~ Bombë në Beograd ~

Epilog

1.

SHTËPIA E BARDHË, KRAHU PERËNDIMOR, DISA DITË MË PAS

Agjenti Smith sapo kishte dalë nga takimi me këshilltarin për Sigurinë Kombëtare të Presidentit, ku kishte paraqitur me hollësi shpjegimet për raportin e tij. Përveçse për bombën, këshilltari ishte interesuar edhe për situatën në terren dhe agjenti kishte shfrytëzuar rastin të theksonte se ishte e domosdoshme që administrata amerikane të lejonte vendosjen e kontakteve me kryengritësit shqiptarë, sepse ata ishin jashtë kontrollit politik të udhëheqësve të moderuar në Prishtinë. Këshilltari i kishte thënë se kjo çështje po diskutohej ndërkaq dhe kishte shumë mundësi që Presidenti të autorizonte një diplomat të profilit të lartë për të vendosur kontaktet e para.

Nga ajo çka arriti të kuptonte, Presidenti ishte tepër i shqetësuar për skemën e mashtrimit që ishte përgatitur nga serbët dhe rusët, kështu që e gjithë kjo nuk do të kalonte pa u ndëshkuar. Këshilltari e njoftoi se Presidenti kishte urdhëruar Pentagonin të fillonte planifikimet për angazhime të mundshme ushtarake në rajon, çka do të thoshte se administrata do të kishte nevojë edhe më tutje për të dhe se ndoshta do t’i duhej të kthehej përsëri në rajon. Sipas fjalëve të këshilltarit, Presidenti ishte i vendosur të mos lejonte një Bosnjë të dytë, sepse ofensiva serbe që kishte filluar ato ditë tregonte se Millosheviçi përdorte logjikën ushtarake dhe jo atë politike. Lajmi për përgatitjen e planeve ushtarake e gëzoi agjentin, sepse kjo ishte një shenjë se mundi i tij ishte vlerësuar dhe se qeveria e tij ishte e vendosur t’i ndalonte serbët. Nga ajo që kishte parë në Kosovë, agjenti Smith ishte i bindur se serbët do të bënin lloj-lloj manovrash, por në fund përsëri do të përpiqeshin që problemin e Kosovës ta zgjidhnin me përdorimin masiv të forcës. Kjo do të thoshte se, herët apo vonë, edhe Pentagoni do të duhej të vinte në jetë planet e veta ushtarake.

“E megjithatë, në Beograd do të ketë bomba!” tha me vete Smithi.

2.

KOSOVË, NJË MUAJ MË PAS

– Nuk mund t’ia fal vetes pse nuk shkova me të! Tani nuk e di as ku është varrosur, – tha Linda, ndërsa bashkë me Naimin po kujtonin Agronin.

Pas dështimit në Rahovec, ishin detyruar të tërhiqeshin. Trupat serbe nuk e kishin ndalur ofensivën dhe kishin sulmuar në çdo pikë dhe në çdo kohë të mundshme. Pavarësisht rezistencës së fortë të luftëtarëve, ishte pothuajse e pamundur të ndalej egërsia e sulmeve të tyre dhe lufta vazhdonte. Ndërkohë, në kulmin e ofensivës serbe, diplomati amerikan Hollbruk kishte marrë kontaktet e para me UÇK-në dhe ky fakt i jepte shpresë Naimit se amerikanët do të ndërhynin. Gjithçka që duhej të bënin ishte që të mos thyheshin dhe ta vazhdonin luftën me çdo kusht.

– Mua më duket se Agroni është këtu me ne. Po ty? – e pyeti Lindën, e cila vetëm mbushi sytë me lot.

– Po! Gjithë kohën më duket sikur është përherë është këtu, por… – dhe e ndërpreu fjalinë.

– Por… çfarë? – e pyeti Naimi, ngaqë donte të dinte patjetër se ç’mendonte ajo.

– Por kam frikë se ka vdekur kot, – tha ajo me gjysmë zëri. Naimi iu afrua, shtrëngoi fort automatikun në dorë dhe i tha:

– Shiko, Linda! Shikoji ata djemtë e rinj maleve, që nuk duan të ndalen. Edhe pse armiku na vrau e na plagosi për vdekje, ata nuk do të dorëzohen kurrë! Jo, Linda! Ai nuk ka vdekur kot. Është kujtimi për të që, ndonëse në këtë moshë që jam, erdha këtu në front.

3.

DIKU NË ZONËN AFËR KUFIRIT ME SHQIPËRINË

Shpërthimet trandën tokën.

Duke shfrytëzuar errësirën, luftëtarët nën komandën e Naimit i ishin afruar ndërtesës së vogël që shërbente si shtab për kampin e improvizuar të armikut – të mbushur me mercenarë të huaj – dhe kishin vendosur eksplozivë në pikat kryesore.

Askush nuk i kishte parë, ndaj dhe mercenarët nuk po e kuptonin se çfarë po ndodhte. Çdo përpjekje e tyre ishte e kotë. Binin si zogjtë. Plumbat nga errësira, ku ishin pozicionuar ushtarët e Naimit, nuk i linin as të ngrinin kokën.

Pas kësaj ra një qetësi e rëndë. Në fushën e luftimeve shiheshin vetëm trupat e pajetë të mercenarëve dhe gjashtë ushtarët e UÇK-së që silleshin mes kufomave. Njëri prej tyre ishte edhe Linda.

– Linda, nxito, duhet të largohemi sa më shpejt, – iu drejtua Naimi, i cili po bëhej gati bashkë me të tjerët. Ai mbante në kokë një beretë të kaltër, që e vinte sa herë që shkonte në betejë.

– Erdha, – ua ktheu ajo, ndërsa po shkruante diçka në mur. Naimi e pa dhe, kur e lexoi mbishkrimin, i rrodhën lot faqeve. Në mur shkruhej: “Hakmarrje deri në Beograd – Agroni.”