~ Zonja Z ~

Takimi i parë

Takimin tonë të parë e kujtoj njësoj sikur të ishte pjesë nga filmi im më i dashur. Ajo pjesa më e bukur dhe më e fuqishme emocionalisht ku nën ndikimin e muzikës dhe efekteve speciale, kupton se po ndodh diçka magjike.

Nuk e di nëse ndonjëherë ke përjetuar atë situatën ku një i panjohur, të cilin sapo e ke takuar, të bën të ndiesh se njiheni prej një jete. Nuk e ke parë kurrë dhe as nuk di gjë për të, por, megjithatë ti ndien diçka. Diçka të shkruar në ngjyrën e syve dhe të fshehur në hijëzimet e buzëqeshjes. Një ndjesi të njohjes, të koduar në ngrohtësinë e një shkëmbimi të rastësishëm shikimesh. Aty për aty, ke ndjenjën se një forcë e mistershme të ka bartur në një dimension tjetër dhe se i gjithë universi po përpiqet të të tregojë diçka. Diçka që buron nga amshueshmëria vetë dhe që mund të kuptohet vetëm me gjuhën e pafjalë të shpirtit. I mbërthyer në këtë ndjenjë, nuk mund të bësh asgjë. Belbëzon. Por fjalë nuk nxjerr dot.

Kështu ndihesha atë mbrëmje, përballë Z-së. Ajo ishte me dikë tjetër, një mëtues nga ata bukuroshët fjalëpakë, i cili bënte të pamundurën që ta impresiononte. Nuk e di pse ajo zgjodhi ta injoronte atë dhe vazhdimisht gjente një mënyrë të më bënte të kuptoja se vëmendjen e kishte te unë. Në intervale pothuajse ritmike, krejt shkurt dhe të dy duke u shtirur se fajet i kishte rastësia, vështrimet tona përplaseshin me njëri-tjetrin. Sa herë që ndodhte kjo, në fytyrën e saj shfaqej një buzëqeshje e lehtë dhe për të gjithë të tjerët pothuajse e padukshme, por që mua më mjaftonte për të ma përçuar mesazhin se asaj po i pëlqente kjo lojë.

Vloja, përcëllohesha, shpërtheja në heshtje, digjesha dhe shkrumbohesha nga ndjesia që Z-ja po më jepte atë mbrëmje. Dhe kjo nuk kishte të bënte aspak me bukurinë e saj që, dorën në zemër, secilit të vdekshëm ia merr frymën dhe as me epshndjelljen misterioze të saj, që jam shumë i bindur se edhe të vdekurin do ta ngjallte për ta dëshmuar veten në një betejë të fundit.

Jo. Kjo ishte krejt diçka tjetër.

Ishte diçka që buthtonte nga e pazbërthyeshmja e kësaj bote, që nuk mund të shprehet as me fjalë dhe as me diçka tjetër dhe që Z-ja tërë kohën e ndiente brenda vetes e nuk ia tregonte askujt. Madje as atij mëtuesit ambicioz që kishte përballë. Prandaj Z-ja po më buzëqeshte, sepse e dinte se unë po e ndieja të pazbërthyeshmen brenda saj.

Që nga ajo mbrëmje vazhdimisht e rigjej sekretin e saj, atë që të gjithë meshkujt, sado kryelartë dhe të pashëm që mund të jenë, i kthen në skllevër të heshtur të saj. E jetoj në çdo frymë timen.