~ Zonja Z ~

Statujat moderne

(shënim i Zonjës Z)

 

Një ndër skemat më të shpifura që ka prodhuar morali sipërfaqësor është ajo e çifteve që bëjnë të pamundurën që në publik të projektojnë imazhin e një çifti të lumtur. Mund t’i shohësh nëpër bare dhe restorante, të ulur përballë njëri-tjetrit si statuja të zymta, me shikime të humbura diku në një pikë, pa ndërruar as edhe një fjalë të vetme. Njësoj si të ishin dy të panjohur. A ka lumturi këtu?

Janë po këta që kur shkojnë në gosti, burrat luajnë rolin e partnerit serioz, por, në të njëjtën kohë, tinëz, vëmendjen e kanë te këngëtaret dhe beqaret e lira. Atëherë kur fiksojnë një femër që ju pëlqen do të bëjnë të pamundurën që t’i marrin numrin e telefonit. E nëse nuk mund t’ia marrin numrin atëherë së paku emrin, në mënyrë që më pas ta gjejnë në Facebook. Në prapavijë të të gjithë kësaj, si të ishin të  programuar për shumë funksione përnjëherë, nuk do të harrojnë që dashnoreve të veta, kohë pas kohe, t’u dërgojnë mesazhe ku u thonë se i duan vetëm ato dhe se vetëm detyrimi po i mban në atë gosti.

Ndërkaq gratë, pasi përfundojnë ciklin e përshëndetjeve dhe urimeve, nguten të shkojnë në tualet që të bëjnë një selfie dhe t’ua dërgojnë atë dashnorëve. Nënteksti është i qartë: Kur po takohemi? Të shkretat mezi e presin takimin e radhës ku do të mund t’i bëjnë të gjitha ato që nuk bëjnë dot me burrat e tyre. Këtë transformim, nga shenjtorja e shtëpisë te kurtizania e harbuar, do ta kishte lakmi çdo aktore. E gjitha kjo thjesht nuk mund të aktrohet, sepse është art i përjetimit, i gatuar në heshtjen e zjarrtë të dinakërisë, një dinakëri e përsosur deri në detajet më të imta. Dinakëri në raport me njëri-tjetrin, por edhe në raport me rrethin. Ky është thelbi që i përkufizon këto statuja moderne që na zënë frymën duke dashur të na bindin sa të lumtur janë.

Çfarë ndodh me jetën në çift kur partnerët nuk kanë më çfarë t’i thonë njëri-tjetrit?

Ndodh jeta. Ajo me të gjitha të papriturat e veta, pa përkëdheli. Ajo nuk do t’ia dijë për idetë tona mbi lumturinë dhe as nuk na i fal ato budallallëqet e vogla që ne mendojmë se kemi të drejtë t’i bëjmë çdo ditë. Të gjitha ato komplekse që ushqejnë si meshkujt ashtu edhe femrat, me kohën bëhen më të rëndësishme se dashuria që fillimisht i ka bashkuar,  dhe me të rëndësishme se edhe vetë njëri-tjetri.

Jeta në çift është e kundërta e asaj çka ne mendojmë se duhet të jetë, shumica janë të papërgatitur për përgjegjësitë që nënkuptohen ndaj njëri-tjetrit dhe për kompromiset e vogla e të domosdoshme që duhen bërë. Në vend të kësaj, më shumë jepemi pas projeksionit tonë mbi tjetrin dhe jo pas asaj që tjetri realisht është.

Dy vetë mund të jenë bashkë për një kohë të gjatë, por, përderisa ngulmojnë të shohin vetëm atë që duan, atëherë do të vazhdojnë të ngelin të panjohur për njëri-tjetrin. Kjo i hap rrugë zhgënjimit të pafjalë, heshtjes që mbyt çdo përpjekje për bisedë. Çiftet zënë një hapësirë fizike diku, në dukje janë së bashku, ndërsa në të vërtetë janë shumë të largët. Në restorantet, pub-et dhe familjet tona ka aq shumë statuja të kohërave moderne, fytyra të ngrysura, buzëqeshje të ngrira, shikime të humbura, përherë të angazhuar se kush më shpejt do ta vrasë kohën.

A do të bëhemi edhe ne të tillë?

Në çastin kur edhe ne do të fillojmë të shihemi me sytë e botës, atëherë do të bëhemi të tillë. Por të jesh i sigurt se unë nuk do të lejoj që ndonjëherë të mbërrijmë deri në atë pikë. Unë kam aq krenari sa kur ta ndiej se diçka serioze nuk po funksionon, t’i largoj nga jeta ime të gjitha ata që nuk më vlerësojnë për atë çka jam vërtet.