaton urdhrat dhe nuk bën pyetje rreth asaj që kërkohet prej tij. Me këto mendime u nis në drejtim të shtabit, por disa dhjetëra metra para se të arrinte, ndaloi në vend. Para ndërtesës së shtabit ishin Naimi dhe një ushtarak tjetër që po bisedonin me Lindën.

Ç’donte Linda me Naimin? Njiheshim me njëri-tjetrin? Apo ndoshta… Por nuk donte ta çonte nëpër mend se Linda mund të ishte pjesë e ndonjë loje të shumëfishtë që po luante Naimi. Si për ironi, iu kujtua çasti kur, në Ulqin, ndërsa ajo flinte, ia kishte drejtuar revolen në kokë. Atëherë nuk kishte mundur ta bënte, por tani, diku thellë brenda vetes, një zë i thoshte se atë ditë mbase ishte treguar vërtet i dobët.
“A thua të jem kaq naiv?” mendoi Agroni dhe gati sa s’po pëlciste nga inati. “Po Naimi? Ah, sikur ta dija se çfarë loje po luan!”

Po e mbyste shqetësimi, por ishte i detyruar të ruante gjakftohtësinë. Nga larg i vështroi sërish të tre dhe kur Linda me atë tjetrin hynë në ndërtesë, vazhdoi rrugën drejt Naimit. Kur iu afrua, ndaloi. E dinte mjaft mirë sesi duhej të sillej. Nëse të gjithë aktronin aq bukur, pse të mos e bënte edhe ai?

– Komandant, sipas kërkesës suaj, ju paraqitem! – iu drejtua nga mbrapa.

– Nuk kam kërkuar… – nisi të thoshte Naimi duke rrotulluar trupin andej nga erdhi zëri, por ndaloi dhe buzëqeshi kur pa se ishte Agroni. – Eja futemi brenda të bisedojmë, – i tha menjëherë. – S’kemi pse të rrimë këtu jashtë.

– Jo, – ndërhyri menjëherë Agroni dhe e kapi për krahu për ta tërhequr në drejtim të kundërt me shtabin, sepse nuk donte të takohej me Lindën aty brenda. – Më mirë shkojmë e flasim në ndonjë kafene apo duke shëtitur.

– Nuk e ke keq, – ia ktheu Naimi me dashamirësi.

Fytyra e Naimit shkëlqente sikur çdo fjalë që thoshte t’i dilte drejt e nga zemra, por Agroni nuk dinte sesi ta merrte këtë mënyrë sjelljeje. Gjithçka po i dukej tejet e ngatërruar.

5.

Linda dhe Oficeri ishin në një zyrë të vogël dhe po vijonin bisedën.

– Pra, duhet të shkoj në Prizren, sepse atje mund të vijë Agroni. Mirë, e kuptoj, po pse atje?

– Nuk di! Vërtet që nuk di më shumë, – tha ai dhe mblodhi supet. – Urdhri sapo mbërriti, prandaj duhet të shkosh atje dhe ta gjesh. Por duhet të kesh shumë kujdes!

– Pse? – e pyeti Linda, megjithëse e dinte përgjigjen.

– Duhet të ruhesh edhe prej amerikanëve, që supozohet se do të jenë aty. Por më shumë prej policisë serbe, e cila, ashtu si në Ulqin, do të futet në lojë. Amerikanët ende nuk u kanë dhënë serbëve asgjë për ty, por në çdo çast mund të ndodhë që t’u japin fotografinë tënde. Siç bënë edhe me të Agronit.

– Prizreni është i madh, – pëshpëriti Linda sikur të fliste me vete, me mendimin se mund të futej mes njerëzve dhe ta përdorte këtë si përparësi për t’u shkrirë me turmën.

– Për atë punë mos u mërzit! – ndërhyri oficeri, që kujtoi se Linda po mendonte se në tërë atë qytet do ta kishte të vështirë ta gjente Agronin. – Sipas informacioneve që kemi, Agroni do të ketë një takim me dikë në lagjen “Lakuriq”. E di ku është?

Linda pohoi me kokë.

Ajo e njihte shumë mirë Prizrenin, sepse disa vjet më parë kishte qëndruar disa herë aty në shoqërinë e një shoku të saj të vjetër, i cili ndërkohë s’dihej se ku ishte.

Linda u ngrit më këmbë dhe iu afrua dritares dhe prej aty pa Naimin që po largohej bashkë me një ushtar tjetër. Nuk e dinte pse i ndodhte aq shpesh që, kur shihte ndonjë ushtarak, i krijohej përshtypja sikur ngjante me Agronin dhe atë çast mund të betohej se ushtaraku përkrah Naimit, edhe pse me shpinë të kthyer nga ajo, kishte të gjitha tiparet e Agronit. Çdo qelizë e trupit të saj dhe çdo atom i shpirtit nisën të vallëzonin nga gëzimi, sepse shumë shpejt do të takohej përsëri me Agronin.

6.

Agroni e dëgjonte me vëmendje Naimin, ndërsa ky i jepte udhëzimet se çfarë do të bënte kur të shkonte në Prizren. Madje vetëm e dëgjoi dhe nuk bëri asnjë pyetje. U tregua i kujdesshëm të mos i linte rast Naimit të mendonte se po dyshonte në sinqeritetin e fjalëve që thoshte. Megjithëse kishte parandjenjën se edhe në Prizren mund të kishte një aventurë të ngjashme me atë në Ulqin, ishte i vetëdijshëm se edhe këtë lojë duhej ta çonte deri në fund. Kështu duhej të vepronte, përderisa donte me çdo kusht që ta zbulonte gjithë të vërtetën. Agroni nuk kishte ndërmend që hëpërhë të nisej për në botën tjetër, kështu që do të kishte kohë sa të donte për të biseduar me Naimin, sidomos tani që e dinte edhe se ku mund ta gjente.

Por kishte edhe një arsye tjetër, që e nxiste edhe më shumë. Aq sa kërkonte të merrte vesh njëherë e mirë se ç’lojë po luante Naimi, po aq donte të kuptonte edhe për natyrën e bashkëpunimit të tij me Lindën. Sipas të gjitha gjasave, edhe Linda do të ndodhej në Prizren. Një pjesë e tija dëshironte që, po ashtu si ai, edhe Linda të ishte viktimë e një loje të madhe që luhej nga Naimi dhe të tjerë. Por pjesa tjetër dyshonte se edhe ajo, me vetëdije, mund të ishte pjesë e lojës.