~ Zonja Z ~

Rebelimi seksual

(shënim i Zonjës Z)

 

Dua të të tregoj historinë e asaj që mund të cilësohet si fillimi i rebelimit tim seksual. Pakkush mund ta besojë, por virgjërinë e kam humbur vonë, diku në vitin e dytë të fakultetit, me një djalë me të cilin njihesha që në gjimnaz. Qëndruam të lidhur rreth tre vjet, por në vitin e fundit fillova ta ndieja sikur e kisha vëlla. Thjesht nuk ndieja më asnjë lloj tërheqjeje. Ai vetë mjaftohej me një seks të shpejtë e përmbarimtar dhe as nuk kujtohej të merrej me mua. Nuk e ndiente se unë kisha nevoja përtej një marrëdhënieje bardhezi dhe se isha një natyrë që kërkonte të sfidohej me gjëra të reja. Ndoshta sillej kështu pasi ishte i ri dhe ende nuk kuptonte mirë as veten e tij, por mua më ishte sosur durimi dhe nuk mund të prisja në pafundësi që ai të piqej. Nuk mund ta vazhdoja jetën me dikë, për të cilin nuk ndieja më asnjë lloj tërheqjeje, vetëm e vetëm se familjet tona kishin krijuar disa ide për të ardhmen tonë dhe prisnin që ne të fejoheshim. Kur i bisedoja këto me shoqet e mia, ato më etiketonin si të çmendur. Sipas tyre, nuk kishte fort rëndësi çfarë ndieja gjatë seksit, por kishte rëndësi të ruaja lidhjen me çdo kusht.

As familja dhe as shoqëria ime nuk donin të kuptonin se unë nuk mund ta imagjinoja veten si një femër që duhet vetëm të hapë këmbët dhe të jetë në shërbim të dëshirave të dikujt. Nëse i dashuri im kishte nevojë për dikë që të zbrazte koqet, atëherë, për aq sa më interesonte mua, ai mund edhe të masturbohej. Nuk e kuptoja pse kënaqësia e tij duhej të vinte para simes.

Pavarësisht pritjeve të familjes sime dhe kritikave të shoqeve të mia, vendosa të ndahem. Në fillim kisha pak dilema, se mos ndoshta po ngutesha, por në çastin kur ia komunikova dyshimet e mia, kuptova se sa të drejtë kisha që po e braktisja. Ai as që ishte i vetëdijshëm se diçka po vlonte brenda meje, mendonte se gjithçka shkonte mirë mes nesh dhe as që e kishte ndier pakënaqësinë time. Për mua ky ishte kulmi. Ka gjasa që edhe sot e kësaj dite të më quajë të çmendur që prisha parajsën midis nesh.

Nëse historia me vëllanë tim ishte çasti kur isha liruar nga kthetrat e skemave që më impononte mendësia e nënës sime, pakujdesia dhe arroganca e të dashurit tim ishte çasti kur ndjeva se duhet të lirohesha nga kthetrat e skemave me të cilat jetonin shoqet e mia.

U rebelova dhe fillova një kapitull të ri. Doja ta eksploroja deri në fund seksualitetin tim dhe të zbuloja atë shkëlqimin e trëndafiltë që ndien një femër atëherë kur plotësohet seksualisht dhe shpirtërisht. Këtu filloi periudha më intensive e jetës sime, ku për disa u bëra një yll i paarritshëm, për disa një e përdalë e për disa të tjerë vetëm një e çmendur. Pakkush e kupton se jam vetëm një shpirt i rebeluar.