~ Zonja Z ~

Rigjetja

Shqiptarët vazhdojnë të jetojnë në qerthullin e shtirjes kolektive, ku mjerimi shitet si devotshmëri ndërsa lumturia kryqëzohet si një mëkat kardinal. Madje përpjekjet për ndryshim konsiderohen një lloj mëkati. Të jetosh në mesin e këtyre njerëzve është njësoj si të jetosh brenda një flluske kohe, ku kurrë, asgjë nuk ndryshon. Gjithçka lejohet në mbrojtje të rendit të shëmtuar që sundon brenda saj. Kush nuk pranon ta përqafojë mendësinë e flluskës dhe të heqë dorë nga ëndrra e lumturisë, luftohet si të ishte ithtar i djallit vetë. Meshkujt ëndërrimtarë stigmatizohen si të çmendur, të shthurur apo perversë, ndërsa femrat ëndërrimtare damkosen si të përdala, lavire dhe magjistrica.

Këtë flluskë, unë dhe Z-ja e përjetonim si një lloj purgatori, ku ishim kurthuar të dy. Mjaftonte të mbyllnim sytë që të takoheshim në labirintin e moskuptimit të qëllimshëm nga të tjerët. Aty ku pasigurinë e ngujonim brenda heshtjes sonë. Ndiheshim të mpirë, nga lëndimi i botës që nuk na kursente, por të qartë në ëndrrën që shihnim të dy. Mpirje dhe qartësi, ky ishte paradoksi. Ky është sekreti që na mbante të lidhur me njëri-tjetrin, sepse unë dhe Z-ja u takuam në kryqëzim të botëve – aty ku jeta dhe vdekja përthithen me njëra-tjetrën. Të dy ishim të lodhur nga shterpësia e flluskës që na ngërthente brenda skemave të së shkuarës dhe nuk mund ta përballonim më që jeta jonë të na shteronte para syve, pa ndonjë motiv.

Ka mënyra të ndryshme të vetëvrasjes. Unë dhe Z-ja kishim zgjedhur atë të vdekjes për së gjalli. Aq na bënte nëse në fund do të katandiseshim nën rrotat e ndonjë kamioni,  do të binim nga ndonjë ballkon të dehur tapë a do të përfundonim në ndonjë tualet të pistë me një koktej antidepresivësh në dorë. Kjo s’kishte rëndësi. Që të dy e kishim humbur besimin se diçka mund të ndryshonte dhe se do të ishim të lirë të ndiqnim ëndrrat tona.

Ndonëse këtë nuk donim t’ia pranonim vetes, ishim treguar qyqarë, sepse në njëfarë mënyre ishim dorëzuar. Ndryshe nga ata që përfundojnë në litar apo zgjedhin ndonjë mënyrë tjetër të shpejtë për të ikur nga kjo botë, për ne askush s’do të pyeste se çfarë na e kishte shtrënguar shpirtin; do t’ia vinin fajin alkoolit, drogës a tangërllikut sonë të nxitur nga të mirat materiale. Mes botëve ishte stacioni ynë i fundit, prandaj edhe s’kishim pse nguteshim: kishim gjithë kohën e mundshme. Dhe në vend që t’ia ushqenim dëshpërimin dhe zhgënjimin njëri-tjetrit, bëmë të kundërtën – ndihmuam njëri-tjetrin të rigjenim magjinë e jetës. Në atë vend, ku mbase gjithkush tjetër do të gjunjëzohej në aktin e dorëzimit të fundit, ne zbuluam forcën e dashurisë.

Disa mendojnë se dashuria matet me pasionin dhe epshin, kujdesin material ndaj tjetrit, xhelozinë e shprehur apo ndonjë shenjë tjetër të tillë. Asgjë s’më bind. Kur dy vetë dashurohen vërtet, së pari janë shokë shpirti, bashkudhëtarë të sinqertë në çfarëdo rrugëtimi që zgjedhin. Ata flasin pareshtur, sepse çdo temë iu duket interesante dhe me vlerë.

Këtë bënim edhe ne: bisedonim për çdo gjë që na binte ndër mend. Unë kisha shumë pyetje dhe ajo tregonte mjaft durim me kureshtjen time. Ndodhte që këto biseda zgjasnin deri në agim, aq sa më dukej se po jetoja netët arabe të Sheherazades. Kisha ndjesinë se po rizbuloja veten, atë vete që, nën presionin e zhgënjimeve të njëpasnjëshme, e kisha humbur diku përgjatë viteve. Isha si një fëmijë naiv para fshehtësive të jetës dhe delikatesës femërore. Pak para agimit, ngërtheheshim me njëri-tjetrin për ta pritur mëngjesin të përqafuar. Ajo strukej në gjirin tim, më mbështillej fuqishëm rreth belit, ndërkaq unë e shtrëngoja thua se trembesha se dikush do ta grabiste.

Dhe nëse do të më pyesje pse Z-ja ka pasur një ndikim kaq të madh mbi mua, do të të përgjigjesha me vetë fjalët e saj:

“Mos u shmang para asgjëje! Por sprovoje forcën tënde në çdo gjë që ta ngacmon shpirtin, sepse jeta nuk është një proces të cilin duhet ta kalosh në pritje të diçkaje që mund të mos vijë kurrë. Shprishe të rëndomtën dhe sfidoje përditshmërinë! Njeriu duhet të jetojë me pasion dhe me guxim, sepse përndryshe është vetëm spektator në këtë botë.”

E di fort mirë, mendimet e Z-së nuk janë zbulime revolucionare; ajo flet për ato gjërat që të gjithë i dimë, të gjithë i ndiejmë dhe i jetojmë, por pak nga ne i shprehin. Por, ndryshe nga të tjerët, Z-ja nuk hesht. Ajo refuzon që të jetë një kukull e bukur dhe e pafjalë. Pavarësisht çmimit që duhet të paguajë, ajo rreket ta mbushë jetën me fantazi e t’i shkojë gjer në fund pasioneve të saj. Andaj, në sytë e puritanëve të qëmotshëm, ajo është një heretike, vazhduesja e lojës së gjarprit në kopshtin e parajsës.