~ Zonja Z ~

Prolog

E dashuroja me gjithë shpirt dhe në këtë lojë tonën të dashurisë nuk kishte vend për asgjë tjetër. Në tik-taket e pandalshme të kohës, çdo gjë tjetër bëhej gjithnjë e më pak e rëndësishme. Pjesa tjetër e botës shlyhej nga regjistri i vëmendjes sime dhe i lëshonte vend Z-së.

Ajo u bë qendra e universit tim: Z-ja, vetëm Z-ja.

Shkrimtari shkruan për t’i dhënë kuptim lëmshit që ndien brenda vetes, ndërsa mua tashmë më mjaftonte Z-ja, ndaj edhe nuk ndieja nevojë që të shkruaja. Isha i lumtur dhe njerëzit e lumtur rrallëherë shkruajnë. Në universin e Z-së, nuk isha më shkrimtar. Nuk ekzistonin librat, nuk ekzistonin lexuesit, nuk ekzistonte ankthi i ëmbël në pritje të botimit të ri. Aty isha vetëm një shpirt i ngazëllyer dhe i ripërtërirë.