~ Zonja Z ~

Tradhtia

(shënim i Zonjës Z)

 

Nuk mund të jap një përgjigje universale pse femrat tradhtojnë. Mbase ti mund të më tregosh pse meshkujt tradhtojnë? E bëjnë nga nevoja apo nga arroganca? E bëjnë pse janë të pakënaqur apo e bëjnë për shkak se duan të provojnë sa më shumë femra, në mënyrë që më pas të krekosen para miqve?

Ti hesht dhe, në vend të më përgjigjesh, më pyet, a kam tradhtuar unë ndonjëherë?

Po!

E kam bërë qoftë nga inati apo si hakmarrje kur i kam zënë duke më tradhtuar. Por ka pasur raste kur thjesht nuk jam ndier e përmbushur dhe kam kërkuar diçka më shumë.

A pendohem për këtë?

Jo!

Por, në të njëjtën kohë, nuk e konsideroj se kam fituar ndonjë gjë të madhe me këtë punë. Paradoksi është se edhe në këto situata më kanë parë si pronë. Nuk ndiheshin keq, pse ata vetë kishin tradhtuar më parë apo pse më kishin neglizhuar dhe nuk kishin treguar kujdes të mjaftueshëm për nevojat e mia, por zotërinjtë ndiheshin keq pse dikush tjetër kishte prekur mbi mua. Vetë mund të bëjnë çfarë të dëshirojnë, por të tjerët nuk e kanë këtë të drejtë.

Më e udhës është që problemin ta shtrojmë ndryshe: Të të tregoj përse më ka ndodhur që të humb interesimin për një mashkull, edhe pse ishim në lidhje për një kohë të gjatë.

Me kohën kam kuptuar se në një lidhje janë dy pika vendimtare të kthesës që e diktojnë gjallërinë dhe zbehjen e saj. E para kur ndieja se të dashurit tim mund t’ia thosha të gjitha. E dyta kur e ndieja se nuk kishim më çfarë t’i thoshim njëri-tjetrit. Kjo e fundit rëndom ndodhte për shkak se, pasi çimentohej lidhja, më merrnin për të mirëqenë. E humbnin përkushtimin, nuk ndienin nevojë të më thoshin më fjalë të bukura, të ma bënin me dije se edhe më tutje isha e adhurueshme dhe e dëshirueshme. I neglizhonin po të njëjtat gjëra që ishin bërë shkak që të dashurohesha.

Pos kësaj, ajo çka më së shumti më ka zhgënjyer është hipokrizia që e kanë shprehur me kalimin e kohës. Në fillim më thoshin se më donin për shpirtin tim rebel, për çmendurinë time, për mënyrën se si e shihja botën dhe më pas turreshin që të më kufizonin në po të njëjtat gjëra. Më privonin nga e drejta që të jem vetja, aq sa ndieja se zemra po më rrihte mes gërmadhash të ëndrrave të mia. Kështu natyrisht e humbja pasionin dhe rebelohesha, pasi prekesha në nervat më të ndjeshëm, në ato që shkojnë drejt e në zemër.